Τετάρτη 9 Ιανουαρίου 2008

Me kufje…

Me kufje…
Çfarë dëgjojnë njerëzit duke ecur nëpër rrugë me kufjet në veshë? Presin ndonjë telefon në celularin e tyre? Dëgjojnë lajmet në radio? Dëgjojnë këngë nga mp3, ndënj miks muzikor që ua ka përgatitur një njeri i dashur? Dëgjojnë këngë që janë shndërruar tashmë në klasike, apo janë hit-e të kohës?
Përpiqem të dalloj se çfarë aparatesh përdorin duke parë me vëmendje kufjet. Është celular? Është mp3 player? Nuk është e lehtë, pasi tashmë shumë celularë janë edhe mp3. Dalloj nga ngjyra e bardhë e kufjeve aparatet iPod, nga ngjyra e zezë dhe e blertë kufjet e SonyEricsson, pasi kablli i tyre gjithmonë përfundon në një xhep apo në brendësi të një çante.
Çfarë është duke dëgjuar ai adoleshenti, me flokët e ngrirë si gozhdë përpjetë nga xheli, apo me flokët e lëshuara mbi fytyrë, si all star? Çfarë i këndon në vesh aparati vajzës adoleshente të veshur në stil gotik, që lëkundet nën tingujt e muzikës, duke u mbajtur tek shtylla metalike e vagonit? Muzikën e sinkronizoi me bitin gjumëvënës të trenit. Nuk mundem të kuptoj se çfarë po dëgjoj ajo gruaja rreth të dyzetave, me manikyrin e stërmunduar nëpër gishta. Thjesht jam në gjendje të dalloj se është tepër e lodhur nga tetëorëshi. Ndoshta po mendon për fëmijtë që duhen larë e pastruar, që duhen ushqyer dhe duhen bërë gati për në shkollë ditën e nesërme...
Enigmatik është edhe ai zotëria me kravatë dhe me kapardinë të ngrirë dhe me kufjet e bardha. Edhe ai ndodhta po dëgjon në iPod. Po sjell ndër mend Who apo Grateful Dead. Mister...
Të përgjumur lëvizin vagonat mbi shinat e lagështa, përkundin njerëz që dëgjojnë e lëkunden sipas ritmit të muzikës apo lajmeve, u murmurisin këngën industrial të tyre, të gjithë atyre që nuk kanë zakonin e të vendosurit kufje në vesh. Por edhe unifikohen: unifikohet dogitja e rrotave nëpër shina, me tingujt electronica. Të njëjta rrahje në minutë 120 bpm. Llampat e neonit të vagonave, ndriçojnë fytyrat e pasagjerëve me një dritë të jashtëkohshme, ngrijnë gjithçka, tregojnë thinjat dhe rrudhat, reflektojnë në inoks dhe xhupa lëkure, ngrijnë rrobat, por edhe jetën për një çast, e cila është krejtësisht e shkëputur dhe e veçuar tek të gjithë pasagjerët.
Dhe izolimi i të izoluarve vazhdon në një video që përsëritet e përsëritet gjithmonë, me të njëtn pamje, por me fytyra të tjera, me kontrastin e lartë, me montazhin e çuditshëm...
Dhe njerëzit vazhdojnë të dëgjojnë një miks të ndërtuar me rock, pop, popullore e të përpunuara, buzuqe dhe çiftatele.
Në çdo stacion hyjnë të tjerë njerëz, që ashtu të izoluar nga gjithçka përreth rregullojnë kufjet në vesh dhe rifillon nga e para një miks muzikor i pafundëm, me tinguj të rinj e të vjetër, me fytyra të reja, të freskëta apo të lodhura, që shkojnë nëpër shtëpira, apo nëpër takime të mbushura me premtime apo ambicie.
Gjithçka duket në saundtrack-un e shoqërisë urbane.
Njeriu në qytetin e madh, nuk dëgjon muzikë, ecën dhe qëndron në qilima fluturues tingujsh muzikorë apo vargjesh. Pagëzohet në një ambient tingujsh të çuditshëm, ku aty- këtu shkëndijëzon edhe lirizmi i një kënge, ngjyra e një vargu, fjalët e shkëputura, të cilat krijojnë një melodramë, një himnizim të vetmisë dhe të fatit të paditur. Si tinguj të çjerrë nga një radio e vjetër, si melodi që kalojnë në sfonin e një filmi bardhë e zi...
Dhe njerëzit me kufje në vesh përjetojnë ndërkohë shqnërrimin e qytetit dhe të krejt shoqërisë: si nj skenë me veprimtari të shurdhët. Qyteti vë pamjet, njerëzit meloditëm vargjet dhe dialogjet. Mp3 i furnizon me pjesët më fantastike, të zbrazura nga bibliotekat e tejmbushura të internetit.
Celulari të ofron dialogje, i bën bisedimet edhe më intime të dëgjohen prej të gjithëvë në vendet publike. Kjo është skena.
Indiferencë dhe drama të vogla apo të mëdha, që luhen përditë nga njaeëz që fluturojnë përditë sa nga autobusi, në metro, sa nga treni, në ashensor dhe në shkallët rrëshqitëse, me vështrimin e stërvitur që të jetë bosh. Të gjithë shikojnë jatë dritares, ose drejt, majat e këpucëve, ekranin e celularit!...
Personalitete paralele, koincidenca vetmish? Ndoshta! Ndryshon vetëm kallëpi, transformohet me orët. Tjetër në mëngjes, tjetër në mesditë, tjetër në mbrëmje, tjetër në çdo stinë...
Besoja se isha i vetmi që po dëgjoja radion. Për nënën që prostituonte fëmijtë e saj, 7, 9 dhe 11 vjeç. Dhe që me ta shkonin jo vetëm i dashuri i saj 43 vjeçar; jo vetëm një plak 85 vjeçar, jo vetëm prifti i lagjes, por ndoshta e gjithë shoqëria.
Kufjet më rrëshqitën ga veshët. Në krahun tim dëgjoja një çik-çik-çik nga kufjet e atij që ishte pranë meje. U përpoqa të kuptoja se çfarë po dëgjonte? E kotë.
Më erdhi të ulërija e t’i detyroja të gjithë të dëgjonin lajmet me ngjarjen makabre, të nënës- përbindësh. E kotë. Çdo gjë që thashë nuk u dëgjua. Pasagjerët panë tek unë një njeri që çirrej si i marrë, por s’dëgjuan asnjë fjalë. S’i linin kufjet. Jashtë saundtrack-u i shoqërisë urbane.
E kotë. Vura përsëri kufjet në vesh...

Δεν υπάρχουν σχόλια: