Τετάρτη 30 Ιουλίου 2008

Respekti është si tangoja: Duhen dy që të kërcehet!

Respekti është si tangoja: Duhen dy që të kërcehet!
Ardi Stefa

Për të shkruar rreshtat e mëposhtëm u bë shkas një shprehje që lexova në një gazetë greke: “Në vendin ku ke vendosur të hedhësh rrënjë, duhet të respektosh flamurin e saj, vendasit, natyrën e saj!”
E vërtetë! Natyrisht që është e vërtetë!
Respekti i emigrantëve për vendin ku vendosën të jetojnë, të punojnë, të hedhin rrënjë; respekti për flamurin, natyrën, është më se i qartë. Në shumicën e tyre emigrantët jetojnë e punojnë ndershmërisht, paguajnë taksat e u binden ligjeve e rregullave, shpesh herë pa bërë zë, edhe pse disa herë u duken të padrejta.
Megjithatë emigrantët janë mësuar t’i respektojnë vendasit, flamurin e fenë e tyre.
Pyetja qëndron se sa i respektojnë emigrantët vendasit. Sa i respekton emigrantët vendi, të cilin ata përzgjodhën për të hedhur rrënjë!
Përgjigjia është me tre fjalë: Pak ose aspak!
Sepse kërkohet që emigrantët të respektojnë vendin që përzgjodhën për atdheun e tyre të dytë, por atdheu i tyre i dytë sa i respekton?
Sa i respekton kur ligjet për “vendasit e rinj” janë gjysmake, ose në rastin më të keq nuk janë pro tyre?
Sa i respekton “vendasit e rinj” kur i lë për vite me radhë pa dokumenta, me një liridalje për çdo rast festash fetare, apo leje vjetore?
Sa i respekton kur vazhdon t’i shohë emigrantët si të huaj, si mish çiban në trup të Greqisë, që i vjedh, i poshtëron, i le si qytetarë të kategorisë së dytë?
Kërkon të të respektojnë si atdhe të dytë, kur ti si atdhe i dytë as i përfill, nuk u jep të drejtën më elementare: Atë të lëvizjes së lirë, të të qenit i barabartë në shanse, përpara ligjit, përpara konkurimit në tregun e punës...
Klima e mirëkuptimit dhe adaptimi pa diskutim i disa udhëzimeve të BE nuk e ngrenë e as e revizionojnë detyrimisht kulturën politike dhe ligjore të vendit që u përzgjodh prej emigrantëve për të jetuar e punuar ndoshta përgjithmonë. Qëndrimi i ligjvënësit dhe i opinionit publik grek është se emigrantët na kanë nevojë më tepër se ç’i kemi ne nevojë. Ky konceptim çon në atë që delikatesa dhe ndërhyrja ligjore greke të përfundojë dhe të mbarojë në disa masa filantropike dhe në dhënien e disa të drejtave themelore, siç janë barazia dhe siguria sociale.
Janë të njohura tashmë pasojat pozitive të hyrjes së emigrantëve në rigjenerimin e ekonomisë greke, në “furnizimin” e tregut të punës me një fuqi punëtore të aftë, në moshë të re dhe të paguar ulët; në mbështeten demografike të provincave e të periferive të Greqisë, të cilat kërcënohen me një braktisje totale nga vendasit, në lehtësimin e familjeve greke, të cilat tashmë gjejnë persona që të kujdesen për prindërit e moshuar e fëmijtë e mitur.
Por kërcënimi më i madh buron nga ajo që të mos kuptojnë se këta qytetarë, vendas të rinj, do të mundet të përbënin pjesën më dinamike të shoqërisë greke. Emigrantët në shumicën e tyre dëshmojnë nivele tepër të larta të lëvizjes e të ngjitjes sociale, konkurrencës, janë të dëshiruar për një të ardhme më të mirë, arsimojnë fëmijtë e tyre dhe u mësojnë që të respektojnë e t’u binden ligjeve të shtetit ku kanë emigruar, duke synuar në të njëjtën kohë pjesëmarrjen e tyre aktive në kolonat më kryesore të ngritjes së atdheut të tyre të ri.
Këta njerëz mundet që të bëjnë mrekullira, mjafton që të mos injorohet prej vendasve përpjekja e tyre për t’u integruar në shoqëri dhe të ndihen se i përkasin këtij vendi. Le të mos vazhdojnë që t’i pengojnë e t’u ndalojnë që të identifikohen me interesat e përbashkëta dhe bindjet kolektive. Kërcënimi më i madh është që të provohet në praktikë e ashtuquajtura profeci e ekstremistëve të djathtë: “Nuk do të bëhesh kurrë grek, o shqiptar!”. Por sa janë “shqiptarë” për Greqinë dhe sa “të huaj” janë për Shqipërinë fëmijtë e 500.000 emigrantëve shqiptarë që jetojnë sot në Athinë?”
Në një mënyrë absurde, qëndrimi jo elastik i shoqërisë greke, çoi në një klimë të helenizimit të menjëhershëm dhe të asimilimit vullnetar të nxënësve të huaj. Është e kuptueshme që këta të fundit të duan të hedhin nga kurrizi i tyre shenjën e pakicës, të më të ulëtit, të të ndryshmit. Megjithatë kjo procedurë është e dhimbshme për krenarinë e tyre dhe gjithmonë ekziston rreziku që në një të ardhme, një pakicë e vogël të zgjedhë një rrugë tjetër e të kthehet kundër një shumice shtypëse, e cila as nuk i pranon (integron) e as dëshiron që t’i asimilojë.
Në Greqi modeli monopolist i asimilimit të detyrueshëm, gjithherë mbizotëronte kundrejt shembullit europian të integrimit të butë. Ky është një shembull që dëshmon për realitetin social grek, të cilët dëshirojnë që grekët të mos ndryshojnë, por të jenë (siç besojnë e mendojnë) bërthama e kulturës dhe e civilizimit. Çështja qëndron në atë, që të izolohen ata që luftojnë kundër asimilimit dhe sabotojnë nevojën e emigrantëve për të pasur një periudhë tranzitore, ku idenditeti dhe destinacioni i tyre të shndërrohen drejt helenizmit.
Një idenditet grek, në të cilën origjina etnike dhe bindjet fetare, përbëjnë një ndjenjë emotive, herët ose vonë do të shuhet me kalimin e kohës. Arsyeja e vetme e shqetësimit për ekzistencën e emigrantëve, prej të cilëve kërkon respekt, buron nga pasiguria e vetë grekëve, e cila izolon e lë mënjanë të ndryshmen, edhe atëhere kur kjo e ndryshme lufton që të bëhet një me të.
Këto i thosha mikut tim, i cili banon në Aspropirgo. Dhoma e tij e thjeshtë, e përkohshme, me pak plaçka. Më të domosdoshmet. Një frigorifer, një televizor, një dollap me ca pak tesha, një tryezë portative me karrige plastike, një shtrat e disa orendi tepër të thjeshta. Të gjitha lehtësisht të transportueshme në kërkim të ndonjë banese tjetër, në kërkim të ndonjë pune tjetër, në kërkim të ndonjë vendi tjetër.
Banesa e mikut tim tregonte se ai, megjithëse kishte mbi dhjetë vjet në Greqi, nuk kishte rrënjë...
Nuk kishte zënë rrënjë.
Ia thashë. Ia thashë këtë gjë, duke i theksuar se megjithëse mua më pëlqen të udhëtoj e të njoh vende të reja, më pëlqejnë gjithashtu edhe rrënjët. Dua të zë rrënjë diku...
E pranoi dhe më tha se edhe ai donte të zinte diku rrënjë, por deri tani nuk kishte mundur. Edhe se s’kishte pasur mundësi, edhe se kishte dashur gjithmonë të kthehej, por edhe se..., as ai vetë nuk dinte ta shpjegonte...
Dhe vazhdonte të ngelej ashtu siç e kisha gjetur unë në dhomën modeste, i vetëm, i përkohshëm...
Dhe mua m’u kujtua se përpara disa vjetësh kisha botuar një shkrim në gazetë për përkohshmërinë e shqiptarëve, e cila nuk ishte edhe aq përkohshmëri. Dhe m’u kujtua se kisha sjellë edhe një shembull nga një artikull i një gazetarit grek, i cili përpara 40 vjetësh kishte bërë një reportazh me emigrantët grekë në SHBA. Kishte biseduar me ta, i kishte pyetur nëse do të ktheheshin ndonjëherë në Greqi dhe prej tyre kishte marrë përgjigjen e prerë se dita e kthimit të tyre ishte shumë e afërt. Bile ata i kishin treguar edhe bagazhet që kishin të gatshme në ndonjë cep të shtëpive të tyre, disa rroba, ndonjë frigorifer, ndonjë sobë elektrike, televizor, etj… Pas rreth 30 vjetësh i njëjti gazetar u gjend përsëri në qytetin amerikan. Deshi të përfundonte reportazhin e nisur vite më parë. U interesua të takonte ata emigrantë, me të cilët kishte biseduar gjatë zhvillimit të reportazhit të parë. Dhe i takoi. Ata jo vetëm që nuk ishin kthyer në Greqi, por ose s'kishin ndërmend të ktheheshin, ose i qëndronin idesë së parë. Shkoi edhe në shtëpitë e tyre dhe u befasua: bagazhet ishin ende në vendin e tyre, në një cep. Ishin aty rrobat, kujtimet, vetëm televizorët e pajisjet elektrike kishin ndryshuar, ishin bërë më moderne…
Dhe përsëri i rikthehem shprehjes së fillimit: “Në vendin ku ke vendosur të hedhësh rrënjë, duhet të respektosh flamurin e saj, vendasit, natyrën e saj!”
Por respekti është si tangoja: Duhen dy që të kërcehet!
Vendasit dhe emigrantët!

Frutat ekzotike të Aleksi Ciprës dhe të medias në Presidencë...

Frutat ekzotike të Aleksi Ciprës dhe të medias në Presidencë...
Nga Ardi Stefa
Personalisht për kryetarin e Synaspizmos, 30 vjeçarin Aleksi Cipra nuk kam ndonjë respekt apo konsideratë të veçantë si politikan. Jo se nuk më pëlqejnë disa nga gjërat që ai thotë, sidomos për emigrantët, por nuk më pëlqen mënyra se si ai flet e silet. Shumë trendy, shumë moskokëçarës e “unë i di të gjitha”, mospërfillës dhe ironik.
Nejse fjalori i tij politik ka ngelur në fjalorin që përdornin studentët e majtë nëpër mbledhjet partiake, demonstrimet e bojkotimet e mësimeve. Shumë thirrje, shumë citate, shumë protestë e pak thelb...
Sjellje të një kohe të tejkaluar...
Përsëri e le mënjanë Aleksi Ciprën, të cilit dikush i mbushi mendjen se vetëm nga mosha e re dhe sjellja trendy do të marrë vota dhe do të merrem paksa me një lëvizje që ai bëri në përvjetorin e 34-t të rivendosjes së Demokracisë në Greqi.
Shoqërimin e tij në pritjen presidenciale nga një emigrante me ngjyrë, nga Sierra Leone. Jo shoqërimin si ta kishte të fejuar, të dashur, por shoqërimin simbolik nga njëra nga anët e padukshme të shoqërisë, shoqërim, i cili i kujtoi vetë shoqërisë anën e padukshme që lihet mënjanë e që në shumicën e rasteve nuk ekziston.
Lëvizja e kryetarit të Synaspizmos, në pamje të parë ishte një lëvizje e zgjuar dhe imponuese, aq imponuese e mbresëlënëse, sa vetë kryetari i LAOS, J. Karaxhaferris e cilësoi Kadica Sankon, si “Diamant të zi”. Ishte aq imponuese e impozante, saqë media më tepër u mor me afrikanen, se sa me ato që tha presidenti Papulias. Vetë Aleksi Cipra tha se me aktin e tij, donte të nënvizonte faktin se emigrantët që jetojnë e punojnë në Greqi, kanë të drejta në demokraci!...
Kush është Kadica Sanko? Një emigrante nga Sierra Leone, e cila punon në një floktore në Agia Parashkevi, banon në rrugën Aharnon, (sipas gjasave diku pranë shtëpisë ku banoj edhe unë) dhe, është anëtare e SYRIZA...
Deri këtu mirë.
Një emigrante në SYRIZA, ashtu si mijëra të tjerë që janë anëtarë të PASOK-ut.
Por lëvizja e Ciprës, me shoqërimin nga një emigrante me ngjyrë (mos mendoni se jam xheloz, apo kam inat që Ciprën nuk e shoqëronte një emigrante shqiptare, apo rumune, apo çeke. Ato nuk do të dalloheshin që ishin emigrante, pasi nuk janë të zeza!), më tepër u kthye në bumerang, sesa në një lëvizje me mesazh të vërtetë social e politik.
Përse e them këtë?
Sepse nga njëra anë në fytyrën e Kadica Sankos në pritjen e presidentit u shfaq bota e padukshme e një pjese shumë të madhe të shoqërisë që jetojnë të izoluar, pa dokumenta legalizimi, të njerëzve, të cilët realisht nuk kanë të drejtën e ekzistencës, pasi nuk kanë të drejtën që të lëvizin lirisht.
Sepse janë me mijëra ata njerëz, ata emigrantë në Greqi, të cilët jetojnë së bashku me vendasit, që u ofrojnë shërbimet e tyre, punën e tyre, me një buzëqeshje, në thelb të hidhur dhe psherëtimë që u del nga shiprti, ditë për ditë, ditë për ditë, ditë për ditë, këtu e dy dekada...
Ky është realiteti, realiteti që vendasit shpesh herë nuk duan të shikojnë.
Është realiteti i padukshëm i mijëra “grekëve të integruar”, apo që duan të integrohen, të cilët jetojnë të izoluar, ose tej kufijve të izolimit, pa zë, pa të drejtat themelore, të kërcënuar gjithmonë nga varfëria, të frikësuar, të përballur gjithmonë me humbjet e vazhdueshme, me nënvlerësimin.
Pikërisht këta njerëz, përpara të gjithëve, Demokracia, duhet të përqafojë. Duhet t’u hapë krahët, t’u japë e krijojë shanse të barabarta me vendasit, t’i mbështesë, t’i mbrojë...
Prezenca e afrikanes që shoqëronte Ciprën duhet t’u kujtonte të gjithëve realitetin e të pafuqishmëve, të “hijeve” të demokracisë greke. Duhet t’u kujtonte gjithashtu, edhe përgjegjësinë morale të demokracisë përballë të gjithëve, për të drejta të barabarta, shanse, mundësi...
Prezenca e emigrantes afrikane duhet t’u kujtonte të gjithëve të drejtën themelore e të qenit të legalizuar, ndoshta edhe me shtetësinë e vendit ku jetojnë emigrantët, sidomos të atyre që kanë lindur këtu...
Por, siç e thashë edhe më lart, lëvizja e Ciprës u kthye në bumerang, ngeli përgjysmë...
Thelbi i lëvizjes humbi...
U keqinterpretua, iu dha dimensione të tjera nga ato që duhet të kishte në realitet. Sidomos nga media.
Dhe një përgjegjësi të madhe për këtë gjë, në këtë rast ka vetë Aleksi i Synaspizmos...
Pasi Aleksi e trajtoi emigranten me ngjyrë ashtu sikundër e trajtuan të gjitha mediat vizive greke: Si një frut ekzotik, si një specie të veçantë...
Pasi kur e intervistonin, askush nga gazetarët nuk ndalej në thelbin e lëvizjes së Ciprës, por në faktin që ajo ishte e zezë. Dhe shoqëroi kryetarin e Synaspizmos. Dhe çfarë përshtypje i kishte bërë pritja në presidencë. Dhe si ia kalonte në punën e saj në floktore...
Dhe çfarë ndiente që u bë star për 15 minuta!...
Prandaj them se lëvizja e Ciprës u kthye në bumerang dhe nuk dha rezultatet që ai priste, në rast se edhe ai priste që të jepte rezultat. Sepse edhe vetë Cipra, nuk bëri ndonjë gjë që ta “instruktonte” anëtaren e partisë së vet, që të dinte se çfarë të fliste, çfarë të mbronte e të kërkonte kur të intervistohej...
Ndaj (qofsha i gabuar) them se lëvizja e Aleksi Ciprës ishte thjesht një lëvizje aktoreste, që të krijonte përshtypje tek opinioni publik...
Thjesht Cipra bëri Show-n e radhës!
Të ishte përsëri në qendër të vëmendjes!
Dhe ia arriti!

Σάββατο 26 Ιουλίου 2008

Kanë thënë...

Kanë thënë...
Përgatiti: Ardi Stefa

Lucio Dalla: E përkryera është një humbje...

Energjia është një karakterstikë e botës, fantazia e artistëve dhe krijimtaria karakterizon si njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe artistët.

Gjithmonë e kam konsideruar pushtetin si një lloj përbërësi kimik të aftë që të ndikojë mbi njerëzit që janë më të epshëm nga pikëpamja morale dhe të përcaktojë jetën e tyre personale.

Kryesisht më intereson të jetoj përvoja, të cilat të më lejojnë që të ndjek e vëzhgoj atë që për mua është më e rëndësishmja në epokën tonë: Ndryshimin e vazhdueshëm të shoqërisë.

Për mua arti është njëlloj në dy sy të mëdhenj në Kapelën Sikstina, ashtu sikundër edhe në solon e një muzikanti të zi në rrugët e Bronksit...

Përpiqem që të ruaj patologjinë, por edhe pasionin, brenda së cilës mundem dhe funksionoj si artist. Përpiqem që të mbrj mundësinë që gjendja ime të mos jetë krejtësisht anormale.

Liria e njeriut burgoset nga sistemet e kontrollit, të cilat kanë karakter psikologjik, janë artificiale dhe funksionojnë si në kuadrin e arsimimit, ashtu edhe brenda familjes.

Kisha fatin të isha djali i vetëm i një vejushe. Dikur lexova një tregim të Sartrit, sipas të cilit mashkulli ideal i mijëvjeçarit të tretë do të jetë djali i vetëm i një vejushe...

Në thelb nuk humbet asnjëherë. Po qe se reziston nuk humbet kurrë.. natyrisht që kjo gjë është një qëndrim jete, një përzgjedhje.

Nuk flas kurrë për veten në këngët e mia. Nuk kam shkruar kurrë një këngë autobiografike. Ajo ç’ka bëj është thjesht që t’i tregoj histori e ngjarje botës.

E konsideroj poezinë një pasion, një pasion të gjuhës. Ushqej respekt të madh për poezinë, por gjykoj se nuk është e domosdoshme për muzikën.

E përkryera është një humbje. Personalisht nuk më shërben aspak, nuk e dua në jetën time. Përkryerja nënkupton mohimin e gabimeve

Zoti gjendet tek secili prej nesh vazhdimisht. Kemi përshtypjen se evoluojmë, por ajo mundet të jetë një përshtypje metafizike. Në realitet rimishërohemi, në mënyrë që secili prej nesh të zgjidhë misterin që fshihet brenda tij.

Nuk besoj tek fundi. Besoj se ekziston vazhdimësia e gjërave. Vdekja është një tjetër palë këpucësh, ose një tjetër portë.

Do të dëshiroja të ktheheshim tek Rilindja, në epokën në të cilën jetonin njëkohësisht në të njëjtin qytet, Mihail Angjelos, Leonardo da Vinçi, Çelini, Masaxhio...

Mediat nuk synojnë në informimin, por tek kontrolli. Ata që merren me të, kanë ambicien që të na ndryshojnë akoma edhe ADN-në, lëvizjet tona, sjeljen tonë, mënyrën tonë të jetesës, përzgjedhjet tona...

Në luftën ndërmjet pushtetit dhe artit, fuqia gjendet gjithmonë në anën e artit. Tek arti shkon, arratiset njeriu për të marrë shpjegimet, përgjigjet e pyetjeve, të çlirohet, të argëtohet apo tmerrohet...

Studentëve të mi u mësoj libra të sociologut Mak Luan. Në të njëjtën kohë realiteti ka tejkaluar jo vetëm ato që ai thoshte, por akoma edhe ato të cilat ai mundet të kishta fantazuar...

Ndihem krejtësisht i barabartë me ata që komunikoj. Në të njëjtën kohë besoj se jam i veçantë. Jo për shkak të vlerave të mia artistike, por për shkak të mënyrës, me të cilën lidhem me gjërat që bëj.

E Majta nënkupton kureshtjen, vëzhgimin e ndryshimeve sociale, bashëkrendjen dhe rreshtimin me të pafuqishmit.

Kur shpirti i një artisti është i lirë dhe mundet të lidhet me ndryshimet sociale, atëherë rezultati është një bukuri pa kufij...





Salman Rushdie: Zoti ka mbledhur rreth vetes përrallëtarët më të mëdhenj që të mos mërzitet

Duhet të përdorësh kujtesën tënde që të zbrazet depoja dhe të ngelet vend për të grumbulluar informata të reja. Ka shumë rëndësi të hysh shpesh në depon e informatave të trurit. Përndryshe zë rrjeta merimangash dhe kalbet.

Të lexosh është art më vete. Është arti i bashkëpunimit leximi, është një përvojë që e ndan shkrimtari me lexuesin. Për këtë arsye besoj se letërsia zgjat në kohë. Pasi kjo marrëdhënie relativiteti që krijohet është e vetme.

Po qe se i hidhni një sy historisë së njerëzimit,
do të shikoni se shumë vepra të mrekullueshme u shkruajtën nën kushte me të vërtetë të vështira. Prandaj kërcënimi nuk është arsye për të mos bërë punën tënde, sado e vështirë që të jetë ajo.

Rreziqet më të mëdha vijnë nga vetë puna jote. Nuk nxjerr një libër në vit, më merr më shumë kohë që të shkruaj një libër. Tema që përzgjedh çdo herë është me rrezik të madh. Duhet të provohet se i përket edhe lexuesit tim.

Më parë gjej temën, objektin me të cilin do të merrem. Që aty e tutje, e tërheq në kufijtë e mi, përpiqem të shoh deri ku mundem të arrij. Zgjedh gjithmonë një histori, e cila ka disa kufij të gjerë, një histori, e cila më lejon të them mijëra gjëra.

Çdo artist i madh lufton që të zbulojë atë ç’ka nuk ka bërë, ç’ka nuk ka ndodhur. Përpiqet të tejkalojë atë që është bërë, të zbulojë diçka të re. Të paktën kështu shtohen mundësitë që të krijojë dikush një vepër të madhe.

Roli i artit ose i një intelektuali, ose i një shkrimtari ishte, sikundër thuhet në një proverb të vjetër t’i thotë pushtetit të vërtetën. Sot, ajo ç’ka presin njerëzit nga artisti, apo intelektuali, është më e shumtë e më komplekse. Shpesh ndiej se bota nuk pret më asgjë nga askush dhe kjo është tragjike.

Për mua, në analizë të fundit, gjithçka është çështje instikti. Ajo që e emërtojmë ndjeshmëri artistike. Duhet të mundesh të shohësh deri ku mundet të arrijë një ide dhe nga cila pikë e më tej bëhet e mërzitshme.

Po qe se do të kisha mundësinë të ndryshoja botën, do të zhdukja median. Do të vendosja televizorin në depo. Besoj se pushteti gjeti mënyrën që të hyjë në shtpitë tona dhe të bëjë çfarë të dojë në ambientet tona private në çfarëdo ore të ditës apo të natës që të dëshirojë.

Kemi arritur në pikën që të bëjmë dashuri me televizorin të hapur. Për të mos thënë se bëjmë dashuri dhe televizori korrigjon gabimet tona gjatë aktit seksual. Qeshim, por tashmë kjo gjë është një realitet fatal.

Për mua, i vetmi kërcënim real që vjen nga Amerika është dëshira e njerëzve për të konsumuar pa ndonjë arsye. Duke grumbulluar gjëra, “mblidhesh” edhe ti si njeri. Bëhesh i vogël, i pakët, derisa shndërrohesh një asgjë konsumuese, një askush me mijëra produkte rreth e rrotul.

Ndoshta vetëm dy periudha të politikanit janë të mira. E para është periudha gjatë së cilës pretendon pushtetin dhe ka vizionin e ëndërron se çfarë do të bëjë kur të marrë në duart e tij pushtetin. Periudha e dytë është ajo kur ai tërhiqet nga jeta politike.

Nuk e besoj se letërsia ka fuqinë të ndryshojë botën me një mënyrë të drejtpërdrejtë. Përkundrazi, ajo që gjithmonë besoja se ajo që mundettë bëjë është që ta ndryshojë pak e nga pak, duke nxitur gjithmonë një ndryshim të ri.

Po qe se nuk do të kisha lexuar Xhejms Xhojsin, Çarls Dikensin, Italo Kalvinon, Borhesin, Masadou de Asis, Gogolin, Bulgakakov dhe shumë të tjerë, nuk do të isha ai që jam sot. Kur lexon libra që të rrëmbejnë, të cilat të fusin në botën e tyre, të lenë disa gjëra, të cilat do t’i kesh përgjithmonë me vete.

Herët doja të bëhesha aktor, në universitet merresha më shumë me aktrimin sesa me të shkruarit. Kur mbarova studimet, në fund të viteve ’60, për dy- tre vjet luaja në një skenë teatrore, e cila ekzistonte atëherë në Londër. Akoma edhe sot teatri më mungon.

Tek një njeri mundet të lexosh gjithçka përveç njërës: dhuntisë. Veçanërisht për shkrimtarët, dhuntia e të parit të gjërave, të cilat nuk i shohin të tjerët. Të shohë dikush botën nga një këndvështrim interesant optik është diçka që nuk mësohet.

Talenti mundet të humbasë, pasi nuk është i pashtershëm. Disa herë ka nevojë që të ushqehet, disa herë të jesh kurrnac. Talenti shpesh herë ka nevojë që të ushqehet për të mos vdekur nga mungesa e ushqimit dhe herë të tjera të mbash dietë që të mos shëndoshet tepër dhe të shpërthejë.

Sipas Heraklitit, fati i një njeriu është karakteri i tij. Ky mendim drejtonte si vlerë bazë një pjesë të madhe të letërsisë botërore. Por në shekullin XX gjërat ndryshuan. Sfera e botës së brendshme, sfera e ndikimeve të brendshme pati një rëndësi të tillë, saqë karakteri ynë, fatkeqësisht, pushoi së qeni përcaktues për fatin tonë.

Kushdo që mendon se ka pushtuar të vërtetën absolute ndihet pak Zot dhe, natyrisht nuk mundet të pranojë cilindo që vë në dyshim të qenit e tij Zot! Një herë po u ndjeve Perëndi, mjafton të bëhesh fanatik potencial. Fanatik bëhet kushdo që mendon se posedon dikça të çmuar dhe që rrezikon ta humbasë.

Më vjen keq që nuk m’u dha mundësia të njihesha me Borhesin. E shihni, atje ku është Borhesi, fama e gjithë botës nuk ndihmon për asgjë. Fama, për fat të keq, nuk hap portat e Parajsës. Është e sigurtë se Zoti ka mbledhur rreth vetes përrallëtarët më të mëdhenj për të mos u mërzitur...



Dario Fo: Jam hajdut i mirë

Po qe se emigrantët largohen të ndjekur nga vendet e tyre, rrezikojnë jetën e tyre për të ardhur në vendet tona dhe përfundojnë në burg, është pothuase e pamundur të të kontribuojnë diku në mënyrë krijuese.

Vlera më e madhe që kemi me Franka Rame është se asnjëherë nuk e ndryshuam mentalitetin tonë, moralin tonë, qëndrimin tonë përballë ngjarjeve politike e sociale.

Po qe se identifikohesh me ata që shtypen, që dhunohen, që poshtërohen, është e kollajshme që të humbasësh, pasi vazhdimisht je në një pozicion të vështirë. Por duhet që të këmbëngulësh, pasi bezdis logjikën e pushtetit, e cila pothuajse gjithmonë të shtyp.

Disa njerëz nuk interesohen që të lenë pas gjëra të mira. Objektivi i tyre i vetëm është suksesi personal, pushteti, paraja, fuqia, triumfi, nxitja e frikës tek të tjerët dhe t’i drejtojnë...

Studiova pikturë dhe arkitekturë, por përzgjodha teatrin si diçka alternative, si diçka që ngjante me pushime.

Une dhe bashkëpunëtorët e mi, nuk tradhtuam kurrë atë që të tjerët prisnin prej nesh. Natyrisht me flijime. U ndoqëm nga televizori, vunë bomba në teatrot tona, dogjën vendet ku ne duhet të punonim, na dhunuan edhe fizikisht.

Do të thosha se jam hajdut i mirë, i bekuar dhe i shpejtë. Vjedh ide, njohuri, pasione, ndoshta edhe disa njerëz.

Njerëzit vijnë në teatër për të përfituar diçka. Duhet që t’u japësh diça dhe vetëm atëhere të besojnë. Një herë mundet që t’i dëfresh, herën tjetër t’i bësh që të mendojnë, herën e tretë t’u nxisësh krizë...

Të gjithë ata që shkojnë në teatër dhe pastaj ndezin televizorin më kujtojnë ata që kanë një bashkëshorte të shkëlqyer dhe shkojnë me një prostitutë të lirë. Por, megjithatë, nuk pushojnë kurrë së dashuruari gruan e tyre.

Nivelet e pafundme të dijes dhe kurreshtja ime e pandërprerë janë arsyet që më nxisin të jem gjallë.

Faktet e veprave shekullore të artit janë një zhytje e thellë në realitet, dëshmia e vlerave nëpërmjet të gjitha atyre që ndodhnin në realitetin e përditshëm, ironia, sarkazma dhe përmbysja e situatave.

Të jesh i majtë nuk është një medalje që e var në qafë. Po qe se je i majtë duhet të tregosh përkushtimin tënd, solidaritetin tënd të gjithëve atyre që janë objekt shfrytëzimi në mënyra të ndryshme.

Në art, një njeri pa rroba nuk është mjaftueshëm lakuriq. Duhet ta kthesh të brendshmen jashtë...

Satira e vërtetë nuk bëhet po qe se imiton tik-un e ndonjë njeriu, ose po e quajte trashaluq, apo hundëmadh. Satira e vërtetë flet për tragjedinë që jetpjnë njerëzit pa e kuptuar.

Ekzistojnë njerëz që presin një dhe vetëm një moment përmbysjeje në jetën e tyre. Por kjo është gabim. Çdo moment ke mundësinë e shansin që të përmbysësh jetën tënde. Thjesht duhet që ta kuptosh.

Kërkimi i së vërtetës nuk është i mjaftueshëm për një artist. Kërkon një mënyrë të veçantë, të frymëzuar për ta thënë e propozuar.

Lexuesit të ndihmojnë të shkruash, të krijosh, të trillosh. Ekzistonin herë që trillova situata komike, apo të çuditshme, pasi vetë publiku më dha ritmin, më nxiste, më dha forcë, akoma më tepër më tregonte se çfarë duhet të bëja...

Njerëzit si Leonardo da Vinçi dinin të bënin gjithçka, të luajnë në vegla muzikore, të këndojnë, të ndërtojnë katedrale, të ngërtojnë diga, të shohin anatominë dhe botën e brendshme të dikujt.

Zgjuarsia nuk ndryshon nga krijimi. Të mundesh të krijosh, duhet të kesh marrë kulturë. Njëra nuk ekziston pa tjetrën...

Δευτέρα 14 Ιουλίου 2008

“Madhësia” e lumturisë...


“Madhësia” e lumturisë...
Nga Ardi Stefa
Përpara disa kohësh kam lexuar një histori të shkrimtarit dhe filozofit të njohur Alan Cohen. Historia tregonte për një peshkatar, i cili kapi me grep një peshk dhe i gëzuar e hodhi në kovën që kishte me vete. Por pak çaste më vonë ai kapi një peshk tjetër, shumë më të madh se i pari. Peshkun e madh ai e hodhi pas një ngurrimi përsëri në det. Një kalimtar aty pranë, kur pa gjithë këtë skenë u çudit dhe e pyeti se: “Përse e bëri një gjë të tillë?”
Peshkatari iu përgjigj se tigani që kishte në shtëpi ishte i vogël dhe nxinte vetëm peshq të vegjël, si ai që kishte në kovë.
Besoj se tigani janë mendimet, besimet, klishetë, që secili prej nesh ka në mendjen e tij. Në qoftë se lemë të na ndodhin gjëra, të cilat u përshtaten mendimeve tona ekzistuese, atëherë jeta jonë është aq e madhe sa edhe ato. Atëhere ndoshta do të humbasim shumë “peshq të mëdhenj”. Në vend, pra, që të kufizojmë jetën tonë me tiganin e vjetër që kemi, le të marrim një “tigan” më të madh dhe le të përqafojmë të gjitha sa na ofron jeta.
Natyrisht që ky koncept është shumë interesant. Prandaj në internet kërkova të mësoja diçka më tepër për jetën, veprën dhe librat e Alan Cohen, i cili sot jeton në Maui të Havait, shkruan, zhvillon seminare dhe udhëton vazhdimisht.
Një ditë, gjithmonë sipas Coen, takoi një një njeri, i cili i tha se ishte fatkeq për vite të tëra dhe lutej ditë për ditë që një mëngjes të zgjohej dhe të ishte i lumtur po aq sa edhe qeni i tij. Cohen u çudit shumë dhe filloi që të vështronte me një sy tjetër jetën e qenit të tij. Dhe kështu shkroi një libërth të vogël humoristik(!?) për qentë.
Po ju paraqes disa nga përfundimet e tij. Dhe mos u gënjeni; tjetër gjë është qeni, tjetër gjë është njeriu, pasi edhe unë fillimisht i hyra këtij krahasimi, ose arsyetimi logjik, po qe se ju pëlqen ta quani këshu, dhe, e vetmja gjë që munda të arrij, ishte që të humbisja diçka nga magjia absurde e këtij krahasimi.
Le të ndjekim Cohen në vëzhgimet dhe përfundimet e tij...
Qeni im gjithmonë më pret me të njëjtin entusiazëm dhe gëzim sado që të kem munguar. Pas shumë orësh apo edhe ditësh të tëra mungese e largimi, qeni im nuk më pret me duar të kryqëzuara në gjoks pas kurrizit sikur të më thotë: “Mendoj se ka ardhur koha që të diskutojmë për detyrimet që kemi në këtë marrëdhënie!”. Qeni im është thjesht i lumtur që më shikon dhe këtë gjë e tregon. I pëlqen të më dojë... Mendja e tij është vazhdimisht në të tashmen, në atë që bën, në çfarëdo që bën. Nuk ka asnjë rëndësi e kaluara apo e tashmja. Nuk merret me dashurira që humbën... Nuk ka nevojë që t’u bëjë përshtypje të tjerëve, as të provojë përpara të gjithëve se cili është. I lejon vetes së tij që të luajë me baltën, të hapë gropa, të vërdalliset mes shkurreve e ferrave. Besoj se është i lumtur në çdo çast dhe më duket se edhe ai është dakort me mua...
Nuk jeton me kujtime. Nuk ka ndjenja egocentrike. Kur gabimisht i shkel bishtin klith nga dhembja, tërhiqet pas, por pas disa sekondash vijen përsëri pranë meje. Qentë i kalojnë shpejt zhgënjimet dhe fatkeqësitë. Askush nuk i ka thënë se është i vogël. për këtë arsye ai sillet si i madh. Një herë qeni im ndaloi një kamion të madh. I doli përpara dhe i lehte egërsisht derisa kamioni ndaloi. Mendon si “i madh” dhe për këtë arsye vepron si “i madh”...
Kur është vetëm gjen gjithmonë mënyra që të dëfrejë. Ndjek macet, u bën vizita komshinjve, shlodhet. Gjithmonë në jetën e tij ka diçka që ai bën, diçka të mrekullueshme. Nuk ka nevojë për asnjë justifikim që të dëfrejë. E gjen lumturinë kudo që ajo është... Kur nuk simpatizon dikë qëndron larg tij. Asgjë nuk e detyron që të bëjë shoqëri me ndokënd që nuk e simpatizon. Është besnik ndaj miqve të tij dhe gjithmonë i lë që të ndjekin rrugën e tyre...
Në rast se mbaron ushqimi që ha dhe ndonjëherë i çoj ushqim të një cilësie më të ulët kundërshton që ta hajë. Qëndron përpara pjatës së tij dhe më dhedh një vështrim qortues e ankues. Pastaj largohet nga pjata. E di se çfarë i takon dhe nuk kënaqet me pak...
Në qoftë se vlejnë të gjitha këto, pyes veten se mos vallë duhet që, që të gjithë të kemi nga një qen. Kështu, besoj, është një vendim më i lehtë se ai që të marrim “një tigan më të madh”...