Πέμπτη 30 Απριλίου 2009

mendimet... e "mendimtarëve"!...

Mendimet janë si të ndenjurat, të gjithë kanë nga një. Dhe është normale.
Por çështja qëndron me “mendimtarët” në Shqipëri, të cilët kanë jo nga një, por nga njëqind mendime, për të gjitha çështjet. Dhe që për këto “mendime” ftohen nëpër studio televizive e paguhen aq shumë...
Si për gripin e derrave, ashtu edhe për sëmundjet e vreshtave...
Si për veprimet politike, ashtu edhe për çështjet fetare, të letërsisë, të artit e të sportit.
Si për tërmetet, ashtu edhe për demonstratat e disa veprimtarëve të ndonjë shoqate që s’ka pikë vlere...
Si për vlerat botërore në të gjitha fushat, ashtu edhe për Adelën dhe Bjordin e Big Brother...
Si për faqet e internetit, ashtu edhe për llogjet që vetë bëjnë në Facebook...
Natyrisht që mendimet janë e drejta e sekujt që t’i ketë e t’i shprehë.
Por “mendimtarët” duhet të japin mendime me të “ndenjura” dhe jo mendime “të ndenjurash”, shqip...mendime bythe...
p.s: Sa për ngushëllim. “Mendimtarët” shqiptarë nuk janë vetëm. Konkurrohen denjësisht nga kolegët e tyre grekë...

Σάββατο 25 Απριλίου 2009

Të shkruarit, torturë apo dhuratë?...

Ka shumë porta për të hyrë në një histori...
Dhe historitë u ndodhin atyre që dinë t’i tregojnë...
Këtë kam besuar dhe vazhdoj të besoj gjithmonë...
Letërsia është për të gjithë, apo është elitare? Të shkruarit është torturë apo dhuratë? Është një torturë, dhuratë nga Zoti!Si është laboratori i shkrimtarit?
Pika e mrekullueshme ku takohen peripecia e të shkruarit dhe shkrimi i peripecisë? Ç’ndodh me shkrimtarët që vuajnë përpara letrës së bardhë?
Dhe pastaj, ç’tregojnë për sekretet dhe gënjeshtrat e vetes së tyre dhe të fjalëve, të botës dhe të riprodhimit të saj?
Çfarë ndodh me shkrimtarët, të cilët përpara, gjatë e pas shkrimit nuhasin jo vetëm lëkurën, por edhe thërrimen e tekstit, ndryshojnë maskat e heroit letrar, të kritikut dhe të lexuesit; zbulojnë torturën që sjell shija e shkruesit...
Dhe, në fund të fundit, shkrimtari tregon historinë që kundërshton të bëhet histori..


Ese nga Ardi Stefa

Shpesh herë ideja kryesore e një libri, mundet të vijë vetëm nga një frazë e thjeshtë, një pamje, nga çfarëdo gjëje, e cila do të mundet të nxisë e të prekë një tel të ndërgjegjes.
Pastaj ndërtohet ngadalë- ngadalë historia, ndërkohë që paralelisht punohet edhe tema. Procedura fillon në momentin e frymëzimit, për të vazhduar jo vetëm gjatë kohës së shkrimit, por edhe më pas, edhe pas botimit të veprës. Do të thosha që kjo procedurë nuk përfundon kurrë.
Roman, novelë apo tregim?
Çfarë hapësire dhe çfarë trajte i shkon më tepër historisë që shkruaj?
Por çfarë më shkon vetë mua më shumë?
Ndoshta vetëpërmbajtja shkrimore, të cilën e vë në dyshim gjatë gjithë jetës sime, nuk më mjafton që ta hetoj e studioj. Por një peshë specifike në shkrim gjithmonë ka fraza apo paragrafi me të cilin fillon. Pikërisht për faktin që me të fillon një ritëm narativ, i cili, pavarësisht nga ulje- ngritjet e episodeve të ndryshme, je i detyruar që ta ndjekësh deri në fund.
Ka shumë porta për të hyrë në një histori. Të kapësh ngjarjet nga fillimi, mesi apo nga fundi?
Mos vallë të ndjek historinë nëpërmjet syve të një të dyti, të një personazhi tëdytë dhe jo të protagonistit?
Ta tregoj në kohë të pacaktuar, apo të jem i përpiktë? Gjithashtu, ta shkruaj historinë në vetë të tretë (rrëfimtari që di gjithçka), në vetë të parë (mbretëria e ndërgjegjes dhe fantazisë), apo në vetë të dytë. Mos vallë është më mirë t’i përdor të treja së bashku?...
Personalisht më përlqen veta e dytë dhe ajo e parë. Kur i drejtohesh dikujt, sikur e akuzon e akuzohesh, sikur e këshillon e këshillohesh, sikur dialogon...
E njëjta gjë edhe me vetën e parë. Dialogon, monologon, këshillohesh me vetveten...
Natyrisht që një roman apo tregim, apo novelë, ka një temë e subjekt qendror. Por ka edhe tema të tjera anësore, të cilat funksionojnë si frymëmarrje dhe oaze dhe në të njëjtën kohë sishtylla mbajtëse, të temës kryesore.
Shpesh herë e di qysh në fillim fundin e rrëfimit tim, pavarësisht se gjatë procedurës së shkrimit shumë gëra ndryshojnë. Sa herë që ndodh një gjë e tillë, fillimisht e lë të rrjedhë ashtu, por ndërkohë në subkoshiencë, nxitoj që ta rrëmbej variantin e ri, dhe, le të ndodhë që la braktis përsëri shumë shpejt. Nuk mundet të bësh asgjë, po qe se do që rrëfimi të jetë i shpejtë, ritmik e i ankthshëm. Apo mos vallë unë jam tip i ankthshëm?
Herë- herë kam një histori të përcaktuar për të thënë, shpesh herë mbizotëron një situatë. Jam gjendur përballë me të dyja rastet dhe preferoj të mesmen.
Një histori ku të integrohen të gjitha llojet e fjalës: poezia, reportazhi gazetaresk, eseja filozofike, proza poetike, dialogjet teatralë, skenaret kinematografikë dhe televizivë. Deri edhe pamje apo fotografi mundet të përdorësh në një shkrim.
Për çfarë kanë nevojë historitë, vetëm për fillim, mes e fund, apo edhe për një forcë të brendshme, faktin e zhvillimit dhe të befasisë?...
Natyrisht që jam shumë i kujdesshëm që të mos humbas në labirinthin e subjektit e ngjarjeve. Shpesh herë ndjek të shkruarit pa subjekt, duke shmangur gjatë shkrimit e rrëfimit atë që për mua do të ishte lodhje e mundim. Për mua ka shumë rëndësi trajta dhe fjala, mënyra e të shkruarit. Ndërtimi i frazës. Për mua letërsia, jo vetëm lexohet, ajo edhe recitohet, ndjehet, shkruhet. Edhe mënyra e të shkruarit është e tillë që e ndryshon krejt kuptimin e një tregimi apo novele, vetëm nga përdorimi i shenjave të pikësimit.
Subjekti është vetëm i jashtëm. I barabartë me rrëfimin, por edhe i brendshëm, që të çon në psikografi. Koordinimi i tyre është i shkëlqyer.
Çehovi thoshte: “Kur e fillon një histori me një gozhdë, duhet në fund që heroi të varet nga ajo...”
Shpesh herë karakteret e heronjve janë të përcaktuar qysh në fillim në subkoshiencën time, shpesh herë ata rezultojnë brenda evolucionit të historisë.
Kategoria e parë është e afërt me teatrin, e dyta me kinematografinë. Mua gjithmonë më shqetëson fakti se çfarë janë ezaktësisht protagonistët e mi. Në tragjeditë antike, apo edhe dramaturgjinë angleze të epokës së mbretëreshës Elisabet, heronjtë ishin mbretërit. Ç’vlen për shoqëritë masive bashkëkohore? Si mund të jetë hero një njeri i zakonshëm. Mjafton të nënvizosh sfondin historik e shoqëror? Mos vallë shkon shumë thellë me personalitetet ekstreme, të këqinjtë e letërsisë laike? Apo me variantin: “njerëz të zakonshëm, në situata të jashtëzakonshme”?
Në shumë shkrime të mia mbizëtëron proza poetike dhe ajo narrative, me fjali të shkurtra e të prera. Dialogu pothuajse nuk ekziston. Ose janë dialogje si nga një bashkëbisedim i zbardhur nga magnetofoni dhe dialogje që thjesht i përshkruaj.
Shpesh herë një shkrim imi nuk është gjë tjetër veçse një monolog dramatik i pafund.
Ekziston edhe çështja e titulli, i cikli duhet të përmendet drejtpërdrejt ose cekëtazi në temën kryesore. Më superiorë titujt që lejojnë interpretime shumëplanëshe të një rrëfimi.
Në shumicën e rasteve, përpjekjet e mia letrare janë të realizmit, kryesisht, magjik. Realizmi magjik, ndoshta nuk është edhe shumë popullor në letërsinë shqiptare, por, përderisa flasim gjithmonë për trillim, për letërsi; thellë- thellë është e njëjta gjë.





Ndjenjë...
Nuk e di se çfarë ndodh dhe të vjen një ide, e cila kërkon të bëhet tregim, poemë apo roman. E shënon diku, pa e menduar se me ato fjalë fillestare, me ato fjalë aq të pakta do të kalosh shumë kohë duke u torturuar dhe ndoshta do të përshtysh gjak.
Shkruaj gjithmonë të njëjtin libër dhe ndiej të më vëzhgojnë vazhdimisht ata që shkruajtën përpara meje, ata që shkruajnë në krah tonë dhe ata që në të ardhmen do të më lexojnë.
Ndiej se jap gjithmonë llogari përpara të gjithëve, kryesisht njerëzve të afërt të mi, atyre që ç’varros nga kujtesa dhe akoma, edhe ndaj atyre që takova ndonjëherë rastësisht, (apo pashë me cep të syrit vetëm pamjen e tyre, p.sh., ndërsa mbillnin lule) dhe në vijim trajtova fatin e tyre në letërsi.
Natyrisht që nuk jam shkrimtari i vetëm që ka në kompjuter histori të tëra të papërfunduara, apo ide të parealizuara. Pazotësia e administrimit të ideve më mundon shumë. Funksionoja gjithmonë spontanisht. Më vinte një ide, më entusiazmonte dhe filloja të shkruaja si maniak. Por disa ditë apo javë më vonë më vinte në kokë një ide tjetër, që më rrëmbente, kështu që braktisja të parën për të kapur të renë, ndërkohë që paralelisht ndihesha fajtor për braktisjen. Dhe përsëri ndodhte e njëjta gjë, edhe me idenë e re, disa ditë më pas.disa prej tyre iu riktheva përsëri më vonë për t’i...ribraktisur...
Procedura e të shkruarit zgjat disa pak ditë, ndërsa libri tregimi vërtitet në mendjen time muaj të tërë, ndërsa librat me vite. Dhe në vërtitjen në kokë është realizuar edhe shkrimi i tij. Hedhja në kompjuter është procedura mekanike, pasi edhe korrigjimet janë bërë në mendje më parë.
Pason një frazë e mbushur plot ankth: “Çfarë arrita të shkruaj?”.
Atëherë ia jap gruas ta lexoj, dhe, duke bërë gjasme varavingo brenda në shtëpi, pres përshtypjet e saj, gjykimet dhe vërejtjet.

***

Mënyra se si e tregon apo komenton diçka, është tema kryesore
Gjithmonë më krijonte ndjenja të përziera- adhurimi dhe mosbesimi- pamja e shkrimtarit që i kishte sirtaret të mbushura me dosje dhe projekte librash, me shënime të hollësishme, subjekte të zhvilluara, synopsise librash, karaktere të ravijëzuara, por edhe të plota, kapituj të gatshëm për librat e tij.
Unë asnjëherë nuk munda të funksionoj kështu. Dy- tre fije letre, të nxira me një shkrim që e kuptoja vetëm unë, disa shënime të shpejta, që as vetë shpesh herë nuk arrija t’i deshifroja. Me kalimin e viteve dhe ardhjen e kompjuterit, as ato nuk i kam më çdo gjë e hedh në kompjuter dhe pastaj vuaj duke e kërkuar.
Më parë punoja mbi disa projekte njëherazi. Tani jo. Dua të mbaroj në fillim atë që kam nisur dhe pastaj të nis të tjerat. Jo se nuk kam ide, thjesht e di qysh në fillim se çfarë është ideja. Është me thellësi, është e cekët apo vrul spontan i momentit. Vetëm kur kam gjetur përgjigjet kaloj në shkrimin e tregimit, apo romanit.
E punoj shumë në mendjen time veprën dhe karakteret. Pastaj përpiqem të shoh nëse mundet ta tregoj historinë me një mënyrë të re, të paktën të ri për mua. E urrej vetëpërsëritjen. Jo aq për arsyet e moralit shkrimtar, sa për faktin që bezdisem e mërziten jashtëzakonisht kur bëj diçka që kam bërë.
Besoj se jam shkrimtar intelektual, por nuk jam aq i “ngjitur” me letërsinë, as obessiv. Besoj se shkrimtari duhet që të ketë ndërgjegjen e trashëgimnisë letrare, të kërkimeve letrare që i kanë paraprirë, por duhet, gjithashtu të ruajë kontaktin me jetën dhe përvojat e tij.
Letërsia është një mënyrë, më joshësja, për të folur me botën, por nuk është bota dhe as që mundet ta zëvendësojë. Një histori e bukur mundet ta robërojë një lexues, me mënyrën e të shkruarit, karakteret, subjektin, por, kur ai përpiqet ta ritregojë, ndien se thelbi i shpëton, se nuk kufizohet në të dhënat e saj.
Ndjenja e komplikimi të tillë që të le leximi i një historie, për mua është masa e pjekurisë së dialogut me jetën.
Për mua lehtësimi është vetëm fundi i shkrimit. Kjo gjë më gëzon për dy- tre ditë, e shumta. Nuk ia jap kujt ta lexojë variantin përfundimtar të një libri, sepse, megjithëse ka shumë vetë, mendimin e të cilëve e çmoj dhe vlerësoj, e di që janë larg meje, në konceptim dhe shkrim.


***
Fjala...
Në fillim ishte Fjala? Ndoshta nga ndonjë frymëmarrje hyjnore u hodh ajo që krijoi botën tonë dhe, qysh atëhere, sikundër ka thënë dikush, kufijtë e botës sonë, janë kufijtë e gjuhës sonë...
Historitë që mundet të tregojmë janë aq të shumta, aq sa të shumtë janë edhe njerëzit që u panë përpara nesh në pasqyrën e pafundësisë dhe që do të shikohen atje edhe pasi të kemi ikur ne. Po qe se ekziston diçka brenda nesh që duam ta nxjerrim jashtë dhe ta bëjmë të përcaktuar me fjalë, ndoshta në thellësi na fshihet një prestigjator endacak që do të duhet që me fjalinë e parë të joshë dhe me të fundit, në qoftë se është e mundur, të ngelet i paharruar. Për këtë arsye, mendimi im është se i përzgjedhim me kujdes fjalët dhe kujdesemi posaçërisht për çeljen dhe mbylljen e historive tona. librat më të mira që kemi lexuar, janë ato, për të cilat do të donim që të kishin edhe më tej jetë, dhe, ndërsa kemi arritur në fund, shfletojmë fletët e fundit, pasi nuk mundemi të ndahemi.
Gjithmonë, sa herë që mbaroj një përpjekje letrare, e lë mënjanë dhe e harroj për pak kohë. Që të më ftohet gjaku. Në mënyrë që kur ta rilexoj, të kem distancën që nevojitet për të korrigjuar frymëmarrjen e paragrafëve. Diçka që mundet të ndihmojë në ritmin e drejtë është leximi me zë të lartë. Po munde vendos edhe atë melodi që mendon se i shkon tekstit. Në këtë mënyrë përdorim të gjithë armatimin e gjuhës.
Duke shkruar e duke fshirë, duke shkruar e duke fshirë, luajmë kukamçefti. Me kë luajmë kukamçefti? Përpara së gjithave me veten tonë, por edhe me vetë tekstin, i cili fillon të marrë jetën e tij dhe disa herë merr edhe për ne një trajtë të padurueshme.
Luajmë kukamçefti edhe me muzën tonë, e cila shpesh herë mundet të na braktisë, të na përqeshë, duke na nxjerrë gjuhën në mënyrë tallëse.
Të gjithëve atyre që flertojnë me gjuhën, më parë doja t’u këshilloja që të lexonin sa më shumë, ta zotëronin gjuhën shkëlqyeshëm dhe pastaj ta përdornin, për të përshkruar ato që ata mendojnë se u vlejnë. Qoftë një perëndim dielli, qoftë një situatë, qoftë një ëndërr...
Në fillim ishte Fjala?...
Natyrisht. Fizionomitë dhe ato që më bëjnë përshtypje përditë në rrugë, ngjarjet e historitë që kam dëgjuar, shpesh herë fillojnë e zbehen nga kujtesa ime. Derisa harrohen për një farë kohe.
Por nga e gjitha kjo diçka ngelet. Personazhe fantastikë, të cilëve përpiqem t’u jap mish e gjak, t’u jap jetë. Edhe personazhe realë që përpiqem t’i ringjall nga kujtesa ime. Dhe vazhdimisht flas me veten. Me ndjenjën se shkruaj e rishkruaj gjithmonë të njëjtin libër, të njëjtën histori, dhe, nga njëri libër në tjetrin, çdo herë me mënyra të ndryshme...

***

Vjen një çast, kur asgjë nga ato që kam shkruar nuk më pëlqen. Pastaj zbutem dhe i pranoj të gjitha ato që kam shkruar. Edhe ato që pata shkruar vite e vite më parë. Këta ishin kufijtë e mi,- mendoj,- kaq munda.
Ndërmjet heronjve të mi që më shikojnë në sy dhe më kërkojnë të bëhem shkrimtar më i mirë, por edhe njeri më i mirë.
Mendimi i lexuesve, përtej çdo emocioni, nuk do të mundte kurrë të ndikonte në shkrimin tim. Aq më pak i kritkëve, akoma edhe më pak ai i miqve.
Dhe kjo mundësia ime për të shkruar, ka të bëjë kryesisht me mundësinë dhe nevojën për të kuptuar në radhë të parë veten time dhe botën.
Është bërë tashmë mënyrë jetese.
As torturë, as dhuratë, thjesht mënyrë? Një mënyrë për të ekzistuar.
Të mendoj, pra, të shikoj e të dëgjoj, me një pamje brenda tjetrës, si një film që kurrë nuk mbaron...