Κυριακή 22 Ιουνίου 2008

Vija e gjakut







Vija e gjakut



Ardi Stefa
Si në çdo qytet tjetër të botës, edhe në Qytetin tonë, vrasjet, sidomos pas dhe gjatë Rebelimit të Madh Vëllavrasës, ishin bërë një gjë e zakonshme. Ashtu siç ishin bërë të zakonshme varrimet e përditshme dhe kortezhet e pafundme të njerëzve, të cilët, duket se nuk kishin me çfarë të merreshin dhe shkonin nëpër varrime, edhe të atyre njerëzve që nuk i njihnin fare. Pothuajse përditë kishte të vrarë dhe vrasës, të cilët pasi mburreshin, largoheshin nga sytë- këmbët. Pothuajse përditë kishte shi që binte nga qielli, një shi me baltë, një shi asfiksues, që duhej të largohej me lopata e kova, në mënyrë që të çeleshin varret, por edhe rrugët nga kalonin banorët që shkonin për t’i varrosur.
Një gjë ishte e sigurtë, ato kohë, të gjithë kishin përshtypjen se Qyteti përshkohej nga vijë gjaku, e cila fillonte nga vendi ku binin të vrarët, zgjidhnin rrugën më të shkurtër për të shkuar në në shtëpitë e tyre për të lajmëruar familjarët, për të dalë më pas nga shtëpitë i ndjekur nga nënat, motrat e gratë që ulërinin e çirrnin faqet dhe të përfundonte në qendër të Qytetit, aty ku gjaku bashkohej dhe krijonte një pellg të madh, i cili për shumë kohë qëndroi i patharë, jo në tokë, por në ndërgjegjen dhe mendjen e banorëve. Jo aq për numrin e të vrarëve, sesa për moshën e tyre të re.
Ashtu sikundër të gjithë kishin vënë re se shumë vija gjaku fillonin nga deti, për të ndjekur të njëjtin itinerar dhe për të përfunduar tek pellgu i madh në qendër të Qytetit.
Dhe nga numri i madh i të vrarëve i gjithë Qyteti kutërbonte një erë e një duhmë të tmerrshme vdekjeje e urrejtjeje, baruti e hakmarrjeje, e cila pluskonte shumë kohë më pas në ajër.
Dhe ky makth, kjo ëndërr e keqe që sillej pafundësisht në ajër e në ndërgjegjen e njerëzve, bënte që Qyteti të jetonte i tmerruar e të mos kishte gjumë. Netët ishin me pak gjumë, me një surrogat gjumi, të gërricur nga motive të frikshme, siç mund të jenë netët e një Qytet, ku mijëra njerëz prisnin ndëshkim. Qyteti e banorët e tij e ndienin instiktivisht dhe turbullt se sa kohë që Qyteti të qëndronte ashtu, në horizont të jetës së tyre, as urrejtja, as dashuria nuk ngjizeshin dot. Në shpirtrat e banorëve të Qytetit diçka bëhej ose zhbëhej. Ashtu ndërronin edhe ndjesitë e tyre ndaj Qytetit. Një ditë e adhuronin përkryerjen e tij, donin veç të ishin pjesë e atij rregulli e, të nesërmen e mallkonin. E bënin fajtor për gjithçka, pastaj prapë shkriheshin nga adhurmi për t’u nxirosur të nesërmen nga urrejtja...
Por edhe Qyteti ishte i çuditshëm...
Ai kërkonte një gjë tjetër, diçka me të cilën njerëzit të merreshin ditë e natë saqë të harronin vetveten. Por gjithçka dukej se po përçudnohej. Vijat e gjakut bëheshin edhe më të shpeshta... Këmbanat e alarmit binin gjithnjë e më fort. Qyteti po shqetësohej. Idetë kërkonin korrigjime. Turma pa tru betoheshin. Uria fizike dhe shpirtërore po trokiste pa dinjitet. Banorët po katandiseshin keq e më keq; të mençurit vdisnin duke ëndërruar, engëlloret ktheheshin në prostituta, të tjerët vetëvriteshin përpara të marrëve. Banorët e kuptonin tashmë se ndodheshin sa përpara të kaluarës, aq edhe përpara të ardhmes. Përgjithësisht, Qyteti, në kërkim të Vetvetes dhe Shpëtimit e kishte humbur gjumin, mbi vijën e gjakut që qelbej e u merrte frymën.
Edhe vrasësit e kishin humbur gjumin, ashtu si i gjithë Qyteti. Ngriheshin natën dhe ecnin si somnabulë sa andej- këtej, derisa ata që kishin vrarë u vinin duart mbi kokë e supe e i përmendnin për t’u lënë ndjesinë e tmerrshme të fajit.
Qyteti vuante nga një brerje kolektive ndërgjegjeje. Torturohej nga shpehja e trishtimit, pyetjet e pafundme të të vdekurve, nga malli i pafundëm i tyre për të gjallët. Të binin për gjumë torturoheshin nga makthet, të rrinin zgjuar krimet u vinin përpara sysh dhe nuk mundeshin të harronin. Dhe askush nuk e dinte se ç’duhet të ndodhte që të çliroheshin nga këto makthe. Duhet të rrinin të pagjumë për shumë kohë, të vuanin me ndërgjegje mungesën e gjumit e të fajit që u rëndonte, apo të bënin ndonjë gjë tjetër, që askush, megjithëse thoshte se duhej bërë, nuk e dinte...
Një pjesë e banorëve të Qytetit zgjodhi rrugën që kishte zgjedhur shumë shekuj më parë Hose Arkadio Buendia, për të gjetur Makondon e largët: Largimin për të harruar dhe fillimin e një jete të re!
Diku larg, në një tjetër vend, të krijonin një tjetër Qytet, ku ende nuk ishte kryer mëkati i Adamit dhe i Evës...
Por më kot! Vite më pas, të larguarit u kthyen përsëri në Qytet, ndoshta me më pak plaçka nga sa kishin marrë me vete kur e kishin braktisur, por më të pjekur, më të mençur, më të vendosur...
Ecnin të heshtur e kokëulur, aty ku më parë kalonte vija e gjakut, aty ku më parë kalonin vijat e gjakut dhe kërkonin, atë që u përkiste nga makthi dhe çlirimi...

Πέμπτη 5 Ιουνίου 2008

Udhëzime për emigrantët e pranueshëm!...

Udhëzime për emigrantët e pranueshëm!...

nga Ardi Stefa
(Nga udhëzimet që iu komunikuan emigrantëve të sapombërritur në Kanada, nga Këshilli Bashkiak i qytetit Herouxville, me popullsi rreth 1.300 persona, në Kebek!)

Ligjet janë si sallami: më mirë mos t’i shikosh se si bëhen.

Dëshirojmë, mbi të gjitha, të informojmë të ardhurit e rinj në qytetin tonë, se mënyra e jetesës që lanë pas, kur u larguan nga vendi i tyre, nuk mundet që të riprodhohet e as të jetë e njëjtë me mënyrën e jetesës së deritanishme të tyre në vendet prej nga u largua. Për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme për ta që të gjejnë një mënyrë që të përshtaten në idenditetin e tyre të ri social.
Konsiderojmë si jashtë të gjitha rregullave të gjitha ato akte, apo veprime, të cilat janë të kundërta me këto udhëzime, sikundër është zakoni i të linçuaritme gurë i grave në publik derisa ato të vdesin. Ashtu sikundër është i papranueshëm vrasja e grave në turrën e druve, duke iu vënë zjarri, apo djegia e fytyrës dhe e organeve të tyre me acid, prerja e duarve, gjymtyrëve apo organeve gjenitale.
Mësimi i historisë kombëtare në të gjitha shkollat e Kebekut është i detyrueshëm, sikundër edhe ai i Biologjisë.
Do të shikoni gra e burra të bëjnë ski së bashku në mal, në të njëjtën orë. Do të shikoni gra e burra në të njëjtën skuadër Hokeji të ndeshen në të njëjtën pistë. Gra e burra së bashku të marrin pjesë të barabartë në sporte të ndryshme.
Në familjet tona, në rast se fëmijët hanë mish kau, nuk do të kërkojnë kurrë të mësojnë për prejardhjen e mishit të kaut, as se kush e therri kafshën, as se ku e therri, me çfarë mënyre apo në çfarë dite. Në familjet tona gjithçka që hyn në organizmin tonë nëpërmjet gojës shërben ekskluzivisht për ushqimin e trupit. Shpirti e ushqen veten me të tjera mënyra!”....

Gjithçka sa përktheva më sipër nga gazeta Elefterotipia nuk është gënjeshtër. Është e vërtetë dhe një e vërtetë skandaloze për atë ç’ka ka ndodhur me të vërtetë në Kebek të Kanadasë.
Natyrisht që secili prej nesh ka ardhur nga një botë tjetër, nga një mentalitet tjetër. Natyrisht që është barbare t’i presësh dikujt gjymtyrët, apo organet gjenitale. Natyrisht që është barbare që të linçosh gratë me gurë në publik vetëm e vetëm se panë një mashkull pa mbulua fytyrën me ferexhe.
Por nuk besoj se të tilla gjëra kanë ndodhur në Kanada, SHBA, Francë, Angli, Greqi apo gjetkë...
E drejta e secilit është të përshtatet, ashtu sikundër është e drejta e secilit që të jetë i pandryshuar, ashtu siç ishte në atdheun e tij, natyrisht pa fyer njerëzit përreth, vendasit apo të tjerët...
E gjithë kjo qarkore e mësipërme më kujtoi atë shprehje që përmendej përpara disa viteve kaq shumë edhe këtu në Greqi: “Ne nuk jemi as ksenofobë e as racistë, por emigrantët nuk lahen, janë të pistë, qelben erë!...”
Nuk do të më vinin këto fjalë ndër mend
dhe, ndoshta do t’i kisha harruar në qoftë se ajo ç’ka lexova për Kanadanë nuk do të ishte e njëjtë me “Manifestin e pastërtisë” të disa viteve më parë në Spanjë, kur autoritetet lokale të Valencias kishin nxjerrë një udhëzues me rreth 50 faqe që u drejtohej emigrantëve të ligjshëm e klandestinë. Vlen të theksohet se ky udhëzues ishte i shkruar në katër gjuhë, në mënyrë që të lexohej e të kuptohej prej të gjithë fatkeqëve emigrantë që zbrisnin në brigjet e Spanjës. Që të mos ishin më injorantë në çështjen e higjienës e pastërtisë...
Dhe ky mendim, kjo bindje kaq e padiskutuar po përhapet me shpejtësi marramendëse në një pjesë jo të vogël të banorëve të Evropës Veriore e Qendrore. Në këto vende racizmi e ksenofobia shpesh herë janë flamuri i ditëve tona.

Gjithandej emigrantët janë “macja e zezë” e shoqërisë. Në Gjermani janë turqit, në Francë janë algjerianët, në Spanjë afrikano-veriorët, në Greqi janë shqiptarët dhe të gjithë emigrantët me ngjyrë, në Angli janë indianët e pakistanezët.
Emigrantët janë të qelbur, të ndyrë e s’dinë të lahen... Asnjëherë kaq popuj të ndryshëm e heterogjenë të Evropës demokratike plakë nuk kanë patur e nuk kanë ndjerë një keqardhje e solidaritet të tillë kundrejt emigrantëve!...
Por do të doja që përveç udhëzimeve për përshtatjen e emigrantëve në Kanada t’ju kujtoja se çfarë thoshte “Manifesti i pastërtisë” i përpara disa viteve në Spanjë...
Në pjesën e parë theksohej nevojshmëria e domosdoshmëria e larjes së përditshme dhe tregohej imtësisht i gjithë procesi i dushit: “Hedhim ujë në trup, shkumojmë me sapun sfungjerin personal dhe fërkohemi mirë. Pastaj shpëlahemi mirë e mirë dhe fshihemi me peshqir të pastër...”
Me të vërtetë didaktike. Thua se jetojmë ende në epokën e gurit dhe larja është nga zbulimet e fundit.
(Një pyetje: Po kur disa kombe përdorin vaskën në vend të dushit si i bëhet??!...)
Por “manifesti skandaloz i pastërtisë” që u drejtohej emigrantëve vazhdonte edhe më tej. Kur thotë se fytyra duhet larë në mëngjes e në mbrëmje, sikundër edhe dhëmbët. Këshilla jepen edhe për veshjen, pasi përcaktohet qartë se rrobat e punës janë për punë, kurse pizhamat janë për të fjetur. Me pandofla s’duhet dalë jashtë; për atletikë duhet të përdoren atlete.
Sa bukur...
Hartuesit e udhëzuesit nuk lënë pa theksuar rëndësinë e marrjes me sport e gjimnastikë gjatë kohës së lirë, për të qenë në formë të mirë fizike. Dhe këtu materializohet shprehja: “Sporti zbukuron trupin e ndriçon mendjen”. Po për ata emigrantë klandestinë që u pëlqen të merren me kanotazh, hipizëm, tenis e golf, çfarë parashikohet?!...
Këto këshilla skandaloze të pastërtisë e higjienës më sollën ndër mend kampet e përqëndrimit naziste, ku të burgosurve u jepej urdhëri: “Dezinfektohuni- Fshihuni”. Dhe ky manifest i pastërtisë sikundër edhe “Udhëzuesi i përshtatjes” më solli ndër mend se sa janë sot në Evropë emigrantët klandestinë. Sa janë aktualisht e sa do të jenë në vitet e ardhshme.
Më solli ndër mend masat që merren për përballimin e tyre. Masa policore e jo ligjore.
Dhe t’u kërkosh emigrantëve të paligjshëm që banojnë ku të munden; që flenë ku të munden, që punojnë ku e si të munden, pa orar e në punët më të ndyra e më poshtëruese, e pra, t’u kërkosh këtyre emigrantëve të lajnë gotat e enët me të cilat hanë në lavatriçe pjatash, më falni, por është absurditet... Jo se kam ndonjë gjë kundër higjienës, përkundrazi...
Të më falni, por mua e gjithë kjo më kujton një bejte që thoshim në kohën e merhumit: “Lum si ne në ato vite/ s’kishim bukë, hanim simite...”
Për fat të mirë në Greqi s’ka dalë ndonjë udhëzues i tillë. Dhe shpresoj e kam besim të madh se s’do të dalë kurrë...
Se unë vazhdoj të besoj se ata emigrantë me ngjyrë ose të bardhë, afrikanë apo aziatikë, shqiptarë apo turq, janë njerëz e kanë dinjtet e personalitet!
Një pyetje do të dëshiroja të shtroja: Përpara se të nxirreshin udhëzues të tillë të turpshëm, a nuk do të ishte shoqërisht më e dobishme dhe më njerëzore që të merreshin masa për legalizimin e emigrantëve, integrimin e tyre social e profesional? Dhe para se vendasit të ankohen se emigrantët qelben erë, janë të pistë e të palarë ndoshta duhej përkujdesur t’u krijohen kushte më të mira jetese e pune, trajtimi njerëzor e personalitet. Se legalizimi është fillesa e gjithçkaje të mirë e njerëzore...
Kur lexova “Udhëzuesin e përshtatjes” më erdhi keq. Më erdhi keq se jetoja në një planet e me një shoqëri ksenofobe. Por më erdhi edhe mirë. Që jetoja vërtet në një shoqëri raciste, por në një shoqëri ksenofobe ... “të pastër”.
Që njoha nëpërmjet udhëzuesit fytyrën... “e pastër të ksenofobisë”...
Dhe e ndieva veten të fyer. Dhe që vazhdoj ta ndiej veten të fyer...