Δευτέρα 19 Μαΐου 2008

Mbi megalomaninë, mediokritetin, pseudot, gjasmet, gjysmat...

Mbi megalomaninë, mediokritetin, pseudot, gjasmet, gjysmat...

Ardi Stefa
Në kohën kur Shekspiri shkruante tragjeditë e tij të famshme, në Angli trupat teatrore nuk kishin femra aktore, por aktorë meshkuj që luanin rolin e femrave. Ndoshta kjo nuk ka edhe aq shumë rëndësi sa ç’ka fakti që do të përmend më poshtë. Gjatë kohës që Sheksipri kishte shkruar dhe po bënte provat për vënien në skenë të tragjedisë së tij, ndoshta më të famshme, “Romeo e Julieta”, aktorët, (edhe ata që luanin rolin e femrave në tragjedi), i ndalonin rrugës e i pyesnin se për çfarë bënte fjalë vepra, në të cilën merrnin pjesë...
“Bën fjalë për një dado, e cila kishte rritur Julietën, e cila dashuronte Romeon....”
“Bën fjalë për një farmacist, i cili në vepër u dha helmin, që pinë dy dashnorët, Romeoja dhe Julieta...”
“Bën fjalë për një prift, i cili i martoi fshehurazi Romeon e Julietën, dhe,...”
“Bën fjalë për Horacin, një shok të ngushtë të Romeos, të dashurit të Julietës, i cili u vra në një grindje...”
Bën fjalë...
Të gjithë aktorët flisnin për rolet e tyre, që mundet të ishin dytësore, të tretë apo të dorës së katërt dhe harronin ata që ishin protagonistët e vërtetë, Romeon dhe Julietën..., emrin e të cilëve kishte marrë edhe tragjedia më e famshme e botës...
E solla si shembull këtë “sajesë”, pasi më bën përshtypje fakti që shumë vetë sot, pavarësisht, se nuk janë askushi, e theksoj ASKUSHI, e paraqesin veten si shpëtimtarët e botës, të letërsisë, të artit, të muzikës, të gazetarisë...
Flasin e i thurrin ditirambe vetes aq sa mua, të paktën, më vjen pështirë. Kam besimin se u vjen të pështirë edhe shumë të tjerëve që mendojnë si unë, që e konceptojnë botën si unë.
Në këtë rast nuk është vetëm faji i këtyre “të psonisurve”, ose e thënë në shqip e trapëve. Është edhe faji ynë që shpesh herë u kemi dhënë mikrofonin, faqet e gazetave, ekranet e televizorëve, apo edhe kronikat e lajmeve për të emetuar trapllëkun, megalomaninë, mediokritetin, pseudo-gjasme-gjysmeintelektualizmin, pseudo-gjasme-gjysmepatriotizmin, pseudo-gjasme-gjysmeshqiptarizmin...

Kush do të marrë mitrolozin?


Kush do të marrë mitrolozin?

Ardi Stefa
Nuk vuaj nga sindromat e ndjekjes, por çdo ditë që kalon ndiej gjithnjë e më shumë se më ngrihen kurthe për të ngrirë çdo gjurmë të reagimit tim. Banka kur shkoj për të depozituar qiranë më vjedh me një taksë shtesë, makina ime shkatërrohet ditë për ditë në gropat e pafundme të rrugëve greke, bashkia vendos vetë për shtimin e taksave dhe për taksa të reja, reklamat në TV e radio më konsiderojnë idiot, lajmet zhvlerësojnë inteligjencën time në gradën “zero”, politika më ofron çdo ditë e më tepër mësime mashtrimi, pandershmërie e egoizmi; tabelat e mëdha të reklamave më fshehin qiellin dhe më zhysin gjithnjë e më tepër në thellësi. Më konsiderojnë disa prezantues e producentë televizivë si idiot e injorant. Më fyejnë e më poshtërojnë gjithmonë. Çdo ditë e më tepër më shtohet dëshira që të marr në dorë një mitraloz dhe të dal nëpër rrugë e të vras të gjithë ata që vrasin delikatesën time, inteligjencën time, mirëkuptimin që përpiqem të kem me të gjithë njerëzit, të bardhë a të zinj, mirëkuptimin që përpiqem të kem si njeri...
Të vras të gjithë ata që më bëjnë kafshë. E vetmja shpresë, është pjesa optimiste e qenies sime, e cila më vërteton se një ditë disa kafshë do të marrin në dorë mitralozët dhe do të dalin nëpër rrugë...

Gjyshi, që u mëson shqipen fëmijëve nëpërmjet përrallave...







Gjyshi, që u mëson shqipen fëmijëve nëpërmjet përrallave...
Ardi Stefa
Nuk e di nëse ndonjëherë edhe juve ju merr malli për përrallat, apo librat për fëmijë, me të cilët në Shqipëri u rritën breza të tërë. Ndoshta ju kujtohet edhe juve emisioni i përrallave çdo ditë në orën 18.00 që transmetonte dikur Radio Tirana, apo emisioni i përrallave të shtunave pasdite?
Mua për vete më merr gjithmonë malli dhe dua t’ju garantoj se edhe nga biblioteka ime këtu në Athinë nuk më mungojnë as përrallat e Andersenit, as “Pinokio”, as “Aventurat e Çipolinos”, as “Aventurat e Gozhdës”, as “Dy vjet pushime”, as “Çufoja dhe Bubi kaçurrel”, as “Djemtë e rrugës Pal”, as “Oliver Tuisti”, e as shumë libra të tjerë për fëmijë. Shpesh herë shkoj në bibliotekë, i nxjerr e i shfletoj me shumë mall e nostalgji. Bile kam kënaqësinë që t’i lexoj deri në fund, megjithëse kam hyrë në të tridhjetëegjashtat.
Janë libra me të cilët u rritëm, mësuam të flasim, të lexojmë e të shkruajmë. Janë libra, me të cilët mësuam të shikonim e të kuptonim jetën. Libra, të cilët luajtën rol të madh e pozitiv në formimin tonë. Janë libra, të cilët, të paktën për brezin tim e të prindërve tanë zënë një vend të veçantë në jetë.
Nuk ua fsheh që këto libra ua kam blerë e bërë dhuratë edhe nipërve të mi, si në shqip edhe në greqisht.
Dua që edhe ata të mësojnë të lexojnë e të shikojnë jetën nëpërmjet dritareve që u çelin këta libra, e jo nëpërmjet filmave vizatimore me “Power Raingers”, “Batman”, fantazmave të çdo lloji e superheronjve inekzistentë. Dhe gëzohem sa herë që ata vijnë për të ndenjur tek unë në fundjave dhe ose i lexojnë vetë përrallat, ose ua lexoj unë. Gëzohem, sepse jam i bindur që nga ato përralla e nga ato libra ata do të bëhen më të mirë, më të pastër në këtë botë.
Gëzohem, sepse shikoj një shpresë të re të lindë kur i pëlqejnë e i përjetojnë historitë e librave, me të cilat ne u rritëm njëlloj si ne, qoftë edhe kur i shohin si filma në televizor.
Do të thoni me vete se po flas për përralla në një kohë që të tjerët kanë halle të tjera më të mëdha për të përballuar. Në një kohë që të tjerët punojnë e robëtohen nga mëngjesi në darkë për të nxjerrë bukën e gojëls dhe s’kanë nge t’i puthin fëmijtë e tyre në mbrëmje e jo më t’u blejnë libra me përralla, e t’ua lexojnë e t’ua shpjegojnë...
Ndoshta është edhe kështu. Por u zgjata pak si tepër në hyrje për t’u treguar për një njeri, i cili meriton një respekt e vlerësim të jashtëzakonshëm nga të gjithë ne.
Quhet Pertef Nebiu. Është 67 vjeç nga Gramshi. Ka punuar një jetë të tërë në fshatrat e Veriut të Shqipërisë si mësues.
Sot jeton në Kipseli së bashku me djalin, nusen dhe dy nipërit e vegjël, të cilët ende nuk shkojnë në shkollë.
Deri këtu s’ka asgjë të veçantë që ta dallojë nga të tjerët pensionistë emigrantë që jetojnë vitet e fundit të jetës në mergim, duke u ardhur në ndihmë fëmijëve të tyre, duke mbajtur nipërit, e duke bërë pazaret.
Por rasti i xha Pertefit është i veçantë. Në shtëpinë e djalit ai mbledh dhe përkujdeset falas për fëmijtë e mitur edhe të disa emigrantëve të tjerë shqiptarë. I mban derisa kthehen nga puna prindërit e tyre. Një rregull ka xha Pertefi, të cilin nuk e shkel sikur qameti të bëhet: Televizori qëndron gjithmonë i mbyllur!
Xha Pertefi greqishten nuk e di pothuajse fare. U flet fëmijëve vetëm në shqip. Ashtu edhe i kërkon përgjigjet e tyre.
Por ajo që atë burrë flokëbardhë e bën të jetë ndoshta rasti më unikal jo vetëm në Greqi, por edhe në botë është fakti që ai merret shumë me edukimin e vogëlushëve. Me një durim të jashtëzakonshëm ai u lexon atyre ditë për ditë përralla e u tregon histori të vjetra nga mitologjia greke e shqiptare. Pastaj rri e diskuton me ta. U shpjegon me durim me zërin gurgullues mesazhet dhe kuptimin e përrallave dhe historive që u ka treguar. Dhe kërkon që edhe ata të tregojnë ndonjë histori apo përrallë.
Ulet në nivelin e fëmijëve ndaj edhe ata e duan aq shumë. Ndaj edhe prindërit e vogëlushëve shkojnë të qetë në punë e po aq të qetë vijnë. Fëmijtë ia kanë besuar njërit prej njerëzve më të respektueshëm të Kipselit. Njeriut, të cilin e përshëndesin të gjithë te platia, që i ofrojnë me kënaqësi kafen apo gotën e rakisë, që ngrihen në këmbë kur kalon ai.
E pyeta një ditë se përse u tregon përralla e histori vogëlushëve në vend që të rrijë si të gjithë moshatarët e tij tek platia apo në kafene. “Historitë e përrallat të fisnikërojnë, më tha. Të bëjnë njeri. Të formojnë. Kriminelët e sotëm, as kanë lexuar e as kanë dëgjuar ndonjë histori apo përrallë kur qenë të vegjël. Prandaj edhe u bënë kriminelë!”
Ai njeri fjalëpak me moshatarët e vet, me vogëlushët bëhet një, vazhdon një traditë të mrekullueshme të librit të mirë, të historive të mira, të cilat edukojnë njeriun qysh të vogël dhe e bëjnë më fisnik...

Τετάρτη 7 Μαΐου 2008

Përse ngeli në Histori Ponc Pilati?

Përse ngeli në Histori Ponc Pilati?
Ardi Stefa
Pyetja e mësipërme ka të bëjë me një debat të nisur këto ditë me një mikun tim!
Jam i bindur se Ponc Pilati nuk ngeli në Histori, për faktin se lau duart me dënimin e Krishtit. Ai ngeli në Histori e do të përmendet deri në fnd të botës për atë, që në momentin e duhur nuk ishte në gjendje të merte vendimin e duhur, vendimin e drejtë në lidhje me fatin e Krishtit dhe, si pasojë edhe të njerëzimit në shekujt që do të pasojnë.
p.s: Qytetarët e lirë në mendje e krijojnë atdheun.