Κυριακή 25 Απριλίου 2010

Shtëpia ime...

Shtëpia ime...
Ndoshta jam nga të paktët që vazhdoj të shkruaj e të publikoj në Blogun tim, por edhe nëpër site të ndryshme në internet, qoftë edhe në Facebook, me emrin e vërtetë. Pa u fshehur pas pseudonimeve apo edhe anonimitetit.
Kjo për shkakun e thjeshtë se besoj thellësisht në ato që shkruaj e mbroj, por edhe për faktin e thjeshtë se idenditeti dhe jo anonimiteti e pseudonimet në debate publike (qoftë edhe virtuale) janë shprehje e një demokracie të vërtetë e të rrënjosur thellë brenda meje.
Por...
Kam shumë kohë që vendosa të mos publikoj më asnjë koment që vjen në Blogun tim, qoftë pozitiv, qoftë negativ. Përgjithësisht, jam njeri, që ata që komentojnë poshtë shkrimeve të mia, edhe kur nuk kanë të drejtë, apo kur fyejnë mua personalisht, edhe duke qenë anonimë, i kam publikuar dhe jam përpjekur qetësisht që t’u përgjigjem...
Me qindra herë jam munduar që t’u shpjegoj shumë “vizitorëve” komentues, anonimë, ose jo, se në Blogun tim janë vizitorë dhe si të tillë duhet të sillen me edukatë dhe respekt, ashtu siç besoj se sillen kur hyjnë në ndonjë shtëpi të huaj. Dhe për këtë jam kategorik: Nuk mundet të hysh në një shtëpi të huaj, pa trokitur në portë, pa thënë se kush je dhe pa u sjellë në mënyrë të kulturuar...
Do të shtoja edhe diçka tjetër, që më kanë mësuar që në moshë të vogël: Pa fshirë këmbët e tua, pa varur xhaketën dhe kapelen, pa pasur diçka për të thënë apo për të ofruar mikpritësit...
Të tilla gjëra, të dala mode, me pak fjalë...
Të cilat, do t’i ruaj e respektoj me shumë devotshmëri e përkushtim, pasi e di thellë brenda vetes se Kultura andej fillon: Tek porta e jashtme e secilës shtëpi. Të shtëpisë tënde, ku banon e pret të ftuarit e tu. Të shtëpisë së tjetrit, që viziton si i ftuar ti!...
Blogj-et nuk janë as sheshe publike, as gazeta, as programe televizive, as ndonjë kongres partie, as edhe deklamim ... kombëtar. Blogjet janë një vend, një territor Personal, i cilitdo krijuesi- administrator të tyre, i cili me dëshirë u hap dyert që ta vizitojnë ata që dëshirojnë... Një ditar...
Por kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që e vizitojnë këtë territor personal të secilit, kanë automatikisht edhe të drejtën (duke iu referuar një “lirie të fjalës” të keqkuptuar), që të hyjnë, të shajnë, të kërcënojnë, të mashtrojnë dhe të bëjnë shantazh.
Konceptet e “lirisë”, “censurës”, “demokracisë” janë keqkuptuar në vendin tonë. Ato mbyten në fjalët pa fre dhe në kënaqësinë e përkohshme e egoiste, por edhe në ndjenjën se “jemi të rëndësishëm”, qoftë edhe anonimisht e me pseudonime...
Një miku im, me të cilin diskutoja rreth këtyre që po shkruaj më tha se jam person publik, që shpreh një fjalë publike, dhe si të tillë duhet që të pranojë akoma edhe kritikën më të ashpër, deri edhe sjelljen e pahijshme e mungesën e edukatës së komentuesve...
Jam dakort, përsa i përket pjesës së parë, por në asnjë mënyrë nuk jam dakort me pjesën e dytë të fjalisë së tij. Nuk besoj se, akoma edhe një gabim të madh të bësh, ka të drejtën cilido të të shajë e fyejë për këtë.
Këtë sjellje kaq mjerane e kam ndeshur shumë shpesh, si nëpër stadiume, ashtu edhe nëpër vende të tjera publike, ku njerëz, të mbuluar nga anonimiteti e fanatizmi, shajnë me rrënjë e me degë jo vetën sportistët e skuadrës, me të cilën janë tifozë, por edhe shokët e miqtë e tyre, kur ata gabimisht bëjnë edhe një “gabim”.
Të mos përmend pastaj faktin që sharjet e tyre kanë të bëjnë me atë që përbën kompleksin e përhershëm të shqiptarëve: seksin...
Shpesh herë do të doja që këtyre anonimëve t’u kthehen sportistët nëpër stadiume, apo qoftë edhe njerëzit e tjerë dhe t’u përgjigjen me të njëjtat fjalë, me të cilat i kanë fyer. Të njëjtën gjë, jam i bindur se do të bënin edhe të gjithë ata blogger, kur shohin komentet fyese e sharëse të Anonimëve...
Të njëjtën gjë ndiej edhe unë. Shpesh herë them me vete: “Ka të drejtë që e thotë këtë gjë, por përse e thotë duke më sharë?”...
Por duke qenë se nga goja, për fat të keq, ende nuk më dalin sharje e nuk them dot halera të tilla, i them duke “i fshirë”.
Duke i fshirë, e duke u mbyllur portën, pasi ende nuk dua që të mbyll portën e shtëpisë sime...
As edhe Shtëpinë time...
PO, dialogut, po kritikës dhe shkëmbimit të mendimeve dhe kurresesi JO kundërshtimit e antagonizmit shterp nëpërmjet fyerjeve, jo fashizmit të njerëzve kompleksikë...
Këtyre, po që u duhet mbyllur porta, kurrsesi shtëpia, pasi do të trishtohen e mërziten të gjithë ata që gjejnë një fije shpresë e ndajnë ide të njëjta me ty...
Nga ana tjetër, jam kundër faktit që të përzgjedh ata që më shkruajnë vetëm fjalë të mira e të përjashtoj ata që shkruajnë fjalë të këqija.
Prandaj ndoshta do të jem i detyruar që të duroj çdo kompleksik e të paedukuar që do të lërë komente në shkrimet e mia...
E keqja është se këta të fundit janë më të shumtit...


P.S: Blogu, është një ditar i imi. Një ditar për veten dhe të tjerët... Dhe ditaret i ruajmë si dritën e syve, pasi i shkruajtëm kryesisht për vete. Demokracia e Internetit ka të njëjta karakteristika me demokracinë si koncept politik- bashkëjetojmë me ata që janë rreth nesh, sikundër edhe ata me ne. Nuk është e vështirë që të injorojmë njerëzit që gjejnë tribune vetëm për të sharë e fyer, pasi në rast se “tërbimi” i tyre do të ngelet një një cep me gjërat e pakërkuara, ata do të kërkojnë mënyra të tjera, vende të tjera të të shprehur tërbimin e kompleksin e tyre...
Pasi dikush përzgjedh që të mos ta ruajë ditarin e tij si dritën e syve. Përbën vallë kjo një alibi vandalizmi?...

Δευτέρα 5 Απριλίου 2010

Muri

Muri

Ardi Stefa

Ishin kohë të padrejtësisë së përkryer e të fatit të rastit. Ishin ditë të varura, të thara, plot boshllëk.
Ishin ditë ku shpirti kërkonte vetveten, ku maskat binin e binin, e binin vazhdimisht për t’ia lënë vendin fytyrës reale, që shpesh s’arrinte të shfaqej. Dha na krijohej përshtypja se fytyra e vërtetë s’ishte gjë tjetër veç këto maska të pafundme.
Të përcaktoje të vërtetën e veten ishte më tepër se e domosdoshme. Na ishte mërzitur gjithçka: arsyetimet, problemet përjetësisht të pazgjidhshme, pasiguria, ankthi, mburrjet e shpifjet, hipokrizia e maskat, gënjeshtrat e përditshme, ëndrrat që shkërdheheshin, piedestalet idiote që mbusheshin e zbrazeshin njëkohësisht, të vdekurit e pavdekshëm...
Muret po rrëgjoheshin...
Dora e pamëshirshme e kohës po rikonstruktonte mure të reja, me një logjikë të hekurt e të pamëshirshme, të ashpër e të panjohur, ashtu si koha, çastet e orët që kalonin pa grim e pa tualet. Shumë e hidhur gjuha e tyre. Shumë! Ndoshta e vërteta rëndom është e tillë.
Ngjarje të ndryshme në ngjyrë gri lundronin kujdesshëm në kujtesë.
Muret po rrënoheshin...
Dhe vazhdonim të endeshim nëpër mjegull pa ditur në ishim qenie shpirtërore apo individuale, objekte apo subjekte, të gjendur në kohë, apo të rastësishëm kudo.
Lotët kishin kohë që përtonin të binin faqeve. Buzëqeshja ishte arratisur prej kohësh nga fytyra. Të qeshurit me gjithë shpirt s’mbahej mend që kur. Bile, nuk dinim në patëm qeshur ndonjëherë. Sytë hapeshin e mbylleshin instiktivisht. Ndienim dhimbje. Po kjo nuk ishte gjë përpara dhimbjes tjetër: të mosndierit të dhimbjes.
Atëherë, instiktivisht, mendja e shpirti ynë u thith prej tingujve që përhapnin valët e radiove...
Ej, ti, jashtë në të ftohtë,
vazhdimisht, më plak e më i vetmuar.
A mund të më ndiesh?
Ej ti, që korridoreve rri vazhdimisht,
Me të sëmurat këmbë e të ç’rrënjosurën buzëqeshje.
A mundet të më ndiesh?
Ej ti! Mo i ndihmo të kafshojnë Dritën!
Mos u dorëzo pa luftuar!

Ej, ti, me vetminë tënde, lakuriq pranë telefonit
Do mundeshe të më prekësh?
Ej, ti, me veshin në MUR mbështetur,
Duke pritur dikush të të thërresë
Do mundeshe të më prekësh?
Ej, ti, ndihmomë të ngre këtë peshë.
Hape zemrën tënde, po vij në shtëpi...

Ej, ti, jashtë në rrugë ku çfarë të thonë bën gjithmonë,
Mund të më ndihmosh?
Ej, ti, tutje MURIT, që në holl çdo gjë thyen i dehur
Mund të më ndihmosh?
Ej, ti! Mos më thuaj se s’ekziston asnjë shpresë
Së bashku mundemi të durojmë,
Të ndarë do të rrëzohemi...

PINK FLOYD, The Wall- MURI
Çdo stereofoni e botës kishte humbur. Detyrime, kundërshtime, frikësime, filozofi, ëndrra e realitet me zero u shumëzuan. Çfarë shurdhimi, çfarë shkretie edhe kjo! Rëndësi ka të mbetesh Njeri!
Kënga ndërkaq vazhdonte:
Por gjë tjetër s’ish- veç një fantazi
Muri ishte më i lartë dhe prej vështrimit tuaj;
Sado që u përpoq, të ikë s’mundi
Dhe milingonat hëngrën trurin e tij...


“Historia e pranon përjashtimin e rregullit”,- thamë, përshëndetëm njëri- tjetrin me një mirësjellje të shtirur e absurde dhe mbyllëm portën me ndërgjegjen tonë të heshtur e të “qetë”...
Dhe MURI vazhdonte të ekzistonte e të ngrihej jashtë e brenda nesh...

Tiranë, 15 mars 1989

Τετάρτη 31 Μαρτίου 2010

Lumturia e ... Ferrit

Lumturia e ... Ferrit
(Replikë me veten e të tjerët)
Nga Ardi Stefa

Me siguri që do ta keni dëgjuar këngëtarin e madh grek, Janis Parios të këndojë “Ma ke bërë jetën Ferr”. Sikur gëzohet, sikur kënaqet, sikur lumturohet për jetën e tij ferr. Salla ngrihet në këmbë. Lulet bien mbi të si shi. Spektatorët lumturohen së bashku me të, entusiazmohen, jetojnë çaste deliri për arsyen që ferri u bë jetë.
Me të njëjtën mënyrë sillemi, një pjesë e madhe e teleshikuesve kur në ekranin e TV shohim dhimbjen e vuajtjen njerëzore, ankthin, fatkeqësinë, dëshpërimin. Ferrin. Kjo mënyrë të sjelluri, për të cilën në shumicën e rasteve nuk jemi të ndërgjegjshëm, shprehet në nivelet e larta të treguesve të AGB të kanaleve televizive që luajnë me sa më sipër. Është ajo që pjesa tregtare e shfrytëzuese e TV e shpreh me një frazë të vetme: “Tema shet. Dhimbja, mjerimi, fatkeqësia e tjetrit shesin.” Dhe ne blejmë, të kënaqur nga fakti që të tjerëve u humbet e gjithë dora, kur neve na mungon vetëm një gisht. Apo mos është e kundërta?...
Ngulemi përpara ekraneve dhe dëgjojmë nënën e mjerë nga Afganistani të ulërasë e të kërkojë fëmijën e copëtuar nga bomba dhe fëmijën tjetër që po rrezikon të verbohet. Duam që ta shikojmë vazhdimisht atë skenë, të ridëgjojmë klithmat e dëshpëruara të saj. Nuk na intereson aspak që për të marrë një plan më të mirë kameramani bën Zoom mbi fytyrën e nënës fatkeqe. Për të nuk ka rëndësi dhemba e saj. Ka rëndësi ekskluziviteti. Duam që ta shikojmë më qartë, ta dëgjojmë të thërrasë më fort. Nuk na bezdis aspak pyetja që i bën reporteri vazhdimisht e vazhdimisht: “Shpresoni më? Si ndiheni në këto çaste?”. Na pëlqen që nënën fatkeqe ta shohim çdo natë në edicionet e lajmeve të të gjitha kanaleve, të përsërisë e të përsërisë se çfarë ka ndjerë për fëmijët e saj. Na pëlqen të dëgjojmë se si prindi fatkeq ishte filogrek, mësues diku atje të Afganistan, se si kishte shitur të gjitha ato që kishte e çnuk kishte për t’u siguruar një jetë diçka më të mirë fëmijëve të tij, në Tokën e Premtuar, në Greqi... Na pëlqen që ta shikojmë nënën e plagosur deri në palcë të vështrojë me ankth ata që i drejtojn mikofonat e kamerat, me shpresën se mos vallë i ngjalet i biri 15 vjeçar, apo nuk humbet dritën e syve vajza e saj 11 vjeçare...
Dhe faji nuk është vetëm i prezantuesve e i gazetarëve të TV. Është fjala për një fenomen të mprehtë social, simptomë e sëmundjes së rëndë nga e cila është infektuar shoqëria urbane, i moralit të saj.
Kushdo që e ka lexuar “Faustin” e Gëtes, do të kujtohet që në një skenë ai ka vendosur dy burra që pijë të qetë kafenë e tyre një mbrëmje të bukur në dritaret e shtëpive të tyre që ishin përballë njëra-tjetrës:
- Ah, sa më pëlqen që ta pijmë kafenë tonë këtu, të qetë në mbrëmje dhe të dëgjoj që aje larg në Kinë po vriten njerëz!
Gëtja kishte hyrë në shpirtin e kohës, kishte kuptuar psikologjinë e botës së re që po lindte. Nuk u mjaftonte më atyre njerëzve që të pinin kafenë e tyre qetësisht. Ndiejnë më tepër lumturi, në qoftë se dëgjojnë që po vriten e po priten atje larg në Kinë. Ky është një kriter moral, që karakterizon shoqërinë urbane në stadin e zhvillimit të saj.
Dostojevski kishte shtruar për diskutim dilemën: “Kush guxon të miratojë lumturinë e botës, kur ajo bazohet në lotin e një fëmije?”
Por sot, disa guxojnë dhe e ngrënë informimin dhe dëfrimin e njerëzve mbi lotin e një nëne për fëmijën e humbur. Marketing e para në arkë! Turp!...

p.s: Të gjithë ne emigrantët mbartim një histori të ndryshme mbi supe. Historinë tonë. Dhe secili prej nesh ka të drejtën ta kërkojë ëndrrën dhe një jetë më të mirë në atdheun e ... Mikpritjes(!) dhe të Kulturës(!)...
Nuk e di me të vërtetë se çfarë është më raciste.
Të marshosh nëpër parakalime të festave kombëtare- gjasme për atdheun dhe vlerat e tij- duke ulëritur me histerizëm kundër tyre me parrula fashiste, apo të mbyllësh sytë përpara problemeve të tyre?
Emigrantët ngado që të jenë, nga cilido vend që të kenë ardhur në Greqi, janë pjesë e jetës së Greqisë. Dhe grekët, sidomos ata që kanë një pozicion publik e që zëri i tyre dëgjohet e kanë për detyrim që të kontribuojnë në integrimin e tyre...

Τρίτη 9 Μαρτίου 2010

Νo, we can΄t!

Νo, we can΄t!
Ardi Stefa

Përpara nja dhjetë ditësh, kur u mësua se socialistët shqiptarë do të hynin në Parlament, shumë vetë u gëzuan. Një pjesë e madhe e atyre që njihja shpresonin se me hyrjen në Parlament të socialistëve do t’u vihej “fre zullumeve” të Berishës. Bile më qëlloi të isha i ftuar edhe në një ceremoni të organizimit të socialistëve vlonjatë, sarandiotë e gjirokastritë dhe në koktejlin e shtruar me atë rast me bukë misri dhe djathë të bardhë...
Nga diskutimet u tmerrova, pasi pashë një ndjenjë revanshizmi dhe urrejtjeje që emetohej nga çdo qelizë e diskutantëve...
Përsëri ngela me shpresën se hyrja e Edi Ramës dhe e partisë së tij në Parlamentin e Shqipërisë, ndoshta do të vijonte për mirë...
Dhe prita (megjithëse e dija përfundimin qysh më parë) ditën e hyrjes së socialistëve në Parlament.
Me një shpresë të fshehur, mos ndoshta Shqipëria dilte nga ngërçi politik...
Me një shpresë të fshehur se mos edhe njerëzit dilnin që i pasonin dilnin nga ngërçi politik...
Por shakaja mori fund pa u nisur mirë. Socialistët, ashtu siç hynë, ashtu edhe dolën..., (kastravecë- siç thotë një këngë shqiptare).
Socialistët e Edi Ramës, i cili vazhdon të mbajë origjinalitet botërore (i vetmi kryetar opozite, që nuk është deputet), hynë në parlament sa për të mos u hequr mandatet dhe të marrin rrogat. Dolën për të hyrë përsëri pas gjashtë muajsh. Që të dalin përsëri brenda ditës...
Me pretekstin e hapjes së kutive...
Do të kalojnë muaj të tërë dhe socialistët do t’i bien të njëjtit avaz, atij të kutive që nuk do të hapen ndonjëherë. Qysh tani socialistët po kërkojnë për pretekstin e radhës për krijimin e krizës politike...
Jam i bindur, që pas të gjitha këtyre lëvizjeve të socialistëve, por edhe qëndrimit të qeverisë, nuk fshihet ndonjë mentalitet komunist, por një koncept shumë i vjetër i ekstremit të djathtë.
Ajo, që politika është çështje e të “mirëve” kundër të “këqinjve”, e të “urtëve” kundër “mëkatarëve”, e të “moralshmëve” kundër të “pamoralshmëve”.
Një koncept, i cili zëvendëson politikën me moralin dhe veprimin me predikimin...
Për fat të mirë, jeta gjithmonë ka fjalën e fundit. Akoma edhe në të ashtuquajturën “luftë kundër korrupsionit”, e cila u shndërrua në flamur të fushatave ekeltorale dhe në një kryqëzatë kombëtare, u vërtetua se nuk ishte veçse një luftë e të pasurve, të cilët donin të zinin vendin e disa të pasurve të tjerë.
Konkluzioni që nxjerr? Që politika mundet të evoluohet me citate, por qeverisja e vendit është një çështje shumë më e komplikuar dhe më e vështirë për t’u thjeshtëzuar...
Dështimet e të dy liderëve kryesorë shqiptarë janë një provë e padiskutueshme i këtij konkluzioni kaq të thjeshtë.
Barak Obama u bë president duke deklamuar në parrullë, e cila dëgjohet shumë bukur në veshë: Υes, we can! (Po mundemi!).
Me gjithë respektin që ushqej për Obamën, me gjithë emocionin që më krijoi zgjedhja e tij, akoma pres politikanin, i cili në një fushatë elektorale të dalë e të thotë: Νo, we can΄t! Të thotë d.m.th.: “Jo, nuk mundemi”.
Jo, nuk mundemi, të jetojmë vazhdimisht në një krizë politike e sociale.
Jo, nuk mundemi të jetojmë si të korruptuar e njëeëz qqë nuk paguajnë taksat.
Jo, nuk mundemi të jetojmë e të ekzistojmë si shtet pa sipërmarje e biznese të ndershme e të shëndetshme.
Jo, nuk mundemi të jetojmë si një shtet që “kujdeset” për votuesit e njërës palë e jo të tjetrës.
As nuk mund të jetojmë si një sistem politik që tallet me të gjithë, brenda e jashtë vendit. As mund të jetojmë si një shtet që do të hyjë në BE dhe nuk ka as idenë më të vogël të demokracisë së vërtetë...
Veçse një politikan të tillë, ende nuk e kam ndeshur...

Τετάρτη 3 Μαρτίου 2010

Dy SMS


SMS 1- Një ditë përpara se të komunikonte masat, tepër shtrënguese dhe shokuese, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri, J. Papandreu, shprehu emocionin, por edhe mallëngjimin e tij, pasi sikundër deklaroi “Njerëzit e thjeshtë, e ndalojnë në rrugë dhe i thonë se për atdheun, edhe rrogën time e sakrifikoj”!...
Nuk e di se cilët janë ata njërëz të thjeshtë e rrogëtarë, që e ndalojnë në rrugë dhe i thonë këto fjalë.
Nuk e di se cilët janë ata njërëz të thjeshtë e rrogëtarë, që e ndalojnë në rrugë dhe karakterizohen nga një ndjenjë e tillë sakrifice, vetmohimi e patriotizmi të lartë...
Me siguri që bëhet fjalë për njerëz, qofshin këta edhe të thjeshtë e rrogëtarë, të cilët nuk kanë kuptuar ende se për fat të keq, (edhe pse mund të mos jenë në sektorin publik e shtetëror të punësuar), do të sakrifikojnë shumë më tepër se një rrogë.
Që nuk kanë kuptuar se paketa e dytë e masave shtrënguese do të pasohet nga një paketë e tretë dhe e katërt, të cilat do të imponohen nga “ortakët” e grekëve në BE. Që nuk kanë kuptuar se Greqia po hyn (Kujdes: Nuk ka hyrë ende!) në periudhën më dramatike në kohë paqeje të historisë së saj moderne...
Ndoshta bëhet fjalë për njerëz që e ndalojnë në rrugë zotin Papandreu dhe i deklarojnë se do të sakrifikojnë rrogën e tyre mujore, pra, ndoshta bëhet fjalë për njerëz, të cilët ndoshta nuk e kanë kuptuar, se, kështu si po venë punët, shumë shpejt, kostoja e një “vizite” në supermarket, do të jetë e barabartë me një natë në buzuqe...
Dhe në buzuqe një shishe bën 300 euro...
Ndoshta bëhet fjalë për njerëz, të cilët nuk e kanë kuptuar se kështu si po venë punët, papunësia do të kapë majat dhe kriminaliteti do të marrë përmasa të egra...
Dhe në fund të fundit, nuk kanë kuptuar se sakrificat, të cilat ftohen të bëjnë (kur nuk i bëjnë vulnetarisht...) do të vonojnë shumë që të duken për mirë..., pasi, shumë thjesht, paratë që ata do të “dhurojnë për atdheun dhe shpëtimin e tij...” nuk janë të destinuara që të çelin portat që na çojnë në një të ardhme më të mirë, por do të mbyllin “vrimat” që u bënë nga shpenzimet e panumërta të së djeshmes...
Të qeverisjeve socialiste e konservatore...
Kur të kuptojnë të gjitha këto gjëra, njerëzit e thjeshtë që e ndalojnë në rrugë dhe i thonë se “për atdheun, edhe rrogën time e sakrifikoj”!...- me siguri që do të synojnë që ta takojnë përsëri në rrugë kryeministrin Papandreu...
Vetëm se nuk është aspak e sigurtë se edhe atëhere do ta trajtojnë me të njëjtën ndjenjë solidariteti, vetëmohimi, sakrifice e flijimi të rrogës, të të drejtave, të jetës...


SMS 2: U ngritën taksat. Kjo ishte njëra nga masat shtrënguese të qeverisë Papandreu...
Dhe unë fillova të bëj llogaritë e mia mujore.
Paga: 1.200 euro...
Qeraja: 400 euro
Dritat: 90 euro
Uji: 35 euro
Pagesat për mirëmbajtjen e pallatit: 60 euro
Telefoni stabël: 50 euro
Telefonat celularë: 100 euro
Parkingu për makinën: 110 euro
Benzinë në muaj: 150 euro...
Shuma në total e shpenzimeve mujore: përafërsisht 995 euro...
Ngelen 205 euro...
Me këto duhet të ha, të pi, të vishem, të paguaj siguracionin e makinës, taksat e qarkullimit rrugor...
Të heq edhe ndonjë lek mënjanë për ndonjë ditë të keqe...
Të gjitha këto ishin shpenzime pa marrë parasysh rritjen e Taksës mbi Vlerën e Shtuar, benzinën, ...
Po të përllogaris edhe atë, atëherë më duhet ta shtrëngoj rripin mirë, pasi nuk do të më ngelen për të jetuar as 100 euro në muaj...
Shans, që të bëj edhe një çikë dietë...

Τετάρτη 17 Φεβρουαρίου 2010

I mençuri dhe budallai!...

I mençuri dhe budallai!...
U ngatërruam me ata që tregojnë hënën, apo me ata që shikojnë gishtin?

A. Stefa
Një fjalë e urtë kineze thotë se “Kur i urti tregonte hënën, budallai shikonte gishtin!”.
Variacionet e kësaj proverbe janë të shumta dhe veçanërisht aktuale...
Merrni shembull nga rasti i të martës. dy kriminelë shqiptarë u përleshën të martën me armë zjarri me policinë...
Një djalë i ri 25 vjeçar, babai i një foshnjeje disamuajshe, ngeli i vrarë nga plumbat që binin rrebesh...
Qysh atë natë në mbrëmje dy kriminelët u gjetën që ishin të kombësisë shqiptare, të arratisur nga burgu i Larisës...
Viktima, edhe ai shqiptar, u quajt thjesht “qytetar”!
Si nga gazetarët e mediave vizive greke, ashtu edhe nga përfaqësuesit e policisë.
Thjesht u mësua që ishte shqiptar, sepse dikush e tregoi për shtypin shqiptar fillimisht, e për atë grek më pas...
Për Drejtorin e Policisë Greke, viktima u gjend në vendin e gabuar, në kohën e gabuar!...
Sa thashë më lart nuk ka nevojë për koment...
Pasi përplasja ndërmjet urtësisë dhe idiotësisë që përcakton proverba kineze, përqafon të gjitha deklaratat e mësipërme. Pasi jeta ndahet gjithmonë në ata që kanë mundësi gjithmonë të tregojnë atë që është themeltare dhe në ata që fshihe pas fjalëve, duke parë gishtin apo gishtat...
Dallimi është i dukshëm, qoftë kur flet për legalizimin e emigrantëve, qoftë kur flet për nënshtetësinë e tyre, qoftë kur flet për një rast të tillë tragjik, kur kriminelet menjëherë emërtohen shqiptarë, ndërsa viktimat fatkeqe, edhe pse janë shqiptare nuk përmendet fare kombësia e tyre...
Ne vend që Drejtori i Policisë Greke të njihte menjëherë përgjegjësinë për humbjen e jetës së një qytetari, qoftë edhe shqiptar, tha se: “viktima u gjend në vendin e gabuar, në kohën e gabuar!...”
Thua se ne gjendemi gjithmonë në vendin e dukur, në kohën e duhur...
Thua se policia gjendet gjithmon në kohën e duhur në vendin e duhur...
Apo qoftë edhe gazetarë grekë...
Ne fund të fundit i takonte policisë që të garantonte sigurinë e qytetarëve kur kryente një operacion të tillë kaq të madh... Se 25 vjeçari shqiptar nuk ra nga qieli në vendin e shkëmbimit të zjarrit. Dhe ka shumë mundësi që të jetë vrarë nga armët e policëve...
Dhe është më keq përpjekja që bëhet për të “korrigjuar” deklaratën për “kohën e vendin e gabuar” me justifikimin se “U kapën dy nga kriminelët më të rrezikshëm të Greqisë”...
Për fat të keq as njëra deklaratë bind, as tjetra. Dhe për këtë kam përshtypjen se ato u drejtohen thjesht idiotëve.
Veçse po qe se duan të tallen haptazi me ndokënd. Por kam bindjen se sot nuk ka më njerëz që tallen, apo që duan të tallen.... Dhe se kjo përpjekje e të tallurit të njerëzve do të shkojë kot...
Dhe këtu lind pyetja: “Bëhet fjalë thjesht për një përpjekje, apo është politikë kjo?...
Si nga gazetarët e paanshëm, si nga zyrtarët e policisë...
Me fjalë të tjera, ende nuk është e qartë se me kë jemi mpleksur: “Me ata që tregojnë hënën, apo me ata që shikojnë gishtin!”
Është e vërtetë që kanë filluar të na brejnë dyshimet, siç është e vërtetë që është ende shpejt për të nxjerrë konkluzione përfundimtare...

http://ardistefa.blogspot.com

Δευτέρα 15 Φεβρουαρίου 2010

Përse Juda nuk është shenjt?

- Përse Juda nuk është shenjt?
Iu afrua pemës dhe filloi t’i fliste. Ishte një fik dhe ishte Juda i vogël.
Juda. E kishte pagëzuar kështu prifti gjysmë i lajthitur i Qytetit përpara shumë vjetësh. Njezet e tre vjet nga ajo ditë kur nga qielli kishin rënë lulet e verdha...
Për herë të parë pagëzohej një fëmijë në Javën e Zezë: e Premtja e Zezë e 199...
Babai i tij e kishte rrëmbyer në ajër dhe e kishte futur poshtë kordeleve zezane të kishës. Foshnja ishte disaditëshe dhe kishin frikë se do ta humbisnin. Ishte shumë i dobët dhe vendosën që përpara se ta çonin nëpër doktorë, t’i jepnin pak shpresë kristiane, nga kisha e çelur përpara disa muajsh...
- Juda...
- Mbase tradhton profecitë...
- Mbase jeton dhe ky i shkretë!
Të tilla urime dhanë plakat që prisnin të shkonin dhe dhanë kohë që të Shpëtonte Foshnja...
- Emër është ky, pater?
- Eh, ditë që është? Nxënës i Jezuit a nuk ishte edhe ai? Të mos pagëzojmë një fëmijë për nder të tij? Ndoshta ndodh yshtja e madhe dhe e shndërron. Deri kur do të ngelet i mallkuar, i urryer? Dikush duhet ta dojë edhe atë...
Juda i vogël e gënjeu Vdekjen dhe jetoi. Përsëri babai i tij i shkoi priftit:
- Pater, më hëngri të gjallë nëna e tij. Kur do t’ja bëjmë festën e emrit? Gjete gjë në kalendar ndonjë festë të Juda Iskariotit?
- T’ja festoni emrin çdo të Enjte të Zezë, çdo vit. Ditën që u pagëzua fëmija. U ka gjë më kristiane se kjo?...
Dhe ashtu u bë. Çdo të Enjte të Zezë të javës së Zezë, kur të gjitha shtëpirat e Qytetit ishin të zhytura në trishtim, e këmbanat e Kishës ushtonin me tinguj funebër, vetëm shtëpia e Judës së vogël kishte drita të gëzueshme e muzikë. Mblidheshin vogëlushët dhe i sillnin dhurata, para dhe lule. Disa i çonin edhe gjethe nga fiku në të dalë të Qytetit...
Të Premten e Zezë, Juda i vogël, mblidhte dhuratat e tij dhe i çonte me të rënë këmbana e parë në Kishë. Gjethet e fikut mbështilleshin të parat në këmbët e Epitafit...
Nga to rridhte shpesh herë si lot, lëngu i bardhë si qumësht...
Dhe sipër tyre, me kalimin e orëve vendoseshin lulet e tjera aromatike.
Dhe me kalimin e viteve lulet natyrale zëvendësoheshin gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më shumë me lule artificiale...
Prifti gjysmë i lajthirur komplotonte me Judën e vogël dhe askujt nuk ia tregonte sekretin e tyre.
Shumë pak besimtarë nga Qyteti e dinin që poshtë luleve natyrale e artificiale fshiheshin gjethet e fikut, të vendosura nga Juda i vogël. Besimtarë të vërtetë që ndihmonin në Çlirimin e Kryetradhtarit...
Vogëlushi kujdesej me shumë dashuri për fikun e vet dhe i fliste gjithmonë. E kishte mbjellë prifti gjysmë i lajthitur në festën e tij të parë. Një dhuratë simbolike, përkushtim, i kishte thënë...
Ai e kishte vendosur këtë ceremoni festive. Dhe vogëlushi Juda e ndiqte me përkushtim, ashtu sikundër e porosiste edhe nëna edhe babai i tij...

Ardi Stefa