Δευτέρα 14 Ιουλίου 2008

“Madhësia” e lumturisë...


“Madhësia” e lumturisë...
Nga Ardi Stefa
Përpara disa kohësh kam lexuar një histori të shkrimtarit dhe filozofit të njohur Alan Cohen. Historia tregonte për një peshkatar, i cili kapi me grep një peshk dhe i gëzuar e hodhi në kovën që kishte me vete. Por pak çaste më vonë ai kapi një peshk tjetër, shumë më të madh se i pari. Peshkun e madh ai e hodhi pas një ngurrimi përsëri në det. Një kalimtar aty pranë, kur pa gjithë këtë skenë u çudit dhe e pyeti se: “Përse e bëri një gjë të tillë?”
Peshkatari iu përgjigj se tigani që kishte në shtëpi ishte i vogël dhe nxinte vetëm peshq të vegjël, si ai që kishte në kovë.
Besoj se tigani janë mendimet, besimet, klishetë, që secili prej nesh ka në mendjen e tij. Në qoftë se lemë të na ndodhin gjëra, të cilat u përshtaten mendimeve tona ekzistuese, atëherë jeta jonë është aq e madhe sa edhe ato. Atëhere ndoshta do të humbasim shumë “peshq të mëdhenj”. Në vend, pra, që të kufizojmë jetën tonë me tiganin e vjetër që kemi, le të marrim një “tigan” më të madh dhe le të përqafojmë të gjitha sa na ofron jeta.
Natyrisht që ky koncept është shumë interesant. Prandaj në internet kërkova të mësoja diçka më tepër për jetën, veprën dhe librat e Alan Cohen, i cili sot jeton në Maui të Havait, shkruan, zhvillon seminare dhe udhëton vazhdimisht.
Një ditë, gjithmonë sipas Coen, takoi një një njeri, i cili i tha se ishte fatkeq për vite të tëra dhe lutej ditë për ditë që një mëngjes të zgjohej dhe të ishte i lumtur po aq sa edhe qeni i tij. Cohen u çudit shumë dhe filloi që të vështronte me një sy tjetër jetën e qenit të tij. Dhe kështu shkroi një libërth të vogël humoristik(!?) për qentë.
Po ju paraqes disa nga përfundimet e tij. Dhe mos u gënjeni; tjetër gjë është qeni, tjetër gjë është njeriu, pasi edhe unë fillimisht i hyra këtij krahasimi, ose arsyetimi logjik, po qe se ju pëlqen ta quani këshu, dhe, e vetmja gjë që munda të arrij, ishte që të humbisja diçka nga magjia absurde e këtij krahasimi.
Le të ndjekim Cohen në vëzhgimet dhe përfundimet e tij...
Qeni im gjithmonë më pret me të njëjtin entusiazëm dhe gëzim sado që të kem munguar. Pas shumë orësh apo edhe ditësh të tëra mungese e largimi, qeni im nuk më pret me duar të kryqëzuara në gjoks pas kurrizit sikur të më thotë: “Mendoj se ka ardhur koha që të diskutojmë për detyrimet që kemi në këtë marrëdhënie!”. Qeni im është thjesht i lumtur që më shikon dhe këtë gjë e tregon. I pëlqen të më dojë... Mendja e tij është vazhdimisht në të tashmen, në atë që bën, në çfarëdo që bën. Nuk ka asnjë rëndësi e kaluara apo e tashmja. Nuk merret me dashurira që humbën... Nuk ka nevojë që t’u bëjë përshtypje të tjerëve, as të provojë përpara të gjithëve se cili është. I lejon vetes së tij që të luajë me baltën, të hapë gropa, të vërdalliset mes shkurreve e ferrave. Besoj se është i lumtur në çdo çast dhe më duket se edhe ai është dakort me mua...
Nuk jeton me kujtime. Nuk ka ndjenja egocentrike. Kur gabimisht i shkel bishtin klith nga dhembja, tërhiqet pas, por pas disa sekondash vijen përsëri pranë meje. Qentë i kalojnë shpejt zhgënjimet dhe fatkeqësitë. Askush nuk i ka thënë se është i vogël. për këtë arsye ai sillet si i madh. Një herë qeni im ndaloi një kamion të madh. I doli përpara dhe i lehte egërsisht derisa kamioni ndaloi. Mendon si “i madh” dhe për këtë arsye vepron si “i madh”...
Kur është vetëm gjen gjithmonë mënyra që të dëfrejë. Ndjek macet, u bën vizita komshinjve, shlodhet. Gjithmonë në jetën e tij ka diçka që ai bën, diçka të mrekullueshme. Nuk ka nevojë për asnjë justifikim që të dëfrejë. E gjen lumturinë kudo që ajo është... Kur nuk simpatizon dikë qëndron larg tij. Asgjë nuk e detyron që të bëjë shoqëri me ndokënd që nuk e simpatizon. Është besnik ndaj miqve të tij dhe gjithmonë i lë që të ndjekin rrugën e tyre...
Në rast se mbaron ushqimi që ha dhe ndonjëherë i çoj ushqim të një cilësie më të ulët kundërshton që ta hajë. Qëndron përpara pjatës së tij dhe më dhedh një vështrim qortues e ankues. Pastaj largohet nga pjata. E di se çfarë i takon dhe nuk kënaqet me pak...
Në qoftë se vlejnë të gjitha këto, pyes veten se mos vallë duhet që, që të gjithë të kemi nga një qen. Kështu, besoj, është një vendim më i lehtë se ai që të marrim “një tigan më të madh”...

Δεν υπάρχουν σχόλια: