Τετάρτη 30 Ιουλίου 2008

Frutat ekzotike të Aleksi Ciprës dhe të medias në Presidencë...

Frutat ekzotike të Aleksi Ciprës dhe të medias në Presidencë...
Nga Ardi Stefa
Personalisht për kryetarin e Synaspizmos, 30 vjeçarin Aleksi Cipra nuk kam ndonjë respekt apo konsideratë të veçantë si politikan. Jo se nuk më pëlqejnë disa nga gjërat që ai thotë, sidomos për emigrantët, por nuk më pëlqen mënyra se si ai flet e silet. Shumë trendy, shumë moskokëçarës e “unë i di të gjitha”, mospërfillës dhe ironik.
Nejse fjalori i tij politik ka ngelur në fjalorin që përdornin studentët e majtë nëpër mbledhjet partiake, demonstrimet e bojkotimet e mësimeve. Shumë thirrje, shumë citate, shumë protestë e pak thelb...
Sjellje të një kohe të tejkaluar...
Përsëri e le mënjanë Aleksi Ciprën, të cilit dikush i mbushi mendjen se vetëm nga mosha e re dhe sjellja trendy do të marrë vota dhe do të merrem paksa me një lëvizje që ai bëri në përvjetorin e 34-t të rivendosjes së Demokracisë në Greqi.
Shoqërimin e tij në pritjen presidenciale nga një emigrante me ngjyrë, nga Sierra Leone. Jo shoqërimin si ta kishte të fejuar, të dashur, por shoqërimin simbolik nga njëra nga anët e padukshme të shoqërisë, shoqërim, i cili i kujtoi vetë shoqërisë anën e padukshme që lihet mënjanë e që në shumicën e rasteve nuk ekziston.
Lëvizja e kryetarit të Synaspizmos, në pamje të parë ishte një lëvizje e zgjuar dhe imponuese, aq imponuese e mbresëlënëse, sa vetë kryetari i LAOS, J. Karaxhaferris e cilësoi Kadica Sankon, si “Diamant të zi”. Ishte aq imponuese e impozante, saqë media më tepër u mor me afrikanen, se sa me ato që tha presidenti Papulias. Vetë Aleksi Cipra tha se me aktin e tij, donte të nënvizonte faktin se emigrantët që jetojnë e punojnë në Greqi, kanë të drejta në demokraci!...
Kush është Kadica Sanko? Një emigrante nga Sierra Leone, e cila punon në një floktore në Agia Parashkevi, banon në rrugën Aharnon, (sipas gjasave diku pranë shtëpisë ku banoj edhe unë) dhe, është anëtare e SYRIZA...
Deri këtu mirë.
Një emigrante në SYRIZA, ashtu si mijëra të tjerë që janë anëtarë të PASOK-ut.
Por lëvizja e Ciprës, me shoqërimin nga një emigrante me ngjyrë (mos mendoni se jam xheloz, apo kam inat që Ciprën nuk e shoqëronte një emigrante shqiptare, apo rumune, apo çeke. Ato nuk do të dalloheshin që ishin emigrante, pasi nuk janë të zeza!), më tepër u kthye në bumerang, sesa në një lëvizje me mesazh të vërtetë social e politik.
Përse e them këtë?
Sepse nga njëra anë në fytyrën e Kadica Sankos në pritjen e presidentit u shfaq bota e padukshme e një pjese shumë të madhe të shoqërisë që jetojnë të izoluar, pa dokumenta legalizimi, të njerëzve, të cilët realisht nuk kanë të drejtën e ekzistencës, pasi nuk kanë të drejtën që të lëvizin lirisht.
Sepse janë me mijëra ata njerëz, ata emigrantë në Greqi, të cilët jetojnë së bashku me vendasit, që u ofrojnë shërbimet e tyre, punën e tyre, me një buzëqeshje, në thelb të hidhur dhe psherëtimë që u del nga shiprti, ditë për ditë, ditë për ditë, ditë për ditë, këtu e dy dekada...
Ky është realiteti, realiteti që vendasit shpesh herë nuk duan të shikojnë.
Është realiteti i padukshëm i mijëra “grekëve të integruar”, apo që duan të integrohen, të cilët jetojnë të izoluar, ose tej kufijve të izolimit, pa zë, pa të drejtat themelore, të kërcënuar gjithmonë nga varfëria, të frikësuar, të përballur gjithmonë me humbjet e vazhdueshme, me nënvlerësimin.
Pikërisht këta njerëz, përpara të gjithëve, Demokracia, duhet të përqafojë. Duhet t’u hapë krahët, t’u japë e krijojë shanse të barabarta me vendasit, t’i mbështesë, t’i mbrojë...
Prezenca e afrikanes që shoqëronte Ciprën duhet t’u kujtonte të gjithëve realitetin e të pafuqishmëve, të “hijeve” të demokracisë greke. Duhet t’u kujtonte gjithashtu, edhe përgjegjësinë morale të demokracisë përballë të gjithëve, për të drejta të barabarta, shanse, mundësi...
Prezenca e emigrantes afrikane duhet t’u kujtonte të gjithëve të drejtën themelore e të qenit të legalizuar, ndoshta edhe me shtetësinë e vendit ku jetojnë emigrantët, sidomos të atyre që kanë lindur këtu...
Por, siç e thashë edhe më lart, lëvizja e Ciprës u kthye në bumerang, ngeli përgjysmë...
Thelbi i lëvizjes humbi...
U keqinterpretua, iu dha dimensione të tjera nga ato që duhet të kishte në realitet. Sidomos nga media.
Dhe një përgjegjësi të madhe për këtë gjë, në këtë rast ka vetë Aleksi i Synaspizmos...
Pasi Aleksi e trajtoi emigranten me ngjyrë ashtu sikundër e trajtuan të gjitha mediat vizive greke: Si një frut ekzotik, si një specie të veçantë...
Pasi kur e intervistonin, askush nga gazetarët nuk ndalej në thelbin e lëvizjes së Ciprës, por në faktin që ajo ishte e zezë. Dhe shoqëroi kryetarin e Synaspizmos. Dhe çfarë përshtypje i kishte bërë pritja në presidencë. Dhe si ia kalonte në punën e saj në floktore...
Dhe çfarë ndiente që u bë star për 15 minuta!...
Prandaj them se lëvizja e Ciprës u kthye në bumerang dhe nuk dha rezultatet që ai priste, në rast se edhe ai priste që të jepte rezultat. Sepse edhe vetë Cipra, nuk bëri ndonjë gjë që ta “instruktonte” anëtaren e partisë së vet, që të dinte se çfarë të fliste, çfarë të mbronte e të kërkonte kur të intervistohej...
Ndaj (qofsha i gabuar) them se lëvizja e Aleksi Ciprës ishte thjesht një lëvizje aktoreste, që të krijonte përshtypje tek opinioni publik...
Thjesht Cipra bëri Show-n e radhës!
Të ishte përsëri në qendër të vëmendjes!
Dhe ia arriti!

Δεν υπάρχουν σχόλια: