Πέμπτη 16 Ιουλίου 2009

“Fshesa” dhe “buldozerët”!...

“Fshesa” dhe “buldozerët”!...
Ardi Stefa

Lajmin e mësova rrugës për në Shqipëri. Atë, që në Patra kishin prishur me buldozerë “Kalkutën e Greqisë”, barangat e afganëve dhe të aziatikëve të tjerë, rreth e rrotull portit të qytetit grek. Nuk dua ta fsheh se më pëlqeu ky fakt. Pasi të gjithë ata që kishin qenë apo kishin kaluar nga ai vend, ishin tmerruar dhe revoltuar me pamjet dhe jetën e mjerë të refugjatëve, në pritje të largimit nga Greqia me ndonjë maune, apo anije. Ishin tmerruar jo aq me pamjet që ishin fyese për estetikën, kulturën qytetare dhe demokracinë perëndimore, por edhe për faktin se vendi ku banonin ata, as nga ciganët nuk banohej. Ishte një vatër e vërtetë sëmundjesh infektive, trafiku të drogës, dhune, krimi...
Dhe rrëzimi i barangave të afganëve nuk ishte as “Progrom kundër emigrantëve” dhe as “Operacion barbar”, sikundër nxituan ta emërtojnë SYRIZA dhe KKE. Sepse këto dy parti, kaq delikate në lidhje me emigrantët, kaq solidare, nuk u ngritën ndonjëherë seriozisht dhe as dem'noncuan ndonjëherë seriozisht kushtet çnjerëzore të jetesës së emigrantëve në Patra, apo në qytete të tjera të Greqisë.
Këto dy parti, me lehtësi denoncojnë operacionet e policisë dhe politikën e qeverisë, dhe me të drejtë thonë se qeveria po hiqet pas bishtit të Karaxhaferrit kur mbledh e deporton klandestinës, për të mos humbur votat e elektoratit të djathtë, por a nuk do të ishte më mirë që të inreresoheshin realisht e pa komplekse për të ndihmuar emigrantët?
Duke qenë se qeveria greke, nga indiferenca totale për problemin në fjalë, brenda një nate (të zgjedhjeve për në Parlamentin Europian) u bë kaq e interesuar, është e sigurtë se shumë gjëra do të shkojnë shtrembër, natyrisht në kurriz e në dëm të emigrantëve, por edhe në pamjen ndërkombëtare të Greqisë nëpër botë. Nxitimi lind përkohshmëri, të cilat nuk janë edhe gjëja më e mirë për një problem kaq kompleks, sikundër është emigracioni.
Dhe emigracioni nuk është thjesht një problem, është një problem që ka në epiqendër njerëz..., njerëz realë, me halle, probleme e histori, dhe jo shifra të ftohta arrestimesh, kontrollesh e deportimesh...
Këto ishin mendimet fillestare. Pastaj u mendova pak më gjerë...
Natyrisht që një qytet ka të drejtë që të ketë një Fshesë për të gjitha vendet e lira të zëna padrejtësisht, ashtu sikundër edhe për plehrat që ndotin qytetin, por jo “Fshesë” për ata fatkeqë që s’kanë një copë vend në diell dhe shohin me sytë plot mëshirë...
Neve, që në shumicën e rasteve jemi thjesht spektatorë...
Sepse ata emigrantë, qofshin edhe klandestinë, janë viktima të një fati që s’e patën, të një mentaliteti kaq obskurantist e të mjerë; janë viktima luftërash, dhunës, urisë, racizmit...
“Kalkuta” në qendër të Patrës ku banonin ishte ç’njerëzore. Por as “spastrimi” i dhunshëm e me buldozerë nuk mundet të mbulojë përgjegjësitë kaq të mëdha të qeverisë aktuale greke e të qeverive të mëparshme kundrejt atyre njerëzve që, mirë ose keq, erdhën e ngelën në Greqi, në kërkim të largimit. Në kërkim të një fati më të mirë...
Duhet të thërrasim me plot gojën kundër racizmit dhe ksenofobisë, sidomos, kur administrimi i këtyre dy çështjeve kaq të mprehta u lihet në dorë mediave vizive greke dhe Karaxhaferrit dhe Plevrit.
Të thërrasim kundër “torturave personale”, si ato që ndodhën në Nea Manoladha përpara një muaji. Të thërrasim kundër drejtësisë që akuzat më të rënda i pati për fatkeqt emigrantë dhe më të buta për torturuesit grekë.
Të thërrasin kundër akteve të dhunshme të “Krisi Avgisë”, e cila, shpesh herë edhe me mbështetjen e policisë dhunon rëndë emigrantë me ngjyrë, apo të gjithë ata që ngjyra dhe genet nuk shkojnë me kokat e tyre të qethura zero...
Ka shumë të dhëna që dëshmojnë se “Veza e gjarprit” është thyer, gjarpri ka dalë dhe më të këqijat do të vijnë më vonë.
Thjesht duhet pasur kujdes (edhe ne emigrantët shqiptarë të ligjshëm), të mos biem viktimë e joshjes së protestës së vendasve të revoltuar për prishjen e estetikës së qyteteve.
Dikur ishim ne në vendin e emigrantëve klandestinë afganë...
Nesër mund të jenë të kombësive të tjera...
Joshja që buron nga demogogjia e Karaxhaferrit është e madhe...
Joshen edhe shumë emigrantë...
Kujdes!
Mos na vjen përsëri radha neve...
Dhe atëherë...

Δεν υπάρχουν σχόλια: