Κυριακή 31 Ιανουαρίου 2010

Dielmat e rikthimit





Dielmat e rikthimit
Ardi Stefa
Përpara disa javësh, në miku im, i cili është lart në strukturat e një partie të madhe politike në Shqipëri, më bëri ftesën “zyrtare” që të rikthehesha edhe një herë në politikë. Natyrisht edhe në Shqipëri.
Ftesa pasohej nga disa elozhe për figurën time të pastër politike, idealizmin dhe idetë e vitit 1990, të cilat nuk i tradhtova. Natyrisht, që theksohej fakti që Shqipëria kishte nevojë për figura të pasta e të pakompromentuara, intelektualë e patriotë, të cilët do të çonin më tej imazhin dhe do të plotësonin prespektivën europiane të Shqipërisë. Mjaft që të rikthehesha...
Një rikthim, sipas asaj që më shkruante nënkuptonte një punë të mirë në Shqipëri, me perspektivën e një karriere të kënaqshme politike, si edhe premisat për të pasur edhe “pushtet ekonomik e social”...
Nuk e fsheh se ideja e rikthimit në Shqipëri ka kohë që më vërtitet në kokë, tashmë kur jemi në të dyzetat dhe perspektiva e jetës sonë në emigrim është e zymtë dhe jetesa kufizohet vetëm tek sigurimi i mirëqenies së përditshme.
Natyrisht që një rikthim në Shqipëri është joshës, sidomos kur shoqërohet nga garancira për pasuri, punë e pushtet...
E mendova për disa ditë, ndërkohë që mesazhet nga miku im “bashkëluftëtar” i “Dhjetorit e shkurtit 1990-‘91” vazhdonin.
Ndërkohë miq të tjerë më thoshin të kthehesha, shumë të tjerë më këshillonin të mos kthehesha, pasi do të humbisja shumë në karakter, personalitet e moral. Derisa më erdhi një e-mail nga shoku im më i ngushtë në Shqipëri, i cili me një postulat të Gandit më bindi plotësisht që të mos i rikthehem “politikës”.
Postulati i Gandit ishte: “Rrënjët e dhunës: “Pasuri pa punë. Dije pa karakter. Tregti pa moral. Shkencë pa humanizëm. Lavdi pa sakrifica. Politikë pa principe”.”
Ky postulat është ai që fare mirë përcakton e karakterizon jetën shqiptare, sociale, politike, ekonomike e kulturore, pavarësisht se Gandi nuk e shkruajti për ne.
Merrini dhe analizojini një për një pjesët e postulatit dhe do të kuptoni shumë më mirë politikën e sotme shqiptare. Një jetë politike agresive, një jetë shoqërore e dhunshme. Një mungesë absolute e dialogut ndërmjet forcave politike, vetë njerëzve, e shoqërisë në përgjithësi…
Solla ndër mend ato ç’ka shikoja gjatë qëndrimit tim të herëpashershëm në atdhe: Njerëz me fytyra e sy tragjikisht mediokre, bashkëkombës që nuk dinë më se çfarë kuptimi ka jeta e tyre në Shqipëri, njerëz që e kanë humbur tashmë shpresën, që dëgjojnë qysh kur lindën e përgjatë gjithë jetës së tyre të njëjtën gjë në trajta të ndryshme...
Dhe ti duke u endur si nëpër tym në këtë mëdyshje, ndien se nuk ke më asnjë lidhje me bashkëkombësit e tu...
Dhe pikërisht kjo gjendje ka sjellë mbizotërimin e pesimizmit politik e social, pesimizmit për të ardhmen, skepticizmit, pasigurisë në gjithë shoqërinë e jetën politike, sociale e ekonomike. Ngërçi aktual politik ka rritur pasigurinë; besueshmëria ndaj institucioneve të shtetit është zero; besueshmëria ndaj politikanëve vazhdon të jetë nën nivelin zero; efikasiteti i institucioneve të shtetit bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Politika konfliktuale shqiptare prodhon përditë pesimizëm. Një politikë që prodhon pesimizëm, fillimisht i ndrydh shpresat dhe nëse vazhdon gjatë, ajo vret jo pak prej tyre, derisa vret vetë demokracinë, pasi më parë ka vrarë ëndrrën për demokraci. Një politikë me shpresa të ndrydhura apo të vrara është një politikë që i vetëprodhon dhe i ruan dështimet e saj.
Dhe unë për asnjë çast nuk do të doja të isha pjesëtar aktiv i një politike të tillë. Ndoshta pozicioni im i tanishëm “Ex katedra” është komod, pasi është e lehtë që të flasësh e kritikosh duke qenë jashtë valles, por edhe ata që duket se janë brenda valles, janë vetëm brenda saj, duke e hedhur vallen ose për njërën forcë, ose për forcën tjetër politike, pa zgjedhur rrugën e mesme, e cila do t’i hapte derën dialogut.
...Dialogut politik e social. Dhe jo debatit banal e të marrëzishëm, me epitete, deklarata e antideklarata, që ushqejnë mungesën e shpresës e perspektivës, pesimizmin dhe dhunën...
Dikush ka thënë se shqiptarëve iu mjafton marrëzia e tyre për të plotësuar mungesën e dialogut, por kjo nuk është e vërtetë. Historikisht dialogu i shqiptarëve ishte e është i mbështetur në disa të vërteta të rreme. Shqiptarët mundet e kam bindjen se në kushte të tjera do të dinin të dialogonin e të merreshin vesh për të mirën e të ardhmen e tyre. Shembull janë ata qindra shqiptarë nëpër botë, që kanë bërë karrierë, shkencore, akademike, ekonomike, e politike në disa raste në mbarë botën, ku ndërtuan jetën e tyre...
Por këta, janë të “tepërt” për politikën aktuale shqiptare...


Σάββατο 2 Ιανουαρίου 2010

Në pamje të parë... dhuna!

Në pamje të parë... dhuna!

Mos u streso, jeta është e bukur, buzëqeshni, kështu duhet, pendohuni, “Ati ynë që je në qiell...”, pastërtia është gjysma e fisnikërisë, duhanin dëmton seriozisht shëndetin, ndalohet kthimi i menjëhershëm, një dhe një bëjnë dy, ndero babanë dhe nënën tënde, respekto më të moshuarit, mos u bëj të tjerëve atë që nuk duan të të bëjnë, mbipesha të shkurton jetën, kujdes si flet, është detyra jote, mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, gruaja plotësohet vetëm me lindjen e fëmijëve, mos tradhto bashkëshortin/en, drejtim i detyruar, telefono tani, madhësia e... nuk ka asnjë rëndësi, idetë e bukura janë idetë e mëdha, e përshtatshme për të gjithë, koha është mjekimi më i mirë, jetoje jetën tënde, nuk arrij, dhjami të bllokon arteriet, lirojuni të moshuarve vendin në autobus, përqindje stabël e kredisë, 80-65-80, historia na mëson, kur dëgjon “rregull”, mish njeriu vjen erë, molla nën mollë do të bjerë, ç’do të thonë të tjerët?, nuk mundem do të thotë nuk dua, i papërshtatshëm për moshat nën 18 vjeç, këtu i thonë Ballkan, ndalohet parkimi, një mollë në ditë doktorit i thotë: IK!, betohu, ferri janë të tjerët, qeni është miku më i mirë i njeriut, mos ëndërro gruan e tjetrit, duaj ata që ke pranë, edukatë e shëndoshë seksuale, fëmijët janë lumturi, mendoj pra ekzistoj, profilaktikët parandalojnë transmetimin e sëmundjeve seksuale, mos gjyko që të mos gjykohesh, kur të bien me shpullë kthehu dhe faqen tjetër, je filani dhe quhesh, heshtja është flori, destinacioni i njeriut është vazhdimësia e llojit, këshillohet konsumimi përpara datës..., profilaktikët parandalojnë shtatzaninë e padëshiruar në masën 97%, mësoje një zanat dhe le të mos të të hyjë në punë për momentin, impotent, homoseksual, secili meriton fatin që ka, e ke gabim dhe e ti e di, të parët fitojnë- të dytët janë gjithmonë të dytët, guximtarët fitojnë, asnjë gabim nuk pranohet pas largimit nga arka, koha është para, arti të nge moralin, kur do me të vërtetë diçka Universi komploton në favorin tënd, dhe meqë problemi më i madh i botës është se idiotët janë të mbushur me vetëbesim dhe gjenialët të mbushur me dyshime, vazon me lule që e sheh në të majtë të shkallëve kur ngjitesh, do ta shohësh në të djathtë kur të zbresësh.
Pak a shumë kështu jetuan ata mirë dhe ne më mirë...
Hajt, pra: Gëzuar!...

Copyright: A. Stefa