Σάββατο 29 Μαρτίου 2008

Kanibalë me pirunj*


Kanibalë me pirunj*
Ardi Stefa
“Po qe se kanibalët do të përdornin pirunj, a do të mund të thoshim se ata kanë shënuar një lloj përparimi, janë evoluuar?”
Përgjigjia në lidhje me këtë pyetje të një poeti të shquar polak, spontanisht mundet të ishte: “Varet se nga çfarë këndvështrimi, apo nga ana e kujt e sheh!”
Nga ana e kanibalit, natyrisht që përbën përparim. Pasi përmirëson mënyrën e të shijuarit të ushqimit dhe shmang kontaktin dramatik me mishin e njeriut.
Por nga ana e viktimës fatkeqe, kam shumë dyshime se do të ekzistonte një vlerësim pozitiv në lidhje me këtë fakt. Dhembja e padurueshme e therrjes, së bashku me mundësinë e fundit të tmerrshëm do të peshonte shumë më tepër në vlerësimin e situatës, sesa mënyra moderne e trajtimit të këtij akti kriminal e po aq barbar.Për mbështetësit fanatikë të taksimit të gjithçkaje, me synimin mbrojtjen shtetërore të të gjitha atyre që ata mendojnë dhe vendosin se vlejnë, përparimi nuk është abrogimi i therrjes, por përmirësimi i mënyrave të shkatërrimit.
Pamëshirshëm, shteti, dhe pushtetarët e tij, blejnë vota për të qëndruar në pushtet. Dhe flijojnë në këtë rrugë, të ardhurat e qindra mijëra njerëzve, mëkati i vetëm i të cilëve, ishte të lindnin apo të jetonin në vendin e populistëve arbitrarë.
Kanibalët e epokës sonë shpartallojnë pa u dënuar jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të thjeshtë. Dhe për pirun, në mënyrë që vjedhja të mos zbulohet në trajtat e dimensionet e saj të vërteta, përdorin gjasme interesimin e tyre e gjasme përkujdesjen për të dobëtit.
Në këtë pikë shtrohen dy çështje kryesore: E para ka të bëjë me faktin se kush vlerëson dhe se si janë në realitet të dobëtit. E dyta, ka të bëjë me problematizimin e drejtë, nëse ato burime monetare të mbledhura nga shteti nga të ardhurat e të dobtëve, zënë vend dhe përfundojnë në duart, apo xhepat e të dobtëve.
Dhe në të dyja rastet, pyetjet janë të shumta dhe përgjigjet ngurruese e të mjegullta.
Me çfarë mënyre ekzaktësisht vlerësohet në epokën tonë kuptimi i të varfërit dhe të dobëtit? Më parë si i dobët konsiderohej ai që gjendej pa punë, punëtori mëditës, bujku i varfër, dhe ata qytetarë që vareshin ditë për ditë nga subvencionimet shtetërore dhe përkarja sociale.
Sot, këto pamje kanë ndryshuar në mënyrë drastike. Nuk mundet të konsiderohet si i “dobët” dikush që përzgjedh të mos punojë, pasi vlerëson se i intereson më shumë të marrë pa u lodhur subvencionimet dhe përkrahjen sociale në vend që të punojë përditë.
Natyrisht që edhe në shoqëritë e sotme nuk është e mundur që të dallohen diferencimet sociale duke marrë për bazë kategoritë ekonomike të së kaluarës. Siguria e integrimit diku, sot nuk ekziston më.
Rolet tashmë janë ngatërruar dhe qytetarët si njerëz funksionojnë si nomandë, duke kaluar vazhdimisht nga profesioni në punën e varur, duke mos gjetur askund ndonjë port për të hedhur spirancën. Epoka jonë, pra, është shenjuar dhe mund të konsiderohet si fundi i sigurisë.
Marksi i mbështeti teoritë e tij në nevojën që kishte kapitali për të shfrytëzuar krahun e lirë të punës. Sot kapitali nuk e ka më nevojë punëtorin e pakualifikuar. E hedh në koshin e plehrave, duke e izoluar edhe më tepër atë ekonomikisht e shoqërisht. Problemi sot nuk është shfrytëzimi i mundimit dhe punës njerëzore, por indiferenca për të. Se cili është ekzaktësisht “i varfër” sot, është një çështje veçanërisht relative. Në kohën e epokës industriale i varfër ishte ai i cili ishte i papunë. Ai që nuk kishte fare të ardhura dhe një punë stabël.
Ndërsa sot, i varfëri matet ndryshe, në bazë të atyre të ardhurave që konsumon, por edhe të atyre produkteve që ai konsumon. Mundet të ketë të ardhura, të gjejë punë, por të ndihet i “varfër” pasi e ka të pamundur të dalë pak më tej në një shoqëri konsumimi, me modelet e sjelljes që i imponon realiteti jetësor që invadon përditë në shtëpinë e familjen e tij, nëpërmjet medias.
I varfër sot mundet të konsiderohet edhe ai qytetar, i cili punon e paguan detyrimet sociale e shëndetësore, duke e ditur se pas disa vitesh për të nuk do të ketë pension, ose pensionet do të jenë aq qesharake, saqë ai nuk do të mundet të jetojë. I varfër mundet të konsiderohet me plot gojën edhe ai, i cili sipas reformave drastike në sistemin e sigurimeve, do të punojë gjithë jetën dhe s’do të arrijë të dalë në pension. Pasi, me të vërtetë fjalët janë të bukura dhe reformat duket se janë të domosdoshme, por përvojat kanë treguar se të ardhurat që jepen për të “varfërit” rrallëherë përfundojnë në shërbim apo në të mirë të objektivave për të cilat u morën!
Pasi disa mësojnë të rrojnë me këto para dhe përpiqen që të mos ndahen prej tyre. Kanibalët, pra, vazhdojnë të shpojnë ushqimin e tyre. Vetëm se duke përdorur pirunë që i paraqesin si evolucion, ndërkohë që ende qëndrimin e tyre e kanë të pandryshuar, kanibal dhe fiksimin e tyre po aq kanibal.

* Refleksione, duke parë manifestimet e sindikatave, kundër reformave në sistemin e sigurimeve, të paralajmëruara nga qeveria greke

Τετάρτη 26 Μαρτίου 2008

Në ditën kundër racizmit

Në ditën kundër racizmit
21 marsi ishte Dita Botërore kundër Racizmit. Dita, kur të gjithë, vendas e të huaj, në Greqi e në mbarë botën, bashkojnë zërin e tyre për t’u thënë “Stop” racizmit, ksenofobisë e të gjitha shfaqjeve e stereotipeve, të cilat tashmë janë plagë të shoqërisë, të një shoqërie, e cila me fjalë mbron vlerat e demokracisë, lirinë e të qenit i lirë në diversitetin tënd, në besimin fetar, ngjyrën e lëkurës, apo bindjet politike, por që në realitet ndodh krejt e kundërta.
Në këtë ditë shumë intelektualë e njerëz të vërtetë, jo antiracistë profesionistë, mendohen e ngrenë zërin, për të çarë muret e shoqërisë, politikës indiferente.
Do të doja t’ju tregoja dy ngjarje, pikërisht për këtë ditë.
Ngjarja e parë ndodhi të premten, në 21 mars. Në ditën Botërore kundër Racizmit.
Në komunitetin e ciganëve, diku në Athinë, andej nga zona e Botanikosë.
Një vogëlushe cigane, e sëmurë rëndë dha frymën e fundit në spital. Prindërit e saj, njerëz të pashkollë e të varfër, por me shumë humanizëm brenda vetes morën një vendim: Dhuruan organet e të bijës së tyre të pafat. Organet e ciganes së vogël të pafat iu transplatuan menjëherë njerëzve, që kishin nevojë për to, që kishin nevojë për jetën.
Prindërit e Elefterisë së vogël, ciganët e palarë, nuk kërkuan gjë. “Vetëm të dimë që nga vajza jonë që vdiq morën jetë të tjerë njerëz. S’ka gjë, Elefteria jonë do të jetojë nëpërmjet tyre”,- tha babai i vogëlushes përpara kamerave televizive.
Ngjarja e dytë ndodhi në Tavro, diku pranë Lahanagorasë. Po ditën e premte, 21 mars.
Një grek, pronar i një depoje zarzavatesh, pësoi një aksident automobilistik. Ishte ora 03.30 e mëngjesit. Një motorr kaloi rrugëm me shpejtësi të madhe dhe e përplasi përtokë, duke i shkaktuar trauma të rënda në të gjithë trupin. Për fatin e mirë të grekut, Kostës, aty pranë u ndodh punëtori i tij nga Bangladeshi, Gurmiti. I dha ndihmën e parë, thërriti ambulancën, e shoqëroi për në spital. Qëndroi tek koka e tij derisa i erdhën të afërmit. U largua për të ardhur përsëri pasdite që të mësonte për shëndetin e tij.
E, pra, Gurmiti, ishte punëtori, më falni për shprehjen, “bythëzi”, që Kostës i ndynte magazinën. Ishte punëtori “mavro” që shahej e ofendohej orë e çast nga pronari. Ishte emigranti që punonte dhe ensimat nuk i ngjiteshin. Por i paguante vetë, sepse duhet që të merrte dokumentat e qëndrimit në Greqi.
Nuk e di se çfarë tha Kosta kur u përmend dhe mësoi që ishte “bythëziu” që i shpëtoi jetën. Nuk e di çfarë tha kur mësoi se emigranti që shtypej e shfrytëzohej nga ai, nuk e braktisi, por e ndihmoi...
Jam i sigurtë se nuk është ndier mirë, bile, ka ulur sytë nga turpi, përpara fisnikërisë së emigrantit të zi...
Ashtu sikundër jam i bindur se Kosta do të mendohet mirë që këtej e tutje kur të shajë apo ofendojë ndonjë emigrant të huaj.
Ashtu sikundër do të mendohen mirë kur të shajnë apo vështrojnë me përçmim ciganët ata pacientë që morën organet e ciganes së vogël...
Pse i solla këto dy shembuj.
Për faktin e thjeshtë se në Ditën Botërore kundër Racizmit, nuk ka nevojë për fjalime bombastike, shifra e fakte. Ka më tepër nevojë për të tillë shembuj, kuptimplotë dhe nga jeta e përditshme.
Racizmi e ksenofobia më mirë luftohen nga ata që janë viktimat e racizmit e ksenofobisë.
Luftohen nga viktimat, shqiptarët, rusët, polakët, pakistanezët, indianët, filipinezët, ciganët.
Këta me shembullin e qëndrimin e tyre emancipojnë deri- diku shoqërinë...
Pastaj luftohen racizmi e ksenofobia nga autoritetet, teoricienët dhe antiracistët profesionistë...

Κυριακή 2 Μαρτίου 2008

Vagabond Dream...


Vagabond Dream...


Ardi Stefa

Si të lind dëshira të shkruash një libër? Çfarë është ajo gjë që të shtyn të konsumosh të gjithë energjinë e grumbulluar për të materializuar diçka?
Ishte njëra nga ato periudha të jetës sime kur isha krejtësisht i turbulluar e i ngatërruar. Jo vetëm nga jeta ndividuale, por edhe përsa i përket letërsisë. Brenda meje luftonin e ndesheshin njëmijë e një ide e projekte.
Shto këtu edhe mburrjet ndaj njëri- tjetrit nëpër netët e ftohta të konvikteve të Qytetit Studenti, duke konsumuar fërnet e konjak të keq e duke treguar ide e subjekte, të cilat aty për aty harroheshin dhe nuk shkruheshin asnjëherë.
Shkruaja në mënyrë paralele pesë subjekte dhe e kisha të pamundur të vendosja se çfarë doja të bëja në të vërtetë, përse doja të shkruaja, për çfarë...
Ikja nëpër dhoma të ndryshme në konviktet e Qytetit Studenti për të shkruar e argëtuar, por nuk përfundoja asgjëkundi...
Isha bosh, në të njëjën kohë që e ndieja se isha plot, se akumulimi i viteve të tëra ishte gati duke shpërthyer, mjaftonte të gjente hullinë e përshtatshme...
Një ditë, më saktë një natë dhjetori, u ktheva në Qytetin tim me autobusin e fundit, pa i thënë asgjë askujt. Nuk pata më asnjë dëshirë të kthehesha në shtëpi. Bëra një urim brenda vetes që të njhja diçka të re që të më ndryshonte jetën. Megjithatë vazhdova të ecja pa ndonjë dëshirë në rrugën e kthimit, ashtu sikundër bëja muajt e fundit, për të mos thënë vitet...
Ishte ditëlindja ime atë natë dhe vendosa të bëja një xhiro nëpër Qytet, një xhiro pa asnjë qëllim. Të vija vërdallë si një qen vagabond, si një ëndërr vagabonde dhe të mos nxirrja asnjë përfundim. Të mos kërkoja asgjë.
Kjo vërdallisje, përfundimisht përcaktoi dëshirën për të shkruar librin, subjektin, i cili ndryshoi e u copëtua në dhjetëra tregime e libra, për të qenë një libër i vetëm, i vërtetë...
Teksti që pason është i përgatitur nga disa prej atyre pamjeve të shpërndara, refleksioneve të copëtuara, mendimeve e ndjenjave që regjistrova në subkoshiencën time atë natë kur bëra atë xhiro të pafundme, e cila lindi “Qytetin në jug”. Disa nga pamjet e asaj nate të paharruar, të asaj nate, e cila çuditërisht kishte jetë, hynë brenda në libër, disa të tjera kanë ngelur jashtë për të pritur derisa të vijë radha e tyre...
Atë natë Qyteti shprehte në aparencë, atë ç’ka unë kisha brenda vetes..

***
Qielli ishte blu. I errët. Me këmbëngulje të çuditshme, shikoj një llampë të ndezur të një drite në rrugë, e cila ndriçonte zbehtë e më kujtonte një skenë nga “Në pritje të Godosë”. Nga një dritare dëgjohej “Ain’t No Sunshine”, e cila përziej me dhjetëra këngë diskoje, që buçisnin nga makinat që kalonin rrugës dhe që ashtu si unë silleshin vërdallë nëpër Qytet, por me qëllimin e vetëm që të konsumonin naftë e t’u binin vajzave në sy...

***
Qyteti ishte ende i mbushur me lajmërimet e varrimit të Safetit. Megjithëse varrimi i njeriut më të çuditshëm, më të vetmuar e më popullor të Qytetit tonë kishte mbi dy javë që ishte bërë. Askush nuk kishte marrë mundimin, apo guximin që t’i hiqte lajmërimet e vdekjes nga shtyllat dhe nga muret. As edhe punëtorët e Komunales që paguheshin për atë punë.
Safeti, ishte nga njerëzit më të çuditshëm të qytetit tonë. Ishte rritur jetim, në Jetimoren e Qytetit. Edhe emrin të tjerë ia kishin vënë, pa ditur mirë- mirë se të cilës fe ishin prindërit e vërtetë. Nuk kishte pasur kurrë familje, bile, thoshin se edhe prindërit e tij nuk ishin nga Qyteti ynë. Shumë hipoteza ishin hedhur për lindjen apo edhe prindërit e tij, por asnjëra nuk ishte vërtetuar. Bile, shumë banorë të qytetit, në çaste hakmarrëse, apo edhe grindjesh, akuzonin të tjerët se ishin prindërit që kishin braktisur Safetin në portën e Jetimores, pavarësisht se ata që akuzoheshin si prindërit e tij, ishin në një moshë, ose edhe më të vegjël se Safeti.
E, megjithatë, në varrimin e tij kishte marrë pjesë i gjithë qyteti, të mëdhenj e të vegjël. Sepse, Safeti ishte njeriu, që bashkë me kanaçet e grupeve që njerëzit të shikonin kanalet televizive të Italisë, e sillte Qytetin tonë aq pranë me Perëndimin. Nuk kishte shtëpi në qytet që të mos kishte diçka që Safeti, notari më i shkëlqyer, ndoshta në gjithë botën, të mos e kishte nxjerrë nga deti. Në bufetë e shtëpive tona gjeje kuti alumini, apo shishe plastike, që deti herë i nxirrte në breg, e herë Safeti i nxirrte nga thellësia, për t’jua dhuruar bujarisht cilitdo që ia kërkonte.
Për Safetin thuhej se mundet të shkonte me not nga bregu i Qytetit, deri përtej në Itali. Viheshin edhe baste, gjithmonë në favor të Safetit, por ai nuk e kishte tentuar kurrë një gjë të tillë, megjithëse edhe mundet që të fitonte...
Safeti ishte gjetur i vdekur një mëngjes të hirtë në breg të detit, i cili ishte shtëpia dhe familja e tij. Poshtë trupit të tij, ishte gjetur një shishe qelqi gjysmë e dyllosur me një letër brenda, në të cilën shkruhej: “Po më sheh ndonjë njeri?!...”
Edhe vdekja e tij e heshtur, jetime, ishte ashtu si gjithë jeta e tij. Dhe ajo i kishte tronditur të gjithë në Qytet.
Prej të gjithëve, mesazhi i padërguar i Safetit u komentua si klithma e tij, si shprehje e brengës së njeriut, i cili së bashku me kanaçet e grupeve lidhte Qytetin me botën jashtë. Si brenga dhe trishtimi i njeriut, që, megjithëse mundej të ikte prej Qytetit, asnjëherë nuk iku. Jo se nuk donte, por se dikush, diçka e mbante...
Atëherë njerëzit e kuptuan se Safeti kishte një botë të brendshme, të cilën asnjëherë nuk kishin dashur ta shikonin më thellë më gjerë. Ishin mjaftuar me kutitë e arançatave, Coca- Cola-t, me topat e çuditshëm me ngjyra e figura, me shishet e pijeve alkoolike të papara ndonjëherë, apo arkat plastike, që ai gjente në det.
Bile, një poet i ri, nga ata që përqafonin menjëherë e imitonin gjithçka lexonin e që donte të hiqej si bohem, frazën e mbyllur në shishe të Safetit e që ai nuk kishte mundur ta lëshonte në det për ta gjetur të tjerët si puna e tij në Perëndim, e komentoi si një akuzë ndaj Qytetit dhe banorëve të tij: “A më ka parë ndonjëherë ndonjë njeri?!... A më ka ndjerë me të vërtetë ndokush?!...”
Në varrimin e tij, siç ju thashë, shkoi i gjithë qyteti, banorëve të të cilit, tashmë nuk do të kishte kush t’u jepte sende për të zbukuruar bufetë. Megjithëse nuk ishte më nevoja. Në tregun e qytetit tani gjeje kuti alumini, shishe qelqi apo plastike me pije të jashtme freskuese, që vinin nga jashtë. Tashmë ato nuk i vinin më nëpër bufe. Duket se Safeti ndjeu heshtazi se misioni i tij kishte mbaruar, prandaj edhe vdiq.
Dhe, megjithatë, në varrimin e njeriut që bashkë me kanaçet e grupeve për të marrë kanalet televizive të Italisë, e kishte sjellë Qytetin tonë dhe njerëzit aq pranë me Perëndimin, kishin shkuar të gjithë, të shtyrë nga një brerje ndërgjegjeje...

***
Makinat ecnin me shpejtësi nëpër rrugët e zbrazura të Qytetit tim. Një autobus që sapo mbërriti nga një qytet tjetër kaloi pranë meje. Nëpër dritaret e autobusit fytyrat e përgjumura fshatarake të pasagjerëve shikonin si të hutuar dritat dhe rrugët e Qytetit. Te stacioni ku ndaloi, një vajzë e shëmtuar shikonte me këmbëngulje një djalë po aq të shëmtuar. Befasisht ajo kthehet në drejtim tjetër. Përtypte me nervozizëm një çamçakiz dhe pastaj po me kaq nervozizëm bëri një flluckë, e cila pëllciti me zhurmë.
Një grup misionarësh të ndonjë lloj feje, të veshur me kostume të njëjta, nga ata misionarë, të cilët ishin shfaqur befasisht e aq shumë në rrugët e qyteteve tona po hanin në një lokal që shiste qofte skare.
U përpoqa të gjeja se të çfarë feje ishin ata misionarë, por më kot. Nuk e kisha ditur ndonjëherë që në botë kishte pasur aq shumë fe e njerëz, që flisnin në emër të Krishtit apo Muhametit.
Përballë, disa fëmijë luanin me top dhe thirrjet e tyre dëgjoheshin deri larg sa herë që hynte ndonjë gol.
Tek Greva, Vironi i Dritës, po bënte stërvitjen e zakonshme. Hidhte monedha pas kurrizit dhe nga zhurma që ato bënin gjente se çfarë vlere kishin. Për vite të tëra e bënte atë lojë dhe gjithmonë fitonte, duke ua marrë monedhat atyre që haheshin në baste me të. Bile thuhej se Vironi i Dritës, jevgu më popullor i Qytetit tonë së bashku me Babaçe karroxhiun, dallonte jo vetëm zhurmën e lekëve, por edhe atë të kaçoleve. Por kohët e fundit, pas zhvlerësimit të lekut, kishin dalë në qarkullim monedha të reja, të cilat ai duhet duhet t’i njihte nga zhurma sa më shpejt...
Dyqanet ishin të mbyllura. U ktheva djathtas tek Xhamia. Një mesogrua brune, pas vitrinës së një lokali me ëmbëlsira e alkool në rrugën kryesore, blen disa kuleçë të vegjël të ëmbël. E ndjek nga pas. Ulet në një tryezë të lokalit, ndoshta të vetmit në gjithë atë rrugë që ishte hapur në atë orë. Një lokal, i cili nuk i shkonte asaj fare për shtat. Porosit një kafe të fortë turke, të mesme. Hap qesen dhe provon njërin prej kuleçëve të vegjël të ëmbël. Sheqeri pluhur bie mbi pallton e saj të zezë. Me një shkundje të lehtë të dorës e largon që të mos lerë njollë mbi pallton e ardhur nga jashtë shtetit. Nga çanta e madhe nxjerr një libër dhe fillon të lexojë nga atje ku e kishte lënë me një vëmendje e përqëndrim të madh diçka që unë nuk mundet ta shikoj.
Hyj në lokal, pasi po më gërryen kurreshtja. Po lexonte një libër për shpjegimin e ëndrrave. Siç duket ka parë diçka në gjumë dhe kërkon shpjegimin, apo është duke mësuar artin e shpjegimit të ëndrrave. Ndoshta është mediume profesioniste, nga ato që ishin shfaqur aq shumë kohët e fundit. Me bisht të syrit lexoj ato që edhe ajo lexon, duke thithur me mani cigaren.
Nëpërmjet tymit të cigares së saj, që krijon një shtjellë sipër kokës, lexoj: “Labirinthi: në rast se në ëndërr sheh një labirinth, kjo gjë do të thotë se ke një mungesë të madhe vetëbesimi, ke humbur dhe përpiqesh të dalësh jashtë, por nuk ia arrin. Ko do të thotë se në jetën tënde do të ndeshesh me shumë vështirësi dhe se do të mundohesh shumë për t’u shkëputur prej tyre”.
Të vështira gjërat! Fjala tjetër që pasonte në librin e shpjegimit të ëndrrave ishte kulaç. “Kulaç: Në rast se në ëndërr sheh se blen apo po ha kulaçë dhe ata janë shumë të mirë e të shijshëm, atëherë do të kesh shumë suskese në dashuri!...”
Kjo na qenka. Suksese në dashuri. Por në ëndërr kisha shumë kohë, vite të tëra që të shihja kuleçë, qoftë edhe bukë, apo prodhime të tjera brumore dhe sapo isha ndarë me të dashurën. Kështu që shpjegimi i fjalës në librin e ëndrrave duhet të ishte i gënjeshtërt. Por a ka ndonjë gjë që kur e sheh në ëndërr të kalon dhembja e një ndarjeje të befasishme dhe të papritur, dhembja e një ndarjeje, të cilën nuk e ke dashur?...
Për këtë doja ta pyesja gruan që lexnte librin. Ekziston? “Dashuria vetëm me dashuri kalon”,- më përgjigjet ajo me zë të ulët. Kisha menduar me zë të lartë, apo kishte kuptuar pyetjen time, sepse unë nuk i isha drejtuar me fjalë fare. Hëm... Më duket se e falenderova dhe dola nga lokali i menduar.
Në krah më kaloi pa më vënë re Theodhoriu, njëri nga poetët e panumërt të Qytetit tim. Ishte i zhytur në kundrimin e një stilolapsi teksa po ecte. Me Theodhoriun kishim një moshë dhe ai mburrej me prejardhjen e emrit të tij që e përkthente “Dhuratë e Zotit”. Theodhoriu ishte poet. Nuk ishte i patalentuar, por ishte i pasigurtë. Kur ishte adoleshent se nga i kishte ardhur në mendje ideja, apo e kishte lexuar diku, se lapsat, apo stilografët e shkrimtarëve kishin të ngërthyera subjektet e tyre të pashkruara ndonjëherë, apo edhe përfundimin e vepave të papërfunduara, apo të pafilluara. Ai besonte se në to gëllinin shpirtrat e munduar të zotëruesve të tyre të mëparshëm. Mjaftonte t’i cikje në letër dhe ata do të nxirrnin në dritë kryeveprat e shkrimtarëve të tjerë. Që nga ajo ditë Theodhoriu, kishte maninë të ndiqte të gjithë shkrimtarët e poetët që viztonin Qytetin tonë dhe t’u merrte mjetet e tyre të shkrimit, herë me hir, herë me pahir. U merrte stilolapsat, stilografët, lapsat, deri edhe makinat e shkrimit. Vite më vonë, filloi të merrte edhe stilolapsat e kompozitorëve, apo edhe penelat e piktorëve... Por të gjitha ato që Teodhoriu shkruante ishin anemike, dhe nuk ngjanin jo më me veprat e shkrimtarëve, të cilëve u kishte marrë stilografët, por as edhe me letërsinë e tij origjinale. Për këtë ai ia kishte vënë fajin stilografëve, por edhe mungesës së talentit të shkrimtarëve dhe shterpësisë së tyre krijuese, mediokritetit dhe shablloneve që ata e quanin letërsi...
Nga larg dëgjohet një këngë popullore e Qytetit tim. Përpiqem të gjej se nga vinte ajo këngë. Më së fundi e zbuloj. Vinte nga zyra e Varrimeve të Komunales. Dezhurni ishte ulur në karrige dhe kishte mbështetur kokën në tryezë dhe po flinte për shtatë palë qejfe. Nga radioja dëgjohej kënga e gëzueshme popullore, ndërkohë që nëpër zyrë ishin të shpërndara lajmërimet e vdekjeve dhe nekrologjitë me fotografitë e të ndjerëve. Njëri nga shakaxhinjtë e Qytetit tonë dikur kishte ngatërruar nekrologjitë dhe kishte shkruar të tjera, për kandidatët e ardhshëm të të marrit pasaportizimin e përhershëm në varreza. E kishin kuptuar dhe e kishin gjykuar në kinemanë e Qytetit. Pastaj, në vend të burgut e kishin mbyllur në Çmendinë. Ne talleshim me njëri– tjetrin sa herë binte fjala për të, pasi Burgu dhe Çmendina ishin në skajet e së njëjtës rrugë, distanca ishte e shkurtër...
Radioja vazhdonte të jepte këngë të gëzueshme, të cilat mbushnin zbrazëtinë e Zyrës së Varrimeve. Dezhurni vazhdonte të flinte në karrige duke gërrhitur me forcë. Përzierja e gërhitjeve të tij me këngën popullore dhe nekrologjitë ishte shumë e çuditshme. Kakofoni e vërtetë. I rashë xhamit me dorë për ta zgjuar. Ai u hodh përpjetë. “Të kishte zënë gjumi”,- i them. Ai më vështron me inat. Ndoshta nuk ka qejf për të çelur bisedë.
Do të zbres në qendër të Qytetit, duke kaluar nëpërmjet pallateve. Çdo pallat është një botë më vete. Dritat janë të fikura pothuajse në të gjitha dritaret e pallateve. Më erdhi në mend një histori që e thoshim dikur me tmerr dhe ironi njëherësh. Kur filluan të ndërtoheshin pallatet, sipas modelit kinez dhe, më parë, sipas atij sovjetik, dikush kishte dashur që ato të kishin mure prej xhami, pasi asgjë, qoftë edhe jeta private, nuk duhej të fshihej prej syrit të Partisë. Kjo gjë, megjithëse u kishte pëlqyer sekretarëve, ishte e pamundur të zbatohej praktikisht. Pastaj ishte arritur në përfundimin se meqë muret nuk do të mund të ishin prej xhami, atëherë dritaret nuk duhet të kishin perde të rënda, që të gjithë të ishin të ekspozuar...
Nata nga jugu ishte tepër e turbullt, e cigarisur nga dielli i ditës, e vyshkur nga një etje e vazhdueshme për diçka të bukur e të pastër.
Një vajzë me trup të dantelltë dhe xhins të zi më parakaloi me flokët e gjatë që i kishin fshehur fytyrën. E ndoqa pas, duke ngadalësuar hapin. Ecëm kështu dy blloqe pallatesh, por pastaj u turpërova e parakalova edhe unë dhe ndërrova trotuarin pa e parë.
Hëna sapo ishte fshehur pas një reje në formën e një perëndie të fuqishme të erës. Me të vërtetë që frynte shumë dhe toka herë pas here fshikullohej nga vijëza të lagështa...
Perëndia e jugut, u vetëshkatërrua në disa re të rreckosura në trajtë leckash. Dantella të bardha shkëlqenin tashmë në stolin ku qëndronte vajza, të cilën pak më parë e kisha parakaluar. Tani mundet të shikoja edhe sytë e saj të lyera dhe duke hyrë në vendin e saj, ndjeva të mbytesha nga lëmshi i krijuar në grykën e saj, pasi supet e vajzës troshiteshin nga dënesat. Nuk doja ta frikësoja dhe ndalova menjëherë. Dëgjova zërin tim të mbytur, të shuar e të lodhur t’i kërkonte falje.
“Falje për çfarë?”- u përgjigj ajo me zë të ngjirur, një zë që për dreq nuk shkonte aspak me dantellat që kishte veshur.
“Çfarë gjëje tjetër do më bësh dhe më kërkon përsëri falje?”,- vazhdoi ajo përsëri, duke fshirë me të dyja duart lotët nga faqet.
Nuk u befasova. Një tjetër e çmendur dhe e vetmuar si unë, mendova. Është edhe kjo natë me hënë dhe me erën e çmendur nga jugu, kur qyteti është zbrazur dhe ishujt notojnë diku deng.
Në qendër të Qytetit, bleva dy qofte me bukë dhe hodha vështrimin përreth. Bilardot dhe Bingot kishin njerëz. Në hyrjen e një pallati, dy ish- emigrantë, drogaxhinjtë e qytetit tonë, pinin cigare hashashi dhe qeshnin të lumtur, pa vënë re asgjë ç’ndodhte rreth tyre, d.m.th, asgjënë që ndodhte rreth tyre.
I zbrita një shkalle. Përballë meje u shfaq një dyqan, në muret e të cilit ishin varur portretet e disa këngëtarëve. Ishte një dyqan që shiste kaseta me këngë të huaja. Dyqani ishte ngritur mbi një bunker dhe pronari i saj ishte ai që kishte projektuar e ndërtuar bunkeret e Qytetit tim. Thuhej se ai e njihte Qytetin më mirë nga poshtë sesa nga rrugët lart. Njihte çdo bunker, në cilën lagje fillonte e në cilën lagje mbaronte. Njihte të gjitha tunelet ushtarake. Kisha përshtypjen, më saktë isha i bindur se po ta pyesja për ndonjë rrugë do të më vështronte si UFO. Ndoshta do të më përgjigjej me tunelin apo bunkerin që kalonte poshtë.
Hoqa sytë nga dyqani i tij dhe pashë përballë meje tabelën e ndriçuar të një hoteli: “La Mirage”. Pronari i hotelit, që në shumicën e rasteve strehonte refugjatë që niseshin me skafe për në Itali, ishte evgjit. La Mirage. E bukur, kjo. La Mirage do të thotë vizion, mirazh, vegim, iluzion. Të gjitha këto fjalë i shkojnë dhe plotësojnë njëra- tjetrën. Por kjo fjalë: “La Mirage”, është shumë e pranishme në Qytetin tim. E kanë edhe lokale apo hotele të tjera. Dikush kishte bërë dikur gabimin t’i vinte lokalit të tij këtë emër dhe pastaj të tjerët e kishin imituar. Dhe gabimi përhapej. Si virus kompjuteri, apo mikrob epidemie gripi. Më shkoi nëpër mend që këto mendime të miat t’i ndaja me recepsionistin e hotelit, por, me ta parë hoqa dorë nga ky plan ca si tepër ambicioz.
Tek Banjot publike të Qytetit pashë një hije që u largua me vjedhurazi. Siç duket ka shkruar ndonjë gjë në muret e saj, mendova. Banjot publike të Qytetit kishin kohë që funksiononin si gazeta lokale me të rejat më të fundit. Aty shkruhej çdo gjë: gjithçka ndodhte në qytet, që nga vargjet e poetëve të patalentuar, psherëtimat e të dashuruarve, etj, etj. Cili kishte bërë seks me cilën, tradhtitë e grave ndaj bashkëshortëve e anasjelltas, ata që ishin bërë dashnorë kohët e fundit, emra meshkujsh e femrash, zakonet e tyre seksuale, sa herë e bënin, si e bënin, qysh e tek, si edhe perversitete të tjera të këtij lloji. Fillimisht muret ku shkruheshin me qymyr këto lyheshin shpesh, por me kalimin e kohës, shtetarët hoqën dorë nga një gjë e tillë. E lanë banjon publike ashtu siç ishte të pistë dhe me dhjetëra shkrime mbi të, sepse shpresuan se njerëzit do të lodheshin së shkruari, do të lodheshin nga thashethemet dhe vreri që villnin, por edhe me shpresën se muret dikur do të mbusheshin dhe nuk do të kishte më vend për perversitete e ligësi tjetër. Ndoshta në një cep të trurit të tyre shtetarëve kjo situatë u interesonte...
Por për fatin e tyre të keq, muret nuk u mbushën ndonjëherë dhe njerëzit nuk u bënë më të mirë, e as vreri i tyre shteroi. Ata gjenin vazhdimisht vend për të shkruar të rejat, tradhtitë, banalitetet, psherëtimat dhe ahtete tyre për të tjerët.
Banjoja publike ishte nga vendet më të vizituara. Të gjithë shkonin atje dhe lexonin mbishkrimet për të marrë vesh çfarë ndodhte në familjet e tyre, pasi siç dihet, të zotët e punës e merrnin vesh një gjë gjithmonë të fundit...
Kthehem tek Kisha Katolike. Aty pranë ishte ndërtuar edhe një kinema, e cila shfaqte filma pornografikë. Kinemaja frekuentohej jo vetëm nga burrat e mëdhenj, por edhe nga djemtë e rinj, sidomos gjimnazistët, të cilët mësonin pozicionet që shikonin në filma dhe pastaj u mburreshin të tjerëve, më naivëve, se kishin pasur marrëdhënie seksuale me vajza. Arkëtari, ishte njëri nga njerëzit më të rëndësishëm të Qytetit, pasi, sikundër thoshin adoleshentët kishte parë aq shumë filma, sa dinte gjithçka rreth seksit. E qerasnin dhe e lajkatonin që t’i fuste në kinema, apo edhe i kërkonin mendimin për ndonjë problem që mund të kishin kur ia arrinin të zinin ndonjë dashnore. Arkëtari, pra, qëndronte brenda kabinës dhe shikonte i përqëndruar diçka në televizor. “Ndonjë film i ri pornografik, - mendoj.- Derisa ta mësojë përmendësh filmin, nuk ka për ta shfaqur”,- qesha me vete dhe u afrova. Nga televizori vinin tingujt e një melodie të këndshme. Arkëtari lëvizi me lëvizje balerini. Siç duket po shikonte ndonjë muzikal. Pothuajse i zhgënjyer që nuk po shikonte film të ri porgografk u largova nga kinemaja, e cila më ndiqte nga pas me një erë të rëndë sperme të prishur...
Hyra nëpër rrugica. Një njërën prej tyre, në rrugën që të çonte tek shkolla e artit, një prostitutë, lyente thonjtë e gishtërinjve me këmbën mbështetur mbi një parvaz. Pas pak, nga një makinë zbret një tjetër prostitutë, e cila më hedh një vështrim të shpejtë vjedhurazi. Një vështrim të turpëruar e të frikësuar. Kishim qenë dikur shokë në gjimnaz. Atëherë u kujtova. Prostituta e madhe ishte nëna e saj...
Pranë tyre, disa hapa më larg, një ushtar, po bënte pazar me njërin prej djemve të Qytetit, busulla seksuale e të cilëve ishte kthyer mbrapsht dhe tregonte seksin mashkull në preferencat e tyre seksuale. Pas pak, njëri nga ata i hodhi krahun në qafë ushtarit dhe u zhdukën prapa një pallati. Të tjerët ngelën në vend në pritje të ushtarëve të tjerë. Vështrimi që më hodhën ishte vështrimi i zakonshëm që u hidhnin klientëve të vetmuar të natës. Por unë isha i vetmuar dhe jo i uritur.
Pak më poshtë në një lokal, dy djem provojnë disa drita rrotulluese diskoje në tavan. Siç duket do të bëjnë ndonjë mbrëmje...
Heshtje...
Në dritaren e një pallati, shoh dritë dhe shpinën e një femre të shëndoshë, e cila përpiqet që të mbërthejë sutjenin e saj. Ndoshta përgatitet të shkojë në punë. Siç duket ka ardhur ora për të filluar turni i parë. Ndieva një farë embëlsie për atë grua të panjohur. Instiktivisht, sikur të kuptonte se po e shikoja, ajo u kthye nga unë. Më pa me vëmendje, pastaj buzëqeshi dhe u largua nga dritarja.

***
Çdo qytet është një galeri portretesh të ndryshme. Secili mbart enigmën e tij, por të gjithë ndajnë diçka të përbashkët. Kanë të gjithë të njëjtën nevojë. Të dashurojnë e të dasurohen. Shumica e tyre janë të pazotët të shprehen. Mbartin në heshjten tronditëse brenda tyre traumën e tyre të madhe ose të vogël. Përshkojnë në të njëjtat rrugë destinacione paralele, destinacione të vetmuara, të cilat herë kryqëzohen për të humbur përsëri e përsëri.
Jeta është po kaq e kuptimtë dhe po kaq e logjikshme sa është edhe një ëndërr.
Qielli është blu. I errët. Shikoj një dritë rruge me këmbëngulje. Përsëri si Godoja i Beketit, i mbështetur në shtyllën me dritën që mezi ndriçonte zbehtazi vetëm mua. Nga larg dëgjohet kënga e fortë e një makine që e ka gdhirë, ose sapo është zgjuar. Përpiqem të dëgjoj vargjet e këngës. Flasin për një përqafim që i mungon këngëtarit, apo autorit të tekstit, për disa vera apo pranvera që kanë ikur pa kthim nëpër yje. Këngë qaramane...
Befasisht drita e rrugës është shuar. Makina largohet me shpejtësi në rrugën e zbrazur. Në shtyllën ku sapo ishte shuar drita vazhdonte të ishte gjysmë i grisur lajmërimi i vdekjes së Safetit...
Kishte qenë nata më e çuditshme, më e gjatë, por edhe më e shkurtra e jetës sime... Ka gdhirë...