Κυριακή, 24 Οκτωβρίου 2010

Për (a?)populizmin e politikanëve tanë

Për (a?)populizmin e politikanëve tanë
X deputet i PS denoncoi familjen Berisha për korrupsion dhe për blerjen e gjithë Shqipërisë...
Menjëherë doli një deputet i PD për të përgënjeshtruar dhe për të akuzuar Ramën se ka vjedhur miliarda në këto vite, se ai është imoral, drogaxhi dhe se merr pjesën e luanit nga lejet e ndërtimeve.
Një X deputet i PS përpara kamerave akuzon ministrin e ndërtimit se tuneli që u rrëzua ishte përgjegjësi e tij...
Menjëherë një Y deputet i PD akuzon PS dhe vetë kryetarin e saj për mashtrim dhe demagogji...
Zëdhënësja e qeverisë komunikon inaugurimin e disa kilometrave rrugë në Tranë...
Menjëherë del zëdhënësi i Bashkisë së kryeqytetit për të marr meritat e ndërtimit të rrugëve, për të ridalë përsëri zëdhënësja e qeverisë; për t’u rikundërshtuar përsëri nga deputetët e PS, për t’u akuzuar përsëri nga demokratët...
LSI heq një ministër dhe ai ministër denoncon pasurinë e padeklaruar të kreut të partisë së tij...
Kreu i LSI deklaron se Rama i ka propozuar deri edhe pesë herë në ditë që të bashkohej me të për të rrëzuar Berishën...
Një orë më pas zëdhënësi i PS deklaron se Metës asnjëherë nuk i është kërkuar bashkëpunim për të rrëzuar Berishën...
Njëri nga aleatët kryesorë të PS e këshillon Ramën që të rikandidojë për kryebashkiakun e Tiranës...
Mesazhi është i qartë: “Nuk bën për kryeministër!...”
Pritet reagimi i selisë rozë për këtë deklaratë...
Qerthull...
Rrumpallë...


Nga Ardi Stefa

Një lloj perversiteti profesional më bën që përditë të shoh edicionet e lajmeve në kanalet televizive shqiptare, kryesisht lajmet politike. Natyrisht, jo të gjitha, pasi do të ishte një torturë e vërtetë për nervat, por i ndjek mjaftueshëm, aq sa për të kuptuar “qëndrimin politik” të secilit “politikan” si edhe fushën e nivelin e konfliktit. Referimet për problemet e vërteta të qytetarëve dhe të Shqipërisë në diskutimet e debatet e tyre nuk janë gjë tjetër veçse një shtojcë e deklaratave të tyre. Çështja kryesore që i shqetëson të gjithë politikanët shqiptarë, është se si në “minikonferencat e tyre për shtyp” të shprehin “qëndrimin e tyre parimor” dhe të denoncojnë pasurimin e familjes së Berishës, pasi më parë deputetët demokratë, kanë denoncuar pasurimin e paskrrupullt të Ramës, drogën, femrat, liçencat e ndërtimit, etj, etj...
Kontrasti i politikanëve të të gjithë spektrit politik, edhe dy dekada pas shpalljes së pluralizmit dhe mbretërimit të populizmit në jetën politike, nuk befason më askënd.
Ajo që befason dhe revolton, të paktën mua, është shtrembërimi dhe përçudnimi i termit “qytetar” nga goja e atyre që duan votën e tyre. E kanë kthyer në një lloj eufemizmi. Në konceptin e shumicës së politikanëve, qytetari është një lloj kafshe, pa mundësinë e analizës së realitetit, pa gjykim, pa përgjegjësi. Funksionon në mënyrë emotive dhe reagimet e tij kufizohen në nivelin e cekët të kontrastit ndërmjet lavdisë dhe dhembjes, ndërmjet ekstazës dhe përsëri dhembjes: I jep për shembull një mijë lekë dhe gëzohet, i merr një mijë lekë dhe zemërohet.
Ky lloj “qytetari” është diçka si kryqëzim ndërmjet një kafshe dhe një fëmije të vonuar mendërisht. Gjithmonë ka të drejtë, asnjëherë nuk ka faj dhe detyra e politikanit është që ta qetësojë dhe ta kënaqë...
Kjo është kultura jonë politike, në këto 20 vjet pluralizëm.
Dhe kjo është arsyeja se përse niveli i politikanëve tanë është kaq i ulët në ditët tona. Kur mbizotëron “qytetari” i llojit që përshkrova më sipër, për çfarë arsyeje nevojitet njeriu që me të vërtetë mendon në politik? Mkë lloj shejtan budallai interesaxhi dhe servil e bën punën shkëlqyer. Dhe nuk kërcënohet shëndeti i tij nga neveria dhe keqardhja apo pendimi.
“Qytetari”, të cilit i drejtohen të gjithë ata që demonizojnë njëri- tjetrin, që shajnë e fyejne me fjalët më të ndyra njëri- tjetrin, nuk ka nevojë që ta vrasë mendjen me dilema të llojit: Demokraci apo plutokrati, demokraci apo nepotizëm, demokraci apo nomenklaturë familjare, barazi apo vetëm në fjalë, barazi, apo padrejtësi e përjetshme sociale revoltë qytetare, apo nënshtrim total, në një vend ku nuk njihet greva e të tjera fitore historike nëpër dekada,.., etj, etj, ... të këtij lloji.
Pas kaq vitesh “plularizmi e demokracie”, nuk është e rastit që politikanët nuk guxojnë që t’ua paraqesin qartë e drejt realitetin qytetarëve.
Sepse nuk kanë mundësi ata të mjerë që ta bëjnë një gjë të tillë, apo të veprojnë ndryshe! Qëndrimi i tyre varet nga instikti i tyre i mbijetesës. Pasi, në rast se politikanët aktualë shqiptarë ndërgjegjësohen për madhësinë e dështimit të shtetit, por edhe rëndësinë e një demokracie të vërtetë qytetare, atëherë politika, jeta politike, ashtu siç enjohim deri më sot në Shqipëri do të ndryshojë dramatikisht dhe shumë nga ata që sot janë funksionarë të lartë të partive e të shtetit, do të zhduken njëherë e përgjithmonë nga jeta publike. Së bashku me milionat e tyre.
Investojnë këta “qytetarë”, pra këta politikanë shpresat e tyre në ruajtjen e inertësisë, në ruajten e palëvizshmërisë dhe në kundërshtimin e reformava, e të zbatimit të tyre, të mbrojtur nga një mburojë sulmesh e kundërsulmesh ndaj njëri-tjetrit.
Sepse në fund të fundit, ashtu siç e dëshmojnë edhe “deklaratat e tyre zyrtare të të ardhurave”, po qe se Shqipëria nesër do të rrënohet, klasa e saj pushtetare do të arrijë të mbijetojë, në mënyrë që edhe pasnesër të jetë aty që të qeverisë përsëri...
Dhe kjo nuk është gjë tjetër, veçse tendenca e populistëve, për të mbijetuar në kurriz të të tjerëve, pasi gjendemi në buzë të greminës...

Δεν υπάρχουν σχόλια: