Τετάρτη 14 Αυγούστου 2013

Probleme të politikës apo të shoqërisë?


Probleme të politikës apo të shoqërisë?
 
Ardi Stefa

Njëra nga burimet e mitologjisë, brenda së cilës merr frymë dhe jeton ky vend është edhe bindja e përforcuar se Shqipëria është mitra e mendmit dhe e opinionit politik, dhe për këtë qytetarët e saj mendojnë politikisht, dinë nga politika dhe, natyrisht të gjitha problemet janë politike dhe duhet të përballohen dhe të zgjidhen me mënyra politike.

Akoma edhe më tepër, cilado zgjidhje politike përzgjidhet, ka për detyrë të jetë sferike dhe radikale, përndryshe nuk është zgjidhje dhe nuk duhet të ndërmerret e as të tentohet. Në këtë paradoks të fundit, në koordinim edhe me kundërshtimin e mohimin e realitetit dhe në kërkimin e gjetjen e disa pemëve të vetmuara brenda në pyll, mbështetet tradicionalisht ushtrimi i opozitës në vendin tonë. Pa thënë se kjo nënkupton se qeveritë dinin apo dinë domosdshmërisht se farë bënin apo çfarë bëjnë...

Radiografia apo për të parë se sa Shqipëria na mëson politikë dhe nëse populli i saj është më i politizuari i botës nuk na çon askund. Nënvizon megjithatë se pjesa më e madhe e klasës politike dhe e popullit (nga i cili vjen), politika është e barabartë me mikropolitikën dhe parapolitikën dhe pothuajse të gjitha ato që ndodhin janë rezultat i intrigave, ose shpjegohen nëpërmjet komploteve. Për këtë arsye, as mendimi politik i lartë, as politizimi i gjithçkaje, as edhe shpjegimet e interpretimet politike mbi gjithçka na shërbyen, duke gjykuar nga gjendja për ibret në të cilat gjendemi sot

Kështu që shtrohet pyetja se mos vallë mitologjia mbi një vend të pjekur politikisht na shërben si alibi për sjelljen që karakterizon shoqërinë shqiptare.

Nuk ka mënyrë të sigurtë dhe përgjithësisht të pranueshme të matjes së pjekurisë politike të një njeriu apo të një shoqërie. Sa e pjekur politikisht, megjithatë, mund të jetë një shoqëri me kulturën e evazionit fiskal, sikundër konstatohet vazhdimisht e vazhdimisht jo vetëm gjatë verës (kur vijnë refugjatët), por gjatë gjithë vitit? Si shpjegohet fakti që ende nuk është zgidhur e as ka ndërmend të zgjidhet ndonjëherë çështja e pronave, por 10 vetë zotërojnë treçerekun e Shqipërisë? Si shpjegohet politikisht fakti i qindra- mijëra nëpunësve shtetërorë që janë bërë milionerë (pa punuar dhe jo nëpërmjet pagës së tyre qesharake?). Cili është shpjegimi politik për korrupsionin në kulm, militantizmin dhe militarizimin partiak edhe në shtet? Për blerjen disa mijëra euro të një vendi pune në shtet? Cili është shpjegimi politik për ata mijëra nëpunës të paedukuar, arrogantë e defiçentë që kanë shkelur e masakruar me mënyra të ndryshme shtetin? Përse konstatohet një qëndresë kaq e fortë për t’u ruajtur një shtet i tillë, jo vlerash, por partiak? Një qëndresë kaq e fortë ndaj zbatimit të ligjit? Përse ka kaq dhunë politike dhe përse kaq parti politike investojnë në vazhdimin e kësaj situate?

Përgjigjet e zakonshme janë të ditura.

E ka fajin shteti, e ka fajin kriza, e kanë fajin politikanët, e kanë fajin të huajt, grekët e serbët, italianët e gjermanët, amerikanët e rusët dhe gjithçka tjetër veç nesh.

Por qytetarët e bëjnë shtetin dhe drejtësinë të funksionojë, politikanët zakonisht përshtaten në kërkesat dhe sjelljet e opinionit publik dhe fenomenet e mësipërme, së bashku me ato që ekzistonin edhe përpara krizës. Dhe as është e mundur që shteti të imponohet vazhdimisht me dhunë.

Atëherë, mos vallë, mos vallë, nuk janë gjithmonë çështje e probleme të politikës, por edhe të shoqërisë?...