Πέμπτη 6 Νοεμβρίου 2008

Obama- mishërimi i ëndrrës amerikane!

Obama- mishërimi i ëndrrës amerikane!
Nga Ardi Stefa
Nga 4 nëntori SHBA ka një president të ri! Një president me ngjyrë!
Ishte vetëm 3 vjeç kur u ekzekutua nga racistët Martin Luter King.
Një 47 vjeçar, i cili nuk ta mbush syrin, por që prej tij i gjithë planeti pret shumë!
Personalisht nuk dua të flas e të analizoj çfarë pritet nga Barak Husein Obama, në mbarë planetin, në politikën e jashtme të SHBA, por edhe në ekonominë e shtetit më të fuqishëm të botës.
Nuk jam specialist e as dua të katandisem qesharak, duke përsëritur ato ç’ka kam dëgjuar prej të tjerëve ne televizonin grek apo kanalet e tjera.
Dua të ndalem thjesht në një fakt, në një mrekulli, e cila mundet të ndodhë dhe ndodh vetëm në Amerikë!
Biri i një emigranti nga Kenia, dhe i një amerikaneje të bardhë, i cili lindi në një kohë kur martesat mikse në SHBA shiheshin me sy të keq...
Bir i një nëne të bardhë, e cila nuk gjente dot punë n Amerikë dhe u detyrua të emigronte në Indonezi për të punuar...
Një fëmijë, emigrant, edhe ai, i cili u rrit nga gjyshërit dhe me mundime e përpjekje të jashtëzakonshme arriti të shmangej nga kriminaliteti i rrugës dhe të studionte në Harward...
Emigrant i brezit të parë, i cili arriti t’i imponohej politikës së SHBA vetëm përpara katër vjetësh...
Bashkëshort i një juristeje me ngjyrë, e cila, ishte stërmbesë skllevërish...
Pikërisht ky njeri, arriti të jetë president i shtetit më të madh të botës, shtet, i cili u njohu të drejtën e votës njerëzve me ngjyrë jo më shumë se përpara dyzet vjetësh...
Pikërisht ky njeri, nga 4 nëntori është presidenti i mbarë planetit!
Pikërisht tek ky njeri qëndron mrekullie, e cila vetëm në AMERIKË mundet të ndodhë!
Nga hiçi të jesh gjithçka!
Nga emigrant i përçmuar të jesh kryetar shteti!
Dhe kjo ndodh vetëm në SHBA, askund tjetër!
Obama është mishërimi i ëndrrës amerikane, i kësaj ëndrre, e cila me gjithë vështirësitë vazhdon të jetë më e fuqishmja, shpresëdhënësja dhe më e prekshmja!
Të paktën mua ky parametër i jetës së Obamës dhe i të gjithë pasardhësve të emigrantëve, të bardhë, apo me ngjyrë, të kuq apo aziatikë që festonin nëpër rrugët e SHBA, Kenias, Indonezisë, Japonisë, më ka lënë mbresa të pashglyeshme.
Ndoshta Obama nuk do të ndryshojë gjë gjatë mandatit të tij, ose do të ndryshojë shumë pak!
Një gjë është e sigurtë: Përmbysja e parë e madhe ka ndodhur!
Ai vërtetoi se Amerika është vendi ku mundet të ndodhë gjithçka, ku mundet të realizohen të gjitha ëndrrat, si nga vendasit, ashtu edhe nga emigrantët dhe bijtë e tyre, qofshin këta të bardhë apo me ngjyrë!...
A. Stefa

Δευτέρα 27 Οκτωβρίου 2008

Vetëvrasja e keqkuptuar!...


Vetëvrasja e keqkuptuar!...
Nga Ardi Stefa

Alber Kamy shkruante: “Ka vetëm një problem filozofik me të vërtetë serioz: vetëvrasja. Të tregosh nëse jeta ia vlen apo nuk ia vlen të jetohet do të thotë t’i përgjigjesh pyetjes themelore të filozofisë...
Galileu, i cili zotëronte një të vërtetë shkencore të rëndësishme, e mohoi me shumë lehtësi sapo iu vu jeta në rrezik. Nuk ia vlente të humbisje jetën në turrën e druve për këtë të vërtetë. Toka apo Dielli rrotullohet rreth njëri- tjetrit kjo është gjë pa interes. Nga aa tjetër kam vënë re se shumë njerëz i japin fund jetës, se pse mendojnë që nuk ia vlen të jetohet. Të tjerë paradoksalisht vriten për idetë apo iluzionet, të cilat i japin kuptim jetës së tyre (ajo gjë që quhet arsye për të jetuar, është njëkohësisht një arsye e shkëlqyer edhe për të vdekur!)”.

Vetëvrasja duhet rivendosur në podiumin që i përket, si në akt i mbushur me kuptim dhe vlera. Shpesh herë ata që vetëvriten, ndodh të të kenë rrokur kuptimin e jetës.
Të mësuar që të yshtim vetëvrasjen si një simptomë patologjie, ose të paktën e një çmendurie të çastit, apo mëkat të rëndë, që as Kisha nuk e pranon, kemi harruar të kaluarën e lavdishme që vetëvrasja ka nga mbas. Luftëtarët legjendarë, Samurai, po qe se çnderoheshin, kishin vetëvrasjen si zgjidhjen e vetme.
Ende më tej, vetëvrasja ka ekzistuar si vërtetim i “urtësisë” romantike, si moda mbarëeuropiane e vetëvrasjes që himnizoi Verteri, në romain postulat të Gëtes. Po qe se shtyhemi më këtej në kohë do të shohim se vetëvrasja bëri të famshëm shumë muzikantë e artistë, si Kurt Cobain, i cili bëri lëvizjen më të zgjuar të karrierës së tij, kur hodhi trutë në erë, duke siguruar, në këtë mënyrë në vend në Panteonin e yjeve të mallkuar të rrokut!
Edhe ata që janë përjetësisht romantikë e idealistë të pakorrigjueshëm, sikundër edhe të çmendurit që vrasin veten për të “përfituar”...
Së fundi, le të mos harrojmë edhe aktet terroriste, sulmet vetëvrasëse, të cilat, të paktën për ata që i kryejnë, janë akte të një frymëzimi hyjnor!
Duke jetuar tashmë në dy realitete, në atë shqiptar, por edhe në realitetin politik grek, jemi mësuar që të çnderohen, poshtërohen, tallen e satirizohen funksionarë të lartë të qeverisë (qeverive) pa konstatuar ndonjëherë se ata, për të cilët bëhet kaq shumë zhurmë e janë protagonistë skandalesh, as që e kanë vënë ndonjëherë ujin në zjarr.
Vetëvrasja, në kuadrin e turpërimit, as që ekziston tashmë në fjalorin politik, të jetës politike. As edhe akti më i thjeshtë i dorëheqjes për arsye morale, duket si një atavizëm i kohërave të tjera, ngjan tashmë si një akt kalorësiak i epokave të kaluara, ngjan si një akt kalorësiak i idealistëve të pakorrigjueshëm.
Shumica e politikanëve shqiptarë apo edhe e atyre grekë (pasi në Greqi kam më tepër se një dekadë që jetoj), nuk kanë asnjë lloj problemi që të bëhen rezil ditë e natë, ndërkohë që në të njëjtën kohë kërkojnë me këmbëngulje respektin dhe votën tonë!
Nuk mbaj mend ndonjë politikan nga të gjithë ata që janë kritikuar e janë zbuluar skandale, me vetë ata protagonistë, që të kenë treguar më të voglën shenjë pendimi, qoftë edhe simbolik.
Kështu që, nën prizmin e pacipërisë që mbizotëron në jetën politike e sociale, shembulli i samurajëve që vetëvriten do të duket si shembull për t’u imituar nga politikanët e pacipë e të korruptuar. Më e pakta që do të vërtetonin ishte se ata njerëz kanë të paktën një farë dinjiteti, qoftë edhe kur ajo rezulton nga trysni të mëdha dhe shantazhe.
Jam shumë i sigurtë se ka shumë qeveritarë e funksionarë të lartë shtetërorë që janë të implikuar në çështje kaq të ndyra sa Gërdeci, Firmat Piramidale, çështja Fazlliç e gjithë derivatet e saj...
Gjithashtu është më se e sigurtë që të gjithë ata persona kërcënohen në mënyrë të pamëshirshme nga klanet korruptive me të cilat bëjnë punët e ndyra.
Sikundër është më se e sigurtë se kabinetet qeveritare janë të mbushura me raste skandaloze korrupsioni e krimi, imoraliteti e hollësirash gudulisëse, të cilat mbajnë peng qeveritarët e piramidës shtetërore. Që këta të fundit të mos i shkojnë kundër kryeministrit, apo klanit të tij të korruptuar.
Ndaj edhe zgjidhen ministra pa asnjë lloj biografie, pa asnjë lloj personaliteti, që e shohin Njëshin si kult, si idhull, si njeriun, të cilit i dedikojnë gjithçka.
Dhe megjithëse mbahen peng, askujt nuk i ka shkuar nëpër mend vetëvrasja...
Sepse në parim mund të thuhet se për një njeri të ndershëm, ato që i beson si të vërteta duhet të përligjin veprimet e tij
Ajo, pra, që duhet të na shqetësojë më tepër nuk janë tentativat e vetëvrasjes. Apo vetëvrasjet. Ajo që duhet të na shqetësojë është tentativat e vetëvrasjeve, të cilat duhet të ishin bërë këtu e shumë kohë më parë dhe që as që do të bëhen ndonjëherë.
Secila nga ato tentativa të parealizuara të vetëvrasjeve ka fytyrën e ndonjë politikani, i cili ose nuk ka cipë në faqe, ose u mësua që të notojë për bukuri në llumin që rrethon pushtetin, pa u shqetësuar aspak nga era e ndyrë.
Këta janë më të rrezikshëm se të gjithë ata që janë “vetëvrarë” fizikisht, pasi këta nuk do t’i mësojmë kurrë...

Κυριακή 12 Οκτωβρίου 2008

Fytyra tjetër e tradhtisë...

Fytyra tjetër e tradhtisë...
“Ungjilli i JUDËS” zbulohet dhe transkriptohet pas 17 shekujsh
Përgatiti: A. Stefa
National Geographic, ka publikuar të plotë, të përkthyer e të komentuar një zbulim me të vërtetë mahnitës, i cili i jep gjithë fesë kristiane, ashtu sç e njohim deri më sot, një dimension tjetër, të ndryshëm. Një dimension, i cili ashtu si roli i Maria Magdalenës (sikundër është trajtuar në Kodin e Da Vinçit) pritet që të ngjallë reagime e revolta të fuqishme në qarqet kishtare. Reagimet do të jenë kryesisht me figurën e Judës, tradhtinë dhe mallkimin e tij të përjetshëm shekullor. Megjithatë, Vatikani, në një përpjekje për të rivendosur lidhje me hebrejtë, në janar të këtij viti, u përpoq që të jepte shenjën e rishikimit të figurës më të keqkuptuar e të urryer në historinë e njerëzimit, atë të figurës së Judës. Vatikani u përpoq në një përpjekje “tolerance”, t’i paraprinte Ungjillit të Judës, duke thënë për herë të parë zyrtarisht se Juda, veproi në “Emër të Zotit”... Koincidencë, apo Kisha zyrtare di diçka që njerëzimi nuk e di dhe ndoshta kurrë nuk do ta dijë?...


Ishte Juda Iskarioti tradhtar?
A mundet që të pranojë dyshime, mendimi zyrtar fetar për ato ç’ka ndodhë në ditët e fundit të jetës tokësore të Jezu Krishtit.
Një dokument i rrallë e mahnitës ka dalë në dritë për të na dhënë variantin e vet dhe të gjykohet nga historianët modernë.
Me ndihmën e teknologjisë më të përparuar dhe me një durim të jashtëzakonshëm “Ungjilli i Judës” paraqite përpara njerëzimit si një dokument unik...


Rindërtimi i një pazli antik...
Ungjilli i Judës, kopja e vetme e njohur deri më sot, e cila për 17 shekuj ishte e humbur dhe e varrosur në një shkretëtirë egjiptiane, më së fundi i paraqitet njerëzimit, i përkthyer dhe i komentuar nga shkencëtarë e teologë të famshëm për llogari të National Geographic Society. Përpjekja për transkriptimin e Ungjillit të Judës ishte shumëvjeçare, e mundimshme dhe për të është përdorur teknologjia më e njohur dhe më e zhvilluar e botës.
Ungjilli i Judës ka qenë shkruar në gjuhën koptike, dhe me karaktere greke të gërmave. Duhet theksuar qysh në fillim se Juda ishte njëri nga dishepujt e Krishtit, dhe fillimisht kishte një rol të rëndësishëm në Kishën Parakristiane.
Në kundërshtim me Dhjatën e Vjetër të Shpallur, e cila e paraqet Judën si atë që tradhtoi Krishtin për 30 pjastrat, kodi i vjetër i zbuluar dhe i përkthyer i jep një dimension tjetër, një variant tjetër, sipas të cilës Iskarioti e dorëzoi Mësuesin e tij jo për 30 pjastrat, por me urdhër të vetë Zotit dhe si një hap të domosdoshëm për shpëtimin e njerëzimit
Ky Ungjill, thuhet në revistën shkencore, reflekton një trajtë tjetër të kristianizmit, të ndikuar nga njohja (gnosticizmi) dhe është karakterizuar si heretike nga Etërit e Senjtë të fillimeve të fesë kristiane.


Ungjilli i Judës, zbulimi
Ungjilli i Judës është zbuluar rastësisht në shkretëtirën egjiptiane El Minia, nga fshatarë, të cilët flisnin për një papirus tepër të lashtë. Ai u zbuluanë dekadën e viteve ’70, por më pas u zhduk nga qarkullimi dhe ngeli i mbyllur në sirtarët e tregtarëve të artit për rreth 16 vjet. Tre dekada më pas ai ka mbërritur në duart e një kleriku, profesori dhe specialisti të gjuhës koptike, zviceranit, Rodolfo Kaser, i cili u mor përvite të tëra me transkriptimin dhe studimin e papirusit.
Teksti i Ungjillit të Judës është shkruar në shekullin e tretë ose të katërt të erës sonë në gjuhën koptike, gjuhë e cila shkruhet me alfabetin grek dhe flitej në Egjipt në epokën parakristiane. Besohet se ky papirus i gjetur është kopje e Ungjillit origjinal, i cili është shkruar në greqisht në fillimet e Erës sonë.
Ungjilli, i cili përbëhet nga 31 faqe, i kronologuar, i identifikuar dhe i përkthyer fillon me fjalët: “Rrëfimi i fshehtë i apokalipsit që u tregoi Jezusi në bisedë me Juda Iskariotin...”.
Ky tekst vjen në kundërshtim me Ungjijtë e njohur e të pranuar nga Kisha, me Ungjistë sipas Mateut, Markut, Lukait dhe Joanit, pasi në Ungjillin e zbuluar kohët e fundit, Juda Iskarioti paraqitet si nxënësi më i mirë i Jezusit dhe të vetmin që i kuptonte drejt mësimet e Krishtit.
Gnostikët besonin në një burim absolut të së mirës, të cilën e konceptonin se syrin e Zotit, jashtë e përtej natyrës fizike. Të gjithë njerëzit kanë brenda vetes shkëndijën e forcës hyjnore, por janë të shkëputur prej saj, për shkak të botës materiale e cila i vesh e i rrethon, një botë të papërkryer, e cila shikohej ashtu nga gnosticistët.
Paragrafi më i rëndësishëm i ngjillit të shumëdiskutuar të Judës, është ai, kur Jezu Krishti i thotë dishepullit të tij, Judëa: “Ti do të flijosh njeriun që më vesh!...”.
Me fjalë të tjera, Juda, duke lehtësuar vdekjen e Jezu Krishtit, e ndihmon të çlirohet nga mishi dhe materia dhe e ndihmon të çlirojë shkëndijën e vet hyjnore. Fakti që Krishti i ngarkon këtë detyrë Judës, është një provë se sa e çmonte ai atë...

Peripecia e një papirusi
Të gjithë e njohin historinë e shokut të ngushtë të Jezu Krishtit, njërit prej 12 dishepujve e nxënësve të tij, i cili e tradhtoi Profetin për 30 pjastra. Më pas, në gjendje çmendurie, Juda Iskarioti, vari veten. Qysh atëherë konsiderohet si simboli absolut i tradhtisë. Bile, në kinematografi Juda është paraqitur shpesh herë si Engjëlli i 13-të, Engjëlli i Errët, me fjalë të tjera Djali ose Satanai...
Kjo pamje stereotipe e Judës u krijua e u ushqye mbi një numër shumë të madh synimesh e qëllimesh.
Ndërkohë që kristianizmi po largohej gjithnjë e më shumë nga stacioni fillestar i fesë judee, teoricienë kristianë filluan të akuzojnë popullin jude si shkaktar për kapje dhe kryqëzimin e Jezisit dhe filluan t’i veshin Juda Iskariotit si judeun më negativ së bashku me priftërinjë e lartë judej. Nuk është e rastit që të katër Ungjijtë e njohur e të pranuar nga Kisha zyrtare, për shembull e trajtojnë me mëshirë pushtetarin romak, Ponc Pilatin, por dënojnë shumë ashpër Judën dhe klerikët e Judejve.
Por “Rrëfimi i fshehtë” paraqet një Judë krejt të ndryshëm nga sa jemi mësuar deri më sot të njohim. Në këtë variant Juda është hero. Në antitezë me dishepujt e tjerë, ai i kupton në thellësi mësimet e Krishtit. Duke e tradhtuar Jezusin, ai zbaton mësimet e Zotit, duke qenë krejtësisht i ndrgjegjshëm për pasojat e mëtejshme. Jezu Krishti e paralajmëron në kohën që Juda me puthjen e tij e dorëzoi tek ndjekësit e tij: “Do të anatemohesh, do të mallkohesh përjetësisht”!
Kjo frazë e Krishtit, shumë thjesht mundet të zgjojë dyshimet për një mashtrim të sofistikuar në lidhje me Ungjillin e Judës, por deri më tani gjithçka vërteton vjetërsinë e papirusit. NGS, e cila ishte bashkëfinancuese e përpjekjeve për përkthimin e transkriptimin, i ngarkoi një laboratori shumë të njohur e serioz maniakture të Universitetit të Arizonës detyrën për zbulimin dhe kronologjinë e papirusit. Me mjetet më të avancuara që disponon shkenca u analizua dhe u stëranalizua Ungjilli i Judës. Analizat e pesë kampionëve të marrë nga papirusi në fjalë, por edhe nga lidhja prej lëkure e faqeve përcaktohet të jetë shkruar aty rreth viteve 220 dhe 340 të erës sonë. Boja e shkrimit ngjan të jetë produkt i një recete tepër të lashtë- një përzierje me dy bojëra: një me kripëra hekuri dhe tanine, ndërsa tjetra nga etal. Gjithashtu specialistët në gramatikën koptike thonë se në rast se do të vlerësonin tekstin përsa i përket ndërtimit sintaksor dhe frazeologjisë, bëhet fjalë për një përthim të Ungjillit nga gjuha greke, gjuha, në të cilën ishin të shkruara fillimisht shumica e testeve kristianenë shekujt 1 dhe 2 të erës sonë.
Por një vërtetim tjetër në lidhje me ekzistencën e këtij Ungjlli vjen nga e shkuara e largët. Rreth vitit 180 të Erës sonë, Irineu, Peshkopi i Lugdunit (Lioni i sotëm) shkruajti një tekst tepër të gjatë me titul “Kundër sekteve” bëhet fjalë për një akuzë tepër të ashpër kundër të gjithëve atyre, mendimet e të cilëve për Krishtin dhe mësimet e tij, ndryshonin nga ato të Kishës zyrtare Kristiane. Ndërmjet tyre ishte edhe një sekt, i cili nderonte Judën, “tradhtarin”, dhe që kishte ngjizur një “rrëfim të gënjeshtërt”, “e cila “kishte trajtën e “Ungjillit të Judës”...”.

Kush e shkruajti “Ungjillin e Judës” dhe çfarë njihnim për të?
Studiuesit kishin dijeni për ekzistencën e “Ungjillit të Judës” nga njohja dhe studimi i shumë teksteve të tjera të vjetra. Përmendja e parë më e vjetër e njohur në lidhje me “Ungjillin e Judës” ishte bërë nga Irineu, peshkopi i Lugdunit (Lioni i sotëm) në vitin 180 të erës sonë. Gjithsesi, kodi që përmban “Ungjillin e Judës”, është zbuluarnë dekadën e viteve ’70-të në Egjipt, ndërsa përkthimi dhe transkriptimi i tekstit u krye nga një grup i specializuar me në krye Rodolf Kaser. Përkthimi filloi në vitin 2001 dhe përfundoi muajt e fundit.
Shkruesi i Ungjillit të Judës vazhdon të ngelet i panjohur. Origjinali, teksti origjinal i Ungjillit të Judës, në të cilin u bazua përkthimi në gjuhën koptike u shkruajt pothuajse në të njëjtën kohë me epokën kur u shkruajtën katër Ungjijtë zyrtarë dhe në vitin 180, nga një grup kristianësh gnosticistë.
Rreth shekullit të 2-të të erës sonë, grupe të ndryshme kristianësh shkruajtën tekste të ndryshme për të paraqitur e themeluar pikëpamjet, zakonet e konceptimet e tyre. Atëherë u shfaqën Ungjij të ndryshëm, shumë prej të cilëve ishin shkruan në emër të Apostujve (sipas X apo Y Apostulli). Këto tekste të gënjeshtërta trajtoheshin si të shenjta nga secili grup, apo sekt kristian, megjithëse shumica e tyre u konsiderua dhe u trajtua si “heretike” dhe më pas u ndaluan krejtësisht nga Kisha e Parë Kristiane...

Kronologjia e zbulimit të “Ungjillit të Judës”
Dekada e viteve ’70-të
Fshatarë egjiptianë zbulojnë rastësisht një papirus të vjetër, i cili përmbante edhe Ungjillin e Judës, pranë shkretëtirës El Minio të Egjiptit.
1978
Kodi, papirusi i shitet një tregtari egjiptian antikash në Kajro.
Maj 1983
Tregtari egjiptian i antikave përpiqet që ta shesë kodin një grupi shkencëtarësh e studiuesish amerikanë, në dhomën e një hoteli në Zvicër. Çmimi që u kërkohet është jashtëzakonisht i lartë.
Shkurt/mars 1984
Tregtari egjiptian i antikave përpiqet që ta shesë kodin në Nju Jork, por përsëri dështon. E vendos një kasafortën e një banke në Hikshvil të Njujorku, ku edhe papirusi do të qëndrojë mbyllur për 16 vjet.
Prill 2000
Tregtarja e sendeve antike Frida Nushberger-Çakos, me qendër në Zyri, e blen më së fundi papirusin nga homologu i saj egjiptian.
Prill 2000
Biblioteka e Librave të Rrallë dhe Dorëshkrimeve Bainiki i Universitetit të Geil vërteton se Kodi i papirusit pëmban Ungjillin e Judës, por vendos që të mos ta blejë.
Shtator 2000
Frida Nushberger-Çakos tenton ta shesë papirusin tek Brus Ferini, tregtar i njohr antikashnë Ohajo.
Shkurt 2001
Tentativat për shitjen e papirusit nuk përfundojnë. Çakos e rimerr në pronësi papirusin dhe e transferon në Maecenas Foundation for Ancien Art në Zvicër.
Korrik 2001
Presdenti i Maecenas Foundation for Ancien Art, Mario Roberti i ngarkon specialistit të gjuhës koptike Rodolf Kaser drejtimin e një grupi të specializuar përpjekjen për transkriptimin e papirusit dhe të Ungjillit të Judës. Në të njëjtën kohë bëhen përpjekje për ruajtjen e papirusit dhe mbajtjen e tij në gjendje të mirë.
Gusht 2004
Qeveria egjiptiane pranon dhurimin e papirusit me Ungjillin e Judës, për në Muzeun Koptik të Kajros. Kodi do të shkojë në Karo pasi të ekspozohet më parë përpara publikut.
Janar 2005
Radiokronologjia e papirusit dhe i lëkurës lidhëse të faqeve nga Universiteti i Arizonës, vërtetojnë vjetërsinë dhe kronologjia e shkrimit të tij përcaktohet ndërmjet viteve 220 dhe 340 të erës sonë.
Janar 2006
Analiza e bojës së shkrimit nga McCrone Associates Inc., në Çikago, vërteton se boja kishte përbërës të njëjtë me ata që përdoreshin për t’u shkruar në shekujt 3 dhe 4 të erës sonë.
Shkurt 2006
Analizat e tjera më të sofistikuara me metodën MSI, e cila vërteton vjetërsinë e papiruseve, dëshmon për vjetërsinë e këtij dokumenti të rëndësishëm. Kryesonte studimin shkencëtari Xhin Wer, i cili arrin në përfundimin se shkrimi dhe ky kod janë tepër antike dhe kronologjinë e tij e vendos në shekujt 3 dhe 4 të erës sonë.
Shkurt 2006
Një gjysmë faqeje, e cila mungonte nga “Ungjilli” zbulohet në Nju Jork, fotografohet, rishkruhet, transkriptohet dhe përkthehet.
Prill 2006
Faqe të përkthyera nga kodi i famshëm, i quajtur Ungjilli i Judës paraqiten për herë të parë publikishtt në zyrat e National Geographic Society në Uashington.


Kush e kryqëzoi, në fakt, Jezu Krishtin?
Ndërkohë që për fenë kristiane, si atë Ortodkse ashtu edhe atë Katolike, apo edhe të gjitha dogmat e tjera, çështja konsiderohet e mbyllur, sipas asaj që ka paraqitur nëpër shekuj feja zyrtare, dyshimet në lidhje me vërtetësinë e shumë ngjarjeve të asaj kohe vazhdojnë të vërtiten në mendjet e shkencëtarëve dhe skeptikëve të ndryshëm.
Për fenë kristiane është fakt i pamohueshëm që Krishti u tradhtua me një puthje nga Juda Iskarioti dhe u kryqëzua. Për fenë zyrtare po aq fajtor sa romakët janë edhe judejtë, të cilët u dënuan që kurrë të mos gjenin qetësi, të mos kishin atdhe e të rrënjoseshin në trojet e tyre.
Por për rabinët e fesë hebraike, gjithmonë ka ekzistuar dyshimi i vërtetësisë së tradhtisë. “Feja judee, duke respektuar gjithmonë fenë kristiane, kërkon vazhdimisht se çfarë ka ndodhur në atë epokë, thotë përfaqësuesi i hebrejve të Athinës, rabini Mizan,- Sipas Talmudh, për ne, -thotë ai,- nuk ekziston dënimi me vdekje. Jetën ta ofron Zoti dhe askush nuk ka të drejtë që të ta marrë. Asnjëherë në historinë tonë nuk kemi gjykuar ditën e Premte, pasi fillojnë festimet e së Shtunës. Për këtë arsye ne vëmë në dyshim vendimin e ekzekutimit. Në atë epokë, dënimi maksimal i hebrejve ishte gjuajtja me gurë (Kujtoni dënimin që ata i dhanë Maria Magdalenës, e cila u shpëtua nga Krishti-a.s). Kryqëzimi ishte dënimi me vdekje që jepte pushtuesi romak. Duket të dinë të gjithë se asnjëherë gjykatë judee nuk u mblodh ditën e premte për të gjykuar ndonjë njeri, pasi kjo gjë ndalohet nga feja. Dhe në Talmudh, thuhet qartë se në rast se do të mblidhet për të gjykuar një gjykatë ditën e premte, ajo është gjykatë vrasësish...”

Κυριακή 5 Οκτωβρίου 2008

Të hënat e Qytetit tim

Ardi Stefa
Banorët e Qytetit tim gjithmonë kishin përshtypjen se ditët e javës ishin të pandryshueshme. Më saktë, se java përbëhej nga veç një ditë. Edhe kur ishte në fillim, edhe kur ishte në fund të javës përshtypja përforcohej gjithnjë e më shumë për pandryshueshmërinë e ditëve nga monotonia e jetës, nga palëvizshmëria e ngjarjeve. Vetëm unë dhe njëri me mendjen e llokoçitur shpresonim se java gjithmonë përfundonte dhe fillonte java e re nga e hëna.
Ç’mund të jetë tjetër veç të hënës, kur çdo gjë duket se do të fillojë nga e para? Madje, si gjithmonë në çdo fillim jave, vendosja që të harroja çdo gjë që kisha bërë në të kaluarën, çdo kujtim, çdo episod.
Doja që në kujtesën time të kishte vend për çdo gjë që do të ndodhte që nga ajo ditë e tutje. Çdo të hënë ndieja një lloj gëzimi të brendshëm që më bën të ndihem më i lehtë, më i lëvizshëm; shenjë e padiskutueshme se diçka po fillonte të ndryshojë në jetën e këtij Qyteti sa të bukur aq edhe të mërzitshëm.
Por gjithmonë spikeria e radios deklamonte me zërin e ëmbël të trembur: “Ju kujtojmë dëgjuesve se me gjithë dëshirën tonë të mirë, sot nuk është e hënë”.
Dhe unë e një tjetër me mendjen e llokoçitur pyesnim: Vërtet ju duket si dje? Nuk ndieni diçka më të gëzueshme në atmosferën e tij? Vështroni! Nuk ju pëlqen mospërfillja e tij? Nuk ju pëlqen që gjithë këta njerëz nuk dinë asgjë për njëri- tjetrin? Nuk ju pëlqen të ndiheni i vetëm në mesin e një turme kaq të madhe? JO?! Mbase vërtet nuk ka ndonjë gjë të gëzueshme në të gjitha këto, ndonjë gjë të re…
Tani, madje, më duket se dielli ndriçon veçmas për secilin këtu. Madje më duket se secili shikon diellin e tij, pa ditur, ose pa e pranuar se ai është i të gjithëve. Secili mendon se po ndien një kënaqësi që tjetri s’mund ta ndiejë. Secili është i vetëm pa guxuar t’ia thotë këtë shokut pranë. Dhe të gjithë të vetmuarit formojnë këtë turmë të madhe, në gjirin e së cilës gëzon ti. “Këta nuk e dinë se është e hënë sot”,- them me vete. Pasditja përsërit mëngjesin me përpikmëri kompjuterike. Ah, jo. Një gabim i vogël. Dielli ka ngatërruar rolin e tij. Në vend që të lindë po perëndon gabimisht.
Askush s’e vë re këtë gabim të përditshëm. Madje, ata që e shikojnë, domethënë të gjithë, janë të mendimit se janë ata që kanë imazhin e gabuar të një perëndimi, ndërkohë që të gjithë të tjerët po shijojnë një lindje të praruar. Edhe vetë errësira, që mbulon gjithçka, është thjesht një imazh i çndonjërit që është aty, që, i bindur për atë çfarë shikojnë të tjerët, e ndien veten një njeri të veçantë. Vetë ti e ke ndier që në ditën kur linde, që je i veçantë. Kam përshtypjen se që të gjithë në Qytet e ndiejnë veten të veçantë. E ç’mund të bësh në një vend ku të gjithë e ndiejnë veten të veçantë? Dhe, dalngadalë vetmia e çdonjërit kthehet në mani. Një mani e egër për të qëndruar larg turmës. Atëherë, ç’mund të mbetet nga turma? Asgjë. Asgjë. Vetëm imazhi i shumë njerëzve, që rastësisht mblidhen në një vend dhe, kur ta marrin vesh, do nxitojnë të shpërndahen. Ka pasur të drejtë spikeria! Ka pasur të drejtë spikeria! Sot nuk ka qenë e hënë… Asgjë nuk ka ndryshuar e as nuk ka filluar...
Dhe, vazhdimisht, nga radioja, në vend të këngëve, dëgjohet një zë i ëmbël vajze që lexon e trembur : “Njoftojmë dëgjuesit, që me gjithë dëshirën tonë të mirë, sot nuk është e hënë…”

BIRTH


Ardi Stefa

Thuhej se në Qytetin tonë, në fillimet fare, atje ku e kishte legjendën e zanafillës, të gjithë banorët ishin të lumtur e jetonin në harmoni të plotë. Të gjithë bënin çfarë t’u donte qejfi dhe ishin shumë të kënaqur, përveç kryetarit të Qytetit, i cili ishte njeriu më i palumtur e më fatkeq, pasi, megjithë, postin e detyrën e tij, nuk kishte se çfarë të bënte, nuk kishte çfarë të qeveriste.
Burgu ishte bosh, gjykata nuk punonte kurrë, sepse nuk kishte krime, noterët vrisnin miza gjithë ditën e ditës, pasi askush nuk shkonte tek ata që të noterizonte pronat, borxhet, vendimet...
Fjala e dhënë dhe shtrëngimi i dorës kishin më tepër vlerë. Besa ishte në gjithë madhështinë e vet...
Kryetari i Qytetit vriste mendjen se si të punonte e të ushtronte pushtetin që i kishin dhënë ligjet dhe banorët me votën e tyre.
“Këtu mungon pushteti”, konkludoi ai dhe filloi të përpiqej me çdo kusht që t’i bënte bashkëqytetarët e tij që ta dëgjonin, t’u bindeshin ligjeve absurde që ishin krijuar prej qeverisë. Por askush nuk i kushtonte rëndësi.
Kalonin ditët e muajt derisa një ditë kryetarit i erdhi në mend një ide e ndritur.
Solli nga qytete të tjera punëtorë krahu dhe në sheshin qendror të qytetit mbuloi një pjesë me llamarina, brenda së cilës punonin ditë e natë punëtorët ardhacakë. Për rreth një javë dëgjoheshin zhurma e goditje çekanësh, sharrash që sharronin, lopatash që gërmonin, bërtitje nga përgjegjësit, urdhëra...
Një ditë prej ditësh, kryetari thërriti të gjithë banorët e Qytetit të merrnin pjesë në inaugurimin e veprës së ndërtuar në qendër të Qytetit. Të gjithë prisnin me ankth se çfarë do të zbulohej nga poshtë mëndafshit dhe, kur mbulesa u hoq të gjithë ngelën me gojën hapur.
Vepra e ndërtuar me aq sekret dhe e inauguruar me aq pompozitet nuk ishte gjë tjetër veçse një trekëmbësh me një litar që varej!... Edhe sapuni, me të cilin kishin lyer litarin dukej e shkëlqente që larg. Trekëmbëshi pas pak kohësh u kthye në monument e simbol të Qytetit.
Që nga ajo ditë, të gjithë ata që kalonin nga sheshi qendror i Qytetit shikonin trekëmbëshin me litarin që e tundte era. Njerëzit filluan ta ndienin veten fatkeqë. Ndienin ankth e frikë. Ndienin edhe pasiguri, mos ndoshta kaq vite nuk kishin bërë atë që ishte e drejtë.
Pyesnin veten se çfarë kërkonte në qendër të Qytetit trekëmbëshi dhe filluan t’i drejtoheshin drejtësisë dhe ligjeve për të zgjidhur të gjitha problemet, të cilat më parë i zgjidhnin me një shtrëngim duarsh, apo me fjalën e dhënë. Filluan të shkojnë edhe tek noterët për të vërtetuar dokumente, deklarata, trashëgimnira, të cilat më parë nuk nevojiteshin. Filluan që edhe kur të jepnin borxhe, të merrnin vërtetime të shkruara.
Filluan ta dëgjonin kryetarin e Qytetit, duke menduar se po të mos e dëgjonin shkelnin ndonjë ligj...
Me sa di unë trekëmbëshi nuk u përdor ndonjëherë, veçse në rastet kur duhej të ngrihej monumenti i ndonjë heroi të vdekur prej kohësh, i cili më parë varej në kavot e vinçave, pastaj vendosej në podiumin e mermertë...
Kështu, pra, trekëmbëshi nuk u përdor ndonjëherë.
Por vetëm prania e tij ishte e mjaftueshme që në Qytet të ndryshonte gjithçka.

Κυριακή 10 Αυγούστου 2008

Fletë nga ditari i një klandestini...

Fletë nga ditari i një klandestini...
Nga Ardi Stefa
Më quajnë Malik.
Ose edhe Ali, Refik, Khalid, Amin... Kam me dhjetëra emra. Në Greqi për kollajllëk
më thërrasin, kur më thërrasin: ose pakistanez, ose Andrea, ose thjesht me një “psit”, ose “re”...
Jam nga Iraku, nga ajo pjesë që popullohet nga kurdë. Por mundet të jem edhe nga Jordania, Irani, Pakistani, Afganistani, ose nga çdo vend tjetër.
Këtë natë ku sapo janë ndërruar vitet, po plotësoj ditarin tim. Nuk është ditar nga ata të zakonshmit, në blloqe e fletore të lidhura bukur e me shkrim të pastër. Është ditar, i cili shkruhet çdo natë, çdo ditë, çdo agim e çdo mbrëmje nëpër muret e gërmadhës ku jetoj. Është ditar që shkruhet me qymyr ose me shkumës apo edhe me markadorë. Është ditar i vërtetë, i ndryshëm nga ato që unë u them njerëzve të mi, atje larg në Irakun e trazuar.
Ditar që shkruhet frazë pas fraze, nëpër mure, krahas emrave, vargjve dhe rënkimeve të bashkëatdhetarëve të mi.
Kam ardhur në Greqi përpara shtatë muajsh. Kalova kufirin me Turqinë dhe që andej, pasi pagova 1.000 dollarë amerikanë, një kurd dhe një turk na hipën në një gomone dhe na hodhën në një breg të Greqisë.
Atje na priste një tjetër, i cili na ngjeshi në një furgon të mbyllur dhe na solli në Athinë. Përpara se të na zbriste na mori edhe ato dollarë që na kishin ngelur npër xhepa, pavarësisht se ardhja në Athinë ishte brenda në shumën që kishim paguar...
I vetëm, pa e ditur edhe gjuhën në qytetin e madh, me kaq shumë drita e makina, me borie që binin njëlloj si krismat e armëve në Irak, ndjeva të më pushtonte një tmer i vërtetë.
Nuk e di nëse ju thashë që jam vetëm 24 vjeç. Djali i dytë i familjes sime të madhe. Babai dhe nëna më nxitën që të largohesha në kërkim të një fati më të mirë. Nuk donin që të më vajtonin ndonjë ditë, kur nga shpërthimi i ndonjë bombe do të takoja Allahun dhe Profetin. Nëna donte më shumë nga të gjithë që të largohesha dhe të vija në Greqi. Kishte dëgjuar se ishte vend i bukur, me shumë diell dhe bollëk. Mblodhi paratë nga të afërmit në fshatin e largët dhe m’i dha, duke më bekuar që të më vente mbarë...
Jam, pra, në Athinë shtatë muaj plot.
Nuk më ka ecur fare. As shtëpi kam, as punë. Punova javën e dytë pasi kisha ardhur, në një pronar me hekurishte, por kur erdhi puna të më paguante, filloi të bërtiste dhe të më shtynte. E vetmja fjalë që m’u duk se kuptova ishte “Police”. U tremba se mos lajmëronte policinë dhe u largova pa i marrë as paratë.
Shtëpi as që bëhet fjalë. Banoj së bashku me disa kurdë të tjerë në një shtëpi të braktisur e gjysmë të rrëzuar në qendër të Athinës. As drita e as ujë kemi. Gatuajmë me radhë në një tigan dhe një kusi që na kanë lënë disa të tjerë që ishin përpara nesh. Edhe për të fjetur është dramë më vete. Flemë në disa dyshekë të gjetur andej e këtej, të mbushur me rroba e rrecka të gjetura. Nganjëherë i mbushim edhe me kartona që të na mbajnë më ngrohtë. Kur ndonjëri nga ne gjen punë e shtëpi dhe largohet, atëherë sendet e tij të fjetjes dhe të ngrënies i ngajmë barabar...
Ujin e marrim nga një çezmë aty pranë që e përdorin punëtorët që po ndërtojnë një pallat. Rrobat i lajmë me ujë të ftohtë dhe as që bëhet fjalë t’i veshim të thara e të hekurosura. Kur është ngrohtë e ka diell mirë, por tani në dimër, është tmerr i vërtetë. Kur ndonjëri nga ne gjen punë, sjell ushqim për të gjithë. Atëherë është një minifestë. Të gjithë ndihmojmë në gatim. Shpesh herë lexojmë gazeta në gjuhën tonë dhe mësojmë të rejat e fundit (të dy javëve më parë). Nganjëherë në muret e gërmadhës ngjisim fotografi të ndonjë këngëtareje apo artisteje, krahas emrave të bashkëatdhetarëve tanë që kanë banuar aty përpara nesh dhe shprehjeve të Kuranit.
Gërmadha jonë e fut erën dhe shiun nga të gjitha anët. Mundohemi ndonjërerë t’i ngjisim mushama dhe qese najloni për të mbyllur vrimat nga hyn uji, por është e pamundur. Ato s’mbyllen kurrë. Dhe uji i shiut hyn, ashtu sikundër bie jashtë. Atëhere është torturë e vërtetë. Kthehem nga ana e murit dhe i mbyt ngashërimat dhe të qarat që të mos më dëgjojnë të tjerët.
Përpara disa kohësh na sulmuan natën në gjumë edhe minjtë. Na kafshuan gishtërinjtë e këmbëve. Na gjakosën. As ata nuk na duan. Jo më tartabiqet dhe morrat që në trupin tonë bëjnë festë.
Me nënën flas shpesh dhe gjithmonë i tregoj se sa vend i bukur është Greqia, sa shumë diell dhe dritë ka. Asnjëherë nuk i them të vërtetën se nuk dua që ta mërzis, ta bëj të ndihet fajtore. Kështu që jam bërë aktor. I përshkruaj se sa e mirë është këtu jeta, sa gjëra të bukura ka; i them të gjitha ato që shikoj rrugëve dhe që për mua janë të ndaluara. I flas për bollëkun dhe paqen që ka këtu dhe ajo gëzohet: “E sheh sa të drejtë kisha që të largova prej këtej,- më thotë me krenari në telefon.- Këtu do të të kishin vrarë,- vazhdon ajo”! Unë pohoj fjalët e saj dhe zëri më mbytet nga ngashërimet, ndërsa me vete mendoj se atje vdekja do të më kishte ardhur një herë e jo përditë si këtu.
Dhe unë një herë në javë e marr nënën në telefon, i flas për shtëpinë e bukur ku banoj dhe i premtoj se së shpejti do t’u dërgoj para që të jetojnë edhe më mirë. Ndoshta do të marr edhe vëllezërit e motrat këtu. Dhe ajo gëzohet e mbushet me krenari që me iniciativën e saj unë po jetoj më mirë. Ndoshta u mburret edhe njerëzve në fshat...
Ndoshta ju lodha me këto rreshta të ditarit tim, por sonte është nata që u ndërruan vitet. Isha në sheshin e Athinës, ku njerëzit festonin, qeshnin e këndonin. Isha edhe unë atje. U mundova të qeshja, gëzoja e festoja, por s’mundesha. Një lëmsh më ishte mbledhur në grykë.
Megjithatë në Athinën e ndriçuar këtë natë të ndërrimit të viteve dola shumë fotografi. Përpara Pemës së me drita, Karuselit, skenës ku këngëtarët dëfrenin njerëzit. Dola shumë fotografi përpara vitrinave të zbukuruara e njerëzve me fytyra të gëzueshme. Këto fotografi do t’ja dërgoj nënës që të gëzohet edhe ajo që unë kaloj kaq mirë këtu në Athinë...

Τετάρτη 30 Ιουλίου 2008

Respekti është si tangoja: Duhen dy që të kërcehet!

Respekti është si tangoja: Duhen dy që të kërcehet!
Ardi Stefa

Për të shkruar rreshtat e mëposhtëm u bë shkas një shprehje që lexova në një gazetë greke: “Në vendin ku ke vendosur të hedhësh rrënjë, duhet të respektosh flamurin e saj, vendasit, natyrën e saj!”
E vërtetë! Natyrisht që është e vërtetë!
Respekti i emigrantëve për vendin ku vendosën të jetojnë, të punojnë, të hedhin rrënjë; respekti për flamurin, natyrën, është më se i qartë. Në shumicën e tyre emigrantët jetojnë e punojnë ndershmërisht, paguajnë taksat e u binden ligjeve e rregullave, shpesh herë pa bërë zë, edhe pse disa herë u duken të padrejta.
Megjithatë emigrantët janë mësuar t’i respektojnë vendasit, flamurin e fenë e tyre.
Pyetja qëndron se sa i respektojnë emigrantët vendasit. Sa i respekton emigrantët vendi, të cilin ata përzgjodhën për të hedhur rrënjë!
Përgjigjia është me tre fjalë: Pak ose aspak!
Sepse kërkohet që emigrantët të respektojnë vendin që përzgjodhën për atdheun e tyre të dytë, por atdheu i tyre i dytë sa i respekton?
Sa i respekton kur ligjet për “vendasit e rinj” janë gjysmake, ose në rastin më të keq nuk janë pro tyre?
Sa i respekton “vendasit e rinj” kur i lë për vite me radhë pa dokumenta, me një liridalje për çdo rast festash fetare, apo leje vjetore?
Sa i respekton kur vazhdon t’i shohë emigrantët si të huaj, si mish çiban në trup të Greqisë, që i vjedh, i poshtëron, i le si qytetarë të kategorisë së dytë?
Kërkon të të respektojnë si atdhe të dytë, kur ti si atdhe i dytë as i përfill, nuk u jep të drejtën më elementare: Atë të lëvizjes së lirë, të të qenit i barabartë në shanse, përpara ligjit, përpara konkurimit në tregun e punës...
Klima e mirëkuptimit dhe adaptimi pa diskutim i disa udhëzimeve të BE nuk e ngrenë e as e revizionojnë detyrimisht kulturën politike dhe ligjore të vendit që u përzgjodh prej emigrantëve për të jetuar e punuar ndoshta përgjithmonë. Qëndrimi i ligjvënësit dhe i opinionit publik grek është se emigrantët na kanë nevojë më tepër se ç’i kemi ne nevojë. Ky konceptim çon në atë që delikatesa dhe ndërhyrja ligjore greke të përfundojë dhe të mbarojë në disa masa filantropike dhe në dhënien e disa të drejtave themelore, siç janë barazia dhe siguria sociale.
Janë të njohura tashmë pasojat pozitive të hyrjes së emigrantëve në rigjenerimin e ekonomisë greke, në “furnizimin” e tregut të punës me një fuqi punëtore të aftë, në moshë të re dhe të paguar ulët; në mbështeten demografike të provincave e të periferive të Greqisë, të cilat kërcënohen me një braktisje totale nga vendasit, në lehtësimin e familjeve greke, të cilat tashmë gjejnë persona që të kujdesen për prindërit e moshuar e fëmijtë e mitur.
Por kërcënimi më i madh buron nga ajo që të mos kuptojnë se këta qytetarë, vendas të rinj, do të mundet të përbënin pjesën më dinamike të shoqërisë greke. Emigrantët në shumicën e tyre dëshmojnë nivele tepër të larta të lëvizjes e të ngjitjes sociale, konkurrencës, janë të dëshiruar për një të ardhme më të mirë, arsimojnë fëmijtë e tyre dhe u mësojnë që të respektojnë e t’u binden ligjeve të shtetit ku kanë emigruar, duke synuar në të njëjtën kohë pjesëmarrjen e tyre aktive në kolonat më kryesore të ngritjes së atdheut të tyre të ri.
Këta njerëz mundet që të bëjnë mrekullira, mjafton që të mos injorohet prej vendasve përpjekja e tyre për t’u integruar në shoqëri dhe të ndihen se i përkasin këtij vendi. Le të mos vazhdojnë që t’i pengojnë e t’u ndalojnë që të identifikohen me interesat e përbashkëta dhe bindjet kolektive. Kërcënimi më i madh është që të provohet në praktikë e ashtuquajtura profeci e ekstremistëve të djathtë: “Nuk do të bëhesh kurrë grek, o shqiptar!”. Por sa janë “shqiptarë” për Greqinë dhe sa “të huaj” janë për Shqipërinë fëmijtë e 500.000 emigrantëve shqiptarë që jetojnë sot në Athinë?”
Në një mënyrë absurde, qëndrimi jo elastik i shoqërisë greke, çoi në një klimë të helenizimit të menjëhershëm dhe të asimilimit vullnetar të nxënësve të huaj. Është e kuptueshme që këta të fundit të duan të hedhin nga kurrizi i tyre shenjën e pakicës, të më të ulëtit, të të ndryshmit. Megjithatë kjo procedurë është e dhimbshme për krenarinë e tyre dhe gjithmonë ekziston rreziku që në një të ardhme, një pakicë e vogël të zgjedhë një rrugë tjetër e të kthehet kundër një shumice shtypëse, e cila as nuk i pranon (integron) e as dëshiron që t’i asimilojë.
Në Greqi modeli monopolist i asimilimit të detyrueshëm, gjithherë mbizotëronte kundrejt shembullit europian të integrimit të butë. Ky është një shembull që dëshmon për realitetin social grek, të cilët dëshirojnë që grekët të mos ndryshojnë, por të jenë (siç besojnë e mendojnë) bërthama e kulturës dhe e civilizimit. Çështja qëndron në atë, që të izolohen ata që luftojnë kundër asimilimit dhe sabotojnë nevojën e emigrantëve për të pasur një periudhë tranzitore, ku idenditeti dhe destinacioni i tyre të shndërrohen drejt helenizmit.
Një idenditet grek, në të cilën origjina etnike dhe bindjet fetare, përbëjnë një ndjenjë emotive, herët ose vonë do të shuhet me kalimin e kohës. Arsyeja e vetme e shqetësimit për ekzistencën e emigrantëve, prej të cilëve kërkon respekt, buron nga pasiguria e vetë grekëve, e cila izolon e lë mënjanë të ndryshmen, edhe atëhere kur kjo e ndryshme lufton që të bëhet një me të.
Këto i thosha mikut tim, i cili banon në Aspropirgo. Dhoma e tij e thjeshtë, e përkohshme, me pak plaçka. Më të domosdoshmet. Një frigorifer, një televizor, një dollap me ca pak tesha, një tryezë portative me karrige plastike, një shtrat e disa orendi tepër të thjeshta. Të gjitha lehtësisht të transportueshme në kërkim të ndonjë banese tjetër, në kërkim të ndonjë pune tjetër, në kërkim të ndonjë vendi tjetër.
Banesa e mikut tim tregonte se ai, megjithëse kishte mbi dhjetë vjet në Greqi, nuk kishte rrënjë...
Nuk kishte zënë rrënjë.
Ia thashë. Ia thashë këtë gjë, duke i theksuar se megjithëse mua më pëlqen të udhëtoj e të njoh vende të reja, më pëlqejnë gjithashtu edhe rrënjët. Dua të zë rrënjë diku...
E pranoi dhe më tha se edhe ai donte të zinte diku rrënjë, por deri tani nuk kishte mundur. Edhe se s’kishte pasur mundësi, edhe se kishte dashur gjithmonë të kthehej, por edhe se..., as ai vetë nuk dinte ta shpjegonte...
Dhe vazhdonte të ngelej ashtu siç e kisha gjetur unë në dhomën modeste, i vetëm, i përkohshëm...
Dhe mua m’u kujtua se përpara disa vjetësh kisha botuar një shkrim në gazetë për përkohshmërinë e shqiptarëve, e cila nuk ishte edhe aq përkohshmëri. Dhe m’u kujtua se kisha sjellë edhe një shembull nga një artikull i një gazetarit grek, i cili përpara 40 vjetësh kishte bërë një reportazh me emigrantët grekë në SHBA. Kishte biseduar me ta, i kishte pyetur nëse do të ktheheshin ndonjëherë në Greqi dhe prej tyre kishte marrë përgjigjen e prerë se dita e kthimit të tyre ishte shumë e afërt. Bile ata i kishin treguar edhe bagazhet që kishin të gatshme në ndonjë cep të shtëpive të tyre, disa rroba, ndonjë frigorifer, ndonjë sobë elektrike, televizor, etj… Pas rreth 30 vjetësh i njëjti gazetar u gjend përsëri në qytetin amerikan. Deshi të përfundonte reportazhin e nisur vite më parë. U interesua të takonte ata emigrantë, me të cilët kishte biseduar gjatë zhvillimit të reportazhit të parë. Dhe i takoi. Ata jo vetëm që nuk ishin kthyer në Greqi, por ose s'kishin ndërmend të ktheheshin, ose i qëndronin idesë së parë. Shkoi edhe në shtëpitë e tyre dhe u befasua: bagazhet ishin ende në vendin e tyre, në një cep. Ishin aty rrobat, kujtimet, vetëm televizorët e pajisjet elektrike kishin ndryshuar, ishin bërë më moderne…
Dhe përsëri i rikthehem shprehjes së fillimit: “Në vendin ku ke vendosur të hedhësh rrënjë, duhet të respektosh flamurin e saj, vendasit, natyrën e saj!”
Por respekti është si tangoja: Duhen dy që të kërcehet!
Vendasit dhe emigrantët!