Πέμπτη 6 Δεκεμβρίου 2007

Dialog virtual dhe real!

Dialog virtual dhe real!
Përshëndetje.
Nuk e di, por kohët e fundit më ka zënë mikrobi i të shkruarit në ditaret virtuale, të njohura ndryshe si Blog.
Kam çelur disa të tilla me emrin e vërtetë, por edhe me pseudonime. Dialogoj, revoltohem, grindem, qesh, shaj e më shajnë...
Këtë muaj në Blogun tim vendosa pak shkrime. Jo se nuk kisha. Shkrime e mendime që i kam hedhur në kompjuter kisha e kam gjithmonë me shumicë, qoftë edhe fraza, të veçanta, të cilat ngrenë diskutim. Nuk isha prezent me shkrime, pasi gjatë gjithë këtij muaji më tepër preferova të lexoja ato ç’ka shkruanin të tjerët, të merrja pjesë në mendimet e tyre, të diskutoja me ta virtualisht e pa i nohur...
Dhe lexova shumë. Do të më thoni se përse po ua jap këto mendimet e mia, kur shumica e atyre që më lexojnë nëpër faqet e gazetës, nuk kanë mundësi të dialogojnë virtualisht e as të lexojnë ato ç’ka shkruajnë të tjerët në internet.
Gjithsesi unë gjatë këtij muaji lexova ato ç’ka shkruanin “të njohurit” e mi të panjohur në ditaret e tyre virtuale. Mësova kështu disa gjëra për disa kolegë blogistë. Mësova për dikë që ankohej, për një vajzë, e cila vazhdimisht grindej pasi ndihej se kishte padrejtësi, lexova dikë tjetër, i cili u largua përfundimisht nga ditari i tij virtual i thyer nga shafrejt dhe komentet e të tjerëve për ato që shkruante, qesha me disa të tjerë, u mallëngjeva me të tjerë blogger...
Mendimet, ndjenjat e blogerëve të tjerë i kisha ndier, dhe, shpesh herë, i ndiej edhe unë. Të tjera ndjenja të tyre as që i kam kuptuar ndonjëherë...
Por ndërkohë shumë mendime më erdhën në mendje. Mos vallë jam shumë i madh në moshë, për të shkruar në një ditar të tillë virtual? Mos vallë ndihem shumë më i madh nga sa është mosha ime reale? Dhe mos vallë vështirësohem që të identifikoj botën e brendshme me botën time të jashtme? Dhe kur them “botën time të jashtme” nënkuptoj jetën dhe detyrimet e mia dhe jo paraqitjen?
Mos vallë jam rritur shumë dhe nuk e kam kuptuar?
Kthej kokën mbrapa dhe shoh atë ç’ka lashë pas. Në mendje më vijnë vitet që shkuan. A u jetuan mirë? Askush nuk mundet të më përgjigjet, pasi kësaj pyetjeje retorike, vetëm unë mundet t’i përgjigjem?
Përgjigjia?
Ta shkruaj? Përse hyra në blog dhe përse shkruaj në këtë rubrikë, po qe se nuk i ndaj me të tjerët mendimet e mia?
Të mos i shkruaj? Përse të çel shpirtin tim kanatë përpara disa njerëzve, të cilët as që më njohin?
Atëherë, cila është marrëdhënia jonë me të tjerët?
Si quhemi?
Dhe në rast se unë apo ndonjë tjetër e konsideron si të dobishme të përgjigjet, mos vallë e bën për të mos i vënë tabela?
Përgjithësisht, dhe ata që më njohin nga afër e dinë që etiketimet dhe stampat mua nuk më pëlqejnë. Por kam një nevojë të brendshme që t’i vë ndjenjat e mendimet e mia në një hulli. Dhe, duke dëgjuar këtë nevojë të brendshme duhet që të përcaktoj marrëdhënien time me Blogun. Vetëm kështu do të mundet të vazhdoj të jem prezent në internet. Por kështu siç e mendoj, askush nuk e përballon anoniminë e përhershme. Të paktën unë s’kam pranuar ndonjëherë të jem anonim. Por ato që shkruaj asnjëherë nuk më kan mbrojtur. Veçanërisht më kanë ekspozuar edhe publikisht. Sepse shkruhen prej meje.
Do të më pyesë ndokush, se kush apo çfarë më detyron të shkruaj të vërteta. Askush veç vetes!
Por nga ana tjetër, ç’kuptim ka të shkruash gënjeshtra?
Që t’u pëlqej të tjerëve?!... Që të mos skandalizohen të tjerët!?...
Në rast se ke çelur një blog për të shkëmbyer mendime e ide me të tjerët, ç’kuptim e ç’interes ka kur mendimet nuk janë të tuat dhe nuk paraqesin idenditetin tënd të vërtetë, mënyrën se si ndjen apo shprehesh, mënyrën se si mendon, jo vetëm për gjërat më të thjeshta, por edhe për ato më specifike, që kanë të bëjnë me kombin, identitetin, patriotizmin, me bindjet e tua, që janë kundër rrymës?
Me këto gjëra jam marrë gjatë këtyre ditëve të këtij muaji.
Dhe më duket se shtrova shumë pyetje në këto mendime të miat. Nuk do t’i kisha shtruar, në rast se nuk do të kisha lexuar shumë sharje dhe ofendime ordinere ndaj meje, nga grekë e shqiptarë për ato që shkruaj në blogun tim...
Di një gjë, që do të vazhdoj të shkruaj ashtu si më parë. Pa kompromise me të tjerët dhe as me vetveten. Pa shkelur mbi vetveten, edhe pse nuk do t’u pëlqej “kolegëve” virtualë e lexuesve të faqeve të gazetës. Ia kam për borxh një gjë të tillë, një qëndrim të tillë edhe atij njeriu të vetëm që mund të ekzistojë e të jetë dakord me mua...

Politeknikumi dhe Lëvizja Studentore e Dhjetorit!

Politeknikumi dhe Lëvizja Studentore e Dhjetorit!
Ardi Stefa
Në 17 nëntor vendosa edhe unë një karafil të kuq tek monumenti i studentes së rënë brenda Universitetit Politeknik, Politehnios, siç jemi mësuar ta themi edhe ne pas kaq vjetësh qëndrimi në Greqi. I mallëngjyer dhe i emocionuar, me respekt u përula përpara gjakut të studentëve të rënë për t’u çliruar nga Junta e Kolonelëve.
Dola nga Politehniu dhe u ula në kafen përballë, me vështrimin gjithmonë nga monumenti dhe grumbulli i njerëzve që bënin homazhe atje, me të rinjtë e të moshuarit te vendosnin një karafil, të qëndronin pak në heshtje të menduar e të mallëngjyer, ndërsa nga altoparlantet të rinjtë e forcave të ndryshme politike, kryesisht të majta, thërrisnin për “luftë” kundër kapitalizmit dhe pushtetit...
Teksa pija kafen ngadaë më erdhën ndër mend ditët e zjarrta të Dhjetorit 1990, kur së bashku me shokët e mi studentë, i vumë gjoksin diktaturës dhe u ngritëm të rrëzonim idhujt e rremë që i pinin gjakun për 50 vjet atdheut dhe prindërve tanë...
Nga altoparlantet e Politehniut dëgjoheshin këngë e marshe të ditëve të nëntorit 1974, pak përpara se të hynin forcërisht tankset në universitet.
Dhe ndryshimet e paralelizmat midis Politehniut dhe Lëvizjes Studentore Shqiptare janë jo të pakta.
Brezi im atëhere nuk kishte këngë që ta përfaqësonin, nuk kishte himn që të kujtohej vite e vite më pas. Kishte, megjithatë, të njëjtin zjarr, forcë e vrull. Të njëjtat ëndrra. Edhe parrullat tona, ndoshta filluan me thirrjet: “Duam drita!”, “Duam ujë”, por shumë shpejt u kthyen në thirrjet që edhe sot janë kaq aktuale: “Liri- Demokraci”...
Ashtu siç thërrisnin bashkëmoshatarët tanë grekë në vitin 1974: “Liri, arsim, bukë!”...
Ashtu si në Greqinë e Juntës ushtarake në vitin 1974, kur diktatura i quante studentët, “fëmijë të këqinj e imoralë”, ashtu na quante edhe ne diktatura: “bukëshkalë”!...
Por çfarë është Lëvizja e Dhjetorit, çfarë janë ata studentë 22 vjeçarë që iu kundërvunë aq hapur e pa frikë regjimit diktatorial në Shqipëri?
Mos vallë është një përvjetor kombëtar që duhet festuar si festë e Demokracisë, apo përkujtimore në varreza? Mos vallë është kalimi nga diktatura komuniste në demokracinë urbane, kalimi nga totalitarizmi komunist, në totalitarizmin parlamentar dhe në demokracin e shtetit dhe të kapitalit?
Çfarë është sot Lëvizja Studentore e Dhjetorit, kur brezat e studentët e atëhershëm, që nuk kanë një monument, nuk kujtohen fare, bile tallen prej të gjithëve, dhe brezat e sotëm sa vijnë e po largohen prej atyre idealeve të studentëve të uritur për lirinë e demokracinë të vitit 1990?
Ishte revolta spontane e një brezi të ri që kishte etje për liri e drejtësi, për bukë, ujë e drita, për liri fjale e veprimi. Ishte një brez studentësh, të cilët të paarmatosur, por edhe të vendosur morën përsipër të shplanin turpin e një vendi që në heshtje dhe në humbje, qeverisej për pesëdhjetë vjet nga diktatura shkatërrimtare komuniste. Djem e vajza të prindërve të Shqipërisë, nga familje të varfra, por edhe nga familje të “mira”, nga familje të humburish nga paslufta e 1944-ës, por edhe nga familje fitimtarësh, ishin për pak ditë të lirët e rrethuar të historisë sonë bashkëkohore shqiptare...
Dikush më shkruajti se Lëvizja Studentore e Dhjetorit nuk jeton më.
Iu përgjigja se ajo Lëvizje jeton, thjesht nuk i frymëzon më brezat që kanë ardhur pas nesh, as edhe ato që e përjetuan me ne...
Nuk frymëzon më as brezat e studentëve që na pasuan në bangat e fakulteteve, neve studentët 22 vjeçarë që nuk pyetëm për klithmat e plumbat e regjimit...
Teksa pija kafenë dhe shikoja të rinj e të moshuar të bënin homazhe tek Politehnio u kujtova se sivjet mbushen 17 vjet që atëhere. Protagonistët e atëhershëm, sot janë dyzetvjeçarë, pothuajse. Ca pak prej tyre janë ca kokrriza në jetën e turbullt politike dhe sociale të Shqipërisë. Janë po ata që përfituan para e pushtet në çdo lloj mënyre, që falsifikuan ngjarjet e historinë dhe me dëshmi të rreme të dhëna nga “Partia- mëmë” u vlerësuan për “aktet” e trimërisë që bënë!...
Shumica e protagonistëve të vërtetë janë mënjanë, në heshtje dhe me siguri që pyesin veten se sa dhe si Lëvizja e tyre u vlerësua e mori për mbarë...
Vitet e para Politehniu i mallëngjente dhe i bënte për vete të gjithë grekët.
Lëvizja Studentore e Dhjetorit na bënte vetëm neve të jetonim edhe një herë në heshtje ato ditë. Protagonistët e vërtetë ishin lënë mënjanë, të tjerë, protagonistë të rremë flisnin nëpër takime e tubime.
Dhe përvjetoret e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, të cilat duhet të ishin një festë e Demokracisë janë bërë një paradë komike ku të gjithë përpiqen të flasin e të vënë në dyshim idealet e vërteta që një brez djemsh e vajzash 22 vjeçarë bëri politikë me fjalë, me këngë, me shpirtin dhe, mbi të gjitha, me trupin e tyre të njomë e të drobitur nga uria. Një brez që zgjoi një popull të tërë nga gjumi letargjik e që vrau frikën. Një brez 22 vjeçarësh që rrezikuan jetën, studimet, për të fituar një çast që jeton përgjithmonë. Dhe ajri i lirisë që atëherë frynte në Tiranën e acartë në të gjitha shtëpitë, edhe në ato shtëpi që rrinin të kyçura kur dëgjoheshin thirrjet e studentëve, sirenat e makinave të policisë, apo edhe kur sambistët rrihnin me shkopinjë gome bashkëmoshatarët e tyre, nuk i çelnin dyert për të mbrojtur djemtë e vajzat e reja, nuk kishte se si të mos përqafohej nga një popull i tërë.
Kanë kaluar 17 vjet nga ditët e stuhishme të atëhershme. Ditët janë si varkat, herë u jep rremave që të shkojnë para e herë lundrojnë të shtyra nga valët. Por nuk ka asnjë rëndësi “Se çfarë u bë me protagonistët e Lëvizjes Studentore Shqiptare”, një tjetër çështje kjo, që i shqetëson herë pas here njerëzit në bisedat e tyre.
Cilët morën shpërblimin për trimërinë e tyre në ato ditë të zjarrta të Dhjetorit 1990 dhe cilët jo, cilët përfituan në mënyrë të padrejtë e të gënjeshtërt pa qenë protagonistë, cilët më pas u bënë shërbëtorë të pushtetit dhe preferuan të jepnin e të merrnin rryshfete, cilët zgjodhën rrugën e heshtjes dhe të dinjitetit që për atdheun bënë pak dhe nuk ka nevojë për shpërblim, dhe, cilët zgjodhën rrugën e tradhtisë së idealeve, kuptimit të atyre ditëve dhe të moshës së tyre?
Por të gjitha këto kanë pak rëndësi. Thua se revolta studentore e vitit 1990 nuk ishte revoltë, por një eksperiment gjigand i psikologjisë për studimin e sjelljes njerëzore.
Vlera e vërtetë e Lëvizjes Studentore Shqiptare është pikërisht kjo: se u bë nga njerëz të zakonshëm, studentë vërtet, por të nxjerrë nga jeta e përditshme. Nga njerëz në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, me ndjenja dhe ëndrra, delikatë, nga njerëz që ishin të uritur për jetë, për famë e lavdi, që kishin pasione. Nga njerëz që bëjnë gabime, që pendohen, njerëz të dobët e që s’kanë busull orientimi shpesh herë, nga idealistë të vërtetë, por edhe aventurierë, nga njerëz të vdekshëm e mëkatarë dhe jo nga statuja...
Dhe, nëse vlen akoma edhe më shumë stuhia e Lëvizjes së Studentëve, kuptimi që ka kjo lëvizje për brezat e ardhshëm është se kjo revoltë për një çast, për dy çaste, për një, dy apo dhjetë ditë, ata të rinj u ngritën më lart se EGO-ja, UNI i tyre, dhe kështu, të lirë u bënë krijuesit e historisë së tyre dhe të historisë sonë. Me pak fjalë: Studentët ishin atje atëherë kur duhej. Ç’pasoi është tjetër histori...
Prandaj, çdo vit në këtë ditë dëgjohen shumë fjalë nga shumë pseudo. Megjithëse protagonistëve të vërtetë të Revoltës Studentore Shqiptare u shkon më mirë heshtja. Heshtja e njohjes dhe e respektit për atë që bënë e që sado vite të kalojnë do të ngrihet gjithnjë e më lart në Panteonin e Historisë.
Prandaj llafologëve e pseudove, përpara se të nxjerrin fjalët bombastike nga goja, mirë do të ishte që të mendonin për një çast, është detyrim moral të mendohen për një çast dhe të pyesin veten nëse: “Liria, Demokracia, buka e dritat, mjaftojnë për të gjithë”...
A mjaftojnë për të gjithë ato që kërkuan atëherë studentët e mburremi se tashmë i kemi?...
A mjaftojnë këto për një shoqëri, që ecën pa busull, pa ëndrra, pa shpresë, siç është shoqëria e sotme shqiptare?
Këto ditë zakonisht thuhet se Lëvizja Studentore e Dhjetorit jeton brenda ndeshjeve e përpjekjeve për liri, demokraci, etj, etj...
Gabim, pasi ajo lëvizje nuk mundet të jetojë brenda heshtjes së vdekur të shoqërisë inerte. Nuk mundet të jekzistojë e jetojë si një kapitull i veçantë në historinë e themelimit apo të fitores politike të një partie, apo të atyre që manipuluan në mënyrë monstruoze atë Lëvizje për të përfituar, por që në fakt, e dëmtuan aq shumë imazhin e saj. Nuk mundet edhe të vdesë, pasi edhe kjo mënyrë të jetuari dhe të shkruarit të historisë është e destinuar të përmbyset. Sepse historia është e thënë që të përsëritet... Çështja është se nga cilët do të shkruhet dhe si...
Ja pse Lëvizja e Dhjetorit dhe Politehnio kanë ndryshime e të përbashkëta...

Δευτέρα 19 Νοεμβρίου 2007

Një vështrim ndryshe për Pavarësinë

Një vështrim ndryshe për Pavarësinë
Në 28 Nëntor festojmë shpalljen e Pavarësisë. Në 28 Nëntor nderojmë kryengritjen që çoi në pavarësinë e më pak se gjysmës së territorit të Shqipërisë. Të Shqipërisë, e cila më tepër u krijua vite më pas dhe jo siç na kanë thënë apo duam të besojmë se ka ndodhur. Ndoshta ka ardhur koha që me gjak të ftohtë e të çliruar nga pasionet “Patriotiko-folklorike” të shohim në sy të vërtetën e kryengritjes e revoltës së Pavarësisë...
Një kryengritje, një revoltë, të cilën askush nuk e shpalli, në asnjë Shesh të Flamurit në Vlorë nuk u ngrit flamuri (u ngrit fillimisht në Skelë, në Sheshin e Flamurit u bë ceremonia festive).
Të gjitha këto u krijuan më pas nga “Historia Folkloristike shqiptare”. Një histori, e cila u krijua jo vetëm vite më pas, jo vetëm në mungesë të protagonistëve të vërtetë, por edhe të të ashtuquajturve protagonistë, të cilët nuk u ndërgjegjësuan kurrë se do t’u ngarkonin një të tillë rol.
Një kryengritje, që, nuk nisi nga Shqipëria, por nga jashtë, jo më 28 Nëntor, por vite më parë. Jo nga shqiptarët vendas, por nga shqiptarët e mërguar; nga një grusht komplotistësh, iluministësh, rilindësish, patriotësh të mërguar. Jo nga bajraktarët e kryetarët e fiseve, por nga ata që ishin dëbuar e quajtur “tradhtarë në shërbim të turkut!” (Trimat vendas mbërritën në Vlorë kur flamuri ishte ngritur nga të “dëbuarit” e atdheut!)
Një kryengritje, në të cilën nuk morën pjesë pasardhësit e Pirros e të Teutës, të Lek Dukagjinit e Skënderbeut, por shqiptarë vendas e të mërguar, arvanitas e arbëreshë, shqiptarë e pakica të tjera kombëtare, bile edhe italianë, francezë e rumunë. Dhe shumë njerëz të tjerë, nga i gjithë planeti, të cilët kontribuuan materialisht e fizikisht për kryengritjen e Pavarësisë, që ndihmuan për Pavarësinë edhe kur nuk vrapuan për t’u vrarë në emër të saj. Një kryengritje, të cilën e bënë të tyren shumë njerëz dhe njerëz të ndryshëm, trima të vërtetë, por edhe aventurierë. Edhe ata që dikur thërrisnin kundër “Babës” dhe disa muaj më pas merrnin malet me parrullën “Dum Babën”!
Herë kështu e herë ndryshe, herë me armikun e herë kundër, por gjithmonë kundër njëri-tjetrit! (Qeveria e Ismail Qemalit, Plakut të urtë jetoi rreth një vit!)
Për Pavarësinë luftuan e u përpoqën të gjithë ata që donin të luftonin e të përpiqeshin, edhe pse secili përpiqej e luftonte për arsye të ndryshme.
Pavarësia ishte një përpjekje shumëtrajtëshe e shumëformëshe, zakonisht me ndjenja të fuqishme, me bërtitje e thirrma, por edhe urtësisht e qetësisht. Ishte një përpjekje e një luftë për të cilën, ne, jemi e do të jemi përjetësisht mirënjohës.
Për gjithçka, sa protagonistët e atyre ditëve bënë, por më shumë për gjithçka që ata u përpoqën të arrijnë...

Κυριακή 11 Νοεμβρίου 2007

Libri, vlerat, antivlerat dhe narcistët e gjasme letërsisë...

Libri, vlerat, antivlerat dhe narcistët e gjasme letërsisë...
Nga Ardi Stefa
Në fillim të korrikut një i njohuri im më solli një tufë me letra të shtypura. “Është libri i parë i vajzës,- më tha me krenari.- Lexoje edhe ti të më japësh një mendim përpara se ta botojmë”.
Pa dëshirë e mora që ta lexoja e t’i jepja një mendim, megjithëse e dija fort mirë se çfarë dhe si mund të shkruante një vajzë 16 vjeçare. I njohuri im m’u ngjit duke më folur për talentin e vajzës së tij, por edhe për dëshirën që kishte të isha redaktor i librit të saj, pasi ai vetë mua më çmonte(?!) aq shumë... Ai më tha si për parantezë se talentin e vajzës së tij e kishin çmuar e vlerësuar shumë disa nga shkrimtarët e famshëm shqiptarë që jetojnë në Athinë
Nejse. E mora tufën e letrave, e futa në çantë dhe u kujtova që ta lexoja vetëm pas disa ditëve dhe pas disa telefonatave këmbëngulëse të babait të saj fillova ta lexoja. Qysh në faqet e para ngela i befasuar e m’u ngritën qimet e kokës përpjetë. Vajza 16 vjeçare kishte shkruar një roman! Po, po! Një roman telenovelë, me lot, me dashuri të humbura, vuajtje të pamata, tradhti ekstreme, dashuri të pamundura, me kaq intriga dashurie sa e humbisje fillin...
U takuam me të njohurin tim diku aty nga fillimi i gushtit dhe ai po priste me padurim që t’i thosha fjalët më të mira, ashtu si shkrimtarët e tjerë të këtushëm. Me takt i thashë se romani i vajzës së tij nuk vlente një lek, për arsyen e thjeshtë se ishte një roman krejt rozë, por edhe se në të gjithçka ishte trillim. (E ku mundet një 16 vjeçare ta vendosë skenën e dashurive e të intrigave, të vuajtjeve e tradhtive, të psherëtimave të shpirtit, diku në Manhatan?!). Pa folur pastaj për gjuhën dhe vlerat e mirëfillta letrare që “romanit” i mungonin. Megjithatë vajza le të shkruante edhe në të ardhmen, jo menjëherë një roman, le të shkruante copëza apo sprova letrare derisa të krijonte kulturën e domosdoshme. Të njohurit tim, një fytyrë i ikte dhe një tjetër i vinte. Ishte nxirë në fytyrë teksa më merrte tufën e letrave nga dora dhe largohej duke më sharë që nuk kisha çmuar talentin e padiskutueshëm të vajzës, ashtu si shkrimtarët e tjerë shqiptarë të njohur në Athinë. Duke u larguar ai më tundi gishtin si me kërcënim: “Do ta shohësh po nuk u botua ky libër!”.
Rastësia e solli që aty nga mesi i shtatorit të takohesha më të njohurin tim dha vajzën e tij tek “Vatra Shqiptare”. Vajza e tij mbante në dorë disa libra të Danielle Steel dhe dukej shumë e lumtur për thesarin letrar që po blinte, ndërsa ai me krenari më tregoi librin e vajzës së tij, tashmë të botuar, me një kopertinë të bukur, natyrisht. Shtëpia botuese ishte e njohur. Personalisht, nuk shoh asgjë të keqe që në një vend të botohet shumë. Libri, në thelb, nuk është diçka që duhet kufizuar. Por...
Më erdhi të ulërija dhe sinqerisht së brendshmi u përlota. Mjerë letërsia jonë me këta lexues dhe me këta pseudoshkrimtarë që ç'edukojnë shijet e lexuesve, por edhe me botuesit tanë të famshëm që luftojnë për të drejtat e botuesve dhe nuk shikojnë se nga makutëria e tyre për para e kanë mbytur dashurinë e tyre të dikurshme për letërsinë.Kjo është për të vënë kujen. Ky është realiteti yne. Dhe nisa një dialog të heshtur me Markesin, Kunderën, Imre Kërtesin, Vargas Llosën, Umberto Ekon, Kamynë, Kadarenë, Xhejms Xhojsin, duke ua qarë hallin që ua ka kaluar në shitje një “fabrikuese lotësh”...
“Profesioni i artistit është që të projektojë dritën në thellësinë e zemrës njerëzore” ka shkruar Shchumani. Por sa dritë projektohet nga realiteti i librit shqiptar i këtyre 17 viteve të fundit? Ai është i zhytur në anarki. Shumë botime, jashtëzakonisht shumë. Gati dy libra në ditë. Po sa vlera? Sa antivlera? A ka një opinion të moralshëm të qarqeve krijuese e botuese apo është shpallur “Perëndi” paraja e lavdia e gënjeshtërt, dhe me pas kemi vetëm përgjumje dhe gjykime pseudoprofesionale në vend të recensionit dhe kritikës së mirëfilltë të artit? Por realiteti nuk është kaq rozë. Madje, kemi përballë nesh një situatë, që rrezikon jo më pak se vetë letërsinë tonë. Vërshimi dhe etja e mjaft të rinjve dhe të rejave, apo talenteve të reja 70 vjeçarë, apo të atyre shkrimtarëve që diktatura dhe censura gjasme ua mbylli dyert e botimit, pra, vërshimi dhe etja e këtyre për të hyrë në letërsi, nuk buron nga një ndjenjë e domosdoshmërisë së brendshme, por nga një ndjenjë e narcizmit dhe e personalitetit të rremë, shpesh here të përçudnuar.
Të gjithë që dinë të shkruajnë alfabetin, apo që dikur kanë bërë ndonjë hartim për Partinë dhe udhëheqësin-merhum, janë bërë poetë e shkrimtarë. Marrin në dorë një copë letër e një laps dhe masakrojnë letërsinë e vërtetë duke bërë antiart, antiletërsi, antikulturë. Nuk është e rastit që këtu në Greqi në vit botohen po aq libra sa edhe në Shqipëri... Dhe e bukura është se shkrimtarët në librat e tyre, të cilat as gratë që ua sponsorizojnë, natyrisht duke përdorur mbiemrin e vajzërisë, nuk ua lexojnë, janë kaq arrogantë dhe aq pjellorë, sa ç’janë ata njerëz që janë me diare... Sa keq për to, janë financiere të një krimi dhe psonisjeje të bashkëshortëve të tyre.
Dhe e bukura është se i përdorin gazetat dhe shtypin këtu e në Shqipëri, vetëm e vetëm për t’i thurrur ditirambe vetes e njëri-tjetrit sipas interesave të çastit.
Nuk them se gjithçka botohet është antivlerë, përkundrazi. Në një libër me poezi qoftë edhe sikur dy poezi të kenë vlerë, i japin librit disa vlera. Antivlerat prodhohen jo vetëm nga shkrimtarët, por edhe nga të njohurit apo gjasme patriarkët e letërsisë, të cilët për një gotë raki të thurrin lavde për vlerat që nuk ekzistojnë. Dhe kështu libraritë mbushen me libra e tituj të panumërt , por jo me vlera.
Librat ngelen nëpër rafte mbuluar nga pluhuri, ndërsa shkrimtarët diskutojnë me rrethin e ngushtë të shokëve e miqve vitet e vlerat e krijimtarisë letrare të tyre…
A është kjo prurje e pakontrolluar antivlerash, vetëm faji i atyre që shkruajnë? A është kjo një fatkeqësi objektive e epokës gjatë së cilës letërsia nuk ka asnjë përfaqësues të vërtetë?
Ndoshta pamja që paraqesim nuk është edhe kaq e thjeshtë. Një element i dëmshëm është lindja dhe ekzistenca e mekanizmave që dëmtojne prurjet e vlerave në letërsi. Sot është shumë e vështirë të zbulosh vlerat e antivlerat, pasi fuqia ekonomike i vret ato. Mjafton të kesh një sponsor, të kesh 1.000 euro, që librat e të paafteve dhe të gjithë të patalentuarve, te shohin driten e botimit. Më pas këta rrinë me muaj të tërë në dyqane ose i zë pluhuri në shtëpi, megjithë publicitetin që u bëhet nga “miqtë” e “dashamirët”".
Ndoshta jam shumë i ashpër me krijuesit, në një kohë që ndoshta duhet të jem po kaq, ndoshta edhe më i ashpër me botuesit shqiptarë.
Me botuesit shqiptarë, të cilët fatkeqësisht librin e konsiderojnë si një mall dhe jo si një vlerë. Me botuesit shqiptarë, të cilët tashmë kanë marrë pozicionin e një shitësi: Ti i jep librin tënd të pabotuar dhe shumë e parave që nevojitet për botim, dhe pas një jave ai të jep librin tënd të botuar, ashtu siç do të të jepte një kile domate apo një kile presh tregtari në tregun fshatar...
Botuesit shqiptarë kërkojnë easy money dhe asgjë më shumë... Ti shkon te një botues dhe ai para se t'i hedhë sytë dorëshkrimit tënd, të përllogarit koston e botimit për tirazhin e kerkuar dhe, vetëm ne rast se ti i ke paratë e duhura atëherë ai edhe mund t'i hedhë një sy atij libri. Ndhoshta do të ngarkojë dike për ndonjë parathënie. E sigurtë është që libri do të të botohet nga botuesi jo aq për vlerat artistike që mbart, por për paratë që paguve. (Nëse nuk i ke ato para, edhe kryevepër sikur të kesh në dorëshkrim, harroje botimin)...
Normalisht një shtëpi botuese joshqiptare funksionon në këtë mënyrë: një person ose disa persona (nga ata që quhen gjuetarë talentesh), të punësuar nga vetë shtëpia botuese, vlerësojne artistikisht dorëshkrimin. Më pas këto vlera konvertohen në vlera financiare në mekanizmin e marketingut të shtëpise botuese. “Ky libër do ecë mirë!”... Atëhere lidhet një kontratë mes autorit dhe botuesit për copyright-in, për sasinë e paradhënies që botuesi i jep autorit dhe për përqindjet e mëpastajme të shitjeve për atë botim. Ndërkohë botuesi (me ndihmën e marketingut të vet) e ka të siguruar fitimin e tij financiar, pikërisht nga siguria që i kanë dhënë “agjentët” e tij mbi vlerën artistike të librit, por edhe nga reklama që do t’i bëjë librit dhe autorit. Kështu botuesi fiton edhe para, por edhe famën e nje botuesi që me librat që boton shtëpia e tij botuese i ofron lexuesit cilësi dhe vlera...
Por në Shqipëri jo gjë nuk ndodh. Botuesit dhe mungesa e kritikës serioze, krijojnë këtë gjendje kaosi antivlerash, duke diskretituar edhe vetë shkrimtarët. Kjo ndodh edhe sepse, (si askund në botë), botuesit nuk luajnë me paratë e tyre. Ata kurrë nuk rrezikojnë. Kështu që botohen libra pa vlera. Prindërit, “miqtë e dashamirët” me diskutimet e tyre e lëvdatat e pafundme për vlerat e gënjeshtërta, shtëpitë botuese stimulojnë narcizmin e “shkrimtarëve”, duke u dhënë shpresën hipokrite, se ata janë gjeni në fushën e letrave...


Τετάρτη 7 Νοεμβρίου 2007

Dialog me Prokrustin


Dialog me Prokrustin!...
Nga Ardi Stefa

A bëhet dialog me Prokrustin?
A është e mundur të bëhet dialog me Prokrustin?!
Besoj se është e pamundur. Pasi Prokrusti, (emri i vërtetë ishte Damast ose Polipemon), në mitologjinë greke ishte një hajdut me famë i Athinës. Ai u quajt Prokrust (ai që zgjat, shtrin, pret gjymtyrët) për shkak të torturave që bënte. Ai i kapte të gjithë udhëtarët që kalonin pranë Koridalosë (mos vallë prandaj 2000 vjet më vonë në atë zonë u ngrit burgu i sigurisë së lartë?), pra ai i kapte të gjithë udhëtarët dhe i vendoste në një shtrat të hekurt. Në qoftë se ata ishin të shkurtër për këtë shtrat, Prokrusti i zgjaste. Në qoftë se ata ishin më të gjatë se shtrati, atëherë ai u priste këmbët!
Ky ishte Prokrusti. Këto ishin bëmat e tij!
Ndoshta pyetja ime e fillimit është retorike, pasi dialogu me Prokrustin është i pamundur. Kur ti ke ndër mend të fillosh të dialogosh me të, ai ndërkohë ka filluar të të presë gjymtyrët, ose të të tërheqë që të të zgjasë sipas masave të tij.
Prandaj dialogu me të është i pamundur. I pamundur.
Përse e nisa këtë “dialog me Prokrustin”?
Për arsyen e vetme se me rastin e festës kombëtare të Greqisë, me dhjetëra nacionalistë, patrioto-racistë, qoftë grekë qoftë shqiptarë parakaluan nëpër panelet e emisioneve të ndryshme televizive.
I tillë ishte rasti i të vetëdeklaruarit: “Racist, antidemokrat dhe antisemit”, K. Plevri, babai i famshëm i deputetit “demokrat” të Karaxhaferrit, i cili akuzoi dhe anatemoi emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, fëmijtë e tyre që guxojnë të jenë të parët në mësime dhe janë flamurtarë e ngrenë flamurin e Greqisë ne festa kombëtare, në një kohë që normalisht duhet të shkohen në hell se po prishin Greqinë e pastër!...
Siç deklaroi edhe vetë Karaxhaferri, greku me gjakun më të kulluar grek: “Ne nuk jemi racistë dhe as ksenofobë, por duhet të lemë të qëndrojnë në Greqi aq emigrantë sa duam ne. Përndryshe do të na marrë lumi. Ne jemi parti demokratike dhe jo raciste. Po qe se do të luanim me kartën e racizmit dhe ksenofobisë, do të kishim marrë 10-15%. Preferuam të marrim 4% e të jemi “në lojë”, sesa 15% e të jemi në një cep!”...
Faleminderit zoti Karaxhaferri për mirëkuptimin dhe nderin që na bëtë neve emigrantëve që nuk na anatemuat, dhe nuk na përçudnuat publikisht!... Ua dimë për nder!...
Ashtu sikundër është edhe rasti i prefektit të Selanikut, Psomiadis, i cili vazhdon të shkruajë eposin e tij të famshëm, Panajotispsomiada. P. psomiadhi, e quajti rrugaç dhe djalë të keq “përfaqësuesin” e shqiptarëve, një farë Mici, duke e akuzuar se Mici nuk përfaqëson askënd nga shqiptarët. Këtu Psomiadhi nuk është se nuk ka të drejtë, bile ka shumë të drejtë, por mënyra e tij ia kthen të drejtën kundër. Me të vërtetë që Mici dhe Micët e tjerë nuk përfaqësojnë askënd, por kjo nuk do të thotë që Psomiadhi e Psomiadhët e tjerë të anatemojnë të gjithë emigrantët dhe nën petkun e pseudo-superpatriotizmit të kërkojnë Greqinë e pastër dhe pa emigrantë.
Dhe pasi kanë kërkuar këtë gjë, Psomiadhi e psomiadhët, deklarohen si miqtë më të mirë të shqiptarëve. Natyrisht një njeri që i do kafshët si Psomiadhi nuk ka se si të mos jetë “filozoos”- mik kafshësh...
Se për Psomiadhin, Plevrin, Karaxhaferrin, shqiptarët, pakistanezët e të gjithë emigrantët janë kafshë.
Kush nuk është grek, është barbar- kjo është parrullae bindja e tyre...
Ndaj them se me Prokrustin nuk bëhet dot kurrë dialog. Se dialogu me të është i pamundur!
Se që të bëhet dialog, nevojiten të dy palët dhe jo njëri të dialogojë, më saktë të monologojë, dhe tjetri t’i presë gjymtyrët, ta zgjasë apo ta shkurtojë sipas madhësisë së shtratit të tij...
Dhe më kryesorja: Dialogu është boshti kryesor i Demokracisë, në të cilët nuk besojnë të sipërpërmendurit, grekë e shqiptarë...

Σάββατο 3 Νοεμβρίου 2007

Një variant modern i mitit të Sizifit


Një variant modern i mitit të Sizifit
(Elegji dhe jo vetëm për emigrantët...)
Perënditë e kishin dënuar Sizifin të ngjiste pa pushim në majë të një mali një shkëmb të madh, nga ku guri rrokullisej vetvetiu, sapo kapte majën. Perënditë kishin gjykuar me të drejtë se nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme dhe e pashpresë.
Po t’i besojmë Homerit, Sizifi ishte njeriumë i ditur mes të vdekshmëve. Sipas një varianti tjetër ai tërhiqej nga zanati i cubit. S’besoj se këtu ka ndonjë kontradiktë. Mendimet se përse Sizifi u dënua të bënte një punë të padobishme përjetësisht në Ferr, janë nga më të ndryshmet. E akuzojnë për mendjelehtësi dhe sfidë ndaj Perëndive. E akuzojnë për tradhti dhe mosbindje. Për vrasjen e fëmijëve të vet dhe shkeljen e “kontratës” për kthimin nga bota e përtejme për të ndëshkuar të shoqen, dhe preferencën e tij për “botën e të gjallëve”.
Natyrisht që Sizifi është njeriu, heroi absurd. Është i tillë si për vuajtjet edhe për pasionet e tij. Përçmimi për perënditë dhe kërkimi i diçkaje të re, më të mirë, urrejtja e vdekjes dhe pasioni për jetën, bënë që të vuajë një çmim të paparë ku e gjithë qenia përpiqet të mos përfundojë asgjë. Ky është çmimi që duhet paguar për pasionet dhe ëndrrat e kësaj bote...
Asgjë nuk thuhet për Sizifin e “jetën” e tij në Ferr. Mitet janë bërë për të ndezur imagjinatën. Tek Miti i Sizifit shohim veçse përpjekjet e trupit të tendosur për të ngjitur një shkëmb, i cili rrokulliset poshtë dhe për t’ju ngjitur pambarim një të përpjete.
Tek miti, ndoshta mundet të shihet fytyra e ngërdheshur, faqen e mbështetur tek shkëmbi, shpatullën nën gurin e rëndë tek e shtyn, këmbën që e mban, dy duart që e mbërthejnë, sigurinë njerëzore të dy duarve plot baltë. Në mbarim të kësaj përpjekjeje të gjatë, të kufizuar nga hapësira pa qiell dhe koha pa thellësi, qëllimi arrihet. Atëherë, Sizifi që s’ka mundur të mbushet me frymë lehtësimi, shikon gurin që në pak sekonda rrokulliset drejt botës së poshtme, nga ku duhet të ngjitet përsëri në majë.
Sizifi zbret përsëri poshtë. Pikërisht, gjatë zbritjes, gjatë kthimit poshtë, është interesante dhe na intereson Sizifi. Një fytyrë që ndodhet e lodhet aq pranë gurëve, është kthyer në një gur vetë. E shoh këtë njeri të zbresë me hap të rëndë e frymëmarrje po kaq të rëndë e të shpeshtuar drejt vuajtjes së pafund. Kjo orë është si frymëmarrje dhe përsëritet po me aq siguri sa edhe fatkeqësia e tij, është ora e ndërgjegjes.
Në çdonjërin nga këto çaste, kur ai zbret nga maja dhe zhytet në strofkat e Perëndive, ai qëndron mbi fatin e vet. Është më i fortë se shkëmbi që ngjit e ngjit pafundësisht.
Ndoshta, dikur Sizifit duke ngjitur shkëmbin, do t’i ndodhë diçka e paparashikuar. Shkëmbi do të ngecë në një guralec dhe nuk do të zbresë më poshtë, ashtu siç kishin vendosur Perënditë dhe ishte paracaktuar nga Fati.
Sizifi ndoshta tashmë ka mundësi të shlodhet, të “jetojë” i kënaqur në Ferrin e vet. Fati u përmbys, perënditë u sfiduan. Ndoshta tani ai është i lumtur, jeta e tij ndryshoi dhe gjithçka, ashtu siç mundet ai ta dinte, ta dinim apo imagjinonim edhe ne të tjerët, u përmbys. Shkëmbi ngeci në majë. Qëllimi u arrit.
Por përsëri Sizifi nuk është i lumtur. Perënditë ai i ka sfiduar dhe do të vazhdojë t’i sfidojë përjetësisht. Qëllimi i sfidës nuk është përmbushja e misionit të ngjitjes së shkëmbit në majë të malit dhe tek të qenit pastaj i shlodhur, i qetë, pa bërë asgjë. Qëllimi është sfidimi i përjetshëm i Perëndive. Qëllimi është sfida e përjetshme, mosbindja, mosnënshtrimi.
Aty qëndron absurdi, aty qëndron lumturia. Aty qëndron gëzimi i heshtur i Sizifit. Fati është diçka që i përket atij, që i nënshtrohet atij.
Ç’duhet të bëjë Sizifi. Ta lerë shkëmbin të ngecur tek guraleci dhe të shijojë “lumturinë”?...
Jo. Sizifit nuk ka ç’i duhet një lumturi e tillë? Ndaj edhe ai heq me një të rënë të gishtit guralecin dhe e lë shkëmbin të rrokulliset poshtë. Dhe zbret i “lumtur” ta ngjisë e ta ringjisë përjetësisht në majë atë shkëmb.
Me shpresën dhe dëshirën e heshtur brenda vetes, që sfida e tij të jetë mësim për të tjerët si ai, por edhe për perënditë...
Dhe Sizifi vazhdon e vazhdon në përjetësi të ngjisë e ringjisë shkëmbin në majë të malit, ashtu si mijëra e mijëra, miliona emigrantë përshkojnë rrugën e tyre të mundimshme të ngjitjes së shkëmbit të legalizimit që s’dashka e s’dashka të qëndrojë ndonjëherë në majë të malit.
Si Sizifi, emigrantët sfidojnë “dënimin” që u është dhënë, me shpresën se dikur shkëmbi që ata ngjisin kaq vite, nuk do të rëndojë më në shpatullat e fëmijëve e nipërve të tyre...

Të rritur si fëmijë!...




Të rritur si fëmijë!...


Ardi Stefa
E di që ti që i shkruan këto radhë shpesh herë dëshiron të kujtosh e të ndiesh të gjitha ato që ke lënë pas, që kemi lënë pas...
E di, që duke kthyer kokën pas e ke të vështirë, ashtu si edhe ne që të besosh se jemi ende gjallë. Ne udhëtonim me tren 10 dhe 12 orë për të shkua nga njëri qytet në tjetrin. Nuk kishim lehtësirat dhe as luksin e tanishëm. Autobusët ishin pa ajër të kondicionuar, pa xhama në dritare, pa ndenjëse të rehatshme, rrangalla e shkatarraqe që vinin erë djersë e punë. Në çantat tona prej bezeje gjeje copa gazetash për të mbështjellë bukën. Shpesh herë kur humbisnim autobusin e linjës, bënim autostop. Biçikletat i rregullonim gjithmonë sa e si të mundeshim. Nuk kishin kokore për to. Luanim me topa të vegjël llastiku nëpër rrugicat e lagjeve tona pa frikën e makinave që atëhere ishin të rralla. Topat ishin aq të vegjël saqë shpesh herë dilnim huq dhe i binim me këmbë me forcë asfaltit të rrugës. Kishim lulishte me lëkundëse të mprehta metalike dhe cepat e tyre na vrisnin aq shumë. Edhe lodrat e tjera tona ishin të dhunshme.
Kalonim orë të tëra duke ëndërruar dhe duke ndërtuar makina apo edhe karro me kushineta për të bërë gara pastaj me njëri- tjetrin. Lëshoheshim me vrull në ndonjë dishezë dhe vetëm atëhere kujtoheshim se karrocave tona me kushineta u mungonin frenat. Njihnim nga zhurma e motorave të gjitha markat e makinave të mëdha dhe luanim kukamçefti apo edhe me pulla. Kaçolet e arançatave i mbushnim me baltë dhe luanim gjasme kumar. Dilnim nga shtëpia pa u gdhirë, luanim gjithë ditën dhe ktheheshim vetëm kur ishte ngrysur e kishte rënë krejtësisht nata. Askush nuk na gjente dot se nga futeshim. Askush nuk na shikonte kur përgjonim çiftet që bënin dashuri. Atëhere nuk kishte telefona celularë. Edhe telefonat nëpër shtëpira ishin të paktë. Kërciste druri ndërmjet nesh dhe pak herë dënoheshim. Ziheshim me njëri- tjetrin dhe pas disa ditsh grindjet harroheshin e flisnim përsëri.
Hanim bukë thatë dhe brumëra, por nuk ishim trashaluqë. Ndonjëri prej nesh ishte i shëndoshë, por jo trashaluq. Pinim ujë apo birra e raki drejt e nga shishja ku kishin vënë buzët të gjithë dhe nuk pësuam gjë. Ndonjëherë na ishte mbushur koka me thërriza dhe nënat tona a qethnin zero, ose na lyenin kokën me naftë apo uthull.
Nuk kishim televizorë, as Playstation, as Nintendo. Nuk kishim as DVD apo videokaseta. S’kishim as internet e as kompjutera...
Por ne kishim shokë. Binim dakort të dilnim të gjithë së bashku dhe dilnim. Ndonjëherë nuk thoshim gjë për të dalë, por të gjithë mblidheshim tek vendi i zakonsëm, spontanisht dhe dilnim. Takoheshim dhe luanim. Ndërtonim kështjella në rërë, gradaçele prej letre, thyenim kërcinjtë në futboll dhe ndërtonim karro me kushineta. Deri aty shkonte teknologjia jonë. Lodrat tona i ndërtonim vetë me tela apo dru. Humbëm me qindra topa futbolli apo topa llastiku. Pinim ujë me gojën drejt e në çezmë. Ndiqnim fluturat e ngrinim kurthe për zogjtë, e ur nuk i kapnim në skenë futeshin llastiqet për t’i vrarë.
I thërrisnim njëri- tjetrit nga jashtë shtëpisë me sa kishim në kohë dhe pastaj ia mbathnim nga të na çonin këmbët, derisa të na priste barku nga uria. Bridhnim. Pa u marrë leje prindërve. Pa na kontrolluar ndonjë i madh. Thjesht, të vetëm në botën e ashpër.
Si ia dolëm mbanë?
Në ativitetet shkollore merrnim pjesë të gjithë. Disa prej nesh ishin nxënës të mirë, disa të tjerë duhet të ngeleshin në klasë.
Muajve të verës bënim pushime tre muaj të tëra. Kalonim orë të pafundme në breg të detit, pa përdorur kremra me treguesin e mbrojtjes 30, 40 apo 50. Nuk bënim as mësime të organizuara të mësimit të notit, as se si të drejtonim varkat, as se si të luanim tenis. I mësuam vetë të gjitha...
Asgjë atëhere nuk është si sot.
Por atëhere ne bënim kështjella në rërë, bënim kështjella fantastike përtej çdo lloj arkitekture apo rregullash ndërtimi. Peshkonim me një parangall dhe krimba deti. I zinim vajzat mikesha duke i ndjekur për ditë të tëra nga pas dhe jo duke biseduar me to në ndonjë chat room dhe duke shkruar budalaëqe me pseudonime...
Kishim liri. Kishim dështime. Kishim lumturi e përgjegjësi. Brenda të gjitha këtyre ne mësuam e u poqëm, u rritëm. Jo si fëmijtë e sotëm qullashë.
Në rast se edhe ndonjëri prej jush që lexon këto radhë është nga të “vjetrit” e brezit tim, atëhere i lumtë. Kishte fatin të rritej si fëmijë...