Τετάρτη 14 Αυγούστου 2013

Probleme të politikës apo të shoqërisë?


Probleme të politikës apo të shoqërisë?
 
Ardi Stefa

Njëra nga burimet e mitologjisë, brenda së cilës merr frymë dhe jeton ky vend është edhe bindja e përforcuar se Shqipëria është mitra e mendmit dhe e opinionit politik, dhe për këtë qytetarët e saj mendojnë politikisht, dinë nga politika dhe, natyrisht të gjitha problemet janë politike dhe duhet të përballohen dhe të zgjidhen me mënyra politike.

Akoma edhe më tepër, cilado zgjidhje politike përzgjidhet, ka për detyrë të jetë sferike dhe radikale, përndryshe nuk është zgjidhje dhe nuk duhet të ndërmerret e as të tentohet. Në këtë paradoks të fundit, në koordinim edhe me kundërshtimin e mohimin e realitetit dhe në kërkimin e gjetjen e disa pemëve të vetmuara brenda në pyll, mbështetet tradicionalisht ushtrimi i opozitës në vendin tonë. Pa thënë se kjo nënkupton se qeveritë dinin apo dinë domosdshmërisht se farë bënin apo çfarë bëjnë...

Radiografia apo për të parë se sa Shqipëria na mëson politikë dhe nëse populli i saj është më i politizuari i botës nuk na çon askund. Nënvizon megjithatë se pjesa më e madhe e klasës politike dhe e popullit (nga i cili vjen), politika është e barabartë me mikropolitikën dhe parapolitikën dhe pothuajse të gjitha ato që ndodhin janë rezultat i intrigave, ose shpjegohen nëpërmjet komploteve. Për këtë arsye, as mendimi politik i lartë, as politizimi i gjithçkaje, as edhe shpjegimet e interpretimet politike mbi gjithçka na shërbyen, duke gjykuar nga gjendja për ibret në të cilat gjendemi sot

Kështu që shtrohet pyetja se mos vallë mitologjia mbi një vend të pjekur politikisht na shërben si alibi për sjelljen që karakterizon shoqërinë shqiptare.

Nuk ka mënyrë të sigurtë dhe përgjithësisht të pranueshme të matjes së pjekurisë politike të një njeriu apo të një shoqërie. Sa e pjekur politikisht, megjithatë, mund të jetë një shoqëri me kulturën e evazionit fiskal, sikundër konstatohet vazhdimisht e vazhdimisht jo vetëm gjatë verës (kur vijnë refugjatët), por gjatë gjithë vitit? Si shpjegohet fakti që ende nuk është zgidhur e as ka ndërmend të zgjidhet ndonjëherë çështja e pronave, por 10 vetë zotërojnë treçerekun e Shqipërisë? Si shpjegohet politikisht fakti i qindra- mijëra nëpunësve shtetërorë që janë bërë milionerë (pa punuar dhe jo nëpërmjet pagës së tyre qesharake?). Cili është shpjegimi politik për korrupsionin në kulm, militantizmin dhe militarizimin partiak edhe në shtet? Për blerjen disa mijëra euro të një vendi pune në shtet? Cili është shpjegimi politik për ata mijëra nëpunës të paedukuar, arrogantë e defiçentë që kanë shkelur e masakruar me mënyra të ndryshme shtetin? Përse konstatohet një qëndresë kaq e fortë për t’u ruajtur një shtet i tillë, jo vlerash, por partiak? Një qëndresë kaq e fortë ndaj zbatimit të ligjit? Përse ka kaq dhunë politike dhe përse kaq parti politike investojnë në vazhdimin e kësaj situate?

Përgjigjet e zakonshme janë të ditura.

E ka fajin shteti, e ka fajin kriza, e kanë fajin politikanët, e kanë fajin të huajt, grekët e serbët, italianët e gjermanët, amerikanët e rusët dhe gjithçka tjetër veç nesh.

Por qytetarët e bëjnë shtetin dhe drejtësinë të funksionojë, politikanët zakonisht përshtaten në kërkesat dhe sjelljet e opinionit publik dhe fenomenet e mësipërme, së bashku me ato që ekzistonin edhe përpara krizës. Dhe as është e mundur që shteti të imponohet vazhdimisht me dhunë.

Atëherë, mos vallë, mos vallë, nuk janë gjithmonë çështje e probleme të politikës, por edhe të shoqërisë?...

Σάββατο 5 Ιανουαρίου 2013

Amplifikimi pa kriter nga shtypi shqiptar i lajmeve të pavërteta nga blogjet ekstremiste greke


Amplifikimi pa kriter nga shtypi shqiptar i lajmeve të pavërteta nga blogjet ekstremiste greke

Ardi Stefa
 

- Familje shqiptarësh vjedh këtu e 20 vjet blegtorët e Thesprotisë...

- Berisha: Kampinat i përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë

- Ish ministri shqiptar: Bashkimi i kombit është vetëm fjalë

- Nacionalistët shqiptarë: Anastas, qërrohu paqësisht nga Shqipëria

- Çamët kërcënojnë minoritarët grekë në Shqipëri: Të mos shkelë Agimi i Artë në Shqipëri... Minoritarë, Distancohuni nga neonazistët grekë, përndryshe do të vuani pasojat...
- Dy shqiptarë, autorët e vjedhjeve e përdhunimeve ne Greqi, policia jep fotot e tyre

- Shqiptarë therren me thika për një celular

- Shqiptarët vjedhin ilaçet tona dhe shërohen falas në spitalet tona në Greqi

 

Janë këto disa nga titujt e lajmeve në disa nga blogjet dhe shtypin ekstremist në Greqi të ditës së sotme. Me siguri këto lajme do të gjejnë pasqyrim të gjerë në shtypin shqiptar, i cili ka etje për të tillë lajme të kronikës së zezë, ose edhe lajme, në të cilat mund të sulmohet direkt politika shqiptare, në varësi të qëndrimit apo pozicionimit që mban secila gazetë, radio apo televizion në Shqipëri.

Janë gazeta e blogje informative të ekstremit të djathtë, të cilat i drejtohen një auditori të caktuar dhe që kanë synime të caktuara politike. Dhe sidomos këto portale informative duhet theksuar se nuk kanë asnjë besueshmëri dhe as ndonjë peshë të veçantë në informimin e opinionit publik grek. Në të kundërt, mediat serioze greke, u kushtojnë pak ose aspak vend të tilla ngjarjeve, apo “lajmeve” dhe i japin vetëm kur janë krejtësisht të vërtetuara apo të bindura për kombësinë apo autorësinë e kriminelëve...

Por si qëndron e vërteta?

Përvoja ime rreth 15 vjeçare në mediat shqiptare në Greqi, si edhe në mediat greke më ka mësuar të jem shumë më i përmbajtur dhe më i rezervuar kur lexoj apo dëgjoj të tilla lajme.

Sidomos ndaj kronikës së zezë. Jo për faktin se shqiptarët janë ëngjëj dhe nuk bëjnë asnjë vepër penale në Greqi. Bëjnë dhe bëjnë shumë. Por është e pakuptimtë për mua vendi që media shqiptare u jep këtyre ngjarjeve të kronikës së zezë. Mungesë lajmesh, apo prirje për mazohizëm?

Kujt i intereson se çfarë bëri X apo Y shqiptar në Greqi, Itali, SHBA apo Australi? Në vodhi një celular, apo një makinë, apo një lopë?

Dhe përse duhet amplifikuar lajmi, kur policia nuk ka dhënë as emrat, as fotot, por ka vetëm dyshime se autorët mund të jenë shqiptarë?

Kush e ka fajin në këtë rast? “Korrespondentët” që ndjekin lajmin e lehtë dhe nuk bëjnë korrespondencat që duhet për jetën politike, ekonomike e sociale të vendit ku janë, apo mediat në Shqipëri.

Shembulli më konkret është rasti i fotografive të publikuara në një portal ekstremist që merret vetëm me “Autonominë e Vorio- Epirit” dhe që sipas të cilit grabitësit, vrasësit dhe përdhunuesit ishin dy shqiptarë. Ky lajm u mor dhe unpërkthye fjalë për fjalë nga të gjithë “korrespondentët”  shqiptarë në Greqi dhe u transmetuane faqet e para nga të gjitha gazetat e TV shqiptare.

Vetë policia greke ishte shumë e rezervuar për përcaktimin e kombësisë së autorëve, pasi sipas specialistëve të policisë, profili i këtyre krimeve, nuk të drejton ndaj shqiptarëve, por kryesisht të tilla krime kryejnë afganët, apo kurdët...

Dhe ndoshta fotot u publikuan nga policia për të mundur që të shmangej vigjilenca e autorëve të vërtetë të krimeve, në mënyrë që të mund t’i kapnin. Pastaj, kur policia greke dinte fotografitë e tyre, përse nuk dhe emrat?

Si i gjeti fotografitë e tyre, vetëm nga përshkrimi i një viktime?

Le të mos gënjejmë veten. Lajme të tilla janë të gënjeshtërta dhe bëhen vetëm për zhurmë...

Edhe vendi që u kushtojnë mediat shqiptare deklaratave antishqiptare që bën partia neonaziste “Agimi i Artë” në faqen e saj internetike, është i tepruar. Se çfarë deklaron një parti neonaziste është e njohur. Ka vetëm lajme që mbjellin e ushqejnë urrejtje, racizëm, ksenofobi.

Është e njëjta hapësirë që u kushtojnë lajmeve me karakter të theksuar nacionalist që vijnë nga Shqipëria, disa media ekstremiste greke.

Mos vallë ka ardhur koha që mediat shqiptare të jenë më të përmbajtura dhe më të zgjedhura në publikimin e këtyre lajmeve, që asgjë nuk i ofrojnë informimit të vërtetë?...