Σάββατο 9 Φεβρουαρίου 2008

6.205 ditë më pas...


6.205 ditë më pas...
Nga Ardi Stefa
Pas kaq vitesh, kujtesa personale fillon të humbasë. Zakonisht ajo zëvendësohet nga e ashtuquajtura “kujtesë kolektive”, e cila në fakt është njohja ideologjike e ngjarjeve, e cila u jep rëndësi heroizmit, fakteve mitologjike: heronjtë, epopeja, qëndresa, pasioni për lirinë...
Fjalë të bukura, shumë pmpoze për të fshahur thelbin. Cili është thelbi? Që heronjtë e Dhjetorit ’90-të nuk ishin veçse njerëz normalë, studentë e studente të reja, ideologë, të cilët befasisht u gjendën në qendër të Historisë e të së përgjithshmes... Në këtë vrull jetuan e përjetuan dehjen e përmbysjes. Jo pa flijime, jo pa humbje. Ato ditë e net të zjarrta shenjuan jetën e të gjithëve atyre që ishin prezent, shenjuan e ndryshuan edhe jetën e të gjithëve atyre që ishin larg Qytetit Studenti. Shenjuan e ndryshuan rrënjësisht edhe jetën e atyre që erdhën e që do të vijnë më vonë..
Dhe kështu kaloi koha, ndryshuan kushtet...
E vetmja gjë që ngeli është një tregues heroizmi. Kështu e konceptojnë Lëvizjen Studentore të Dhjetorit të rinjtë e sotëm... Po a ishte me të vërtetë kështu? Dhe në qoftë se ishte, çfarë ishte në thelb? Dhe kush do të na i thotë me saktësi?...


Gjithmonë, sa herë që dëgjoj politikanët, apo gjasme politikanët e gjasme analistët që të kërkojnë, ose edhe më keq, të përcaktojnë “Kuptimin e Lëvizjes Studentore Shqiptare” edhe për ditët e sotme më vjen të gogësit nga përtimi e gjumi që është gati të më zërë.
Pasi politikanët shqiptarë zakonisht i presin e i qepin “kuptimet e mesazhet” sipas interesave të çastit, por edhe për faktin se kuptimi i lëvizjes dhe i revoltës së atyre ditëve është kaq i thjeshtë, kaq aktual sa nuk nevojitet asnjë dhënie kuptimi e aktualiteti, por as edhe ndonjë përpjekje e madhe për ta analizuar.
Sepse bëhet fjalë për revoltën spontane të një brezi të ri që kishte etje për liri e drejtësi, për bukë, ujë e drita, për liri fjale e veprimi. Sepse bëhet fjalë për një brez studentësh, të cilët të paarmatosur, por edhe të vendosur morën përsipër të shplanin turpin e një vendi që në heshtje dhe në humbje, qeverisej për pesëdhjetë vjet nga diktatura shkatërrimtare komuniste. Djem e vajza të prindërve të Shqipërisë, nga familje të varfëra, por edhe nga familje të “mira”, nga familje të humburish nga paslufta e 1944-ës, por edhe nga familje fitimtarësh, ishin për pak ditë të lirët e rrethuar të historisë sonë bashkëkohore shqiptare...
Një brez djemsh e vajzash 22 vjeçarë që bëri politikë me fjalë, me këngë, me shpirtin dhe, mbi të gjitha, me trupin e tyre të njomë e të drobitur nga uria. Një brez që zgjoi një popull të tërë nga gjumi letargjik e që vrau frikën.
Një brez 22 vjeçarësh që rrezikuan jetën, studimet, për të fituar një çast që jeton përgjithmonë. Dhe ajri i lirisë që atëherë frynte në Tiranën e acartë në të gjitha shtëpitë, edhe në ato shtëpi që rrinin të kyçura kur dëgjoheshin thirrjet e studentëve, sirenat e makinave të policisë, apo edhe kur sambistët rrihnin me shkopinjë gome bashkëmoshatarët e tyre, nuk i çelnin dyert për të mbrojtur djemtë e vajzat e reja, nuk kishte se si të mos përqafohej nga një popull i tërë.
Në Lëvizjen e Revoltën Studentore, le të mos gënjejmë vete apo të tjerët, sepse është fyerje, nuk bëhet fjalë për revoltën e “popullit shqiptar”, “as të intelektualëve demokratë komunistë”.
Ishin disa pak mijëra të rinj e të reja, protagonistë dhe bashkëudhëtarë, pjesëmarrës në mitingjet e demonstrimet në Qytetin Studenti, por edhe atje rrotull, të cilët e gostitën historinë shqiptare, akoma edhe një herë me gotën, një gllënjkë e të cilës mjafton që të të dehë, me një dehje të këndshme: E PAMUNDURA MUNDET TË BËHEJ E MUNDUR!
Dhe kjo nuk është e paktë...
Kanë kaluar rreth 6.205 ditë nga ditët e stuhishme të atëhershme. Ditët janë si varkat, herë u jep rremave që të shkojnë para e herë lundrojnë të shtyra nga valët. Por nuk ka asnjë rëndësi “Se çfarë u bë me protagonistët e Lëvizjes Studentore Shqiptare”, një tjetër çështje kjo, që i shqetëson herë pas here njerëzit në bisedat e tyre.
Cilët morën shpërblimin për trimërinë e tyre në ato ditë të zjarrta të Dhjetorit 1990 dhe cilët jo, cilët përfituan në mënyrë të padrejtë e të gënjeshtërt pa qenë protagonistë, cilët më pas u bënë shërbëtorë të pushtetit dhe preferuan të jepnin e të merrnin rryshfete, cilët zgjodhën rrugën e heshtjes dhe të dinjitetit që për atdheun bënë pak dhe nuk ka nevojë për shpërblim, dhe, cilët zgjodhën rrugën e tradhtisë së idealeve, kuptimit të atyre ditëve dhe të moshës së tyre?
Por të gjitha këto kanë pak rëndësi. Thua se revolta studentore e vitit 1990 nuk ishte revoltë, por një eksperiment gjigand i psikologjisë për studimin e sjelljes njerëzore.
Vlera e vërtetë e Lëvizjes Studentore Shqiptare është pikërisht kjo: se u bë nga njerëz të zakonshëm, studentë vërtet, por të nxjerrë nga jeta e përditshme. Nga njerëz në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, me ndjenja dhe ëndrra, delikatë, nga njerëz që ishin të uritur për jetë, për famë e lavdi, që kishin pasione. Nga njerëz që bëjnë gabime, që pendohen, njerëz të dobët e që s’kanë busull orientimi shpesh herë, nga idealistë të vërtetë, por edhe aventurierë, nga njerëz të vdekshëm e mëkatarë dhe jo nga statuja...
Dhe, nëse vlen akoma edhe më shumë stuhia e Lëvizjes së Studentëve, kuptimi që ka kjo lëvizje për brezat e ardhshëm është se kjo revoltë për një çast, për dy çaste, për një, dy apo dhjetë ditë, ata të rinj u ngritën më lart se EGO-ja, UNI i tyre, dhe kështu, të lirë u bënë krijuesit e historisë së tyre dhe të historisë sonë. Me pak fjalë: Studentët ishin atje atëherë kur duhej. Ç’pasoi është tjetër histori...
Prandaj, çdo vit në këtë ditë dëgjohen shumë fjalë nga shumë pseudo. Megjithëse protagonistëve të vërtetë të Revoltës Studentore Shqiptare u shkon më mirë heshtja. Heshtja e njohjes dhe e respektit për atë që bënë e që sado vite të kalojnë do të ngrihet gjithnjë e më lart në Panteonin e Historisë.
Prandaj llafologëve e pseudove, përpara se të nxjerrin fjalët bombastike nga goja, mirë do të ishte që të mendonin për një çast, është detyrim moral të mendohen për një çast dhe të pyesin veten nëse: “Liria, Demokracia, buka e dritat, mjaftojnë për të gjithë”...
A mjaftojnë për të gjithë ato që kërkuan atëherë studentët e mburremi se tashmë i kemi?...

Piedestale pa heronj...

Piedestale pa heronj...
Ardi Stefa
Me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990 dhe të shkurtit 1991 janë bërë spekullime nga më monstruozet. Shumë vetë e quajtën veten Studentë të Dhjetorit, vetëm e vetëm se u qëlloi rasti të studionin në Universitet në atë periudhë, dhe në fshatrat ku shkonin mburreshin bashkëfshatarëve për trimëritë dhe rolin e tyre në atë Lëvizje; shumë të tjerë u emërtuan kështu vetëm e vetëm se morën në dorë nga një vërtetim si studentë pjesëmarrës në Grevën e Urisë të shkurtit 1991. Shumë të tjerë me vërtetimet e gënjeshtërta në dorë gjatë gjithë këtyre viteve kanë përfituar në gjithçka, në para, pushtet, pozicion social, biografi. Ndërkohë që studentët protagonistë, protagonistët e vërtetë të atyre ditëve, ose u tërhoqën në heshtje të neveritur nga gjithë ky spekullim, ose u larguan nga liderët politikë të këtyre viteve, nga ata që e shkruajtën hustorinë ashtu si deshën.
Gjatë gjithë këtyre 15 viteve, që nga dita e shpalljes së pluralizmit politik në dhjetor 1990 apo edhe e Grevës së Urisë të shkurtit 1991, janë shkruajtur me dhjetëra artikuj apo kujtime, ku secili ka thënë të “vërtetën” sipas tij, interesave të tij apo të atyre që i kishin porositur.
E vërteta është paksa më thellë, në ndërgjegjen e atyre 723 studentëve, të cilët rrezikuan seriozisht jetën e tyre duke hyrë në një konflikt të drejtpërdrejtë fizik me sistemin që po jepte shpirt, e vërteta qëndron në mbështetjen e mijëra studentëve të tjerë, të cilët nuk përfillën të ftohtin e Tiranës, urinë në mencat që u shpërndanin vetëm gjysmë racioni... E vërteta është në mbështetjen e popullit të kryeqytetit dhe të prindërve tanë nëpër rrethet e Shqipërisë, të cilët ishin pranë nesh në çdo moment. E vërteta është tek ata që na mbështetën për të “hequr qelbësirën” dhe tek ata që na quajtën “tradhtarët, bukëshkalë dhe vandalë” që u rrëzuam “babanë e tyre”. E vërteta qëndron tek përqafimi i punëtorëve të Tiranës që na sillnin cigare në Pallatin Studenti, apo edhe tek përqafimi i ushtarit, i cili në kodrat rreth Qytetit Studenti qëndronte me gishtin në këmbëz, në pritje të urdhërit për të shtirë mbi studentët, urdhër të cilin nuk do ta zbatonte kurrë.
Shkurti i vitit 1991 ishte pika kyçe në historinë e gjithë kombit shqiptar, ishte pika kulmore në formimin e një brezi me të vërtetë intelektual shqiptar; ishte pika ku dy epoka u ndanë, kur populli festonte rrëzimin e monumenteve të diktatorit nga qytetet e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër nomenklatura kërcëllinte dhëmbët e tërbuar prej inatit që s’mundej të bënte dot gjë. Fundi kishte ardhur. Përpëlitjet nuk ishin gjë tjetër veçse grahmat e fundit të një sundimi gjakatar 46 vjeçar. Ora e së vërtetës për Shqipërinë kishte trokitur! Dhe ora nuk mundet të kthehej dot mbrapsht...
***
Në këto 15 vjet që nga ato ditë të zjarrta janë shkruar me dhjetëra artikuj, apo ditare të njerëzve të ndryshëm. Pjesa më e madhe e tyre kanë pasur një dozë të vërtete, por edhe spekullimet nuk kanë qenë të pakta. Shkrimin e parë për ditët e shkurtit 1991 dhe grevën e urisë i shkruajta në shtypin shqiptar të kohës, tek RD e më pas tek Dielli. Por më pas partiakë monopolizuan të vërtetën...
Vendimin për të mos shkruar më për këto ditë e mora i zhgënjyer, i neveritur e me dhimbje, në dhjetor të vitit 1991, kur në përvjetorin e parë të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit rolin kryesor ua kishin ngarkuar personave të tjerë, krejtësisht anonimë, të cilët hiqeshin dhe vazhduan për shumë vite të hiqeshin si protagonistë. E njëjta gjë ndodhi edhe në shkurt 1992, në përvjetorin e parë të grevës së Urisë. Kulmi arriti, kur studentë, të cilët kërkonin ndonjë vend pune në rrethet e tyre apo donin të qëndronin në Tiranë, të bënin karrierë në gazetari apo politikë, vinin e na kërkonin vërtetime si pjesëmarrës në Grevën e Urisë. Kur vërtetimet nuk i merrnin nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Grevës së Urisë, nuk thyheshin, gjenin vendin se ku t’i merrnin: Tek Partia...
***
Megjithatë, do të vijë dita kur heronjtë e vërtetë, protagonistët e vërtetë do të vihen atje ku e meritojnë. Në piedestalet, të cilat sot janë pa heronj ose me heronj të rremë... Ata që rrëzuan mitin e rremë të diktatorit komunist e të një regjimi gjakatar 46 vjeçar nuk janë anonimë. Janë ata që me vetmohimin dhe guximin e tyre bënë që pas 46 vjetësh Shqipëria të zhvillonte për herë të parë zgjedhjet e lira e demokratike të çliruar nga hija e rëndë e Enver Hoxhës dhe e PPSH. Studentëve grevistë u takon merita e madhe e shmangies së një lufte civile vëllavrasëse në Shqipëri, e cila në ato vite ishtemë e mundshme se kurrë. Kaosi, anarkia dhe nxitja e disa instikteve negative në popull nuk gjetën refleksion tek studentët, të cilët, në të kundërt, dëshmuan për një qytetari, solidaritet dhe kulturë të lartë demokratike...
Por çfarë ndodhi në ato ditë të Shkurtit 1991? Si dhe pse u zhvillua Greva e Urisë? Cilat qenë synimet e saj dhe nga kush u organizua? Cili ishte roli i PD-së në organizimin e kësaj greve dhe pse në PD vëreheshin dy qëndrime të kundërta në lidhje me grevën? Kush do të përfitonte dhe kush do të humbiste nga kjo Grevë? Cilët ishin ata që përfituan? A ishin me të vërtetë studentët “heronjtë vetëflijues” të demokracisë së brishtë shqiptare, siç u quajtën nga populli i Tiranës, apo ishin “bukëshkalët dhe vandalët” që bashkë me “forcat e errëta” cënonin stabilitetin e forcave politike dhe rrezikonin ta shpinin vendin në kaos? Përse pjesa më e madhee studentëve protagonistë të atyre ditëve u larguan nga “politika”? Përse edhe nga vetë demokratët u akuzuan studentët se hanin e pinin brenda në Grevë dhe se futeshin ushqimet e pijet alkoolike pa hesap? Përse ekzistonte një tendencë e tillë denigrimi dhe zhvlerësimi i grevës së urisë, synimeve e aspiratave të atyre mijëra studentëve që e përkrahën?...
Këtyre pyetjeve e shumë të tjerave, që do të dalin do të mundohem t’u hedh pakëz dritë, duke shfletuar kujtimet e mia personale për ato ditë...
***
Jeta jonë studentore e qytetar ato ditë të fundvitit 1990 e fillimvitit 1991 kishte marrë një tjetër kuptim. Ishte bërë më e gjallë, më e bukur, më e vrullshme. Ndryshimet politike e sociale që kishin ardhur prej nesh na kishin pjekur ndoshta përpara kohe. Edhe përgjegjësia që ndienim se mbanin mbi supet tona ishte më e madhe. Dhe duhet ta dëshmonim. Përpara prindërve, bashkëmoshatarëve, përpara të huajve që ato ditë të zjarrta vinin varg në Tiranë, përpara vetes...
Shumica e studentëve ishin anëtarë të partive politike opozitare të krijuara me shpalljen e pluralizmit. Entusiazmi i tyre u jepte jetë, por edhe vota e garanci jete partive.
Nga ana tjetër autoriteti i disa studentëve nuk mundej të vihej në dyshim dhe, ndoshta kjo ishte arsyeja që një pjesë e madhe e jona, që kishim pasur një rol jo të vogël në Dhjetorin e vitit 1990 filloi të shmangej nga drejtuesit e rinj të partive politike. Shpjegimet për këtë kanë qenë nga më të ndryshmet: mungesë e përvojës politike të studentëve, papjekuri (!?) rinore e politike, si edhe në atë që studentët e kishin përfunduar misionin e tyre historik dhe duhej që t’u riktheheshin mësimeve...
Vendi do të drejtohej nga të tjerë. Politika do të bëhej nga të tjerë që erdhën si erdhën në protestat e studentëve...
E gjithë kjo situatë krijoi një farë pakënaqësie tek studentët, të cilët (nuk dua të mohoj shpirtin aventurier të disave prej tyre) e ndien veten të tradhtuar. Drita s’kishin përsëri. As ujë. Ushqimi ishte për ibret. Dhe më kryesorja? Në universitet, kryesisht në fakultetin Filologjik, atë ekonomik e të juridik ishin të njëjtët pedagogë arrogantë, të cilët leksionet i jepnin sikur s’kishte ndodhur gjë. Glorifikonin rolin e PPSH dhe të E. Hoxhës. Një cinizëm i madh vërehej nëpër fakultete, ku vërtet mbizotëronin demokratët, por fuqinë reale e kishin komunistët dhe organizatat e partisë, portretet dhe bustet e diktatorit që qëndronin hijerëndë nëpër hyrje e shkallë, në çdo klasë...
Gjithsesi vrulli ynë nuk kishte rreshtur aspak. Reagimet e studentëve nëpër klasa e auditore sa herë që përmendej roli i Partisë dhe i E. Hoxhes, ishin kaq të ashpra sa edhe vetë pedagogët kishin filluar të kishin një farë frike dhe u shmangeshin me konflikteve e debateve me studentët. Fakulteti i filologjisë dhe ai i juridkut, pa u përjashtuakëtu edhe Artet, ishin në pararojë të kërkesave për ndryshime totale në tekstet mësimore dhe jo vetëm. Në një takim të organizuar ne fakultetin filologjik, u kërkua hapur heqja e emrit të diktatorit nga universiteti. Takimi u organizua nga Shinasi Rama, Tefalin Malshyti, dhe dy pedagogë të jashtëm të këtij fakulteti, ndërkohë që në presidium gjendesha edhe unë nga pozita e nënkryetarit të Forumit Rinor të PD-së për Universitetin. Takimi u zhvillua me një pjesëmarrje të gjerë studentësh e pedagogësh dhe zgjati për disa orë. Nga kërkesat kryesore të paraqitura atje, kërkesa, të cilat i drejtoheshin rektoratit, qeverisë dhe PD e forcave të tjera politike të atëhershme, ishte heqja e emrit të diktatorit nga Universiteti, si edhe heqja e të gjitha referimeve politike për PPSH dhe E. Hoxhën nga tekstet shkollore. Kërkesa për depolitizimin e universitetit u pranua unanimisht nga studentët e pedagogët pjesëmarrës. Kërkesa në formë peticoni u dërgua që atë ditë në ato që përmenda më sipër, por përgjigjia erdhi zyrtarisht vetëm nga PD: “Është ende shpejt që të kërkohet një gjë e tillë, pasi kushtet në të cilat kalon vendi ynë dhe vetë partia jonë janë të vështira. Por ne jemi me ju dhe kërkesat tuaja i konsiderojmë të drejta...” Ndërkohë nga qeveria e atëhershme përgjigjia erdhi nëpërmjet gazetës ZP, e cila indirekt sulmonte studentët si vegla të drejtuara nga PD, të cilët synonin denigrimin e figurës “së udhëheqësit legjendar dhe kërkonin luftë civile në Shqipëri”.
Pasojë e kësaj përgjigjeje krijimi i një shoqate studentore me emrin “Fan Noli” nga ana e Arben Likës, Tefalin Malshytit, Shenasi Ramës, B. Ukcamës e disa të tjerë. Shoqata bëri shumë takime me studentë të fakulteteve të tjera, në universitetin e Kamzës, në fakultetin e Mjekësisë, bile edhe në Shkodër, apo edhe në Elbasan. Kjo shoqatë me platformën e saj u përpoq që të bashkonte të gjithë studentët në një organizatë të vetme e të fuqishme, e cila t’u kundërvihej jo vetë qeverisë, por edheqëndrimit oportunist të partive politike të krijuara.
Në këtë kohë u krijua Shoqata Studentore Shqiptare. Kryetar i saj u zgjodh Bendi Gonxhe, nënkryetar u zgjodh Ardi Stefa, sekretar Ilir Dizdari. Në radhët e kësaj shoqate hynë të gjithë ata studentë të Arteve e filologjikut, të cilët kishin qenë protagonistët e dhjetorit 1990, por edhe dhjetëra studentë të fakulteteve të tjera. Kontaktet ndërmjet dy shoqatave ishin fillimisht të ngushta, por më pas, me kalimin e kohës dhe me afrimin e ngjarjeve të shkurtit 1991, ato do të distancoheshin nga njëra-tjetra, pavarësisht se programi i tyre do të ishte pothuajse i njëjtë.
Ndërkohë në Universitetin e Kamzës kishin filluar protestat e studentëve, të cilat u përkrahën edhe nga studentët në Qytetin Studenti, të cilët “gjetën shkas për të bojkotuar mësimet”, siç shkruante shtypi qeveritar i kohës. Por e vërteta ishte krejt tjetër. Shoqata Studentore Shqiptare, e cila kishte filluar organizimin e protestave shpresonte në një ripërtëritje të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit.
Filluan të organizohen mitingje të përditshme në Qytetin Studenti dhe folësit e përhershëm në to ishin: Blendi Gonxhe, Ridvan Peshkëpia, Ben Sula, Arjan Manahasa, Ilir Dizdari, Ardi Stefa, e shumë e shumë të tjerë.
Fakultetet e ndryshme dërgonin përfaqësues e folës të ndryshëm në mitingjet që po organizoheshin. Nga të gjithë ata që erdhën nga fakultetet e tjera folësi më elokuent ishte Bislim Ahmetaj, udhëheqës i studentëve të Kamzës. Edhe partitë politike dërgonin përfaqësuesit e tyre në këto mitingje.
Përse zhvilloheshin mitingjet? Është e thjeshtë! “Çështja e heqjes së emrit të diktatorit nga Universiteti nuk ishte më një aspiratë, por një çështje e shtruar për zgjidhje!”. Ky perifrazim i një fraze të Enverit përbënte moton e mitingjeve. Ironizimi i diktatorit, i jetës dhe i veprave të tij përbënin thelbin e fjalimeve. Bile Blendi Gonxhe kishte përgatitur edhe një kasetë me citae apo pjesë nga filmat ku flitej për udhëheqësin, të cilat shkaktonin valë të qeshurash tek studentët e mitingjeve. Bile përmendeshin edhe shumë pjesë librash apo poezish të shokëve të diktatorit, në të cilat flitej për të. Ervin Hatibi erdhi një ditë dhe solli magnetofonin e tij së bashku me dy bokse të mëdha, të cilat u lidhën me bokset e Pallatit të Kulturës të Qytetit Studenti dhe në shesh u dëgjuan këngët e Bitëllsave “Give peace a chance” apo këngë të tjera nga Queen dhe AC/DC. Ndërkohë toni i fjalimeve ishte egërsuar. Tashmë kërkohej hapur rrëzimi i monumenteve të diktatorit nga të gjitha sheshet e qyteteve të Shqipërisë.
Mitingjet vazhdonin të zhvilloheshin nga organizatorët me të njëjtin ritëm, por vrulli i tyre po binte. Shkaku? Studentët e ndienin veten të vetmuar e të tradhtuar nga forcat politike.
Si do të veprohej? Shoqata Studentore Shqiptare i bën thirrja shoqatës Fan Noli, që të bashkërendonin përpjekjet për mbajtjen gjallë të shpirtit të Lëvizjes Studentore Dhjetorit, por përgjigjia që erdhi nga ata ishte evazive. Do të merrnin pjesë në mitingje, por si manifestues të thjeshtë!...
Por një ngjarje, më saktë një vendim, bëri që grevat të merrnin një vrull të ri dhe të mos shuhej zjarri i tyre.
Më 22 janar 1991, presidenti Ramiz Alia nxorri dekretin famëkeq numër 7459 “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve”, dekret i cili kishte si qëllim vetëm ruajtjen e figurës së udhëheqësit komunist Enver Hoxha, pasi askush nuk kishte ndërmend të rrëzonte bustet e De Radës, Ismail Qemalit, të vëllezërve Frashëri apo të zbriste Skëndërbeun nga kali!
Ndërkohë komisioni organizator i grevave më ngarkoi mua që të merresha me peticionin për heqjen e emrit të diktatorit. Vetëm ditën e parë peticioni u firmos nga më tepër se 300 studentë. Kishte edhe banorë të kryeqytetit që vinin në Qytetin Studenti për të marrë pjesë në mitingje dhe që donin të firmosnin, por ata nuk lejoheshin.
Ky dekret i Ramiz Alisë na erdhi si një dhuratë e rënë nga qielli, pasi mitingjet morën një karakter edhe më të theksuar antikomunist dhe antienverist. Nga ana tjetër, nxjerrja e këtij dekreti, na krijoi vështirësi edhe më të mëdha në organizimin e mitingjeve, pasi duhet të merrnin çdo ditë leje në polici për organizimin e tyre. Marrja e lejes ishte një tjetër histori, pasi në kërkesë duhet të përmendeshin me hollësi koha dhe vendi i zhvillimit, emrat e folësve si edhe parrullat që do të hidheshin. Në një nga ato ditë disa studentë, të cilët po ktheheshin në Qytetin Studenti u arrestuan dhe u mbajtën disa orë në rajonin e policisë numër 2, vetëm sekishin thërritur “Enver- Hitler”!
Frika e shuarjes së mitingeve po bëhej edhe më e madhe, pasi mitingjet ishin kthyer në një rutinë dhe kërkesave për heqjen e emrit të diktatorit dhe shfuqizimi i dekretit për ruajtjen e monumenteve apo depolitizimin e shkollës nuk po ua vinte më kush veshin. PD-ja, megjithëse dërgonte përfaqësues në mitingje, nuk po na përkrahte hapur, pasi kishte problemet e veta organizative e funksionale. Ramiz Alia, i cili ndërkohë kishte filluar të bindej se grevat e studentëve do të dështonin, dërgoi përgjigjen se nuk u takonte studentëve të vendosnin për emrin e universitetit të tyre, sepse ai ishte i gjithë popullit dhe se më vonë çështja mund të zgjidhej me një referendum popullor. Ndërkohë edhe disa anëtarë të komisionit organizator të demonstratave kishin filluar të ndienin pesimizëm dhe frkën e një dështimi. Atëherë në një mbledhje të zhvilluar në Pallatin Studenti u hodh ideja e zhvillimit të një greve urie në rast se kërkesat nuk pranoheshin në rrugë paqësore...
Në javën e dytë të shkurtit në qytetin Studenti erdhi Azem Hajdari dhe në një takim që patëm në mencën 3, na tha se kishte shumë mundësi që qeveria të vendoste mbylljen e përkohshme të Universitetit, në një përpjekje për të shuar protestat. Kjo gjë na irritoi dhe kërkuam nga PD që të ndikonte që të mos mbyllej universiteti. Këtë thirrje ua drejtuam të nesërmen nëpërmjet mikrofonave edhe qytetarëve të Tiranës dhe Sindikatave. Përpara një alternative të tillë, ku rrezikonte dështimi i lëvizjes Studentore edhe udhëheqësit e shoqatës Fan Noli, iu bashkuan manifestimeve. Në një miting foli si udhëheqës i Shoqatës “Fan Noli” edhe Shenasi Rama (Tefalin Malshyti ishte bashkuar me kohë me drejtuesit dhe organizatorët e mitingjeve).
Fjalimet e asaj dite kanë qenë nga më të zjarrtat, pasi kësaj here nuk kishte më konflikt nervash, por ishte shtruar hapur ideja e zhvillimit të një greve urie, gjë që do të thoshte se tashmë alternativa e vetme ishte ndeshja e hapur me qeverinë, konflikti fizik. Në këtë miting iudërgua ultimatumi të gjtha partive politike dhe qeverisë që të pozicionoheshin përfundimisht se çfarë qëndrimi do të mbanin në lidhje me kërkesat e studentëve. Kjo gjë bëri që protestat të merrnin një karakter shumë serioz dhe vendosëria e studentëve të arrinte kulmin. Ë mitingje vnin letra e telegrame përkrahëse nga i gjithë vendi, nga shkolla e ndërmarrje punëtore, nga grupe intelektualësh apo edhe fshatra, të cilat lexoheshin përpara studentëve. Ndërkohë shifra e studentëve që kishin firmosur në peticionin për heqjen e emrit të dikatorit nga universiteti kishte shkuar në 2.169 studentë, një shifër jo e vogël, kjo, po të merret parasysh se një pjesë e madhe e studentëve kishin “përfituar” nga bojkotimi i mësimeve për të shkuar pranë familjeve të tyre nëpër rrethe. Në mitingun e ditës së nesërme erdhën përfaqësues të të gjitha partive politike dhe organizatave “pluraliste”. Ismail Lleshi i PPSH u fishkëllye gjatë gjithë kohës dhe fjala i tij u ndërpre. Të njëjtin fat pati edhe fjalimi i ministrit të arsimit, Skënder Gjnushi. Rrapo Zguri, përfaqësuesi i Rinisë së Punës së Shqipërisë, megjithëse na kishte thënë se pajtohej me kërkesat tona, në miting tha se nuk mundej të na mbështeste. Qëndrimin më të çuditshëm për ne e mbajtën përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Azem Hajdari dhe Gramoz Pashko, të cilët pajtoheshin me kërkesat tona, por nuk mundeshin që të na mbështesnin. Azemi tha se pajtohej me kërkesat, por duke qenë kryetar i një partie opozitare, e cila kishte firmosur Paktin e Stabilitetit (shmangien e grevave dhe trazirave popullore deri në zgjedhjet e ardhshme) nuk mund t'u bashkangjitej publikisht atyre kërkesave më se të drejta të studentëve.
Ndërkohë në Tiranë kishte filluar të binte dëborë. Në takimin që u zhvillua pas mitingut në zyrën e Fatmir Mnerit në Pallatin Studenti, ne e akuzuam hapur si provokator Azem Hajdarin, i cili na këshilloi të mos përmendnim gjakun. Me Azemin dhe Pashkon u konfliktuan hapur Ndue Lugja, Blendi Gonxhja, Tefalin Malshyti, të cilët i akuzuan si oportunistë dhe vrasës të Lëvizjes Studentore, pasi këta nuk u pozicionuan në lidhje me mbylljen e Universitetit...
Greva e urisë tashmë ishte kristalizuar dhe shpallja e saj ishte çështje orësh. Në këtë mbledhje u vendos që t’i bëhej thirrje popullit të Tiranës që t’i merrte studentët nëpërshtëpirat e tyre. Bile, atë pasdite, i shoqëruar nga kryetari i sindikatave të Kombinatit të Drurit, shkova në një takim me punonjësit atje ku u paraqita kërkesën për çeljen e shtëpive të tyre për studentët, kërkesë e cila u prit me entusiazëm. Bile punonjësit e kombinatit përgatitën një peticion drejtuar qeverisë në mbrojtje të kërkesave të studentëve dhe një tjetër letër përkrahëse drejtuar studentëve grevistë.
Po atë natë, duke mos pasur asnjë rrugë tjetër për zgjidhjen paqësore të kërkesave tona, u krijua Komisioni organizator i Grevës së Urisë. Anëtarët e këtij Komisioni ishin: Arben Lika (i cili nuk u lejua të hynte në grevën e urisë, pasi sapo ishte operuar nga apandesiti), Blendi Gonxhe, Arjan Manahasa, Ardi Stefa, Mesila Doda, Ilir Dizdari, Ndue Lugja dhe Ridvan Peshkëpia.
Kërkesave të mëparshme tashmë iu shtuan edhe kërkesa të tjera me karakter më të theksuar politik, siç ishte lirimi i menjëhershëm i të burgosurve politikë dhe shmangia e një lufte civile, e cila po provokohej nga shteti nëpërmjet organizatave “Vullnetarët e Enverit”. Në një komunikatë të asaj dite drejtuar popullit shqiptar, komisioni i Grevës së Urisë deklaronte se studentët do të flijoheshin për një demokraci të vërtetë në Shqipëri, për një demokraci, e cila të ishte e çliruar ankthi i së kaluarës dhe, nëse debatit mbi figurën e Enver Hoxhës nuk i jepej një zgjidhje një orë e më parë.
Greva e urisë
Greva e Urisë, u shpall në 16 shkurt 1991 në njërin nga mitingjet e zakonshëm. I ngarkuar të merresha me peticionet për heqjen e emrit të diktatorit nga Universiteti, m’u ngarkua përsëri që të merresha me regjistrimin e emrave të studentëve, të cilët do të hynin në grevën e urisë. Nuk ishte përcaktuar një shifër e saktë e studentëve pjesëmarrës në këtë grevë, por synohej që numri të ishte sa më i madh dhe pjesëmarrësit të ishin nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, në mënyrë që të shmangej ndonjë konflikt i mundshëm i popullit. Në radhët e studentëve, të cilët regjistruan emrat për pjesëmarrjen e tyre në Grevën e Urisë kishte edhe bij e bija komunistësh, fëmijë intelektualësh të thjeshtë, punëtorësh, fshatarësh, apo edhe nga familje të deklasuara.
Në 17 shkurt nga të gjitha forcat politike shqiptare, të pozitës apo opozitës erdhën përpjekje për të shmangur këtë grevë, duke përdorur argumente boshe dhe kundërshtime kokëforta. Për tu shmangur greva e urisë u hodh argumenti i ndarjes së Universitetit Shtetëror të Tiranës në disa pjesë dhe emri logjikisht nuk do të ishte më i vlefshëm. Po ashtu erdhi edhe kërcënimi se shteti nuk e kishte më për gjë që në Tiranë të përsëritej Tienanmeni. Edhe PD-ja nuk po mbante ndonjë qëndrim më të mirë. Nga PD-ja, e cila kishte mjaft anëtarë në radhët studentore, venin e vinin emisarë të cilët përpiqeshin të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve me pretendimin se duhej ruajtur paqja sociale në vend dhe se duhej shkuar në zgjedhjet parlamentare me qetësi dhe duke ia lënë vetëm kutive të votimit në dorë gjykimin mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Një grup udhëheqësish të PD-së, Preç Zogaj, Azem Hajdari, Neritan Ceka, Arben Imami dhe Gramoz Pashko, të cilët kishin ardhur në Qytetin Studenti për të biseduar me komisionin e Grevës, duke biseduar në mes tyre shprehën mendimin se meqë Greva ishte e paligjshme, ata s'kishin çfarë t'u bënin më studentëve dhe le t'i parandalonte e t'i rrihte policia!
Në një mbledhje të thirrur nga Ramiz Alia përfaqësuesit e PD-së iu përgjigjën kërkesës së tij të dëshpëruar për nxjerrjen e studentëve nga greva, se nuk kishin më asnjë influencë dhe asnjë kontroll ndaj tyre!
Ndërkohë komisioni organizator i Grevës së Urisë po përpiqej që të garantonte zhvillimin normal të saj. U vendos që Greva të zhvillohej në Pallatin e Kulturës Studenti dhe për këtë arsye u kërkua nga drejtori i saj, Fatmir Mneri që të liheshin në dispozicion të Grevistëve të gjitha ambientet. U kërkua që të mos kishte ndërprerje të energjisë elektrike, ujit dhe telefonave, si edhe u garantua se nuk do të dëmtohej asnjë gjë nga materialet që ndodheshin në depot e pallatit. E vetmja kërkesë ishte që nga depot të zhdukeshin të gjitha bustet e Enverit, fotografitë e tij e të udhëheqësve të PPSH, si edhe të gjitha parrulat e banderolat! Kërkesat u pranuan!
Në 17 shkurt në pasdite, rreth orës 16.00 në derën e dhomës time në konvikt u dëgjuan disa të trokitura. E hapa dhe pas saj qëndronte kujdestari i konvktit së bashku me të plotfuqishmine Qytetit Studenti. Me mirësjellje më kërkuan që të kontaktoja me anëtarët e Komisionit të Grevës së Urisë dhe t’u thosha se duhet të takoheshim me përfaqësues të kryeministrisë në lidhje me kërkesat tona dhe zhvillimin e grevës. Iu përgjigja se nuk e dija se ku ndodheshin anëtarët e komisionit. (Ndërkohë ishte marrë vendimi unanim që të gjithë anëtarët e komisionit, të paktën konviktorët, të mos qëndronin atë natë në dhomat e tyre, për të shmangur mundësinë e ndonjë provokimi apo raprezaljeje nga policia apo segmente të igurimit të Shtetit. Edhe unë në pasdite do të shkoja tek shtëpia e një shokut tiranas tim për të kaluar natën.)
Kur panë se s’kisha ndër mend të lajmëroja anëtarët e komisionit, më thanë që të shkoja unë në kryeministri dhe ato ç’ka do të më thoshin t’ua komunikoja më vonë shokëve të komisionit. Shkova me makinën e të plotfuqishmit të Qytetit Studenti. Në kryeministri hymë nga dera anësore dhe në katin e parë hymë në zyrën e njëfarë Niko, (mbiemri nuk më kujtohet) me origjinë nga Vlora, këshilltar i lartë në kryeministri. (Më pas mësova se të njëjtin takim ai e kishte zhvilluar edhe me anëtarë të tjerë të Komisionit veç e veç). Biseda u zhvillua e qetë me të dhe ai më kërkoi që të bindja shokët për rrezikshmërinë e një ndërmarrjeje të tillë, e cila mundet të çonte në një konflikt të armatosur të popullit, në një luftë civile midis komunistëve, të cilët ishin shumica e popullit dhe të djathtëve që ishin pakica. Ai tha se me veprimin tonë ne vinim në rrezik ekzistencën e Partisë Demokratike, e cila ishte prapa të gjitha këtyre. Iu përgjigja qetë dhe me kujdes se ishte e vështirë që tani të ktheheshim mbrapa, për faktin e thjeshtë se ne ishim të bindur për drejtësinë e kërkesave tona dhe për aktin historik që na kishte rënë fati për të kryer. Më tha që gjithsesi të bisedoja me shokët e tjerë të Komisionit, të cilët ishin mbledhur në shtëpinë e Blendi Gonxhes në një mbrëmje! Ishte një fakt që e dija, por më bëri përshtypje që e dinte edhe ai. I thashë se nuk e dija shtëpinë e Blendit, por ai më dha makinën e të plotfuqishmit që të më çonte atje. Dhe vërtet, makina e policisë më çoi tek shtëpia e Blendi Gonxhes, ku po bëhej një mbrëmje. Në mbrëmje Gonxhja kishte të ftuar veç të dashurës së tij, edhe Ridvan Peshkëpinë me të fejuarën, Emin Barçin, Arben Likën, Tefalin Malshytin, dy-tre shokë të tij tiranas dhe çuditërisht gjendeshin edhe Blendi Fevziu dhe Ben Blushi, të cilët me shkrimet e tyre në RD kishin shkaktuar disa herë irritimin e studentëve grevistë. U thashë për sa më kishte ndodhur dhe për një çast nuk më pëlqeu qëndrimi i lehtë me të cilin po silleshin, thua se nuk po shkonin në “luftë” por në një ekskursion. Bile Blendi Gonxhja dhe Ben Blushi u shprehën se në rast se do të plotësoheshin qoftë edhe një pjesë e kërkesave mundet të mos hynim fare në grevë. Aty u zhvillua një debat, i cili u mbyt nga tingujt e muzikës. Rreth orës një të natës u largova nga shtëpia e Blendit së bashku me Arben Likën. Poshtë na priste makina e policisë, e cila na çoi në Qytetin Studenti.
Orët kishin filluar të ecnin mbrapsht...
18 shkurt 1991, dita e Grevës së Urisë...
18 shkurti u gdhi i ftohtë dhe me dëborën, e cila ende nuk kishte shkrirë rrugëve të Qytetit Studenti. Kishte njëfarë mpirjeje në atmosferë dhe në fytyrat e studentëve. Një pjesë e anëtarëve të Komisionit kishin ardhur herët në Qytetin Studenti dhe po merreshin me përgatitjet e fundit për zhvillimin e Grevës. Një pjesë e tyre po kontrollonin sasinë e sheqerit dhe të glukozës së vendosur në ambientet e posaçme të Pallatit të Kulturës dhe po diskutonin me disa mjekë dhe studentë të mjekësisë se çfarë do të ndodhte në rast të ndonjë komplikimi të mundshëm të shëndetit të studentëve. Të tjerët po merreshin me vendosjen e disa makinave të shkrimit dhe të një aparature të vjetëruar faksi tek zyra e Fatmir Mnerit, e cila ushte shndërruar në shtabin tonë. Ndërkohë studentët që do të hynin në Grevë kishin shkuar nëpër mencat dhe po “mbushnin për herë të fundit barkun me pilaf e fasule” siç thoshin me humor. Në hyrje të pallatit Studenti ishte varur një flamur kombëtar pa yllin pesëcepësh. Një pjesë e anëtarëve të komisionit ishin në një takim zyrtar me përfaqësues të qeverisë dhe të rektoratit duke bërë bisedimet e fundit. Frika e ndonjë kompromentimi të mundshëm ekzistonte, sidomos ndaj anëtarëve të komisionit që ishin nga Tirana. Në takimin e ndërmjetësuar nga Ben Blushi e Blendi Fevziu, kishte shkuar Blendi Gonxhja, Arben Lika e Ridvan Peshkëpia. Rreth orës 11.00 filloi hyrja e studentëve grevistë në Pallatin Studenti.
Çaste historike
723 studentë e studente, si edhe disa pedagogë hynë në grevën e urisë të vendosur për t’u flijuar deri në fund. Studentët përkuleshin përpara flamurit kombëtar dhe, pasi e puthnin hynin brenda, duke ua bërë me dorë shokëve apo të afërmve të tyre që kishin ardhur në Qytetin Studenti. Sallat e pallatit Studenti ishin zbukuruar me flamuj kombëtarë pa yllin komunist mbi shkabën dykrenare, gjë që dëshmonte se çfarëdo që të ndodhte, ne ishim ndarë njëherë e mirë nga simbolet komuniste. Pas disa çastesh me makinë në Qytetin Studenti erdhën B. Gonxhja, A. Lika dhe R. Peshkëpia, të cilët e kishin marrë vesh në takimin ku ndodheshin se greva kishte filluar.
Pas hyrjes së studentit të fundit dera u mbyll dhe gjithçka duket se kishte marrë trajtë tjetër. Lufta kishte filluar. 723 studentë gjendeshin brenda ndërkohë që me mijëra të tjerë dhe shumë banorë të Tiranës vinin përpara Pallatit Studenti për pelegrinazh, për të na parë e për të na admiruar. Në sytë e tyre plot krenari e lot shikohej vendosmëria jonë për çuarjen deri në fund të asaj që kishim nisur. Ndërmjet tyre dhe nesh ishte dera e kyçur, kordoni i policisë. Në mbrëmje, teksa studentët ishin “rehatuar” përdhe apo të mbështjellë me batanije, nëpër karrige apo edhe nëpër kompesata në Qytetin Studenti kishte rënë një heshtje varri. Si ne që ishim brenda, edhe studentët e mbetur nëpër konvikte prisnin me ankth mëngjesin e ditës së nesërme. Nëpër rrugicat e Qytetit Studenti patrullonin policë dhe ushtarë, por edhe shumë civilë. Ishte një natë e vështirë, nata kur të gjithë prisnin raprezaljen dhe dhunën e shtetit komunist në grahmat e fundit.
Pranë mesnatës, dhe ndërkohë që po merreshim me leximin e telegrameve përkrahëseerdhën dy ministra të qeverisë së atëhershme, Skënder Gjinushi dhe Ismail Ahmeti. Takimin me ta e zhvilluam në shtabin tonë në katin e dytë të Pallatit Studenti. Edhe një herë tjetër ata na paraqitën versionin e qeverisë për ndarjen e Universitetit në disa pjesë, në mënyrë që emri i E. Hoxhës të binte, por jo me vendim zyrtar. Përgjigjia që morën ishte negative dhe e prerë dhe ata u larguan edhe më të zymtë se ç’kishin ardhur. Bile Sënder Gjinushi kërcënoi duke thënë nëpër dhëmbë se “Ende nuk e keni kuptuar se ç’mund të ndodhë!”
Dita e nesërme e grevës u gdhi e një mori telegramesh solidariteti nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, nga Unioni Studentor i Prishtinës, dhe sindikatat, të cilat lexoheshin me zë të lartë dhe priteshin me brohoritje nga studentët. Rreth orës 12 të mesditës u përhap lajmi se do të vizitonte studentët grevistë Sali Berisha, or atij iu ndalua hyrja nga frika se bashkë me të në Pallatin e Kulturës Studenti do të hynin edhe turmat. Ai dërgoi përshëndetjen e tij për grevistët me një faks, i cili u lexua me zë të lartë. Në mesditë erdhën për të parë gjendjen e studentëve përfaqësues të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, B. Mustafaj, R. Lani, E. Ballauri dhe K. Çashku, të cilët premtuan se çështjen e studentëve do t’ua përcillnin institucioneve ndërkombëtare, për t’u garantuar një mbrojtje fizike...
Ndërkohë nga PD-ja vinin sinjalet se më së fundi ata do të bashkoheshin pa rezerva me studentët. Këtë lajm e solli i pari Gramoz Pashkoja dhe më pas ky lajm u përforcua edhe nga Edmond Budina. Në pasdite vonë erdhi në Pallatin Studenti Azem Hajdari, i cili tha se emri ishte hequr. U bë një zhurmë e madhe dhe studentët po bëheshin gati të dilnin. Bile filluan të mblidhnin edhe batanijet të habitur që fitorja kishte qenë kaq e lehtë. Ata po përpiqeshin që të dilnin përjashta të festonin me popullin. Por në mes të haresë e rrëmujës së përgjithshme u kuptua se lajmi i sjellë nga Azemi nuk ishte zyrtar. Ai e kishte fjalën për propozimin për ndarjen e universitetit në pjesë. Propozimi i sjellë kësaj here nga PD-ja bëri që Blendi Gonxhja, Arjan Manahasa, Ndue Lugja dhe Ridvan Peshkëpia të propozonin që ky vendim të hidhej në votë përpara studentëve. Ekzistonte rreziku i degjenerimit të grevës dhe dalja e saj jashtë kontrollit. Komisioni i grevës përfundimisht u përça me Blendi Gonxhen të ishte i pari ndër anëtarët e komisionit që u akuzua për tradhti nga pjesa tjetër e komisionit dhe Ridvan Peshkëpinë, i cili shtroi alternativën se nëse nuk pranohej të votohej propozimi për ndarjen e Universitetit do të kishim pasoja. I revoltuar Ndue Lugja e kërcënon të mbyllë gojën se ndryshe do ta rrihte. Konflikti brenda komisionit të Grevës u mësua nga studentët, të cilët ishin gati të dëbonin B. Gonxhen dhe R. Peshkëpinë nga Pallati. Situata pothuajse kishte dalë jashtë kontrollit dhe gjendja u qetësua, kur të gjithë anëtarët e komisionit ndërhynë për qetësimin e situatës. Në këtë kohë uhartova një deklaratë të komisionit e cila u lexua nga Arben Lika dhe ku theksohej vendosmëria jonë për të qëndruar në Grevë urie deri në heqjen përfundimtare të emrit. Azemi ndenji edhe pak dhe pastaj u largua. Pozicioni i tij ishte i vështirë.
Si për të na ndihmuar në qetësimin e gjakrave ndërmjet nesh dhe për të na shtuar vendosmërinë erdhën lajmet që dëgjonim në radio e TV, ku theksohej se emri i E. Hoxhës nuk i përkiste vetëm studentëve, por gjithë popullit. Lajmet vazhdonin me realizimin e planeve në disa qytete e kooperativa bujqësore. Studentët vazhdonin të ishin të mërzitur dhe të gatshëm që të kalonin edhe një tjetër natë të vështirë.
Me studentët jemi ne! E hoqëm, e hoqëm qelbësirën!...
20 shkurti solli ngjarje të tjera po kaq të rëndësishme, të shpejta e të befasishme sa askush nuk ishte në gjendje të kuptonte çfarë kishte ndodhur dhe rëndësinë e asaj dite. Me mijëra banorë të Tiranës kishin ardhur në Qytetin Studenti, ndërkohë që nga rrethet e Shqipërisë vinin qytetarë për të demonstruar në përkrahje të studentëve. Partia Demokratike më së fundi shprehu përkrahjen e saj të plotë për studentët dhe kërkesat e tyre dhe Sindikatat kishin paralajmëruar një grevë të përgjithshme, e cila do të paralizonte vendin.
Brenda godinës ku ishim të ngujuar mbizotëronte optimizëm edhe pse nervat ishin të tendosura në kulm. Gjendja e studentëve sa vinte e përkeqësohej. Një vajzë e nxorrëm me barel të sëmurë e në gjendje të rëndë. Përpara kësaj gjendjeje vendosëm që nga greva të dilnin një pjesë e vajzave apo edhe e disa djemve të dobët e të sëmurë. Glukoza po na mbaronte dhe mjekët po u bënin grevistëve serumet e fundit. Por vetmohimi i studentëve nuk kishte shoq. Me të mësuar vendimin e Komisionit për nxjerrjen e studentëve të sëmurë, këta të fundit me lot në sy na u përgjigjën se ishin të vendosur që të mos dilnin gjallë pa u hequr emri. Nga jashtë godinës populli i Tiranës thërriste: “Enver- Hitler”, “Me studentët jemi ne”, “Studentët janë heronj”, “Studentët, bijtë tanë!”. Thirrjet e tyre shoqëroheshin me himnin kombëar e këngë patriotike.
Aty për aty u organizua një miting ku folës të ndryshëm morën hapur anën e studentëve. Edhe PD-ja nuk bëri mbrapa. Aktorja e njohur Rajmonda Bulku ftoi nënat dhe gratë shqiptare që të demonstronin përpara presidencës. Turma u var poshtë në rrugën e Elbasanit, duke u futur në krah të godinës së Radio-Televizionit ku ndeshi me qëndresën e forcave të ndërhyjes së shpejtë.
Pas autobotit që e spërkati me bojë të kuqe, pas krismave në ajër dhe lëshimit të qenëve të kufirit, turma e irrituar dhe e prirë nga të rinj guximtarë me flamurin kuq e zi pa yll, iu drejtua qendrës së Tiranës. Pas përleshjeve me policinë monumentit të diktatorit iu hodh në qafë një kavo çeliku dhe pasi u tërhoq nga një makinë policie u hodh përtokë.
Lajmi i rënies së monumentit mbërriti në godinën ku po zhvillohej greva e urisë dhe nga studentët e ngujua u prit me brohoritje e entusiazëm të papërshkruar. Një pjesë e studentëve u përpoq të dilte nga godina, por dyert vazhdonin të qëndronin të kyçura në pritje të lajmit zyrtar. Ndërkohë populli i Tiranës kishte sjellë në Qytetin Studenti, përpara godinës së grevës së urisë, konën e monumentit të diktatorit. Ajo u ngrit me kavo nëpër dritare dhe u shkelmua, u pështy nga studentët e ngujuar.
Ndërkohë studentët dhe populli i Tiranës thrrisnin në kor: “E hoqëm, e hoqëm, qelbësirën!”...
Komisioni vendosi që të pritej komunikata zyrtare e heqjes së emrit të diktatorit nga universiteti, lajm, i cili u komunikua në lajmet e orës 20.00. Ndërkohë në godinën e grevës dyert ishin hapur dhe studentët ishin bërë një me popullin...
Rekuiem...
Lëvizja Studentore është manipuluar në mënyrë monstruoze, ashtu siç thashë në fillim të këtyre shënimeve. Të tjerë, krejtësisht anonimë volën frytet që i pasuan kësaj lëvizjeje. Paranë, pushtetin, pafytyrësinë, hedhjen sa nga njëra parti tek tjetra, postet qeveritare... Listat e studentëveqë firmosën peticionin për heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti, si edhe lista e vërtetë e 723 studentëve e pedagogëve pjesëmarrës në grevë u dorëzuan atëherë në PD dhe në rektorat. Askush nuk e mori vesh se ç’u bë me to!...
Studentët grevistë, studentët e vërtetë, të cilët dolën ashtu të thjeshtë e krenarë, me kokat ulur pas lajmeve të ors 20.00, studentët që putheshin e përqafoheshin me popullin e thjeshtë nuk shkuan aq larg sa të merrnin meritat e pamerituara, meritat e të tjerëve. Thirrjet e popullit “Studentët janë heronj” ishte ndoshta vlerësimi më i lartë e i vetëm për ta.
Ne paguam një haraç shumë të madh: gjendjen e jashtëzakonshme, mbylljen e Universitetit, vrasjet, lënien në harresë, eksodin, përbaltjen dhe manipulimin e lëvizjes sonë.
Por dhurata që ne i bëmë popullit ia vlente për gjithë ato sakrifica. Studentët e brezit tim, studentët e Brezit 22, nuk kërkuan që rreth tyre të thurreshin legjenda e mite, ata luftuan që të shembin njëherë e mirë idhujt e mitet e rremë.
Heronjtë e vërtetë të atyre ditëve të zjarrta studentore aktualisht nuk kanë piedestale. Piedestalet janë me heronj të rremë, për të cilët studentët e brezit tim luftuan për t’i rrëzuar...
Por studentët e brezit tim e dinë se do të jenë të gatshëm që po t’i thërrasë atdheu t’i rrëzojnë edhe një herë heronjtë e rremë nga piedestalet. Ia kanë, ia kemi për borxh këtë gjë atdheut...

Δευτέρα 4 Φεβρουαρίου 2008

Besnikëria e Penelopës dhe përse i vrau Odiseja mëtonjësit

Besnikëria e Penelopës dhe përse i vrau Odiseja mëtonjësit

Ardi Stefa

Në vitin e parë të universitetit, letërsinë Antike Greke na e jepte profesori i nderuar Muzafer Xhaxhiu. Njëri nga të paktët njerëz, për të cilët kam nderim e respekt të gjithëhershëm. Në njërin nga seminaret që zhvillonim me të për “Odisenë” e Homerit e pyeta në lidhje me ato ç’ka thuheshin të paktën në pjesën ku flitej për Penelopën, pëlhurën dhe besnikërinë e saj, por edhe për faktin se përse Odiseja i vrau mëtonjësit, kur mbërriti në shtëpinë e tij.
Profesor Xhaxhiu m’u përgjigj me ato ç’ka thuheshin në të gjitha tekstet e letërsisë, mitologjisë, në lidhje me besnikërinë dhe pëlhurën e saj legjendare, ndërsa për Odisenë m’u përgjigj se ai i vrau mëtonjësit, sepse ata i kishin pushtuar shtëpinë, i kishin shkatërruar pasurinë dhe pretendonin jo vetëm fronin, por edhe gruan e tij, kujtimi i së cilës e kishte mbajtur gjallë për kaq vite.
Skeptik siç isha, pranova me gjysmë zëri ato ç’ka më tha profesor Xhaxhiu, por thellë në ndërgjegjen time miti apo historia e Penelopës dhe e Odisesë, shtresëzohej ndryshe.
Kisha bindjen e plotë se Penelopa e kishte tradhtuar Odisenë, jo me njërin, por me disa nga mëtonjësit. Edhe pëlhura që thurrte ditën dhe ç’thurrte natën nuk ishte gjë tjetër veçse një pretekst që t’i mbante ata sa më shumë pranë vetes. Ndërsa Odiseja, nuk u hakmorr ndaj mëtonjësve duke i vrarë, jo vetëm sepse ata i kishin vjedhur pasurinë, apo pushtuar shtëpinë, por sepse ndërmjet tyre gjendeshin edhe dashnorët e Penelopës.
Nuk i vrau sepse ata në një të ardhme do të përbënin rrezik potencial për ta rrëzuar nga froni, por sepse Odiseja u tremb se mos edhe atij i ndodhte si me Agamemnonin, i cili u vra nga gruaja në bashkëpunim me dashnorin në vaskën e banjës. Ai u tremb nga pabesia bashkëshortore, pasi edhe vetë ai, gjatë dhjetë viteve që sillej vërdallë, mes Skillës e Karibdës, nuk ishte shquar për ndonjë besnikëri të jashtëzakonshme bashkëshortore...
Këto mendime të miat, këto interpretime të mitit, natyrisht më të zgjeruara ia thashë disa javë më pas profesor Xhaxhiut, i cili nuk foli, por as nuk i hodhi poshtë. Që nga ajo ditë me profesor Xhaxhiun nuk kishim më marrëdhëniet e studentit me pedagogun. Marrëdhëniet tona ishin më të ngushta, më miqësore; kur kisha nevojë për borxh i drejtohesha atij, kur doja të pija ndonjë gotë konjak apo fërnet, shkonin bashkë me të tek klubi i Isait në Qytetin Studenti dhe pinin alkoolin në filxhanë kafeje...
Do të më thoni se përse e solla këtë shembull, i cili në fakt ndoshta nuk përbën interes për askënd nga lexuesit.
E solla si ngjarje, pasi gjendja e sotme në Shqipëri më kujton interpretimin e mitit të Odisesë, ashtu siç e kisha përpara 17 vjetësh.
Sepse dikush u ka mbushur mendjen liderëve të politikës shqiptare se shqiptarët janë pasardhës jo të Skënderbeut, por të Penelopës, që janë në gjendje të presin për vite të tëra me radhë kur t’u mbushet mendja atyre që të bëjnë ndryshime në favor të popullit, apo ndonjë gjë të mirë për Shqipërinë.
Por edhe durimi i Shqiptarëve ka një kufi dhe kufiri u duk qartë në zgjedhjet e 3 korrikut, kur Nanoja dhe stafi i tij humbën në ato që ata i quanin bastione të patundshme dhe që në 1997-ën i sollën në pushtet. Qeverisja difektoze, bile, bile kriminale e Nanos, korrupsioni dhe arroganca e tij e famshme, e cila konsiderohej kulturë dhe ironi e hollë, nëpërkëmbja e partisë së tij dhe zërave idealistë që kërkonin një qeverisje realiste ishin shkaku që Nanon e çuan në opozitë. Se sa i interesonte Nanos fitorja dhe qeverisja, partia dhe elektorati e dëshmoi fakti që një javë pas humbjes së zgjedhjeve ai shkoi me pushime në Rodos e Turqi. Vërtetoi më së miri që erdhi dhe qëndroi në politikë vetëm e vetëm për të përfituar ekonomikisht. Dhe u gënjye se populli do t’i qëndronte besnik përjetësisht...
Akti i parafundit në jetën politike të Nanos u luajt në 3 korrik. Ik, Fatos, i tha populli me votën e tij. Ne, populli, përkarshi teje të kemi thënë, ndonëse kurrë s’na ke dëgjuar, se nuk jemi aq të lumtur sa ç’je ti, nuk jemi aq të pasur sa ç’je ti, madje jemi tmerrësisht të varfër. E, më së fundi, nuk jemi aq të papërgjegjshëm sa papërgjegjshmëria juaj biblike.
Tani ka ngelur të luhet edhe akti i fundit, të largohet nga kreu i partisë...
Ndërsa Berisha, i rickiluar kaq herë në politikë, i luftuar e i lakuar aq shumë prej të gjithëve në këto vite, solli me vete në këtë fushatë jo ish-qeveritarë të damkosur, jo vjetërsira politike, jo atavizma. Ai solli një staf të ri, të shkolluar, me bindje (të paktën në dukje) perëndimore e europiane, duke iu ringjallur edhe një herë shpresat shqiptarëve. Ai bëri një fushatë paqtimi e pajtimi me me të gjithë shqiptarët duke treguar se kishte ndryshuar, ose nuk ishte më ai i pari, ose se tashmë ishte bindur se askush nuk do ta linte më të sillej e të qeveriste si tetë vjet më parë.
Tashmë ka ngelur që të provohet në praktikë, në qeverisjen e Shqipërisë. Të qeverisë dhe të ketë në mendje bindjen se shqiptarët kurrsesi nuk janë pasardhësit e Penelopës, ata dinë t’i vrasin me votën e tyre mëtonjësit e pushtetit...

My number 17!

My number 17!
Heronjtë e xhepit kanë një karakteristikë të përbashkët: harrohen shpejt!...

nga Ardi Stefa

Skenderbeut iu desh që të kalonin disa shekuj, që një rrugë në Shqipëri dhe në qytetin e tij të lindjes të merrte emrin e tij. Ismail Qemalit, i cili shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, iu desh të priste 50 vjet pas vdekjes që emri i tij t’u jepej shesheve, shkollave apo rrugëve. Enver Hoxha nxitoi që emrin e tij t’ua vinte rrugëve, shkollave, shesheve, organizatave të grave, pionierëve e pensionistëve, universitetit e hidrocentraleve, por sot, 20 vjet pas vdekjes, emri i tij u është hequr të gjithave. Vaçe Zela me zërin e florinjtë nuk ka ende as edhe një rrugicë që të mbajë emrin e saj, në një kohë që emri i një peshëngritësi të vdekur lartohet në fillimin dhe fundin e një rruge.
Kombëtarja e futbollit fitoi në 4 shtator me Greqinë dhe ajo fitore pothuajse ka zëvendësuar ndërgjegjen kombëtare
Anjeza Shahini mori pjesë në Eurovizion dhe brenda vitit emri i saj u bë bluza, shalle, kapele, kopertina e afishe. E njëjta gjë edhe me Ledina Çelon. Shyqyr që Anjeza nuk fitoi Eurovizionin, sepse emri i saj do t’i vihej Teatrit të Operas dhe Baletit. Shyqyr që edhe Ledina doli e 17-ta!...
Bertold Brehti thoshte: “Vajmedet për atë komb që ka nevojë për heronj!”. “Vajmedet për atë popull që prodhon heronj të xhepit”- do të shtoja unë. Pasi heronjtë e xhepit kanë një karakteristikë të përbashkët: Digjen lehtë, harrohen shpejt! Nuk është thjesht hiperbolizimi, as mosruajtja e sensit të masës, është edhe vlera!
Unë nuk them që goxha Anjeza apo goxha Ledina të presin sa Ismail Qemali apo Skenderbeu që të nderohen apo të çmohen. Por ata që i propozojnë këngëtaret të marrin dekoratat “Nderi i Kombit”, le të presin njëherë që ato të krijojnë një portret të tyrin artistik, të imponohen me talentin e tyre, pastaj le t’i bëjnë edhe heroina, edhe emrat e tyre t’ua vënë Teatrit të Operas e Baletit. Le t’i bëjnë edhe pulla postare, edhe kapele, edhe afishe, edhe bluza, çfarë t’u dojë qejfi. Le të bëjnë pastaj edhe afishe gjigande me to kur vijnë për koncerte në Greqi, apo gjetkë ku ka emigrantë, megjithëse ato vijnë jo për patriotizëm, apo atdhedashuri, por për para e karrierë...
Por nga ana tjetër përse emri i një këngëtareje duhet të bëhet simbol i një kombi apo populli. Ky komb, ky popull nuk ka të tjerë njerëz me vlera përveç kombëtares së futbollit apo dy këngëtareve?
Siç duket jetojmë në një epokë ku vlerat e vërteta kanë humbur apo po zhvlerësohen. Nuk është normale për një shoqëri moderne që emri i atij që i dha pavarësinë apo krijoi kombin të jetë më pak i rëndësishëm se emri i një këngëtareje, futbollisti, apo aktori.
Por fenomeni nuk është ekskluzivisht shqiptar. Grekët kanë Haristean e Paparizun, anglezët Beckhamin, gjermanët Shumakerin.
Shqiptare gjithsesi është hiperbolizimi.
Shoqëria shqiptare është kaq e etur për suksese saqë është e zonja që ta kërkojë e ta ngrejë në piedestal edhe në rrugët që s’janë gjithmonë të drejta. Dhe suksesi nxit të tilla ndjenja saqë shpesh herë harrohet shumë shpejt se çfarë u arrit dhe nga kush.
Dhe suksesi nuk është kur dikush di t’i bjerë topit më mirë se moshatari i tij, as se di të këndojë më mirë se ata që ia marrin këngës për qejf.
Por në jetën tonë, mirë apo keq, nuk ka përgjigje të padhimbshme. Dhe për këtë arsye shoqëria jonë merr gjithmonë përgjigjet që i meritojnë në pyetjet që bën. Nga çasti kur konsiderohet kaq e rëndësishme të jesh Ledina apo Anjeza, ia vlen të bësh gjithçka që të arrish ato. Për këtë arsye edhe Ledina e Anjeza nuk janë patologjia e sistemit të vlerave. Janë fizionomia e sistemit të vlerave...
Si puna e atij që u propozua për “Qytetar nderi” nga një fshat. Por fshati (megjithë respektin për fshatin e fshatarët) nuk mund të propozojë për qytetar nderi, në rastin më të mirë mund të propozojë për “Banor nderi”, që të mos them “Fshatar nderi”!
Dhe çfarë ngelet? Një vend i shtatë; një vend i shtatëmbëdhjetë, jashtë Botërorit, një titull i pavlerë, etj, etj. Emra që harrohen lehtë, piedestale me heronj që zëvendësohen dita-ditës. (Megjithëse edhe unë votova për Ledinën gjashtë herë)
Shpresoj që Vaterloja e Heronjve të xhepit të na mësojë modesti e vetëpërmbajtje. Por nuk jam i sigurtë. Për arsyen e thjeshtë se heronjtë e xhepit janë produkte të një sistemi që jeton e ushqehet nga prodhimi i tyre...
P.S.: Studentët e Dhjetorit s’kanë asnjë piedestal, bile, piedestali i tyre është ende bosh. Ata luftuan që të tjerët sot të krijojnë heronj xhepi?..

Gjuha, mjet mbijetese apo integrimi

Gjuha, mjet mbijetese apo integrimi
Shkruan Ardi Stefa
Shkas për t’u shkruar ky artikull ishte një bisedë që kisha me disa grekë, miq e të panjohur në një tavolinë në Plaka. Diskutimi kishte marrë zjarr në lidhje me tema të ndryshme të jetës politike e sociale në Greqi, kryesisht në lidhje me integrimin e emigrantëve dhe të drejtat politike e sociale që emigrantët duhet të kishin. Dikur, gjatë bisedës njëri prej grekëve, me të cilin nuk kisha edhe aq fort koinfidencë m’u drejtua: “E flet greqishten fort mirë. Urime! Jeni vorio-epirot?”. Edhe miqtë e mi pohuan: “Po, po e flet shumë mirë”!
Jam shqiptar, iu përgjigja. U bëra gati t’i thosha se e kisha mësuar greqishten këtu, pasi ishte mënyra e vetme për të mbijetuar në një vend të huaj, por se ende nuk e flisja si gjuhën shqipe, por diçka më mbajti. Doja t’i thosha se i kisha kapërcyer kompleset e “të qenit” e të idenditetit, por përsëri diçka më mbajti, megjithëse e kuptova që pyetja m’u bë pa të keq.
Nuk ishte më ajo ndjesia e krenarisë që provoja (dhe që provojnë pothuajse të gjithë emigrantët) në vitet e para të emigracionit kur na thoshin një gjë të tillë, apo kur na thoshin se nuk ngjanim me të huaj. Mund të them se konstatimi për gjuhën që e flisja mirë, më krijoi brenda vetes një sërë ndjenjash të ndryshme, jo fort të këndshme, të cilat më bënë të mendohesha.
Aty, gjatë bisedës nën këmbët e Akropolit, konkludova se njeriu kufizohet nga kufij të dukshëm e të padukshëm, të prekshëm ose edhe jo. Aq më tepër emigranti. Emigranti nuk duhet të kapërcejë vetëm kufijtë gjeografikë ndërmjet dy shteteve, për të thënë se ka emigruar. Duhet të kapërcejë edhe shumë kufij të tjerë. Duhet të kapërcejë kufirin e gjuhës, e cila në vitet e para të emigrimit me të vërtetë që mundet të jetë mjet mbijetese, por me kalimin e kohës bëhet domosdoshmëri integrimi. Nëpërmjet gjuhës së vendit të cilin ka zgjedhur për të emigruar, emigranti vendos urat lidhëse me shoqërinë e vendit, atdheut të ri. Nëpërmjet gjuhës ai fillon të bisedojë e kuptojë jo vetëm ç’ka thuhet përreth tij, por edhe të kuptojë mentalitetin, mënyrën e të menduarit e të vepruarit të vendasve. Nëpërmjet gjuhës që mëson, ai ka mundësi të dëgjojë e kuptojë, të thotë mendimin e tij për ato që beson, të dialogojë e të mos rrijë vetëm duke dëgjuar atë ç’ka thonë të tjerët.
Pra, komunikon me veten dhe të tjerët, me gjithë shoqërinë.
Emigranti duhet të kapërcejë kufijtë e dukshëm dhe të padukshëm, kufijtë gjeografikë dhe kufijtë e gjuhës, por edhe kufijtë e idenditetit. Nuk janë të paktë ata emigrantë që mburren e “krenohen” se e dinë mirë greqishten dhe kur kur vjen koha që t’i përgjigjen një pyetjeje të thjeshtë “Çfarë ndiheni, shqiptar apo grek?”, ngecin. Ngecin, megjithëse shpesh herë marrin përsipër të përfaqësojnë të gjithë emigrantët shqiptarë nëpër “debate” televizive.
Në rast se thonë shqiptarë shpesh herë ndeshin në pakënaqësinë e vendasve, megjithëse mundet t’i kenë edhe miq. Në rast se thonë grekë, ndeshin në buzëqeshjet ironike edhe të vetë miqve të tyre më të afërt. Në rast se thonë “Edhe shqiptarë edhe grekë”, atëherë për vendasit janë anormalë, hibride të modifikuara gjenetikisht.
Por me shqiptarët ndodh një dukuri e veçantë. Në shumicën e rasteve krenohen të thonë se kanë ngelur ata që ishin edhe në atdheun e tyre. Pyetja është se si kanë ngelur? Në ata që ishin në vitet ’80-të, në vitet ’90-të? Natyrisht është e drejta e tyre të deklarohen si të duan, por ata duhet të kuptojnë se, në fakt, janë krejtësisht të dështuar, që kanë ngelur ashtu si ishin dikur në atdheun e tyre. Kjo do të thotë me pak fjalë se ata njerëz, megjithëse kanë kaluar kufijtë gjeografikë, është njëlloj si të mos kenë udhëtuar kurrë, të mos kenë parë botë me sy, të mos kenë takuar askënd veç vetes së tyre. Bile, edhe me veten e tyre është e dyshimtë në janë takuar e dialoguar. Është njëlloj si të kesh frikë të ndeshesh e të dialogosh me të panjohurën, me të renë, e të ngelesh i ngërthyer pas së vjetrës...
Këto ishin disa nga mendimet, që më erdhën në mendje atë pasdite nën këmbët e Akropolit, tek bisedoja me miq e të panjohur grekë, duke pirë kafe...
Natyrisht që mendimet e mia janë të hedhura në letër bruto dhe duan shtjellim të mëtejshëm, por le të jenë këto mendime, një ftesë për çeljen e një dialogu...

Çfarë jemi në Greqi: Qytetarë apo mysafirë?!...

Çfarë jemi në Greqi: Qytetarë apo mysafirë?!...

Ardi Stefa

Përpara disa ditësh më ndali në rrugë kryetari i një shoqate e përfaqësues i disa të tjerave dhe, filloi të protestonte ndaj tezave që kisha ngritur në shkrimin e numrit të kaluar në gazetë. Pas disa pak minutash debati me kryetarin, i cili mburrej me mungesën e shkollimit të tij, sepse gjithë jetën ishte “klasë punëtorë”, kuptova se kur bën shkrime për njerëzit e ekuilibruar e të mençur, rrezikon të quhesh tradhtar e bukëshkelës nga injorantët. Nga ata që nuk e kuptojnë se patriotët e intelektualët e vërtetë janë ata që janë kritizerët më të rreptë të atdheut, vetvetes e atyre që i rrethojnë.
Gjithçka nisi me një pyetje që shtroja në shkrimin e mëparshëm: Çfarë ndiheni: Shqiptarë apo grekë?
Sipas kryetarit patriot një pyetje e tillë as që duhet shtruar, pasi ne jemi shqiptarë dhe këtë s’e luan as topi! Bile për të mbrojtur idenditetin kombëtar kryetari, i cili kishte kthyer disa gota, më la përshtypjen se si Selam Musai ishte gati që t’i vinte gjoksin topit!
Nuk kam gjë as kundër këmbënguljes për ruajtjen e idenditetit, (bile jam njëri nga ata që ka shumë vite në Greqi, që flet e shkruan publikisht e jo kafeneve për Shqipërinë e shqiptarët, për vuajtjet, shtypjet e të drejtat e tyre) e as kundër topave, qofshin këta edhe të Selam Musait.
Veçse kam një gjë për të theksuar!
Nuk janë të paktë ata emigrantë normalë shqiptarë që megjithëse “vuajnë” në Greqi, kur shkojnë në Shqipëri, nuk flasin keq për vendin që kanë zgjedhur për të jetuar dhe anasjelltas, kur janë në Greqi nuk flasin keq për Shqipërinë ku u lindën e u shkolluan. Kjo gjë sjell reagime në të dy anët e kufirit: Në Shqipëri i shohin si anormalë dhe tradhtarë, ndërsa në Greqi ose u kërkojnë që të zgjedhin se çfarë janë (shqiptarë ose grekë) ose u pështyjnë në fytyrë shprehjen aq të përhapur vitet e fundit: Grek nuk do të bëhesh kurrë, o shqiptar!
Në të dy rastet përfundimi është i njëjtë: O me ne, o kundër nesh! Rrugë të mesme nuk ka!
Thua se jemi në luftë. Thua se Lufërat ballkanike ende s’kanë përfunduar!
Por, zoti kryetar, jam i bindur se ka edhe një rrugë të mesme, e cila është më e drejta. Secili prej nesh flet e deklarohet ashtu siç e ndien, flet e mbron idenditetin apo idenditetet individuale që ka zgjedhur. Pasi secili duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e përzgjedhjes së tij në rast se nuk dëshiron të jetojë nën diktaturën e mentaliteteve të tejkaluara nga koha, të mentaliteteve të urrejtjes e së kaluarës...
Sepse, zoti kryetar, secili prej nesh duhet që të vendosë se çfarë është në Greqi: Qytetar apo mysafir?
Në rast se do të zgjedhë qytetarinë atëhere duhet të çlirohet nga komplekset, pasi fjala qytetar pëmbledh në brendësi edhe kuptimin e të qenit i përhershëm, i barabartë, me të drejta.
Në rast se do të zgjedhë të qenit mysafir, atëherë më vjen keq, por përjetësisht do të ngelet i përkohshëm, as andej e as këtej.
Nuk e di nëse kryetarin e sqarova atë pasdite të hëne, por përfundimi ishte ky: Ekzistojnë tre kategori emigrantësh:
Ata që do të ngelen me një atdhe: atë nga e cila erdhën. (Këtu përfshihen ata që e kanë ndier dhe e ndiejnë veten të lidhur me atdheun që lanë pas, me rrugët e gurët. Këta janë prindërit tanë që edhe gjuhën s’e kanë mësuar, edhe punë s’kanë, edhe vendi ku lindën i thërret më fuqishëm se të tjerët.)
Ata, të cilët do të kenë dy: atdheun nga erdhën dhe vendin që zgjodhën për të jetuar vetë e me fëmijtë e tyre. (Këtu bëjnë pjesë ata që dashur padashur u integruan ose po integrohen. Blenë një shtëpi, një makinë, kanë punë, fëmijtë u shkolluan e krijuan familje mikse me vendasit...Ata që tashmë kanë filluar ta shijojnë jetën).
Ata, dhe këtu përfshihen emigratët e brezit të tretë, fëmijtë tanë, nipërit e mi, etj, të cilët do të kenë vetëm një atdhe, vendin ku u rritën. Vendin, të cilin dikur prindërit e tyre e zgjodhën për të emigruar. Në rastin tonë Greqinë.
Kjo është historia botërore e emigracionit për shekuj me radhë.
Të gjithë ata që thonë të kundërtën s’e kanë idenë se ç’do të thotë emigracion, dhe akoma vazhdojnë me një trajtim folkloristik të nocionit dhe të thelbit të emigracionit, identitetit kombëtar e të patriotizmit.

Profesioni? Patriot!

Profesioni? Patriot!

Ardi Stefa

Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, përcaktohet se patriot është ai i cili me punën dhe veprën e tij ndihmon në mbarëvajtjen e kombit, në ruajtjen e pavarësisë e integritetit territorial, ai, i cili është i gatshëm që për atdheun të japë edhe jetën e tij e të familjes së tij...
Pothuajse i njëjti shpjegim jepet edhe në fjalorin më të fundit të greqishtes të publikuar nga Babinjoti.
Personalisht nuk kam ndonjë kundërshtim për këtë lloj shpjegimi, por gjithmonë ideja ose përcaktimi i të qenit dikujt patriot më është dukur demode. Pasi patriotët gjithmonë i kemi lidhur me gjakun, luftërat, betejat, me të lindurit e të palindurit ende, të vrarët apo të burgosurit, martirët e gjallë apo të vdekur.
(Çudi! Gjatë gjithë jetës ime s’kam parë asgjë nga këto. Ah, gjak kisha parë, kur therreshin pulat e detit për Vit të Ri. Kisha parë edhe një herë tjetër kur tribunashët ngritën turmat të merrnin pushkët e të vrisnin njëri-tjetrin.)
Kam parë e njohur shumë “patriotë”! Nga ata që rrinë gjithë ditën kafeneve e klubeve, nën tymin e duhanit e avujt e alkoolit të hidhen në zjarr për Shqipërinë e shqiptarët. Të kritikojnë e të shajnë çdo mendim të kundërt me të tyrin (më saktë ata që i shprehin ato). Për ta të gjithë ata që kanë mendime të kundërta ose kritikojnë kombin e “personalitetet”, apo figurat historike, nuk janë gjë tjetër veçse tradhtarë, hibride, agjentë në shërbim të turkut apo të grekut. Dhe vazhdojnë me një trajtim folklorist të patriotizmit, dashurisë për atdheun dhe harrojnë se historia nuk është përrallë, por mbi të gjitha është shkencë është mendim kritik. Se historia shkruhet në shumë trajta në epoka e kohë të ndryshme. Rëndësi ka të mos jemi robër të njërit, apo të tjetrit këndvështrim historik, veçanërisht, kur ai kryhet nën prizmin e një ideologjie të caktuar...
Ka edhe një lloj tjetër patriotizmi, i cili është po aq i fortë, po aq shpresëdhënës e po aq aktual e i dobishëm, sa patriotizmi në nocionin leksikologjik e historik të fjalës. Është patriotizmi i sotëm, ai që ka të bëjë me tolerancën, dashurinë për njeriun, fqinjin, bashkëjetesën e integrimin. Patriotizëm është edhe përpjekja për të krijuar idenditetin tonë “kapërcyes”, tejkalimin nga varfëria ekonomike, por mbi të gjitha nga varfëria shpirtërore, që në shumë raste e shndërron atdheun në një magazinë mitesh të shoqëruara me revanshizëm e urrejtje.
Lexuesi le të gjejë veten se në cilën kategori patriotësh bën pjesë. Unë për vete bëj pjesë në kategorinë e dytë, në atë të patriotizmit bashkëkohor, tolerant e integrues dhe jo në atë lloj patriotizmi folklorik që përçojnë e trumbetojnë patriotët e kafeneve. Sepse, miqtë e mi, nuk bëj pjesë në atë kategori pseudoshqiptarësh, gjasme shqiptarësh, gjysmëshqiptarësh... Nuk bëj pjesë në atë kategori pseudodemokratësh, gjasmedemokratësh, gjysmëdemokratësh; pseudointelektualësh, gjasmeintelektualësh, gjysmëintelektualësh...
Sepse, fort i nderuar lexues, duhet ta dini mirë se të gjithë ata që flasin për patriotizmin e hidhen në “zjarr” kafeneve për kombin, zakonisht vetëleqendisen përpara eprorëve vendas e të huaj. Veshin kostume europiane, e, nga ana tjetër thërrasin “Dum Babën”, u ngrefosen vartësve e u përulen e u përshtirosen të huajve e eprorëve vendas.
Për fat të keq Shqipëria, si brenda kufijve ashtu edhe jashtë saj është e mbushur me të tillë patriotë. Që janë të përulur e kryelartë, arrogantë e puthadorë, pa ideale, mosmirënjohës, besnikë e tradhtarë njëkohësisht...
Demokratë me Berishën, socialistë me Nanon, komunistë me Milloshin...
Pederastë, po e kërkoi moda e të virgjër e shembuj të gjallë morali të përkryer më pas, narcistë e onanistë, që bëhen synet në xhami, e pagëzohen në kishë, myslimanë në Turqi, kristianë në Athinë e Romë, që i falen bythëpërpjetë Muhametit e i puthin dorën Papës...
Të gjithë këta të hidhen në grykë po qe se vë në dyshim patriotizmin e tyre!...
E, në rast, se patriotizmi është i një trajte të tillë, është vetëm glorifikimi i së kaluarës, historisë apo edhe emrave, më falni, por unë nuk jam patriot!
Unë jam me ata patriotët e tjerë, që në koncertin e tre tenorëve, u përlotën e qanë me dënesë kur dëgjuan “Po ku ka si ty, moj Shqipëria ime/ moj fisnikja përmbi gur...”, e këndonin me gjithë zemër. Jam me ata patriotët e tjerë që shoqëronin me duartrokitje kur dëgjuan këngët greke, ashtu si ato shqiptare e të huaja.
Sepse patriotizmi ynë është më i vërtetë se i të tjerëve, është i ngritur në dy shtylla: dashurinë dhe kujtesën!...
Dhe jo në ideologjinë, apo idenë e të dukurit patriot!...