Δευτέρα 27 Οκτωβρίου 2008

Vetëvrasja e keqkuptuar!...


Vetëvrasja e keqkuptuar!...
Nga Ardi Stefa

Alber Kamy shkruante: “Ka vetëm një problem filozofik me të vërtetë serioz: vetëvrasja. Të tregosh nëse jeta ia vlen apo nuk ia vlen të jetohet do të thotë t’i përgjigjesh pyetjes themelore të filozofisë...
Galileu, i cili zotëronte një të vërtetë shkencore të rëndësishme, e mohoi me shumë lehtësi sapo iu vu jeta në rrezik. Nuk ia vlente të humbisje jetën në turrën e druve për këtë të vërtetë. Toka apo Dielli rrotullohet rreth njëri- tjetrit kjo është gjë pa interes. Nga aa tjetër kam vënë re se shumë njerëz i japin fund jetës, se pse mendojnë që nuk ia vlen të jetohet. Të tjerë paradoksalisht vriten për idetë apo iluzionet, të cilat i japin kuptim jetës së tyre (ajo gjë që quhet arsye për të jetuar, është njëkohësisht një arsye e shkëlqyer edhe për të vdekur!)”.

Vetëvrasja duhet rivendosur në podiumin që i përket, si në akt i mbushur me kuptim dhe vlera. Shpesh herë ata që vetëvriten, ndodh të të kenë rrokur kuptimin e jetës.
Të mësuar që të yshtim vetëvrasjen si një simptomë patologjie, ose të paktën e një çmendurie të çastit, apo mëkat të rëndë, që as Kisha nuk e pranon, kemi harruar të kaluarën e lavdishme që vetëvrasja ka nga mbas. Luftëtarët legjendarë, Samurai, po qe se çnderoheshin, kishin vetëvrasjen si zgjidhjen e vetme.
Ende më tej, vetëvrasja ka ekzistuar si vërtetim i “urtësisë” romantike, si moda mbarëeuropiane e vetëvrasjes që himnizoi Verteri, në romain postulat të Gëtes. Po qe se shtyhemi më këtej në kohë do të shohim se vetëvrasja bëri të famshëm shumë muzikantë e artistë, si Kurt Cobain, i cili bëri lëvizjen më të zgjuar të karrierës së tij, kur hodhi trutë në erë, duke siguruar, në këtë mënyrë në vend në Panteonin e yjeve të mallkuar të rrokut!
Edhe ata që janë përjetësisht romantikë e idealistë të pakorrigjueshëm, sikundër edhe të çmendurit që vrasin veten për të “përfituar”...
Së fundi, le të mos harrojmë edhe aktet terroriste, sulmet vetëvrasëse, të cilat, të paktën për ata që i kryejnë, janë akte të një frymëzimi hyjnor!
Duke jetuar tashmë në dy realitete, në atë shqiptar, por edhe në realitetin politik grek, jemi mësuar që të çnderohen, poshtërohen, tallen e satirizohen funksionarë të lartë të qeverisë (qeverive) pa konstatuar ndonjëherë se ata, për të cilët bëhet kaq shumë zhurmë e janë protagonistë skandalesh, as që e kanë vënë ndonjëherë ujin në zjarr.
Vetëvrasja, në kuadrin e turpërimit, as që ekziston tashmë në fjalorin politik, të jetës politike. As edhe akti më i thjeshtë i dorëheqjes për arsye morale, duket si një atavizëm i kohërave të tjera, ngjan tashmë si një akt kalorësiak i epokave të kaluara, ngjan si një akt kalorësiak i idealistëve të pakorrigjueshëm.
Shumica e politikanëve shqiptarë apo edhe e atyre grekë (pasi në Greqi kam më tepër se një dekadë që jetoj), nuk kanë asnjë lloj problemi që të bëhen rezil ditë e natë, ndërkohë që në të njëjtën kohë kërkojnë me këmbëngulje respektin dhe votën tonë!
Nuk mbaj mend ndonjë politikan nga të gjithë ata që janë kritikuar e janë zbuluar skandale, me vetë ata protagonistë, që të kenë treguar më të voglën shenjë pendimi, qoftë edhe simbolik.
Kështu që, nën prizmin e pacipërisë që mbizotëron në jetën politike e sociale, shembulli i samurajëve që vetëvriten do të duket si shembull për t’u imituar nga politikanët e pacipë e të korruptuar. Më e pakta që do të vërtetonin ishte se ata njerëz kanë të paktën një farë dinjiteti, qoftë edhe kur ajo rezulton nga trysni të mëdha dhe shantazhe.
Jam shumë i sigurtë se ka shumë qeveritarë e funksionarë të lartë shtetërorë që janë të implikuar në çështje kaq të ndyra sa Gërdeci, Firmat Piramidale, çështja Fazlliç e gjithë derivatet e saj...
Gjithashtu është më se e sigurtë që të gjithë ata persona kërcënohen në mënyrë të pamëshirshme nga klanet korruptive me të cilat bëjnë punët e ndyra.
Sikundër është më se e sigurtë se kabinetet qeveritare janë të mbushura me raste skandaloze korrupsioni e krimi, imoraliteti e hollësirash gudulisëse, të cilat mbajnë peng qeveritarët e piramidës shtetërore. Që këta të fundit të mos i shkojnë kundër kryeministrit, apo klanit të tij të korruptuar.
Ndaj edhe zgjidhen ministra pa asnjë lloj biografie, pa asnjë lloj personaliteti, që e shohin Njëshin si kult, si idhull, si njeriun, të cilit i dedikojnë gjithçka.
Dhe megjithëse mbahen peng, askujt nuk i ka shkuar nëpër mend vetëvrasja...
Sepse në parim mund të thuhet se për një njeri të ndershëm, ato që i beson si të vërteta duhet të përligjin veprimet e tij
Ajo, pra, që duhet të na shqetësojë më tepër nuk janë tentativat e vetëvrasjes. Apo vetëvrasjet. Ajo që duhet të na shqetësojë është tentativat e vetëvrasjeve, të cilat duhet të ishin bërë këtu e shumë kohë më parë dhe që as që do të bëhen ndonjëherë.
Secila nga ato tentativa të parealizuara të vetëvrasjeve ka fytyrën e ndonjë politikani, i cili ose nuk ka cipë në faqe, ose u mësua që të notojë për bukuri në llumin që rrethon pushtetin, pa u shqetësuar aspak nga era e ndyrë.
Këta janë më të rrezikshëm se të gjithë ata që janë “vetëvrarë” fizikisht, pasi këta nuk do t’i mësojmë kurrë...

Κυριακή 12 Οκτωβρίου 2008

Fytyra tjetër e tradhtisë...

Fytyra tjetër e tradhtisë...
“Ungjilli i JUDËS” zbulohet dhe transkriptohet pas 17 shekujsh
Përgatiti: A. Stefa
National Geographic, ka publikuar të plotë, të përkthyer e të komentuar një zbulim me të vërtetë mahnitës, i cili i jep gjithë fesë kristiane, ashtu sç e njohim deri më sot, një dimension tjetër, të ndryshëm. Një dimension, i cili ashtu si roli i Maria Magdalenës (sikundër është trajtuar në Kodin e Da Vinçit) pritet që të ngjallë reagime e revolta të fuqishme në qarqet kishtare. Reagimet do të jenë kryesisht me figurën e Judës, tradhtinë dhe mallkimin e tij të përjetshëm shekullor. Megjithatë, Vatikani, në një përpjekje për të rivendosur lidhje me hebrejtë, në janar të këtij viti, u përpoq që të jepte shenjën e rishikimit të figurës më të keqkuptuar e të urryer në historinë e njerëzimit, atë të figurës së Judës. Vatikani u përpoq në një përpjekje “tolerance”, t’i paraprinte Ungjillit të Judës, duke thënë për herë të parë zyrtarisht se Juda, veproi në “Emër të Zotit”... Koincidencë, apo Kisha zyrtare di diçka që njerëzimi nuk e di dhe ndoshta kurrë nuk do ta dijë?...


Ishte Juda Iskarioti tradhtar?
A mundet që të pranojë dyshime, mendimi zyrtar fetar për ato ç’ka ndodhë në ditët e fundit të jetës tokësore të Jezu Krishtit.
Një dokument i rrallë e mahnitës ka dalë në dritë për të na dhënë variantin e vet dhe të gjykohet nga historianët modernë.
Me ndihmën e teknologjisë më të përparuar dhe me një durim të jashtëzakonshëm “Ungjilli i Judës” paraqite përpara njerëzimit si një dokument unik...


Rindërtimi i një pazli antik...
Ungjilli i Judës, kopja e vetme e njohur deri më sot, e cila për 17 shekuj ishte e humbur dhe e varrosur në një shkretëtirë egjiptiane, më së fundi i paraqitet njerëzimit, i përkthyer dhe i komentuar nga shkencëtarë e teologë të famshëm për llogari të National Geographic Society. Përpjekja për transkriptimin e Ungjillit të Judës ishte shumëvjeçare, e mundimshme dhe për të është përdorur teknologjia më e njohur dhe më e zhvilluar e botës.
Ungjilli i Judës ka qenë shkruar në gjuhën koptike, dhe me karaktere greke të gërmave. Duhet theksuar qysh në fillim se Juda ishte njëri nga dishepujt e Krishtit, dhe fillimisht kishte një rol të rëndësishëm në Kishën Parakristiane.
Në kundërshtim me Dhjatën e Vjetër të Shpallur, e cila e paraqet Judën si atë që tradhtoi Krishtin për 30 pjastrat, kodi i vjetër i zbuluar dhe i përkthyer i jep një dimension tjetër, një variant tjetër, sipas të cilës Iskarioti e dorëzoi Mësuesin e tij jo për 30 pjastrat, por me urdhër të vetë Zotit dhe si një hap të domosdoshëm për shpëtimin e njerëzimit
Ky Ungjill, thuhet në revistën shkencore, reflekton një trajtë tjetër të kristianizmit, të ndikuar nga njohja (gnosticizmi) dhe është karakterizuar si heretike nga Etërit e Senjtë të fillimeve të fesë kristiane.


Ungjilli i Judës, zbulimi
Ungjilli i Judës është zbuluar rastësisht në shkretëtirën egjiptiane El Minia, nga fshatarë, të cilët flisnin për një papirus tepër të lashtë. Ai u zbuluanë dekadën e viteve ’70, por më pas u zhduk nga qarkullimi dhe ngeli i mbyllur në sirtarët e tregtarëve të artit për rreth 16 vjet. Tre dekada më pas ai ka mbërritur në duart e një kleriku, profesori dhe specialisti të gjuhës koptike, zviceranit, Rodolfo Kaser, i cili u mor përvite të tëra me transkriptimin dhe studimin e papirusit.
Teksti i Ungjillit të Judës është shkruar në shekullin e tretë ose të katërt të erës sonë në gjuhën koptike, gjuhë e cila shkruhet me alfabetin grek dhe flitej në Egjipt në epokën parakristiane. Besohet se ky papirus i gjetur është kopje e Ungjillit origjinal, i cili është shkruar në greqisht në fillimet e Erës sonë.
Ungjilli, i cili përbëhet nga 31 faqe, i kronologuar, i identifikuar dhe i përkthyer fillon me fjalët: “Rrëfimi i fshehtë i apokalipsit që u tregoi Jezusi në bisedë me Juda Iskariotin...”.
Ky tekst vjen në kundërshtim me Ungjijtë e njohur e të pranuar nga Kisha, me Ungjistë sipas Mateut, Markut, Lukait dhe Joanit, pasi në Ungjillin e zbuluar kohët e fundit, Juda Iskarioti paraqitet si nxënësi më i mirë i Jezusit dhe të vetmin që i kuptonte drejt mësimet e Krishtit.
Gnostikët besonin në një burim absolut të së mirës, të cilën e konceptonin se syrin e Zotit, jashtë e përtej natyrës fizike. Të gjithë njerëzit kanë brenda vetes shkëndijën e forcës hyjnore, por janë të shkëputur prej saj, për shkak të botës materiale e cila i vesh e i rrethon, një botë të papërkryer, e cila shikohej ashtu nga gnosticistët.
Paragrafi më i rëndësishëm i ngjillit të shumëdiskutuar të Judës, është ai, kur Jezu Krishti i thotë dishepullit të tij, Judëa: “Ti do të flijosh njeriun që më vesh!...”.
Me fjalë të tjera, Juda, duke lehtësuar vdekjen e Jezu Krishtit, e ndihmon të çlirohet nga mishi dhe materia dhe e ndihmon të çlirojë shkëndijën e vet hyjnore. Fakti që Krishti i ngarkon këtë detyrë Judës, është një provë se sa e çmonte ai atë...

Peripecia e një papirusi
Të gjithë e njohin historinë e shokut të ngushtë të Jezu Krishtit, njërit prej 12 dishepujve e nxënësve të tij, i cili e tradhtoi Profetin për 30 pjastra. Më pas, në gjendje çmendurie, Juda Iskarioti, vari veten. Qysh atëherë konsiderohet si simboli absolut i tradhtisë. Bile, në kinematografi Juda është paraqitur shpesh herë si Engjëlli i 13-të, Engjëlli i Errët, me fjalë të tjera Djali ose Satanai...
Kjo pamje stereotipe e Judës u krijua e u ushqye mbi një numër shumë të madh synimesh e qëllimesh.
Ndërkohë që kristianizmi po largohej gjithnjë e më shumë nga stacioni fillestar i fesë judee, teoricienë kristianë filluan të akuzojnë popullin jude si shkaktar për kapje dhe kryqëzimin e Jezisit dhe filluan t’i veshin Juda Iskariotit si judeun më negativ së bashku me priftërinjë e lartë judej. Nuk është e rastit që të katër Ungjijtë e njohur e të pranuar nga Kisha zyrtare, për shembull e trajtojnë me mëshirë pushtetarin romak, Ponc Pilatin, por dënojnë shumë ashpër Judën dhe klerikët e Judejve.
Por “Rrëfimi i fshehtë” paraqet një Judë krejt të ndryshëm nga sa jemi mësuar deri më sot të njohim. Në këtë variant Juda është hero. Në antitezë me dishepujt e tjerë, ai i kupton në thellësi mësimet e Krishtit. Duke e tradhtuar Jezusin, ai zbaton mësimet e Zotit, duke qenë krejtësisht i ndrgjegjshëm për pasojat e mëtejshme. Jezu Krishti e paralajmëron në kohën që Juda me puthjen e tij e dorëzoi tek ndjekësit e tij: “Do të anatemohesh, do të mallkohesh përjetësisht”!
Kjo frazë e Krishtit, shumë thjesht mundet të zgjojë dyshimet për një mashtrim të sofistikuar në lidhje me Ungjillin e Judës, por deri më tani gjithçka vërteton vjetërsinë e papirusit. NGS, e cila ishte bashkëfinancuese e përpjekjeve për përkthimin e transkriptimin, i ngarkoi një laboratori shumë të njohur e serioz maniakture të Universitetit të Arizonës detyrën për zbulimin dhe kronologjinë e papirusit. Me mjetet më të avancuara që disponon shkenca u analizua dhe u stëranalizua Ungjilli i Judës. Analizat e pesë kampionëve të marrë nga papirusi në fjalë, por edhe nga lidhja prej lëkure e faqeve përcaktohet të jetë shkruar aty rreth viteve 220 dhe 340 të erës sonë. Boja e shkrimit ngjan të jetë produkt i një recete tepër të lashtë- një përzierje me dy bojëra: një me kripëra hekuri dhe tanine, ndërsa tjetra nga etal. Gjithashtu specialistët në gramatikën koptike thonë se në rast se do të vlerësonin tekstin përsa i përket ndërtimit sintaksor dhe frazeologjisë, bëhet fjalë për një përthim të Ungjillit nga gjuha greke, gjuha, në të cilën ishin të shkruara fillimisht shumica e testeve kristianenë shekujt 1 dhe 2 të erës sonë.
Por një vërtetim tjetër në lidhje me ekzistencën e këtij Ungjlli vjen nga e shkuara e largët. Rreth vitit 180 të Erës sonë, Irineu, Peshkopi i Lugdunit (Lioni i sotëm) shkruajti një tekst tepër të gjatë me titul “Kundër sekteve” bëhet fjalë për një akuzë tepër të ashpër kundër të gjithëve atyre, mendimet e të cilëve për Krishtin dhe mësimet e tij, ndryshonin nga ato të Kishës zyrtare Kristiane. Ndërmjet tyre ishte edhe një sekt, i cili nderonte Judën, “tradhtarin”, dhe që kishte ngjizur një “rrëfim të gënjeshtërt”, “e cila “kishte trajtën e “Ungjillit të Judës”...”.

Kush e shkruajti “Ungjillin e Judës” dhe çfarë njihnim për të?
Studiuesit kishin dijeni për ekzistencën e “Ungjillit të Judës” nga njohja dhe studimi i shumë teksteve të tjera të vjetra. Përmendja e parë më e vjetër e njohur në lidhje me “Ungjillin e Judës” ishte bërë nga Irineu, peshkopi i Lugdunit (Lioni i sotëm) në vitin 180 të erës sonë. Gjithsesi, kodi që përmban “Ungjillin e Judës”, është zbuluarnë dekadën e viteve ’70-të në Egjipt, ndërsa përkthimi dhe transkriptimi i tekstit u krye nga një grup i specializuar me në krye Rodolf Kaser. Përkthimi filloi në vitin 2001 dhe përfundoi muajt e fundit.
Shkruesi i Ungjillit të Judës vazhdon të ngelet i panjohur. Origjinali, teksti origjinal i Ungjillit të Judës, në të cilin u bazua përkthimi në gjuhën koptike u shkruajt pothuajse në të njëjtën kohë me epokën kur u shkruajtën katër Ungjijtë zyrtarë dhe në vitin 180, nga një grup kristianësh gnosticistë.
Rreth shekullit të 2-të të erës sonë, grupe të ndryshme kristianësh shkruajtën tekste të ndryshme për të paraqitur e themeluar pikëpamjet, zakonet e konceptimet e tyre. Atëherë u shfaqën Ungjij të ndryshëm, shumë prej të cilëve ishin shkruan në emër të Apostujve (sipas X apo Y Apostulli). Këto tekste të gënjeshtërta trajtoheshin si të shenjta nga secili grup, apo sekt kristian, megjithëse shumica e tyre u konsiderua dhe u trajtua si “heretike” dhe më pas u ndaluan krejtësisht nga Kisha e Parë Kristiane...

Kronologjia e zbulimit të “Ungjillit të Judës”
Dekada e viteve ’70-të
Fshatarë egjiptianë zbulojnë rastësisht një papirus të vjetër, i cili përmbante edhe Ungjillin e Judës, pranë shkretëtirës El Minio të Egjiptit.
1978
Kodi, papirusi i shitet një tregtari egjiptian antikash në Kajro.
Maj 1983
Tregtari egjiptian i antikave përpiqet që ta shesë kodin një grupi shkencëtarësh e studiuesish amerikanë, në dhomën e një hoteli në Zvicër. Çmimi që u kërkohet është jashtëzakonisht i lartë.
Shkurt/mars 1984
Tregtari egjiptian i antikave përpiqet që ta shesë kodin në Nju Jork, por përsëri dështon. E vendos një kasafortën e një banke në Hikshvil të Njujorku, ku edhe papirusi do të qëndrojë mbyllur për 16 vjet.
Prill 2000
Tregtarja e sendeve antike Frida Nushberger-Çakos, me qendër në Zyri, e blen më së fundi papirusin nga homologu i saj egjiptian.
Prill 2000
Biblioteka e Librave të Rrallë dhe Dorëshkrimeve Bainiki i Universitetit të Geil vërteton se Kodi i papirusit pëmban Ungjillin e Judës, por vendos që të mos ta blejë.
Shtator 2000
Frida Nushberger-Çakos tenton ta shesë papirusin tek Brus Ferini, tregtar i njohr antikashnë Ohajo.
Shkurt 2001
Tentativat për shitjen e papirusit nuk përfundojnë. Çakos e rimerr në pronësi papirusin dhe e transferon në Maecenas Foundation for Ancien Art në Zvicër.
Korrik 2001
Presdenti i Maecenas Foundation for Ancien Art, Mario Roberti i ngarkon specialistit të gjuhës koptike Rodolf Kaser drejtimin e një grupi të specializuar përpjekjen për transkriptimin e papirusit dhe të Ungjillit të Judës. Në të njëjtën kohë bëhen përpjekje për ruajtjen e papirusit dhe mbajtjen e tij në gjendje të mirë.
Gusht 2004
Qeveria egjiptiane pranon dhurimin e papirusit me Ungjillin e Judës, për në Muzeun Koptik të Kajros. Kodi do të shkojë në Karo pasi të ekspozohet më parë përpara publikut.
Janar 2005
Radiokronologjia e papirusit dhe i lëkurës lidhëse të faqeve nga Universiteti i Arizonës, vërtetojnë vjetërsinë dhe kronologjia e shkrimit të tij përcaktohet ndërmjet viteve 220 dhe 340 të erës sonë.
Janar 2006
Analiza e bojës së shkrimit nga McCrone Associates Inc., në Çikago, vërteton se boja kishte përbërës të njëjtë me ata që përdoreshin për t’u shkruar në shekujt 3 dhe 4 të erës sonë.
Shkurt 2006
Analizat e tjera më të sofistikuara me metodën MSI, e cila vërteton vjetërsinë e papiruseve, dëshmon për vjetërsinë e këtij dokumenti të rëndësishëm. Kryesonte studimin shkencëtari Xhin Wer, i cili arrin në përfundimin se shkrimi dhe ky kod janë tepër antike dhe kronologjinë e tij e vendos në shekujt 3 dhe 4 të erës sonë.
Shkurt 2006
Një gjysmë faqeje, e cila mungonte nga “Ungjilli” zbulohet në Nju Jork, fotografohet, rishkruhet, transkriptohet dhe përkthehet.
Prill 2006
Faqe të përkthyera nga kodi i famshëm, i quajtur Ungjilli i Judës paraqiten për herë të parë publikishtt në zyrat e National Geographic Society në Uashington.


Kush e kryqëzoi, në fakt, Jezu Krishtin?
Ndërkohë që për fenë kristiane, si atë Ortodkse ashtu edhe atë Katolike, apo edhe të gjitha dogmat e tjera, çështja konsiderohet e mbyllur, sipas asaj që ka paraqitur nëpër shekuj feja zyrtare, dyshimet në lidhje me vërtetësinë e shumë ngjarjeve të asaj kohe vazhdojnë të vërtiten në mendjet e shkencëtarëve dhe skeptikëve të ndryshëm.
Për fenë kristiane është fakt i pamohueshëm që Krishti u tradhtua me një puthje nga Juda Iskarioti dhe u kryqëzua. Për fenë zyrtare po aq fajtor sa romakët janë edhe judejtë, të cilët u dënuan që kurrë të mos gjenin qetësi, të mos kishin atdhe e të rrënjoseshin në trojet e tyre.
Por për rabinët e fesë hebraike, gjithmonë ka ekzistuar dyshimi i vërtetësisë së tradhtisë. “Feja judee, duke respektuar gjithmonë fenë kristiane, kërkon vazhdimisht se çfarë ka ndodhur në atë epokë, thotë përfaqësuesi i hebrejve të Athinës, rabini Mizan,- Sipas Talmudh, për ne, -thotë ai,- nuk ekziston dënimi me vdekje. Jetën ta ofron Zoti dhe askush nuk ka të drejtë që të ta marrë. Asnjëherë në historinë tonë nuk kemi gjykuar ditën e Premte, pasi fillojnë festimet e së Shtunës. Për këtë arsye ne vëmë në dyshim vendimin e ekzekutimit. Në atë epokë, dënimi maksimal i hebrejve ishte gjuajtja me gurë (Kujtoni dënimin që ata i dhanë Maria Magdalenës, e cila u shpëtua nga Krishti-a.s). Kryqëzimi ishte dënimi me vdekje që jepte pushtuesi romak. Duket të dinë të gjithë se asnjëherë gjykatë judee nuk u mblodh ditën e premte për të gjykuar ndonjë njeri, pasi kjo gjë ndalohet nga feja. Dhe në Talmudh, thuhet qartë se në rast se do të mblidhet për të gjykuar një gjykatë ditën e premte, ajo është gjykatë vrasësish...”

Κυριακή 5 Οκτωβρίου 2008

Të hënat e Qytetit tim

Ardi Stefa
Banorët e Qytetit tim gjithmonë kishin përshtypjen se ditët e javës ishin të pandryshueshme. Më saktë, se java përbëhej nga veç një ditë. Edhe kur ishte në fillim, edhe kur ishte në fund të javës përshtypja përforcohej gjithnjë e më shumë për pandryshueshmërinë e ditëve nga monotonia e jetës, nga palëvizshmëria e ngjarjeve. Vetëm unë dhe njëri me mendjen e llokoçitur shpresonim se java gjithmonë përfundonte dhe fillonte java e re nga e hëna.
Ç’mund të jetë tjetër veç të hënës, kur çdo gjë duket se do të fillojë nga e para? Madje, si gjithmonë në çdo fillim jave, vendosja që të harroja çdo gjë që kisha bërë në të kaluarën, çdo kujtim, çdo episod.
Doja që në kujtesën time të kishte vend për çdo gjë që do të ndodhte që nga ajo ditë e tutje. Çdo të hënë ndieja një lloj gëzimi të brendshëm që më bën të ndihem më i lehtë, më i lëvizshëm; shenjë e padiskutueshme se diçka po fillonte të ndryshojë në jetën e këtij Qyteti sa të bukur aq edhe të mërzitshëm.
Por gjithmonë spikeria e radios deklamonte me zërin e ëmbël të trembur: “Ju kujtojmë dëgjuesve se me gjithë dëshirën tonë të mirë, sot nuk është e hënë”.
Dhe unë e një tjetër me mendjen e llokoçitur pyesnim: Vërtet ju duket si dje? Nuk ndieni diçka më të gëzueshme në atmosferën e tij? Vështroni! Nuk ju pëlqen mospërfillja e tij? Nuk ju pëlqen që gjithë këta njerëz nuk dinë asgjë për njëri- tjetrin? Nuk ju pëlqen të ndiheni i vetëm në mesin e një turme kaq të madhe? JO?! Mbase vërtet nuk ka ndonjë gjë të gëzueshme në të gjitha këto, ndonjë gjë të re…
Tani, madje, më duket se dielli ndriçon veçmas për secilin këtu. Madje më duket se secili shikon diellin e tij, pa ditur, ose pa e pranuar se ai është i të gjithëve. Secili mendon se po ndien një kënaqësi që tjetri s’mund ta ndiejë. Secili është i vetëm pa guxuar t’ia thotë këtë shokut pranë. Dhe të gjithë të vetmuarit formojnë këtë turmë të madhe, në gjirin e së cilës gëzon ti. “Këta nuk e dinë se është e hënë sot”,- them me vete. Pasditja përsërit mëngjesin me përpikmëri kompjuterike. Ah, jo. Një gabim i vogël. Dielli ka ngatërruar rolin e tij. Në vend që të lindë po perëndon gabimisht.
Askush s’e vë re këtë gabim të përditshëm. Madje, ata që e shikojnë, domethënë të gjithë, janë të mendimit se janë ata që kanë imazhin e gabuar të një perëndimi, ndërkohë që të gjithë të tjerët po shijojnë një lindje të praruar. Edhe vetë errësira, që mbulon gjithçka, është thjesht një imazh i çndonjërit që është aty, që, i bindur për atë çfarë shikojnë të tjerët, e ndien veten një njeri të veçantë. Vetë ti e ke ndier që në ditën kur linde, që je i veçantë. Kam përshtypjen se që të gjithë në Qytet e ndiejnë veten të veçantë. E ç’mund të bësh në një vend ku të gjithë e ndiejnë veten të veçantë? Dhe, dalngadalë vetmia e çdonjërit kthehet në mani. Një mani e egër për të qëndruar larg turmës. Atëherë, ç’mund të mbetet nga turma? Asgjë. Asgjë. Vetëm imazhi i shumë njerëzve, që rastësisht mblidhen në një vend dhe, kur ta marrin vesh, do nxitojnë të shpërndahen. Ka pasur të drejtë spikeria! Ka pasur të drejtë spikeria! Sot nuk ka qenë e hënë… Asgjë nuk ka ndryshuar e as nuk ka filluar...
Dhe, vazhdimisht, nga radioja, në vend të këngëve, dëgjohet një zë i ëmbël vajze që lexon e trembur : “Njoftojmë dëgjuesit, që me gjithë dëshirën tonë të mirë, sot nuk është e hënë…”

BIRTH


Ardi Stefa

Thuhej se në Qytetin tonë, në fillimet fare, atje ku e kishte legjendën e zanafillës, të gjithë banorët ishin të lumtur e jetonin në harmoni të plotë. Të gjithë bënin çfarë t’u donte qejfi dhe ishin shumë të kënaqur, përveç kryetarit të Qytetit, i cili ishte njeriu më i palumtur e më fatkeq, pasi, megjithë, postin e detyrën e tij, nuk kishte se çfarë të bënte, nuk kishte çfarë të qeveriste.
Burgu ishte bosh, gjykata nuk punonte kurrë, sepse nuk kishte krime, noterët vrisnin miza gjithë ditën e ditës, pasi askush nuk shkonte tek ata që të noterizonte pronat, borxhet, vendimet...
Fjala e dhënë dhe shtrëngimi i dorës kishin më tepër vlerë. Besa ishte në gjithë madhështinë e vet...
Kryetari i Qytetit vriste mendjen se si të punonte e të ushtronte pushtetin që i kishin dhënë ligjet dhe banorët me votën e tyre.
“Këtu mungon pushteti”, konkludoi ai dhe filloi të përpiqej me çdo kusht që t’i bënte bashkëqytetarët e tij që ta dëgjonin, t’u bindeshin ligjeve absurde që ishin krijuar prej qeverisë. Por askush nuk i kushtonte rëndësi.
Kalonin ditët e muajt derisa një ditë kryetarit i erdhi në mend një ide e ndritur.
Solli nga qytete të tjera punëtorë krahu dhe në sheshin qendror të qytetit mbuloi një pjesë me llamarina, brenda së cilës punonin ditë e natë punëtorët ardhacakë. Për rreth një javë dëgjoheshin zhurma e goditje çekanësh, sharrash që sharronin, lopatash që gërmonin, bërtitje nga përgjegjësit, urdhëra...
Një ditë prej ditësh, kryetari thërriti të gjithë banorët e Qytetit të merrnin pjesë në inaugurimin e veprës së ndërtuar në qendër të Qytetit. Të gjithë prisnin me ankth se çfarë do të zbulohej nga poshtë mëndafshit dhe, kur mbulesa u hoq të gjithë ngelën me gojën hapur.
Vepra e ndërtuar me aq sekret dhe e inauguruar me aq pompozitet nuk ishte gjë tjetër veçse një trekëmbësh me një litar që varej!... Edhe sapuni, me të cilin kishin lyer litarin dukej e shkëlqente që larg. Trekëmbëshi pas pak kohësh u kthye në monument e simbol të Qytetit.
Që nga ajo ditë, të gjithë ata që kalonin nga sheshi qendror i Qytetit shikonin trekëmbëshin me litarin që e tundte era. Njerëzit filluan ta ndienin veten fatkeqë. Ndienin ankth e frikë. Ndienin edhe pasiguri, mos ndoshta kaq vite nuk kishin bërë atë që ishte e drejtë.
Pyesnin veten se çfarë kërkonte në qendër të Qytetit trekëmbëshi dhe filluan t’i drejtoheshin drejtësisë dhe ligjeve për të zgjidhur të gjitha problemet, të cilat më parë i zgjidhnin me një shtrëngim duarsh, apo me fjalën e dhënë. Filluan të shkojnë edhe tek noterët për të vërtetuar dokumente, deklarata, trashëgimnira, të cilat më parë nuk nevojiteshin. Filluan që edhe kur të jepnin borxhe, të merrnin vërtetime të shkruara.
Filluan ta dëgjonin kryetarin e Qytetit, duke menduar se po të mos e dëgjonin shkelnin ndonjë ligj...
Me sa di unë trekëmbëshi nuk u përdor ndonjëherë, veçse në rastet kur duhej të ngrihej monumenti i ndonjë heroi të vdekur prej kohësh, i cili më parë varej në kavot e vinçave, pastaj vendosej në podiumin e mermertë...
Kështu, pra, trekëmbëshi nuk u përdor ndonjëherë.
Por vetëm prania e tij ishte e mjaftueshme që në Qytet të ndryshonte gjithçka.