Τετάρτη, 27 Απριλίου 2011

Grek lind apo bëhesh?...

Grek lind apo bëhesh?...
Të jesh grek, shqiptar, amerikan, egjiptian, anglez apo kinez, nuk është as turp, as nder, është thjesht fakt...
Ardi Stefa

“Grek nuk do të bëhesh kurrë, o shqiptar, o shqiptar...”
Me siguri që do t’ju kujtohet kjo shprehje, e cila disa vjet më parë, por edhe disa muaj më parë, mbizotëronte në klithmat “histeriko- patriotike” të disa grekëve autoktonë me fustanellë.
Në kohën kur pothuajse në të gjitha vendet europiane është i mjaftueshëm të pasurit leje qëndrimi për të votuar në zgjedhjet lokale, në Greqi ende diskutohet se kush duhet të votojë, nëse grek lind apo bëhesh, nëse kanë të drejtën ligjore të votojnë ata që kanë disa dekada që jetojnë në Greqi. Ende në Greqi diskutohet e “Drejta e gjakut” dhe jo “E drejta e territorit”, diskutim, i cili të çon mbrapa në epoka të tjera.
Kush dhe si do të gjykojë e do të vendosë se cilat janë kushtet e marrëdhënieve kundrejt kombit grek?
Sa vite, apo mos vallë shekuj, nevojitet, sipas juristëve grekë, apo edhe politikanëve të ekstremit të djathtë, që të provohet kjo lidhje? Dhe se në sa peshore duhet të matek kërkuesit e nënshtetësisë greke “ që të pranojnë vulnetarisht, vlerat që ka helenizmi dhe më pas përfitimi i ndërgjegjes helene?
Mos vallë emigrantët që kërkojnë nënshtetësinë greke, duhet të testohenh shumë reptësisht për t’u vërtetuar nëse kanë përqafuar idetë themelore të helenizmit e të ortodoksisë? Apo mos vallë “patriotët e vërtetë grekë” ëndërrojnë epokën , kur thërritej “Greqia e grekëve ortodoksë!”, apo kur kush nuk ishte dakort me shprehjen “Atdhe, fe, familje!”, nuk ishte grek?
Kur dëgjohen deklarata të tilla, të grekut me gjak të kulluar, Karaxhaferrit, që do të mbysë të gjitha anijet me klandestinë që hyjnë në ujërat e Greqisë...
Kur juristët konsiderojnë qytetarë të kategorisë së dytë, emigrantët që jetojnë një apo dy dekada në Greqi, apo fëmijët e tyre, të cilët kanë lindur në Greqi dhe kur thelbësisht, i vetmi vend që njohin si atdhe, është Greqia; çfarë duhet të presë dikush nga qytetarët e thjeshtë?
Dhe përse duhet të befasohet ndokush nga fenomenet e racizmit apo ksenofobisë që gjëllojnë rreth e qark?
Në rast se përpjekja e integrimit të një pjese të emigrantëve, të cilët, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë greke, nuk mundet të ecë normalisht, atëherë problemi i madh i racizmit dhe ksenofobisë, i cili ndeshet këtu e disa dekada, jo vetëm që nuk do të zgjidhet, por do të krijojë gjithnjë e më shumë probleme serioze.
***

B. P., është shqiptar, student në konservator dhe muzikant. Është shumë i njohur me pseudonimin “St Croix”, bashkëpunon me Vasilis Papakonstandinou dhe grupin Imam Baildi. Na pëlqen ose jo ka lindur në Greqi, flet pothuajse vetëm greqisht, shokët i ka grekë. Lidhjet me Shqipërinë (edhe kjo, ndoshta nuk do të na pëlqejë) i ka të pakta.
Në Greqi do të martohet, do të lindë “grekë” të vegjël, të cilët do të shkojnë në shkolla greke. Vetëm një gjë nuk mundet të bëjë Besniku, të vendosë se kush do të mbledhë plehrat, pasi nuk voton në zgjedhjet lokale.
Si Besniku ka edhe shumë të tjerë. Por çështja qëndron se në Greqi ka shumë të tjerë, të cilët nuk duan të shikojnë se cili është problemi i tij, apo i emigrantëve të tjerë.
Në Greqinë e dekadës së dytë të shekullit të XXI, por fillon gjithnjë e më shumë të mbizotërojë mendimi se “Nuk duhet të votosh, pasi nuk ke gjak grek, apo nuk ke lindur nga prindër me gjak grek! Pra nuk të mbulon e “Drejta e gjakut!”. Në epokën e globalizmit dhe të migrimeve masive të popullsive, shumë vazhdojnë të qëndrojnë të palëvizur në idetë e shekujve të kaluara.
Por Historia ka treguar se gjithçka ndryshon, akoma edhe ajo ç’ka konsideronim deri tani si popull, apo komb...
Ashtu sikundër ka dëshmuar se “vlera e origjinës, kriteret etnokulturore për përfitimin e nënshtetësisë, si edhe e “Drejta e gjakut”, përbëjnë, të paktën nga pikëpamja historike kuptime jashtëzakonisht të paqarta dhe vështirë të përcaktueshme. Një komb-shtet, si Greqia, i cili u krijua nga ndryshimet e vazhdueshme të kufijve dhe nga lëvizje të mëdha popullsish, që ushtroi ppr më tepër se një shekull një politikë irredentiste dhe shpenzoi shumë kohë në një kalim politik dhe kulturor, ka nevojë për një dozë të madhe fantazie që të mbështetet ekskluzivisht “në gjakun e qytetarëve të saj!”. Këtë fakt kishin parasysh edhe projektuesit e Politikës së Madhe Greke, të cilët në heshtje pranonin pashmangshmërinë e Greqisë së madhe multikulturore...
Mundet të themi se deri në vitin 1923 grek bëheshe. Pas vitit 1923 grek lindje. Por sot, procedura e globalizmit, lëvizjet e mëdha të popullsive dhe komunitetet multikulturore krojojnë kushte të reja për përcaktimin e nënshtetësisë, të cilat një komb – shtet ftohet t’i administrojë. Greqia nuk përbën përjashtim. Shoqëria greke ka për detyrë që të rishikojë kriteret e përcaktimit të idenditetit kombëtar dhe të statusit të qytetarit- cilët integron dhe cilët përjashton- po qe se do të ketë një tolerancë dhe paqe sociale...

1 σχόλιο:

Ανώνυμος είπε...

Nuk po ju kuptoj dot.........ju vjen keq qe Besniku nuk mund te votoj dot per heqjen e plehrave apo qe ka humbur cdo lidhje me Shqiperine????