Παρασκευή 15 Ιανουαρίου 2016

Letër Princeshës sime

Ardi Stefa
Princesha e babit
Këtë letër mund të ta shkruaja në ditëlindjen tënde të parë, në ditëlindjen tënde të dytë...
Po ta shkruaj tani...
Unë isha atje. Kur pashë ekon e parë. Kur pashë atë siluetën “shëmtaraqe” dhe të mrekullueshme, në të njëjtën kohë. Dhe e kuptova se ti do të përcaktoje tashmë jetën time.
Isha atje. Kur në ekon e dytë doktori të “zuri” duke buzëqeshur, madje të na përshëndesje me dorë... Ajo gjendje zor se përshkruhet me fjalë.
Isha atje. Kur luftoje të mbaheshe pas jetës...
Isha atje. Kur nxitoje të shikoje botën. Nxitoje, nxitoja të takoheshim.
Isha atje. Kur doktori të kapi butësisht dhe për herë të parë thithe ajrin e kësaj bote. Mendova se të gjithë fëmijët, sapo lindin qajnë. Gënjeshtër.
Ishe e qetë. Mua më rrodhën lotët. Dyzet e dy vite që mbartja mbi supe u përmblodhën në dy lot, atë sekondë që nuk do ta harroj kurrë.
Isha atje. Kur të pashë në inkubator dhe s’i mbaja dot lotët dhe s’më vinte zor fare për lotët e mi. Teksa të preka me dorë këmbën e vockël dhe ti fillimisht e mblodhe dhe pastaj e tendose për ta ndjerë plotësisht dorën time... Aty u angazhova...
Isha atje. Kur të pëshpërita: “Të keqen babi. Unë të dua”!
Isha atje. Teksa nxitoja të të sillja qumështin e mamit në inkubator, dhe makina fluturonte sikur ta dinte rrugën vetë për tek ty.
Isha atje. Teksa të mbaja në duar dhe e gjithë lodhja më ikte në çast. Harroja fyerjet, problemet, hallet... Kuptova pse duhet t’i duroja edhe më sharjet, fyerjet, poshtërimet...
Isha atje. Kur zgjohesha çdo dy orë natën që të besoja se s’isha në ëndërr...
Isha atje. Kur bëmë fotografinë tënde të parë me celular, që e ruaj me fanatizëm.
Isha atje. Kur të blenim me mamin rrobat e para, aq të vockla e aq të buta, aq të bukura sa bëheshin edhe më të bukura kur t’i vishnim ty.
Isha atje. Kur, shtatë muajshe, të hipëm në makinë për një udhëtim të gjatë, të ndryshëm, diku në një tjetër atdhe.
Isha atje. Kur pas teje u mahnitën të gjithë. Gjyshërit, halla e daja, kushërinjtë... Teksa, edhe ti u buzëqeshje dhe, me mënyrën tënde, u falje dashuri...
Isha atje. Kur hodhe të parin hap. Kur the për herë të parë “babi”. Kur nxorre dhëmbin e parë.
Isha atje. Kur të çuam tek deti për të parën herë. Dhe ti nuk pate frikë fare, por fusje këmbët, i përplasje e na mbushje gjithë stërkala. Kur të mblidhja guacka dhe yje deti.
Isha atje. Kur mësove të hash patate të skuqura, makarona dhe qofte...
Isha atje. Kur u sëmure dhe të çuam në spital. Dhe të vendosën serum. Asnjëri të mos ta përjetojë atë ndjenjë.
Isha atje. Kur na buzëqeshe dhe doje të iknim se u bëre më mirë.
Isha atje. Teksa në kthim haje bukë thatë nga uria. Dhe ne të këndonim: “Anna ha bukë thatë, që të bëhet gocë e gjatë...”
Isha atje. Kur luaje me qenin e hallës, Karlon, kur e torturoje dhe ai s’mërzitej fare, por të mbronte... Kur thyeje i- pad njëra pas tjetrës.
Isha atje. Kur u mahnite pas “Mashës dhe Ariut”, dhe ne t’i bëmë të gjitha filmat në DVD. Kur një ditë më thirre, ashtu papritur Mishka dhe unë e kuptova se më thirre me emrin e personazhit të filmit tënd të dashur, jo vetëm se isha bullafiq si ariu, por edhe sepse ashtu si ai, edhe unë t’i falja të gjitha çapkënllëqet dhe prapësitë që bëje.
Isha atje. Kur rrokulliseshim duke luajtur në krevat të dy. Kur flinim bashkë dhe pastaj pasi më puthje shkoje në shtratin tënd, se ndiheshe më “rehat”...
Isha atje, sa herë të qortonte mami dhe ti vije tek unë “të mbroheshe e të ankoheshe”.
Isha atje. Kur u njohe për herë të parë me shokët dhe shoqet e tua.
Isha atje. Kur këndoje nën zë këngët e filmave vizatimorë që shikoje.
Isha atje. Kur bëje dush dhe kënaqeshe.
Isha atje, kur na the se i doje edhe macet.
Isha atje. Kur hëngre Nutella dhe u bëre me çokollatë në të gjithë fytyrën. Kur na vije “këmbët në një këpucë” dhe të blinim përditë vezët Kinder pa hesap...
Isha atje. Kur, sa herë dilnim nga shtëpia, tregoje makinën me dorë dhe thoshe “Kina e babit”.
Isha atje. Kur shuaje qirinjtë në tortën e ditëlindjes dhe me mamin uronim të ishe e lumtur, të merrje edhe lumturinë që s’provuam apo s’jetuam dot ne...
Isha atje. Dhe do të jem gjithmonë këtu, zemra e babit.
Të pashë për herë të parë një ditë të hënë dhe ma vodhe dritën e syve. Dhe vij vërdallë i verbër në këtë botë, sepse më ndriçojnë sytë e tu. Dua të jesh atje të kërcej një vals lumturie për ty.
Vetëm për ty.
Dhe do të jem gjithmonë aty pranë teje...
Do të jem aty kur të vesh për herë të parë në shkollë.
Do të jem aty kur të të mësojmë gërmat dhe numrat. Kur të mërzitesh që nuk ke kuptuar një mësim.
Do të jem aty, megjithëse plak e i moshuar, kur të shkosh në universitet dhe unë do të rri pa gjumë nga meraku për të ardhmen tënde...
Do të jem aty, do të jemi aty kur të ndihesh drithërimat e para të zemrës për ndonjë djalë, megjithëse do të jem tërbuar nga xhelozia dhe frika. Dhe që do të kem shumë dëshirë ta zë me shqelma. E di që ajo ditë do të vijë. Dhe, fatkeqësisht, di gjithashtu që do të magjepsesh nga sytë e atij rioshi prepotent, me të njëjtën ndjenjë mrekullie që ke tek shikon sytë e mi.
Thonë se vlera e një njeriu matet me atë ç’ka ai reflekton në botë dhe në njerëzit rreth e rrotull tij. E besoj këtë gjë me gjithë forcën e shpirtit tim… Ti je njeriu më i mrekullueshëm në botë. Ke dhënë dhe vazhdon të japësh, gëzim të pafund tek të gjithë njerëzit që të duan, mamit, babit, të gjithëve…
Gëzuar, zemra e babit.
Është nder dhe privilegj për mua të jemi babi yt.
Gëzuar princesha e babit. Paç jetë të gjatë e të lumtur.
Të jetosh një jetë, ashtu siç e do, e lirë.

Babi yt...

Δεν υπάρχουν σχόλια: