Πέμπτη 16 Ιουλίου 2009

“Fshesa” dhe “buldozerët”!...

“Fshesa” dhe “buldozerët”!...
Ardi Stefa

Lajmin e mësova rrugës për në Shqipëri. Atë, që në Patra kishin prishur me buldozerë “Kalkutën e Greqisë”, barangat e afganëve dhe të aziatikëve të tjerë, rreth e rrotull portit të qytetit grek. Nuk dua ta fsheh se më pëlqeu ky fakt. Pasi të gjithë ata që kishin qenë apo kishin kaluar nga ai vend, ishin tmerruar dhe revoltuar me pamjet dhe jetën e mjerë të refugjatëve, në pritje të largimit nga Greqia me ndonjë maune, apo anije. Ishin tmerruar jo aq me pamjet që ishin fyese për estetikën, kulturën qytetare dhe demokracinë perëndimore, por edhe për faktin se vendi ku banonin ata, as nga ciganët nuk banohej. Ishte një vatër e vërtetë sëmundjesh infektive, trafiku të drogës, dhune, krimi...
Dhe rrëzimi i barangave të afganëve nuk ishte as “Progrom kundër emigrantëve” dhe as “Operacion barbar”, sikundër nxituan ta emërtojnë SYRIZA dhe KKE. Sepse këto dy parti, kaq delikate në lidhje me emigrantët, kaq solidare, nuk u ngritën ndonjëherë seriozisht dhe as dem'noncuan ndonjëherë seriozisht kushtet çnjerëzore të jetesës së emigrantëve në Patra, apo në qytete të tjera të Greqisë.
Këto dy parti, me lehtësi denoncojnë operacionet e policisë dhe politikën e qeverisë, dhe me të drejtë thonë se qeveria po hiqet pas bishtit të Karaxhaferrit kur mbledh e deporton klandestinës, për të mos humbur votat e elektoratit të djathtë, por a nuk do të ishte më mirë që të inreresoheshin realisht e pa komplekse për të ndihmuar emigrantët?
Duke qenë se qeveria greke, nga indiferenca totale për problemin në fjalë, brenda një nate (të zgjedhjeve për në Parlamentin Europian) u bë kaq e interesuar, është e sigurtë se shumë gjëra do të shkojnë shtrembër, natyrisht në kurriz e në dëm të emigrantëve, por edhe në pamjen ndërkombëtare të Greqisë nëpër botë. Nxitimi lind përkohshmëri, të cilat nuk janë edhe gjëja më e mirë për një problem kaq kompleks, sikundër është emigracioni.
Dhe emigracioni nuk është thjesht një problem, është një problem që ka në epiqendër njerëz..., njerëz realë, me halle, probleme e histori, dhe jo shifra të ftohta arrestimesh, kontrollesh e deportimesh...
Këto ishin mendimet fillestare. Pastaj u mendova pak më gjerë...
Natyrisht që një qytet ka të drejtë që të ketë një Fshesë për të gjitha vendet e lira të zëna padrejtësisht, ashtu sikundër edhe për plehrat që ndotin qytetin, por jo “Fshesë” për ata fatkeqë që s’kanë një copë vend në diell dhe shohin me sytë plot mëshirë...
Neve, që në shumicën e rasteve jemi thjesht spektatorë...
Sepse ata emigrantë, qofshin edhe klandestinë, janë viktima të një fati që s’e patën, të një mentaliteti kaq obskurantist e të mjerë; janë viktima luftërash, dhunës, urisë, racizmit...
“Kalkuta” në qendër të Patrës ku banonin ishte ç’njerëzore. Por as “spastrimi” i dhunshëm e me buldozerë nuk mundet të mbulojë përgjegjësitë kaq të mëdha të qeverisë aktuale greke e të qeverive të mëparshme kundrejt atyre njerëzve që, mirë ose keq, erdhën e ngelën në Greqi, në kërkim të largimit. Në kërkim të një fati më të mirë...
Duhet të thërrasim me plot gojën kundër racizmit dhe ksenofobisë, sidomos, kur administrimi i këtyre dy çështjeve kaq të mprehta u lihet në dorë mediave vizive greke dhe Karaxhaferrit dhe Plevrit.
Të thërrasim kundër “torturave personale”, si ato që ndodhën në Nea Manoladha përpara një muaji. Të thërrasim kundër drejtësisë që akuzat më të rënda i pati për fatkeqt emigrantë dhe më të buta për torturuesit grekë.
Të thërrasin kundër akteve të dhunshme të “Krisi Avgisë”, e cila, shpesh herë edhe me mbështetjen e policisë dhunon rëndë emigrantë me ngjyrë, apo të gjithë ata që ngjyra dhe genet nuk shkojnë me kokat e tyre të qethura zero...
Ka shumë të dhëna që dëshmojnë se “Veza e gjarprit” është thyer, gjarpri ka dalë dhe më të këqijat do të vijnë më vonë.
Thjesht duhet pasur kujdes (edhe ne emigrantët shqiptarë të ligjshëm), të mos biem viktimë e joshjes së protestës së vendasve të revoltuar për prishjen e estetikës së qyteteve.
Dikur ishim ne në vendin e emigrantëve klandestinë afganë...
Nesër mund të jenë të kombësive të tjera...
Joshja që buron nga demogogjia e Karaxhaferrit është e madhe...
Joshen edhe shumë emigrantë...
Kujdes!
Mos na vjen përsëri radha neve...
Dhe atëherë...

Τετάρτη 8 Ιουλίου 2009

Me “Fshesën” e “tolerancës zero”...

Me “Fshesën” e “tolerancës zero”...
Ardi Stefa
Kthesa negative e grekëve kundër emigrantëve, ashtu siç u konstatua nga sondazhi i Public Issue, na bën që të jemi melankolikë dhe të kemi në vetvete mendime jo edhe fort optimiste. Shifrat gjithmone kanë qenë me anën e të ashtuquajturve ideologë të racës së pastër. Edhe në periudhat “asnjanëse”, po qe se supozojmë se ka të tilla, sondazhet greke ose edhe ndërkombëtare, zbulojnë se poshtë retorikës së “Mikpritjes së famshme greke” gjithmonë fshihej pakënaqësia, frika, agresiviteti, injorimi, kundërshtimi, kundrejt të huajve. Me një fjalë, poshtë retorikës së mikpritjes, fshihej ksenofobia e racizmi...
Në vitin 2005 po në një sondazh ndërkombëtar, Greqia renditej e para në Europë, përsa i përket përqindjes së banorëve të saj (84.73%) që i konsideronin të huajt si një rrezik social...
Dhe mos harroni, se në atë periudhë, partia e Karyxhaferrit nuk ushtronte ende hegjemoninë e saj ideologjike, ashtu siç po e ushtron këto muajt e fundit, kur ka kapur peng gjithë politikën greke dhe i ka ngritur çështjet e emigracionit, qoftë klandestin, qoftë të ligjshëm, në krye të axhendës politike qeveritare dhe të opozitës së majtë.
Megjithatë, si Karaxhaferri, ashtu edhe forcat më obskurantiste të Klerit, kultivonin klimën ksenofobike e raciste, nën pretekstin e “Greqisë së pastër e të Greqisë greke!”...
Dhe mesazhin e Karaxhaferrit, për fat të keq e kuptuan së prapthi si Demokracia e Re në pushtet, ashtu edhe PASOK-u i të moderuarit, J. Papandreu.
Rezultatet e zgjedhjeve për në Parlamentin Europian, si kryeministri Karamanlis, ashtu edhe J. Papandreu, i kuptuan si një linjë që duhet të ndiqnin, duke u adaptuar me linjën e Karaxhaferrit, për të mos humbur elektorat.
Dhe linja politike e Karaxhaferrit, i detyroi dy liderët kryesorë të jetës politike greke që të deklaronin se ndaj emigracionit klandestin do të ndiqej politika e “tolerancës zero”!...
Supozohet, se termi “Tolerancë zero” i përdorur nga dy liderët e moderuar ka të bëjë ekskluzivisht me emigrantët klansdestinë. Por në Greqinë “mikpritëse”, edhe i ligjshmi shumë kollaj mund të konsiderohet nga një nëpunës shtetëror si i paligjshëm dhe të deportohet!...
Paguan e paguan me mijëra e mijëra euro për të qenë i legalizuar, paravola, ensima, përkthime e legalizime dokumentash, por legalizimi i emigrantëve varet nga oreksi, apo edhe ideologjia e ndonjë burokrati...
Ose edhe tjetra, kur me operacionet “Fshesa”, kaq të shumta këto javët e fundit, kur policia grumbullon e “fshin”, kaq “mbeturina njerëzore”!
Përsëri pengje të ideologjisë së Karaxheferrit dhe të mitropolitit Anthimos...
Natyrisht, shoqëria fshin e pastron ato mbeturina që nuk i shërbejnë dhe i prishin estetikën...
Por nuk është forcë dhe as krenari, as edhe kulturë, as edhe “mikpritje legjendare” t’i grisësh dokumentat një fakir fukarai nga Afganistani, apo Pakistani, apo Afrika...
Dhe pastaj fakir fukarai të pushojë së ekzistuari, pa dokumenta, pa idenditet, pa emër, pa punë..., pa, pa... pa atdhe..., pa të ardhme...
Sikundër nuk është as krenari për Greqinë “mikpritëse” që fëmijtë e emigrantëve, fëmijtë e lindur, të rritur e të shkolluar këtu, fëmijtë që nuk njohin atdhe tjetër veç Greqisë, t’i lerë pa nënshtetësi, të palegalizuar, pa të drejta të barabarta si me vandasit...
Flijohen të drejta themelore demokratike në “Ideologjinë” e frikës kundrejt emigrantëve që “kërcënojnë” vendasit...
Dhe shumica e grekëve nuk dëshirojnë të shohin se shkaqet që i detyrojnë emigrantët të largohen nga vatrat e tyre po nuk u përballuan edhe me mirëkuptimin dhe tolerancën e vendasve, muret që ngrihen me “Fshesën” dhe ksen ofobinë e Karaxheferrit nuk do t’i mbrojnë...

Τρίτη 7 Ιουλίου 2009

Grekët, kthesë negative kundrejt emigrantëve...

Grekët, kthesë negative kundrejt emigrantëve...
Një kthesë konservatore kundrejt fenomenit të emigracionit dhe ndaj vetë emigrantëve, konstatohet nga në sondazh i firmës Public Issue, për llogari të gazetës Kathimerini..
Nga përfundimet e studimit rezulton se qytetarët grekë shfaqen gjithnjë e më shumë të shqetësuar për pasojat që sjell emigracioni në jetën e tyre të përditshme, në jetën sociale e ekonomike, në krahasim me mendimin që kishin në lidhje po me këtë çështje përpara një viti, sikundër kjo ishte regjistruar në sondazhin e të njëjtës firmë.
Paralelisht, vendosja e çështjes së emigracionit dhe emigracionit klandestin shumë lart në axhendën politike në kohet e fundit dhe treguesit e parametrave që sjell emigracioni klandestin kryesisht nga mediat vizive, shenjohen në këtë studim, me qytetarët grekë të shfaqin interesim për kushtet e jetesës së emigrantëve, por edhe për çështjet e ushtrimit të besimit të tyre fetar. Propozimi për transportimin e emigrantëve klandestinë në garnizonet e braktisura i gjen si pozitivë 56% të qytetarëve, të cilët në shumicën e tyre kërkojnë një politikë më të ashpër emigracioni. Në të njëjtën kohë shfaqen pro dhënies së shërbimeve të arsimimit dhe shëndetësore emigrantëve, qofshin edhe klandestinë.
Kthesa konservatore e negative e shumocës së grekëve kundrejt fenomenit të emigracionit konstatohet nga pyetja se çfarë u vjen në mendje kur dëgjojnë fjalën emigracion.
29% e grekëve përgjigjet me kushtet e jetesës së emigrantëve dhe 17% me shkaqet e fenomenit. Këto përgjigje shfaqin një ulje në krahasim me studimin përkatës të një viti më parë kur 35% u ishte referuar kushteve të jetesës së emigrantëve dhe 26% shkaqeve të emigracionit.
Në të kundërt rritje paraqesin përgjigjet që e lidhin emigracionin me problemet që ai sjell (22% kundrejt 14% që ishte përpara një viti), por edhe përgjigjet me ndjenja negative e urrejtjeje 14% në studimin e tanishëm, kundrejt 8% që ishin një vit më parë.
Në të kundërt ka një rritje numri i qytetarëve që shprehet se u krijohen ndjenja pozitive (7% kundrejt 3% që ishte një vit më parë.

Të ftuar të vlerësojnë pasojat e emigracionit, qytetarët grekë në masën 62% konsiderojnë se emigracioni dëmton Greqinë, kundrejt 19% që mendon se Greqia përfiton nga emigracioni. Edhe në këtë kategori vërehet një kthesë negative, pasi përpara një viti shifrat ishin 54% dhe 23%
Edhe në pasojat e emigracionit për vendin ka një kthesë negative. Kështu 52% konsideron se emigracioni dëmton ekonominë e Greqisë, kundrejt 32% që beson se ekonomia greke përfiton nga emigracioni dhe prania e emigrantëve.
76% e grekëve të pyetur beson se emigracioni sjell rritje galopante të kriminalitetit.
48% e grekëve beson se emigrantët bëjnë ato punë që nuk i bëjnë grekët, ndërkohë që 39% e të pyeturve besojnë se emigarntët janë shkaktarë për shtimin e papunësisë.
Të vendosen kufij
Në të njëjtën kohë sa vjen e rritet përqindja e qytetarëve që do të dëshironte një politikë më të ashpër emigracioni, pasi 72% e grekëve e konsideron si më pak të ashpër nga sa duhej politikën aktuale, ndërkohë që vetëm 6% e qytetarëve grekë mendon se politika e emigracionit është më e ashpër nga sa duhet të ishte.
Në shumicën e tyre qytetarët grekë shprehen për vendosjen e një numri tavan përsa i përket numrit të emigrantëve të cilët duhet të jenë në Greqi. Prej këtyre 93% vlerëson se Greqia ka arritur kulmin përsa i përket numrit të emigrantëve që mund të mbajë në territorin e saj. 64% e grekëve mendon se emigrantët në Greqi janë shumë. Përsa i përket legalizimit të emigrantëve, shtohet përqindja e atyre që mendojnë se ajo duhet bërë me kushte. 35% përgjigjet se duhet të legalizohen ata që kanë punë dhe 33% se duhet të legalizohen ata që kanë familje dhe fëmijë. Vetëm 11% e grekëve përgjigjet se duhet të legalizohen të gjithë emigrantët, ndërkohë që 15% e qytetarëve grekë mendon se nuk duhet të legalizohet asnjë emigrant.
Gjithsesi në shumicën e tyre qytetarët grekë mendojnë në masën 65% se kushtet e jetesës së emigrantëve janë të këqija dhe në masën 87% konsiderojnë se nga çasti që jetojnë e punojnë në Greqi duhet të kenë të njëjtat trajtime e të drejta si vendasit, përsa i përket arsimimit e trajtimit mjekësor.