Κυριακή 22 Μαρτίου 2009

Pasqyrat e shtrembëra

Pasqyrat e shtrembëra
Ardi Stefa
Shumë gazetarë të njohur grekë pretendojnë se mediat janë thjesht pasqyra e shoqërisë.
Ndoshta me këtë duan të thonë, natyrisht, me fuqinë që u jep pushteti i katërt, se çdo e keqe që ndodh në trupi e shoqërisë, pasqyrohet besnikërisht në ekran apo edhe në gazeta...
Por gjërat nuk janë edhe kaq të thjeshta. Dhe nuk ka nevojë për shumë analiza që të bindet ndokush se mediat greke, jo vetëm që nuk janë asnjanëse dhe të ftohta në pasqyrimin e ngjarjeve, por tentojnë që të ndryshojnë e manipulojnë opinionin publik dhe ta rimorkojnë në ujërat e tyre të turbullta.
Qëndrimi i Mediave greke kundrejt emigrantëve, natyrisht që nuk është unik dhe i pandryshueshëm në kokë. Natyrisht që qëndrime të ndryshme ekzistojnë nga njëra gazetë apo TV tek tjetra. Natyrisht që qëndrimet evoluojnë nëpër vite.
Ashtu sikundër është e ditur që rastet e urrejtjes dhe të intolerancës ndaj të huajve me protagoniste gazetarinë, janë kaq të rralla, sa janë të rralla edhe keqtrajtimet e emigrantëve nga policia!...
(Për ata që ndoshta s’e kuptuan frazën e mësipërme, u shkruajt me ironi!...).
lexova një studim të Universitetit të Athinës, në të cilët ishte studiuar qëndrimi i shtypit grek nga marsi 2007 në mars 2008, d.m.th në një periudhë goxha të mirë nga vitet e mëparshme. Rezultatet ishin si më poshtë: Nga 540 artikuj që kishin të bënin me emigrantë shqiptarë, vetëm 5% e këtyre artikujve kishin qëndrim pozitiv, ndërkohë që 25% e artikujve kishin ngjyrime negative qysh në titull.
Në 60 ediqione qendrore lajmesh të katër kanaleve më të mëdha greke dhe në 42 reportazhe për çështjet në fjalë, vetëm 2.5% e tyre kishin qëndrim dhe trajtim pozitiv.
Në faqet greke të internetit, blogje, etj, etj, 40% e shkrimeve kishin trajtim negativ dhe vetëm 25% qëndrim pozitiv.
Me një transport të tillë paragjykimesh dhe stereotipesh ksenofobike, është e kuptueshme, logjike dhe morale që të konsiderohet reagimi dhe qëndrimi masiv grek ndaj të huajve, ose edhe armiqësia e grekëve ndaj emigrantëve “vlerë e vërtetë dhe e qëndrueshme(!)” në të gjitha sondazhet e Eurobarometrit. Është e kuptueshme përse Greqisë i tërhiqet gjithmonë veshi dhe kritikohet për këtë gjë...
Trajtimi dhe paraqitja e emigrantëve nga shumica e mediave greke, veçanërisht e atyre elektronike, e cila i paraqet emigrantët si një turmë dhe jo si njerëz, si një kope barbarësh, e cila kërcënon qetësinë greke!...
Qëndrimet e “drejta” që injektohen nga ekstremistët e djathtë dhe që gjejnë kaq paqyrim në media, për të cilat të huajt e çdo race apo kombësive, (veçanërisht shqiptarët) janë më inferiorë se grekët, qysh në gene, për një kohë të gjatë censuruan, apo nënvlerësuan rastet e dhunës kundër të huajve, qoftë kur këto bëheshin nga pronarët e tyre, qoftë kur bëheshin nga grupet neonaziste.
Edhe kur një kriminel nazist si Kosta Kazako përpara disa vjetësh kishte vrarë me armë zjarri shtatë emigrantë me ngjyrë, ishte trajtuar nga mediat si krim i kryer nga një psikopat dhe jo si krim racor. Dhe të gjitha këto në një kohë, kur vetë krimineli në sallën e gjyqit kishte deklaruar se “E keqja me të huajt në Greqi ka kapur kulmin. Duke vrarë ata besoj se i kam bërë shërbim atdheut!”.
Në të njëjtën kohë jashtë bëheshin manifestime proteste nga shoqatat antiraciste dhe antimanifestime nga neonazistët. Këto televizioni nuk i dha ndonjëherë dhe shtypi i shkruar i pasqyroi me dy rreshta... Në të njëjtën kohë që reporterët e kurseve dy-tre mujore të gazetarisë karakterizonin cilindo hajdut “Të huaj, ka shumë mundësi që hajduti të ishte shqiptar!”, pavarësisht se vjedhësit mundet të kishin fytyrën të mbuluar dhe flisnin greqishte të pastër...
Nejse, të gjithë i dimë këto. Thjesht përmenda disa fakte të studimit të Universitetit të Athinës, në lidhje me qëndrimin e medias ndaj emigrantëve.
Thjesht, nuk e kanë fajin pasqyrat që pamja që reflektohet në to nuk është e bukur...
Thjesht, nuk e kanë fajin që reflektohen të shpërfytyruara...
Apo e kanë?...

Δεν υπάρχουν σχόλια: