Τετάρτη 30 Απριλίου 2008

Kur nuk di se çfarë kërkon, nuk gjen!




Kur nuk di se çfarë kërkon, nuk gjen!

Ardi Stefa
Komunikimi është një medalje me dy anë! Njëra anë ka si bazë komplimentet dhe marrjen me të mirë të atij që është pranë... Për të më dëgjuar tjetri them ato që ai ka qejf të dëgjojë!
Ana tjetër e medaljes, ana e vështirë e komunikimit, është një bast shumë i madh... Duhet të them gjëra që kanë të bëjnë me njeriun përballë, të cilat janë gjëra thelbësore të jetës, të cilat e bëjnë të zbulojnë të vërtetën, të vërtetat e tij, të cilat asnjëherë nuk i ka menduar, ose edhe po qe se i ka menduar, i ka zmbrapsur, pasi nuk ka mundësi t’i komandojë, t’i përdorë, e mërzisin, e torturojnë, i krijojnë probleme, pasi duan përkushtim për t’i zgjidhur, dhe, natyrisht shumë punë personalisht.
“Njerëzit” e vegjël të komunikimit përdorin metodën e parë për të mbyllur sytë dhe veshët e atij që kanë përballë.
Thonë nënkuptimin e mendimit, atë që dihet, të sigurtën që duartrokitet. Kështu e lenë njeriun përballë në qetësinë e idiotësisë së tij, thjesht duke e dëfryer, e bindin se ato që ai mendon janë gjëja më e drejtë, pavarësisht se në jetën e tij bën të kundërtën...
Për të gjitha gjërat e këqija të botës e kanë fajin disa të tjerë..., atje jashtë..., dhe asnjëherë ai!
Këta njerëz “të vegjël” të komunikimit shpesh herë janë “gënjeshtarë” edhe me vetë veten e tyre. Gënjashtra e tyre ka arritur në të tilla nivele integrimi, që besojnë tashmë se ajo është e vërteta e tyre. Natyrisht, po qe se vë re me kujdes dhe studion jetën e tyre, konstaton “përrallën” e tyre.
Të “mëdhenjtë”e komunikimit janë studiues, njerëz, analiza e të cilëve është një ecje e vazhdueshme drejt së vërtetës...
Një korkim i vazhdueshëm i së vërtetës...
Asgjë s’është e sigurtë për ta..., as edhe vetë njohja e vetvetes...
Të gjitha janë mbi tryezë dhe ata kërkojnë kompozimin që përbën ideologjinë e re, sistemin e ri të vlerave që do të krijojë mundësinë e një grupi të caktuar njerëzor për të arritur diçka që e kanë përcatuar si objektiv...
Kjo është çështja..., e vërteta...
Dhe çfarë është e vërteta? Edhe ajo është një program i vazhdueshëm kërkimi për ta.
Një studim i “të pastrës” dhe “transparentes” në një epokë ku gjithçka është e përzier, e turbult dhe e paqartë!
Të “mëdhenjtë” e komunikimit thonë gjëra që zakonisht e kthejnë botën përmbys.
Shohin në ato pika ku të tjerët nuk shohin rrugëdalje...
Për ta: “Rruga pa krye ka vetëm një rrugëdalje... vendosmërinë”!
Kjo është pika ku mbështetet komunikimi i “të mëdhenjve”.
Vendosmëria, vendimi janë një rrugë e re për ta..., e drejtë ose e gabuar.
Askush nuk e di përgjigjen po qe se nuk e përshkon...
Por e drejta dhe e gabuara kanë të bëjnë me faktin se ku duan të shkojnë në të vërtetë njerëzit.
Objektivi final i njeriut është ekzistenca e një objektivi. Në rast se nuk ka objektiv në udhëtim, udhëtimi i shndërron turistët e jetës, gjahtarë të pamjes, të bukurive dhe jo të zbulimeve të bukurisë së brendshme të një vendi...
Vlera të shfaqet për njeriun është burimi i mendimit dhe i ndjenjave të tij. Më pas të gjitha zënë vendin e tyre, vendin që u përket. Po qe se nuk di ç’kërkon, nuk gjen.
Kërkoj do të thotë se e di ç’kërkoj...

Πέμπτη 24 Απριλίου 2008

Pema e vetmisë




Pema e vetmisë

Ardi Stefa
Kapitulli A: “Lindja”
Nga momenti që linda, mbaj mend një fjali që guduliste veshët e mi të vegjël, të sapoformuar: “Çfarë fëmije i dashur, më i bukuri, më i zgjuari, më i miri i botës...”
Fjalë të ngrohta prindërish, të cilët përpiqeshin t’u jepnin funksione magjike kromatozomave të trashëguara. Fraza të njerëzve të njohur, të cilat lëshoheshin pa mbarim për të ngritur moralin e prndërve të mi dhe të mbushnin oshllëkun që krijohej nga pasiguritë e tyre. Konstatime të ftohta, të akullta të të panjohurve, të cilët nuk i pashë më ndonjëherë në jetën time, të cilët villnin fraza e komplimenta pompoze, ose për të deklaruar praninë e tyre në ambientin tim familjar, ose për të përfituar mirësinë e prindërve dhe të të afërmve të mi...

Kapituli B: “Adoleshenca”
Dhe djaloshi rritej..., gjithmonë me përgjegjësinë arrogante të krahasimit me fëmijtë e tjerë të moshës së tij. Fjalët e para që dëgjoi, u rrënjosën dhe u bënë një pemë e madhe me trung të trashë e të fortë..., pothuajse të pathyeshëm dhe me kurorë gjethesh të dendura e të blerta...
Dhe, sa lulëzonte çdo pranverë dhe dendësohej kurora e gjetheve, kaq e më shumë mblidheshin, grumbulloheshin e rrinin edhe parazitët rreth e qark tij... Ata parazitë e bubuzhelë që zënë pritë gjithmonë pranë rrënjëve dhe presin që me shiun e parë të rrëmbejnë pika freskie nga përqafimi i pemës.
Se më shumë që zhvillohej trungu i pemës, aq më të shumtë ishin parazitët, krimbat e bubuzhelat në rrënjët, por edhe gjethet e tij që përpiqeshin të rrëmbenin pika nga jeta e tij...

Kapituli C: “Triumfi”
... Djaloshi u rrit, arriti moshën e adoleshencës...dhe... fidani u bë pemë. Përvoja e jetës u bë, si zjarri në duart e paraardhësve të tij të largët, mjet mbijetese. Zbuloi mënyra të reja për të larguar parazitët, vemjet e krimbat nga rrënjët e tij. Përdori ajrat e tij të helmatisur, të cilët i mbante në gjethet e tij gjatë periudhës së lulëzimit dhe që thjesht, priste shiun e parë që të vadiste farmak komshijtë e padëshiruar.
Me të rënë pikat e para, rezultati ishte më tepër se i dukshëm. Parazitët binin si bora dhe vemjet rrëzoheshin nga vetë pesha e tyre, të shpartalluar, të lodhur, të ngordhur.
Më së fundi pemës nuk i mbetej gjë tjetër veçse të shkundte degët e lumtur, në një valle të vetmuar dhe egoiste, aq sa edhe arbitrare...

Kapitulli D: “Shkurorëzimi”
Adoleshenti u bë burrë... Pema po ashtu u rrit e u egërsua. Hija e saj ishte imponuese. Deri edhe rrezet e diellit luftonin tashmë me njëra- tjetrën se cila do të arrinte të kalonte në anën tjetër të kurorës së dendur të degëve e gjetheve, në një ndeshje shpejtësie e force, por edhe bukurie, me fundin tek bari i gjelbër. Nuk kishte më vend për pemën që të shtrinte rrënjët e saj të pafundme. Një përqindje jo e vogël e helmit që lëshonte për të larguar parazitët dhe krimbat e vemjet, u thith nga gjethet dhe pema filloi të ndiente një lloj mpirjeje në gjymtyrët e poshtëm. Trungu, atëherë, filloi që të kalbej gradualisht nga brenda dhe korja e drurit të çahej dhe të rrëzohej nga trungu. Hordhi nga insekte, krimba, vemje, parazitë u turrën pa mëshirë në trungun gjysmë të vdekur, asht siç turren hijenat dhe çakejtë mbi kaprollin e plagosur. Dhe si të ishte një gjigand i mposhtur nga sëmundja, fillimisht pema kërciti, kërciste, derisa u dëgjua një tigull shumë i fortë, si tingulli i bubullimës tek kalon çatinë e druntë të shtëpisë...
U përkul ngadalë në një anë dhe u rrëzua duke shtrirë trupin e tij gjigand, horizontalisht, në përqafimin e tokës...

Kapitulli E: “Fataliteti”
Burri u zgjua befasisht. Fërkoi sytë për të larguar nga qepallat këtë ëndërr të keqe, duke yshtur oguret e këqija që kishte dëgjuar se shoqëronin makthet. Vështroi përreth, i lehtësuar, por edhe i dëshpëruar njëkohësisht, për të parë një botë të ndryshme.
Një botë që lufton e ndeshet përditë për të flakur nga sipër saj mëkatin aq të lashtë, egoizmin, që trashëgohet nga brezi në brez, nga babai tek biri, nga nëna tek vajza, ashtu si farat e bimëve.
Analogjikisht me truallin dhe klimën është edhe suksesi i mbirjes dhe zhvillimit të farës...
Dhe burri, zbuloi tashmë të vërtetën e tij...
Atë që kur ishte i fortë, ishte edhe i vetëm...
... Kur kishte nevojë për ngrohtësi, nuk kishte dashuri...
... Kur nuk ishte i vetëm kishte për shoqëri parazitët dhe vemjet...

Παρασκευή 18 Απριλίου 2008

pa titull

Dy njerëz i pashë sot të zënë dorë për dore.
Ishin të moshuar. Ecnin ngadalë dhe mbaheshin tek njëri- tjetri.
Nga e gjithë qenia e tyre buronte mirësi.

Τετάρτη 2 Απριλίου 2008

Dita e të çmendurve


Dita e të çmendurve
Në botën e fëmijëve, 1 Prilli është një ditë e mrekullueshme, e veçantë dhe me shumë emocione. E mbushur me shumë trazim dhe entusiazëm. Është një lloj Viti i Ri, por pa dhurata. I sheh fëmijtë të presin gënjeshtrat, u rreh me aq forcë zemra se mos gënjeshtrat i gjejnë të papërgatitur dhe përgatisin me shumë kujdes, komplotin e tyre të ëmbël, 1 prillin e tyre.
Në botën e të rriturve 1 Prilli, natyrisht që është tepër i zhvlerësuar. Është dita, e cila nuk ia vlen ta festojnë, meqë kështu ose ndryshe, jeta jonë është e mbytur në gënjeshtra.
Duke kërkuar gjithmonë 1 prillin e gënjeshtrave, përpiqem ta përfytyroj realiteti përmbys: Po qe se do të ekzistonte një anti 1 prill?
Një ditë në vit, ku të lejohej që të thuash, të shkruash një të vërtetë, një, pa pasur nevojë që ta provosh këtë të vërtetë.
Por ky mendim, përveçse është i pamundur, është edhe zjarrvënës e i rrezikshëm. E vetmja gjë e sigurtë është që si lexues kjo gjë do të më vendoste “në prizë”!
Do të ndiqja këtë ditë në mënyrë skolastike lajmet, do të shfletoja shtypin e shkruar, do të serfoja në internet.
E synimin e vetëm që të gjeja “të vërtetat” e veçanta të kësaj dite?
1 prilli, dita e budallenjve, dita e të çmendurve, thonë anglezët.
Përse të mos ketë një të vërtetë të ftohtë në vend të gënjeshtrës së vendosur për këtë ditë?
Por nga i vogli dhe budallai, a nuk mëson të vërtetën?...
Të paktën kështu thonë...
Dhe këtë ditë 1 prilli më vjen ndër mend një e vërtetë e vërtetë, e ndodhur dhe e përjetuar prej meje në 11 prill të 1985-sës. Dhe dua t’ju garantoj, ato që do të pasojnë më poshtë nuk janë gënjeshtër 1 prilli!
Ashtu e përjetova unë, ashtu e përjetuam të gjithë, ashtu e përjetoi një komb...

Një ditë që më vjen ndër mend këto ditë...
Nga mesi i prillit, rreth gjashtëmbëshjetë vjet më vonë nga dita e atij shiu të pazakontë lulesh të verdha, i cili kishte shoqëruar lindjen time, radioja qysh në mëngjes filloi të transmetonte muzikë funebre.
Ajo i çuditi të gjithë banorët e Qytetit, i bëri të dyshonin, por deri në mesditë, kur doli komunikata e Komitetit Qendror, nuk u kuptua që Prijësi i Madh kishte shkuar me të shumtët.
Banorët e Qytetit, si të gjithë banorët e qyteteve të tjera reaguan. Ata nga dhembja shembeshin përtokë, qanin, ulërinin, çirrnin faqet e shkulnin flokët. Qanin me dënesa e pushonin vetëm për të ngrënë ndonjë kafshatë e për të fjetur. Shumë të tjerë u gëzuan e morën frymë të çliruar, duke u lumturuar fshehurazi në shpirt.
Por edhe armiqtë e fshehtë të Prijësit të vdekur u shushatën nga e gjitha kjo. “Si do t’ja bëjmë pa Të? Si do t’ja bëjmë tani që Prijësi vdiq?”.
Kthenin antenat e televizorëve për të mësuar e dëgjuar se çfarë thoshin kanalet e huaja për tragjedinë që na kishte përfshirë dhe, me veshët ngjitur në ekrane përpiqeshin të mësonin se si do të na vente filli
Pas hutimit të parë dhe lotëve që na shkuan çurg, i thashë Nikolinit se Prijësi kishte disa ditë që kishte vdekur, por lajmi ishte vonuar deri sa të ndërgjegjësoheshin pasardhësit e tij që Ai s’ishte më. Me sytë me lot më ra me bërryl në ije se mos na dëgjonte kush...
... Të gjitha ato ditë, pas vdekjes së tij e deri në varrim ishin sikur të jetoje në surrealizëm. Të punoje apo jetoje normalisht në ditët e zisë mbarëpopullore, ishte sakrilegj. Prindërit nuk puthnin më as fëmijtë, jo më njëri- tjetrin. Edhe dashnorët s’takoheshin më në kontakte trupore. Vetëm ndonjë vështrim vjedhurazi shkëmbenin me njëri- tjetrin. Punonjësit shkonin në punë dhe i mblidhnin nëpër mitingje. Shefat e mëdhenj, por edhe punëtorët më pa vlerë partiakë, së bashku me njerëzit e thjeshtë mbanin ca fjalime bombastike e pa kuptim dhe në fund dërgonin telegrame ngushëllimi në një adresë të vetme: Komiteti Qendror, Tiranë...
Poetët thurrën vargje e poema që dërgoheshin po atje. Brigadierët premtonin për rritje të prodhimit; punëtorët jepnin fjalën se do të punonin me më vrull për realizimin e planeve; komunistët premtonin ashpërsimin e mëtejshëm të luftës së klasave...
Edhe ne fëmijëve na mblidhnin nëpër shkolla, por mësim nuk zhvillohej. Mblidheshim nëpër klasa dhe, për shkak të unitetit, pajtoheshim me ata që ishim zënë me grushta. Recitonim vjersha për Prijësin e Madh edhe në orën e trigonometrisë dhe dëgjonim muzikë funebre e këngë partizane. Na detyronin që të bënim edhe vjersha për pavdekësinë e Prijësit. Çdo klasë duhet të bënte vjershën e vet, ta vendoste në stendën e shkollës, ku çdo ditë vendoseshin vjersha të reja.
Të gjithë përgatiteshin për kohën e dhënies së lamtumirës mbarëpopullore. Rrugët e Qytetit ishin të zbrazëta. Dyqanet të mbyllura, ashtu si edhe dritaret e pallateve. Një heshtje e shurdhët mbizotëronte ngado. Të gjithë mbylleshin npër shtëpira pas orarit të punës apo të shkollës...
Për Qytetin tonë, i cili ishte i mësuar me radhët e gjata, radhë e tillë, si ajo e orës së Lamtumirës nuk ishte parë ndonjëherë. Por ishte edhe ajo një radhë. Përparonte ngadalë, tundej, qelbej erë dhe dukej sikur zbatonte synimin e radhëve të tjera të përditshme, atë të ndarjes së barabartë e me tollona të atyre ç’ka kishin dyqanet. Në këtë rast të të bërit pak sehir, të të dhënit të lamtumirës, i cili do të mbahej mend deri në fund të jetës...
Por ndryshe nga radhët e tjera të përditshme, kjo radhë ishte e veçantë. Njerëzit kishin ardhur me dëshirë, e jo nga nevoja e të blerit ndonjë litër vaj, ndonjë kile qumësht apo djathë. Apo edhe të të blerit vajguri, apo kanatiere pambuku...
Njerëzit kishin dalë qëmenatë në radhë për të kryer detyrën e qytetarëve të devotshëm e besnikë, për të shprehur nderimin, për të shprehur hidhërimin, besnikërinë...
Ata që nuk e kishin ndier këtë gjë, fillimisht ishin mbyllur në shtëpi, por pastaj nga frika i ishin bashkuar kopesë së pafundme të njerëzve...
Së bashku me Nikolinin kishim shkuar të preknim trupin e Prijësit, por më kot. Përpara nesh ishin të rreshtuar të burgosurit politikë që shkonin të shprehnin hidhërimin për vdekjen e dënuesit të tyre. Ecnin me kokën ulur dhe me lot në sy. Pashë Nikolinin në sy. Radha nuk do të na vinte kurrë. S’do të gjendeshim kurrë pranë arkivolit të tij. Një moment Nikon e zuri të qarët.
- Mos qaj,- i thashë.
Ai ktheu drejt meje fytyrën e zbardhur:
- Më vjen keq për Prijësin...
- Debil,- ia ktheva.
As që më vinte keq fare për të. Thjesht në shpirt më dukej sikur kisha bërë një veprim të pahijshëm që nuk më vinte keq për Prijësin e Madh të vdekur, por për turmat e fatkeqëve që u vinte keq për të...

Τρίτη 1 Απριλίου 2008

Duke rishkruar Historinë

Duke rishkruar Historinë
Në vitin 1935 në Vienë, një student me master i historisë së artit, i cili ishte i papunë, iu përgjigj thirrjes së një botuesi për të shkruar një histori botërore, për lexues të moshës së re.
Libri duhej të shkruhej brenda gjashtë javësh dhe, megjithëse, studiuesit “seriozë” të historisë e të artit botëror, do të tmerroheshin me afatin e shkurtër, libri ishte një kryevepër. Autori i “Histori e vogël e Botës”, Ernst Gombrixh, sot është i njohur kryesisht për historinë e artit që ka shkruar, por ajo tentativë e të shkruajturit, të një historie “të lexueshme”, reale e të paanshme, të botës që shkruajti dhe që qysh atëherë është botuar në 18 gjuhë të botës dhe në disa dhjetëra ribotime, sot do të mundet të ishte shumë e dobishme në historiografinë shkollore.
Si? Duke u dhënë teksteve shkollore pak nga shkëlqimi, pak nga entusiazmi i saj. Atë ndjenjë të të shijuarit dhe të zbulimit që u mungon.
Libri i Gombrixh fillon duke kërkuar nga një fëmijë që ta vendosë vetveten ndërmjet dy pasqyrave dhe të luajë me Historinë lojën e pasqyrimeve. Dhe është pikërisht kjo Lojë, e cila i tremb dhe gjithmonë i ka trembur politikanët, analistët dhe ekstremistët në të gjitha vendet.
Dhe, nuk duhet harruar se me Historinë dhe me trajtimin e saj si mit, përrallë, apo folklor, luajnë pjesët më obskurantiste të shoqërisë, politikës, fesë, të cilat mohojnë e shohin me dyshim çdo shprehje të mendimit të përparuar e modern.
Dhe pyetja që shtrohet në këto raste është mëse e kuptueshme: Si dhe pse legalizohet institucione të tjera veç atyre shkencore kompetente që të shfaqin mendime e opinione për librat shkollore, apo edhe për historinë e vendeve të tjera? Cenurimi i Historiografisë është një punë amatore e amatorësh që të merren me të edhe politikanët, Mitropolitët, priftërinj të thjeshtë, aktorë në pension apo edhe disa përfaqësues të “dritareve” televizive që kanë opinione dhe mendime për gjithçka? A merren shkencëtarët dhe historianët e vërtetë me çështjet e dogmave fetare, apo edhe me çështjet e politikave nacionaliste? Nacionalistët, politikanët ekstremistë e adhuruesit e gjithçkaje “etnike”, konservatore, fetare e konceptesh që kanë të bëjnë me “atdheun e copëtuar apo trojet e humbura padrejtësisht”, duhet që të shndërrojnë shoqërinë në të cilën nesër do të jetojnë fëmijtë grekë, apo edhe fëmijtë e emigrantëve që e shohin Greqinë si atdheun e dytë?
Është e drejtë që Mitropoliti i Selanikut të nxisë urrejtjen tek grigja e vet, duke bërë thirrje të hapura për luftë, për marrjen e “trojeve të humbura të Greqisë” dhe nga ana tjetër të mos pranojë të drejtën themelore të shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje e pavarësi?
Rast i mirë për të rivërtetuar edhe një herë se cilat tema vazhdojnë të ngelen tabu për shoqërinë greke: ortodoksia dhe Kombi.
Të njëjtin problem që kishte sjellë historia e Gombrixh në vitet e nazizmit- kur u ndalua shtypja e librit të tij- ishte vizioni i saj paqësor. Natyrisht edhe shpirti demokratik i librit, loja, humori, kundërshtimi dhe mohimi i racizmit. Ruajtja e atyre që ishin fituar me aq shumë përpjekje e luftë.
Lexoni ose rikujtoni tekstet e historië që kemi mësuar ne, që lexojnë e mësojnë aktualisht fëmijtë tanë nëpër shkollat greke. Risillni në mendje se si e qysh shkruhet historia e luftërave, kombeve, liderëve, se si shkruhet e vërteta jonë e padiskutueshme (në varësi të cilitdo komb që shkruan historinë e tij) për të drejtën.
Të vërtetën absolute për historinë e kombin, trojet e fenë paraqesin shhqiptarët, të vërtetën absolute për historinë e kombin, trojet e fenë paraqesin grekët, të vërtetën absolute për historinë e kombin, trojet e fenë paraqesin serbët, e kështu me radhë...
Dhe historia shkruhet thjesht si folklor, si një përrallë e bukur netëve të dimrit, pa pasqyra, pa mendim kritik, pa historianin e historianët pas rreshtave...
Dhe Historia përçudnohet në shkollat fillore e më tej, kur mësuesit i mësojnë nxënësit se me Pavarësinë e Kosovës, Greqia kërcënohet nga “Shqipëria e Madhe”?!
Dhe nipi im ashtu si shumë fëmijë të tjerë me prindër shqiptarë, kanë frikë nga presioni që u bëhet, stepen, pavarësisht se u gëzuan që Kosova më në fund ishte e lirë dhe kosovarët, pavarësisht se valëvitnin flamurin e ri, në zemër kishin flamurin me shqiponjën dykrenare.
Gombrixh, pavarësisht se nuk ishte historian profesionist, u jep fëmijëve disa mësime shumë të vyera të perspektivës, të këndvështrimit. Ai pranon se ka bërë disa gabime, duke e shkruar historinë, por kësaj fjale ai i jep kuptimin që i takon. Dhe në fund të librit ai thotë se një punonjësi mesëm i sotëm jeton në kushte më të mira se një kalorës i Mesjetës, ushqehet më mirë, jeton më shumë...
Dhe ky argument, është një argument dhe një mendim që nuk e pranojnë aspak konservatorët: Faktin që e ardhmja mundet të jetë e bukur, e mbushur me shpresë. Dhe për faktin se Historia nuk i mbush mushkëritë tona me krenari kombëtare, por me krenari, frikë dhe dashuri, përpara natyrës njerëzore.
Në rast se do të kishim mësuar në shkollat tona Historinë me këto vlera, jo me ngjarje të ftohta, apo romantizma folklorike, por edhe me pjesë e shpjegime për secilën pjesë, do të kishim zhvilluar brenda vetes, por edhe tek fëmijtë tanë mendimin kritik, që i shkëput lidhjet me të kaluarën anakronike, me atdheun anakronik që a frikë të ardhmen e vet. Dhe, pikërisht, kjo është frika e shqetësimi më i madh i frontit konservator...
Këto u mundova t’i shpjegoja, natyrisht me fjalë më të thjeshta, nipit tim të vogël, i cili iu përgjigj mësueses së Historisë, se nuk duhet të kishte frikë nga Kosova e kosovarët, nga Shqipëria e shqiptarët, por tek bashkëjetesa tolerante e të gjithëve!