Τρίτη 27 Ιουλίου 2010

Gënjeshtra historike dhe shoqëria gjysmë e paditur!

Gënjeshtra historike dhe shoqëria gjysmë e paditur!
Nga Ardi Stefa

A ia vlen të shkruash një libër për ngjarjet e Dhjetorit 1990 e të Shkurtit 1991? Kanë kaluar edhe 20 vjet!,- më pyeti dikur një miku im i mirë, mendimin e të cilit e çmoj dhe e vlerësoj shumë.
Nuk iu përgjigja. Edhe vetë e kisha frikën se të shkruarit për ato ngjarje të atyre viteve të stuhishme, ndoshta më fuste në radhën e kategorinë e atyre nostalgjikëve e romantikëve të pandreqshëm që nuk shikonin përpara, por mbanin vazhdimisht kokën mbrapa...
Megjithëse të mbash kokën mbrapa për të parë e riparë ngjarjet ku ke qenë dëshmitar e protagonist, nuk është një gjë aspak e keqe. Ndoshta romantizëm, por aspak kthim mbrapa për të përfituar ndonjë gjë. Vazhdoj të ngelem ai romantiku idealist i pandreqshëm, andaj vendosa që ato ngjarje, ashtu siç i përjetova e jetova atëherë, t’i përmbledh në librin “Piedestale pa heronj”, sidomos kur vlerat e meritat, i marrin ata që nuk kishin asnjë lidhje me Dhjetorin e Shkurtin, me studentët, thjesht që i shikonin studentët të demonstronin nga ballkonet e shtëpive të tyre...
Dhe kjo u jep automatikisht të drejtën që të përfitojnë në emër të Dhjetorit....
Pas kaq vitesh, kujtesa personale fillon të humbasë. Zakonisht ajo zëvendësohet nga e ashtuquajtura “kujtesë kolektive”, e cila në fakt është njohja ideologjike e ngjarjeve, e cila u jep rëndësi heroizmit, fakteve mitologjike: heronjtë, epopeja, qëndresa, pasioni për lirinë...
Fjalë të bukura, shumë pompoze për të fshehur thelbin. Cili është thelbi? Që heronjtë e Dhjetorit ’90-të nuk ishin veçse njerëz normalë, studentë e studente të reja, ideologë, të cilët befasisht u gjendën në qendër të Historisë e të së përgjithshmes... Në këtë vrull jetuan e përjetuan dehjen e përmbysjes. Jo pa flijime, jo pa humbje. Ato ditë e net të zjarrta shenjuan jetën e të gjithëve atyre që ishin prezent, shenjuan e ndryshuan edhe jetën e të gjithëve atyre që ishin larg Qytetit Studenti. Shenjuan e ndryshuan rrënjësisht edhe jetën e atyre që erdhën e që do të vijnë më vonë..
Dhe kështu kaloi koha, ndryshuan kushtet...
E vetmja gjë që ngeli është një tregues heroizmi. Kështu e konceptojnë Lëvizjen Studentore të Dhjetorit të rinjtë e sotëm... Po a ishte me të vërtetë kështu? Dhe në qoftë se ishte, çfarë ishte në thelb? Dhe kush do të na i thotë me saktësi?...
Çfarë është Historia? Shkencë, mit urban, folklor, përrallë në shërbim të ideologjisë dhe pushtetit?
Historia ashtu siç e konceptojmë është e vërteta për secilin, apo gënjeshtra për secilin?
Po çfarë është gënjeshtra? Çfarë është gënjeshtër? Mos vallë është paraqitja e kundërt e diçkaje? Ta bësh të bardhën të zezë?
Mos vallë nuk është gënjeshtër të fshehësh diçka që njeh dhe e di që ka ndodhur? Në një rrëfim me shumë ngjarje, po qe se fsheh disa, a nuk e shtrembëron realitetin, nuk bën një rrëfim të gënjeshtërt?
Me siguri që shumë vetë do të thonë se të gjitha ato që “fshihen” janë mangësi dhe për këtë nuk duhet, ose nuk nevojitet t’i themi...
Me këtë konkluzion në Histori gjërat, gënjeshtra në të gjitha trajtat e saj dhe me çfarëdo emërtimi që t’i japim, është një gjë serioze dhe e rrezikshme.
Ajo shoqëri që nuk njeh të vërtetën për Historinë e saj është një shoqëri gjysmake, e paditur, në realitet është një shoqëri që nuk mundet të analizojë dhe të konceptojë gjendjen e sotme aktuale. Në një gjendje ku të gjithë nuk kanë kundërshtim të përdorin si mjet studimi konceptimin historik apo komplotist për Historinë, të përfundojnë në konkluzione krejtësisht të gabuara.
Nuk e përqafoj këtë trajtim dhe besoj se gjërat janë janë më pak sempliste dhe u nënshtrohen kufizimeve ideologjike, me synim arritjen e ideologjizimit të Historisë drejt një objektivi, astij që nuk ka asnjë lidhje, shpesh herë me të vërtetën.
Është e kuptueshme, natyrisht, që kur them se nuk ka asnjë lloj lidhjeje me të vërtetën, nënkuptoj të vërtetën që është provuar nga studimi shkencor...
Dhe një studim me të vërtetë i paanshëm e shkencor i ngjarjeve e dëshmive historike, të cilat nuk lenë shkas për dyshim, kanë provuar se shumë nga njohuritë aktuale historike janë ose gënjeshtra, ose shtrembërime, ose fshehje, të cilat pengojnë konceptimin e përgjithshëm për të shkuarën e shoqërisë ku jetojmë, ku disa jetojnë çdo herë.
Përmendja e të tilla dijeve, të kundërta me të vertetat, me ato të provuara shkencërisht do të kërkonte një katalog shumë të madhe dhe do të kërkonte shumë e shumë faqe e mijëra fjalë..
Por disa pak shtrembërime të përzgjedhura të njohurive tona historike, qoftë edhe në trajtën e protestës, do të ishin treguese dhe të dobishme.

Deri kur do të mësojmë se konflikti është në ADN- në e shqiptarëve, d.m.th se kur ne shqiptarët bëjmë diçka të mirë, arrijmë diçka të mirë, pastaj fillojmë të zihemi mes nesh dhe e prishim? Dhe nuk marrim mundimin që të shohim të gjitha revolucionet e zhvilluara nëpër botë dhe të konstatojmë se nuk kishte as edhe një ku të mos kishte lindur një “luftë civile”, dhe se askush të mos na thotë se çdo “revolucion” prodhon pushtet dhe se për administrimin e këtij pushteti bëhen luftërat civile?
Deri kur do të mësojmë se për çdo gjë të keqe që na ka ndodhur neve shqiptarëve, përgjegjës është një dhe i vetmi, të huajt, pa parë thelë në marrëdhëniet që janë shndërruar në jetën e brendshme të shoqërisë sonë, ose se çfarë e nxiti këtë ndërhyrje kaq të mprehtë të të huajve, akoma edhe se mos vallë ndonjë “ndërhyrje” e të huajve soli edhe ndonjë gë të mirë?!
Dhe deri kur, në fund të fundit, do të mësojmë se kur filloi “revolucioni” si komunistët edhe ballistët luftonin për një gjë: të mirën e shqipërisë, ashtu siç e konceptonin secili nga këndvështrimi i tyre.
Dhe përse duhet të marrim si të mirëqenë faktin që ballistët ishin vetëm kolaboracionistë e krimineë, kur po kaq kolaboracionistë e kriminelë e të shitur ishin edhe komunistët?
Deri kur do të mësojmë se në Lëvizjen e Dhjetorit, liderët e sotëm të shtetit shqiptar, ishin liderët fizikë e shpirtërorë?
Deri kur...
Ata që rrëzuan mitin e rremë të diktatorit komunist e të një regjimi gjakatar 46 vjeçar nuk janë anonimë. Janë ata, që me vetmohimin dhe guximin e tyre bënë që pas 46 vjetësh Shqipëria të zhvillonte për herë të parë zgjedhjet e lira e demokratike të çliruar nga hija e rëndë e Enver Hoxhës dhe e PPSH. Studentëve grevistë u takon merita e madhe e shmangies së një lufte civile vëllavrasëse në Shqipëri, e cila në ato vite ishte më e mundshme se kurrë. Kaosi, anarkia dhe nxitja e disa instikteve negative në popull nuk gjetën refleksion tek studentët, të cilët, në të kundërt, dëshmuan për një qytetari, solidaritet dhe kulturë të lartë demokratike...
Por çfarë ndodhi në ato ditë të Dhjetorit 1990 dhe të Shkurtit 1991? Si filloi në të vërtetë Lëvizja Studentore? Si u kalua nga protestat spontane të studentëve në ndërgjegjësimin e një brezi të tërë? Si e ëndërronim Shqipërinë në ato ditë ndryshimesh të mëdha? Si u kalua nga lëvizja e Studentëve në krijimin e Partisë Demokratike dhe uzurpimin e Idealeve të Dhjetorit? Cilët ishin Dhjetoristët e vërtetë? Si dhe pse u zhvillua Greva e Urisë? Cilat qenë synimet e saj dhe nga kush u organizua? Cili ishte roli i PD-së në organizimin e kësaj greve dhe pse në PD vëreheshin dy qëndrime të kundërta në lidhje me grevën? Kush do të përfitonte dhe kush do të humbiste nga kjo Grevë? Cilët ishin ata që përfituan? A ishin me të vërtetë studentët “heronjtë vetëflijues” të demokracisë së brishtë shqiptare, siç u quajtën nga populli i Tiranës, apo ishin “bukëshkalët dhe vandalët” që bashkë me “forcat e errëta” cënonin stabilitetin e forcave politike dhe rrezikonin ta shpinin vendin në kaos? Përse pjesa më e madhe e studentëve protagonistë të atyre ditëve u larguan nga “politika”? Përse edhe nga vetë demokratët u akuzuan studentët se hanin e pinin brenda në Grevë dhe se futeshin ushqimet e pijet alkoolike pa hesap? Përse ekzistonte një tendencë e tillë denigrimi dhe zhvlerësimi i grevës së urisë, synimeve e aspiratave të atyre mijëra studentëve që e përkrahën?...
Deri kur do të ketë të tilla denigrime të Historisë dhe të atyre protagonistëve romantikë e idealistë?
Gjithmonë, sa herë që dëgjoj politikanët, apo gjasme politikanët e gjasme analistët që të kërkojnë, ose edhe më keq, të përcaktojnë “Kuptimin e Lëvizjes Studentore Shqiptare” edhe për ditët e sotme më vjen të gogësit nga përtimi e gjumi që është gati të më zërë.
Pasi politikanët shqiptarë zakonisht i presin e i qepin “kuptimet e mesazhet” sipas interesave të çastit, por edhe për faktin se kuptimi i lëvizjes dhe i revoltës së atyre ditëve është kaq i thjeshtë, kaq aktual sa nuk nevojitet asnjë dhënie kuptimi e aktualiteti, por as edhe ndonjë përpjekje e madhe për ta analizuar.
Sepse bëhet fjalë për revoltën spontane të një brezi të ri që kishte etje për liri e drejtësi, për bukë, ujë e drita, për liri fjale e veprimi. Sepse bëhet fjalë për një brez studentësh, të cilët të paarmatosur, por edhe të vendosur morën përsipër të shplanin turpin e një vendi që në heshtje dhe në humbje, qeverisej për pesëdhjetë vjet nga diktatura shkatërrimtare komuniste. Djem e vajza të prindërve të Shqipërisë, nga familje të varfëra, por edhe nga familje të “mira”, nga familje të humburish nga paslufta e 1944-ës, por edhe nga familje fitimtarësh, ishin për pak ditë të lirët e rrethuar të historisë sonë bashkëkohore shqiptare...
Një brez djemsh e vajzash 22 vjeçarë që bëri politikë me fjalë, me këngë, me shpirtin dhe, mbi të gjitha, me trupin e tyre të njomë e të drobitur nga uria. Një brez që zgjoi një popull të tërë nga gjumi letargjik e që vrau frikën.
Një brez 22 vjeçarësh që rrezikuan jetën, studimet, për të fituar një çast që jeton përgjithmonë. Dhe ajri i lirisë që atëherë frynte në Tiranën e acartë në të gjitha shtëpitë, edhe në ato shtëpi që rrinin të kyçura kur dëgjoheshin thirrjet e studentëve, sirenat e makinave të policisë, apo edhe kur sambistët rrihnin me shkopinjë gome bashkëmoshatarët e tyre, nuk i çelnin dyert për të mbrojtur djemtë e vajzat e reja, nuk kishte se si të mos përqafohej nga një popull i tërë.
Në Lëvizjen e Revoltën Studentore, le të mos gënjejmë vete apo të tjerët, sepse është fyerje, nuk bëhet fjalë për revoltën e “popullit shqiptar”, “as të intelektualëve demokratë komunistë”.
Ishin disa pak mijëra të rinj e të reja, protagonistë dhe bashkëudhëtarë, pjesëmarrës në mitingjet e demonstrimet në Qytetin Studenti, por edhe atje rrotull, të cilët e gostitën historinë shqiptare, akoma edhe një herë me gotën, një gllënjkë e të cilës mjafton që të të dehë, me një dehje të këndshme: E PAMUNDURA MUNDET TË BËHEJ E MUNDUR!
Dhe kjo nuk është e paktë...
Kanë kaluar rreth 7.300 ditë nga ditët e stuhishme të atëhershme. Ditët janë si varkat, herë u jep rremave që të shkojnë para e herë lundrojnë të shtyra nga valët. Por nuk ka asnjë rëndësi “Se çfarë u bë me protagonistët e Lëvizjes Studentore Shqiptare”, një tjetër çështje kjo, që i shqetëson herë pas here njerëzit në bisedat e tyre.
Cilët morën shpërblimin për trimërinë e tyre në ato ditë të zjarrta të Dhjetorit 1990 dhe cilët jo, cilët përfituan në mënyrë të padrejtë e të gënjeshtërt pa qenë protagonistë, cilët më pas u bënë shërbëtorë të pushtetit dhe preferuan të jepnin e të merrnin rryshfete, cilët zgjodhën rrugën e heshtjes dhe të dinjitetit që për atdheun bënë pak dhe nuk ka nevojë për shpërblim, dhe, cilët zgjodhën rrugën e tradhtisë së idealeve, kuptimit të atyre ditëve dhe të moshës së tyre?
Por të gjitha këto kanë pak rëndësi. Thua se revolta studentore e vitit 1990 nuk ishte revoltë, por një eksperiment gjigand i psikologjisë për studimin e sjelljes njerëzore.
Vlera e vërtetë e Lëvizjes Studentore Shqiptare është pikërisht kjo: se u bë nga njerëz të zakonshëm, studentë vërtet, por të nxjerrë nga jeta e përditshme. Nga njerëz në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, me ndjenja dhe ëndrra, delikatë, nga njerëz që ishin të uritur për jetë, për famë e lavdi, që kishin pasione. Nga njerëz që bëjnë gabime, që pendohen, njerëz të dobët e që s’kanë busull orientimi shpesh herë, nga idealistë të vërtetë, por edhe aventurierë, nga njerëz të vdekshëm e mëkatarë dhe jo nga statuja...
Dhe, nëse vlen akoma edhe më shumë stuhia e Lëvizjes së Studentëve, kuptimi që ka kjo lëvizje për brezat e ardhshëm është se kjo revoltë për një çast, për dy çaste, për një, dy apo dhjetë ditë, ata të rinj u ngritën më lart se EGO-ja, UNI i tyre, dhe kështu, të lirë u bënë krijuesit e historisë së tyre dhe të historisë sonë. Me pak fjalë: Studentët ishin atje atëherë kur duhej. Ç’pasoi është tjetër histori...
Prandaj, çdo vit në këtë ditë dëgjohen shumë fjalë nga shumë pseudo. Megjithëse protagonistëve të vërtetë të Revoltës Studentore Shqiptare u shkon më mirë heshtja. Heshtja e njohjes dhe e respektit për atë që bënë e që sado vite të kalojnë do të ngrihet gjithnjë e më lart në Panteonin e Historisë.
Prandaj llafologëve e pseudove, përpara se të nxjerrin fjalët bombastike nga goja, mirë do të ishte që të mendonin për një çast, është detyrim moral të mendohen për një çast dhe të pyesin veten nëse: “Liria, Demokracia, buka e dritat, mjaftojnë për të gjithë”...
A mjaftojnë për të gjithë ato që kërkuan atëherë studentët e mburremi se tashmë i kemi?...

Radhita disa shembuj të paktë, nëpërmjet këtyre pyetjeve me karakter të përgjithshëm pa bërë fjalë për ato mitet klasike që qarkullojnë gojë më gojë për heroizmat e njërit apo tjetrit, për rolin e Tarasit apo të Kapardinave të Bardha, sepse atëherë do të duhej të specializohem relativisht me prodhimin e miteve historike...
Thashë se pyetjet e mia janë retorike, pasi jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë e dimë se deri kur do të dhunohet e shtrembërohet Historia, deri kur do të shkelim mbi baza të gënjeshtërta njohurish e dijesh për të kaluarën e shoqërisë sonë.
Shtrembërimi i Historisë fillon dhe mbaron me Historinë që mësohet nëpër librat e shkollës...
Si atëherë edhe tani...
Të gjitha bazat e njohurive hidhen në moshën shkollore dhe më pas është shumë e vështirë që të ndryshojnë për arsye të ndryshme.
Dhe shpesh herë e dimë se arsimi është mekanizmi aq i fuqishëm ideologjik në duart e pushteteve politike.
Dhe qeveritë e qeveritarët tanë, përpara se të merren me çështje të tilla, si “libri elektronik”, le të shohin më parë se çfarë do të thotë në brendësi, elektronik, ose jo, me kapak lëkure apo të shkëlqyeshme, ajo që ka rëndësi është ajo e vërtetë historike e shkencore që mësojmë nga faqet e atij libri...

(Parathënie e librit “Piedestale pa Heronj”, me autor Ardi Stefa)

Δευτέρα 10 Μαΐου 2010

Atdheu është atje ku janë paratë...

Atdheu është atje ku janë paratë...

(Refleksione të një emigranti, që po përgatitet të kthehet në Atdhe, refleksione për veten dhe grekët, me të cilët jetoi...)

Ardi Stefa
Një fjalë e urtë greke, e cila ndoshta nuk është vetëm greke, thotë se: “Qeni leh atje ku ha!”. Një variant tjetër thotë se “Ku jeton, është atdheu!”
Është padyshim një fjalë, shumë e urtë dhe me vlera universale. Më erdhi ndër mend kjo proverbë nga dy fakte që ndesha këto ditë në Athinë.
Fakti i parë është që kriza dhe mungesa e perspektivës, i detyron tashmë bashkëkombësit e mi shqiptarë, jo të mendojnë kthimin, por të kthehen përfundimisht në Shqipëri, të shesin ato pak plaçka, të cilat nuk dëshirojnë t’i marrin në atdhe, por edhe të shikojnë mundësinë e emigrimit në ndonjë vend tjetër me pak më shumë perspektiva...
Fakti i dytë është një shprehje që tha Presidenti i FMN, Dominique Strauss- Kahn, i cili përshëndeti solidaritetin e organizmit që ai drejton kundrejt Greqisë, e cila ishte në prag të falimentimit.
Kur e dëgjova shprehjen e tij, pata përshtypjen se ndoshta zoti Kahn, lëshoi një fjalë në erë, sa për të mbyllur gojën e grekëve.
Por, disa ditë më pas e kuptova se fjalët e tij, vetëm të rastësishme nuk ishin.
Dhe ajo për faktin se grekët e sotëm kanë harruar se në familjet e tyre, kishin të paktën nga një “Dajë” apo “xhaxha” që kaloi 40 e kusur vjet në Amerikë, Australi, Belgjikë, Gjermani, apo Vendet Skandinave...
Ky “Dajë” vinte behareve në Greqi dhe u bënte dhurata nipërve e të afërmve, u fliste për “Ëndrrën Amerikane”, ëndërr, e cila edhe pas njëzet viteve, ende ëndërr ishte. Ky “Dajë” zakonisht, nuk kishte emër, ishte Daja Amerikani dhe, gjithashtu, nuk kishte atdhe...
As atje, as në Greqi.
Grekët e sotëm, jo vetëm që i harruan historitë e Dajës nga Amerika, por, kur, në filimet e viteve ’90, erdhi të banonte në apartamentin ngjitur “Daja grek” (me origjinë shqiptare, pakistaneze, polake, ruse), ky grek, pra, u soll me shumë intolerancë, arrogancë dhe mungesë edukate, si punëdhënës, si komshi, si pronar shtëpie...
Dhe fjalët e zotit Strauss- Kahn, u japin sot grekëve mundësinë, ose që të risjelin ne mendje kujtesën e fshirë dhe të korrigjojnë gabimet e tyre, ose të bëhen përsëri edhe ata emigrantë...
Një gjë është e sigurtë: Historia bën cikle, dhe shpesh herë ciklet janë komedi, ose edhe tragjedi. Shpesh herë ciklet e historisë përsëriten edhe si ndëshkim për intolerancën dhe arrogancën e treguar kundrejt më të pafuqishmëve.
Edhe një gjë tjetër është e sigurtë: Shumë grekë, (sidomos ata që kanë studime e formim të plotë intelektual e profesional) aktualisht po e braktisin Greqinë e shkojnë për të ndërtuar jetën, atje ku paguhen më mirë dhe kanë më tepër perspektiva...
Faza e dytë ndoshta do të jenë grekët e pakualifikuar, të cilët do të emigrojnë, ashtu si dajallarët apo prindërit e tyre 50 vjet më parë.
Natyrisht që kjo kategori, ndoshta do të punojë për disa vjet në punë krahu, ndoshta do të punojë edhe pa ensima disa kohë, por nuk do të njohin vetminë e të qenit minoritet apo pakicë, ashtu sikundër e jetoi “Daja” përpara 50 vjetëve, dhe as do të shohë tabela të varura nëpër lokale, të tipit: “Ndalohet hyrja për qentë e grekët!”, siç vareshin nëpër restorantet e Nju Jorkut në dekadën e viteve 1920, ashtu siç i panë gjyshërit e ungjërit e tyre...
Por greku i sotëm, ndoshta do të ketë diçka ku të shpresojë, si “Daja” amerikan i viteve të vegjëlisë së tij, apo si Daja Grek, për të afërmit e tij në Shqipëri, Pakistan, Poloni...

Κυριακή 25 Απριλίου 2010

Dreamcatcher, Ëndërrngërthyesi…

Dreamcatcher, Ëndërrngërthyesi…

Shumë vite pas në kohë, në një varandë me pamje lagjet gjysmë të ndriçuara të Vlorës, një hije përshkon natën...
Kështjella romake dhe kodra që digjen në horizont...
Mbi tryezën e drunjtë dy faqe të grisura lënë të përqafuara frymën e tyre të fundit...
Nuk jemi të vetëm në errësirë, janë edhe të tjerë me ne...
Një qytet iartë zbrat nga qielli, ëngjëjt psalin duke fatruar përreth dhe një piktor i varfër i hedh pikturat e tij në zjarr...
Niçja u çmend dhe fliste me Zotin, William Barouz qëlloi me pistoletë gruan e tij në kokë dhe jashtë dritares Korbi i Edgar Allan Poes këlthet “Never more! Never more!”
Arlekinë të maskuar udhëtojnë me trena në gjithë Europën, në valixhet e tyre fshehin sfera të kristalta që përçarten, kanë madaljone të vogla me dragonj dhe u falen disa perëndive të çuditshme...
Të vdekurit nuk vdiqën kurrë, i vodhën kalikanxharët, the small green people, u zhduk përgjithmonë në një tjetër botë Irlanda dhe vallëzon me kurora në kokë, nën diellin e Mesnatës...
Një e dielë e lagësht me shi, ku Zotër të dehur vërdallisen në Tokë, një dashnor vret veten nën ngashërime dhe dashuria e tij, shumë larg, djersitet në çarçafë të huaj...
Poetë në ekstazë ëndërrojnë femra me gjinj të mëdhenj dhe lëkurë të zbehtë, pijnë konjak të keq dhe flenë përtokë...

Remboja vdiq nga kanceri, i varfër e i vetëm në Marsejë; shumë vite më parë shkruajti nën diellin e mesditës:
“Më pëlqejnë pikturat qesharake, libërthat fëmijërorë, operat e vjetra, refrenet idiote, qëllimet e thjeshta.
Shpika ngjyrat e zanoreve, dashurova vetminë, arat, dyqanet e dala mode, aranxhatat e ngrohta.
Po qe se diçka më pëlqen akoma
Janë gurët dhe dheu.
E rigjeta!
Cilën? Përjetësinë
Është deti që takohet
Me diellin…”

Bon voyage Αrthur!!...

Në Kabarenë e nëndheshme “Volter”, nata këndon e dehur...
Një melodi pianoje e Erik Satit dashurohet me gramafonin e vjetër dhe disa drita të çuditshme me ngjyrime violet përkëdhelin valltaren lakuriqe, që përdridhet gjithë epsh nën vështrimin e një pasqyre të eksituar...
Një tingull rrënqethës violine dhe frymëmarrja e dridhur e qirinjve të vallëzojë me hijet, sy gjigandë në cepin e hënës hapan e mbyllen ngadalë, lypës që ndjekin sfera fluturuese të shndritshme brenda në Qytet, engjëlli i dëbuar nga Parajsa që vrau veten dhe një qen që u varros në mengjes, magjistare të egërsuara që shkrijnë në përqafimin e djajve, gjaku që rrjedh deri në A-në e Centaurit, Luani shkruan me zjarrin kur të gjithë flenë dhe një diell i kuq perëndon në flladin mëngjesor që po zgjohet mijëra vjet dritë më tej...
Dikush dërgon sinjale në Univers, me kode të panjohura, Hënorët përgjojnë dhe dinë gjithçka, në mëngjes do të përgjigjen nga larg me klithma të dëshpëruara banorët e një planeti të vogël që po shkatërrohet, askush nuk do ta marrë vesh kurrë historinë e tyre...
Lart, në observatorët e Botëve, Rojtarët pëshpërisin këngët e vjetra dhe qieli rrotullohet... dhe vetëm rrotullohet...
Atje tej do të udhëtojmë, atje brenda do të japim shpirt, në trajektoret e Galaksive me rrahje të pikëlluara zemre...
Vende të mrekullueshme tropike na mallëngjejnë, iluzionet e hënëve të plota dhe netë të djersitura me aromë vere dhe kolonje të lirë...
Fjalë çjerrëse në përqafime të çara që më kot përpiqen të nxenë ëndrrat tona krenare...
Plagë dashurish që shenjuan thellë në zemër, çaste të dehura dhe sy tradhtare...
Askush, askush nuk na njohu kurrë me të vërtetë...
Kujtimet tifonë që rrëmbejnë dhunshëm shpirtrat tanë fatkeqë.
Një ëndërr..., brenda në një shtëpi..., brenda në një ëndërr..., pasione dhe dëshira të përgjakura...
Të dorëzuar në dhembjen e një jete të thyeshme, më kot puthim ëmbëlsisht plagët tona, brenda në kohë bosh që na vjedhin...

Kujton?
Verat e paharrueshme në këndin e lojërave, të djersitur nga loja, thërrisnim fort brenda në natë ëndrrat tona të çmendura: “Po! Do të bëhemi të mëdhenj dhe do të njohim botën, do të shëtisim në Paris, me vajza të bukura në krah...
Po! Do të ikim larg, do të shkojmë në Hënë!...”
Qeshnim ashtu të padjallëzuar e të lirshëm dhe vështronim yjet..., të vegjël dhe ëndërrimtarë...
Në të zezën e Universit, misteret udhëtojnë, trishtimi i jetës që gjithnjë e më shumë na shenjon, njerëz që ëndërruan Vendet e Tjera, brenda në gjysmëdritën e yjeve zemrat tona me flatra arratisen...
Rrugët janë tonat... Horizontet e pafundme dhe çastet të magjishme...
Një fllad i lehtë dhe udhëtimi fillon...

Asgjë nuk mbaroi, gjithçka ekziston...
Nesër do të rrëzojmë Murin e Berlinit, do të derdhemi nëpër sheshe duke hedhur lule, do të jenë me ne markezi, Borhesi, Villie de Lil Adam, gjyshi Fort, Kapelja e Çmendur, Çufoja dhe Pinokioja...
Do të ikim me karvanet e arixhinjve larg, do të bredhim nëpër Balkan, do të qajmë me buzëqeshje dhe do të dehemi me historira, netëve do të vallëzojmë rreth zjarrit, me shami të kuqe dhe violina magjike...
Dua një natë të numëroj të gjitha yjet e qiellit, të pi pak nga zjarri i tyre, të flas me zogjtë, të ëndërroj veten të papreokupuar dhe të lumtur brenda një bote të bukur dhe të shndritshme, të recitojmë së bashku, unë, ti dhe miqtë tanë, vargje të bukura nën dritën e hënës së plotë, të jenë të gjitha të thjeshta dhe ajo natë kurrë të mos mbarojë...
Ekzistojnë edhe vende të tjera tej horizontit, tej kohërave të largëta, jashtë çdo fantazie!...
Po qe se në këtë botë mundemi dhe ëndërrojmë një tjetër vetvete, atëherë, me siguri, diku, shumë larg, atje jashtë, jetojmë një jetë të fantastike...


(Këtë tekst e kisha shkruar në vitin 1989. E gjeta dje, teksa po rrëmoja në disa libra e fletore të vjetra. Isha student atëherë, 19 vjeç. Prandaj edhe është paksa naiv si tekst...)

Shtëpia ime...

Shtëpia ime...
Ndoshta jam nga të paktët që vazhdoj të shkruaj e të publikoj në Blogun tim, por edhe nëpër site të ndryshme në internet, qoftë edhe në Facebook, me emrin e vërtetë. Pa u fshehur pas pseudonimeve apo edhe anonimitetit.
Kjo për shkakun e thjeshtë se besoj thellësisht në ato që shkruaj e mbroj, por edhe për faktin e thjeshtë se idenditeti dhe jo anonimiteti e pseudonimet në debate publike (qoftë edhe virtuale) janë shprehje e një demokracie të vërtetë e të rrënjosur thellë brenda meje.
Por...
Kam shumë kohë që vendosa të mos publikoj më asnjë koment që vjen në Blogun tim, qoftë pozitiv, qoftë negativ. Përgjithësisht, jam njeri, që ata që komentojnë poshtë shkrimeve të mia, edhe kur nuk kanë të drejtë, apo kur fyejnë mua personalisht, edhe duke qenë anonimë, i kam publikuar dhe jam përpjekur qetësisht që t’u përgjigjem...
Me qindra herë jam munduar që t’u shpjegoj shumë “vizitorëve” komentues, anonimë, ose jo, se në Blogun tim janë vizitorë dhe si të tillë duhet të sillen me edukatë dhe respekt, ashtu siç besoj se sillen kur hyjnë në ndonjë shtëpi të huaj. Dhe për këtë jam kategorik: Nuk mundet të hysh në një shtëpi të huaj, pa trokitur në portë, pa thënë se kush je dhe pa u sjellë në mënyrë të kulturuar...
Do të shtoja edhe diçka tjetër, që më kanë mësuar që në moshë të vogël: Pa fshirë këmbët e tua, pa varur xhaketën dhe kapelen, pa pasur diçka për të thënë apo për të ofruar mikpritësit...
Të tilla gjëra, të dala mode, me pak fjalë...
Të cilat, do t’i ruaj e respektoj me shumë devotshmëri e përkushtim, pasi e di thellë brenda vetes se Kultura andej fillon: Tek porta e jashtme e secilës shtëpi. Të shtëpisë tënde, ku banon e pret të ftuarit e tu. Të shtëpisë së tjetrit, që viziton si i ftuar ti!...
Blogj-et nuk janë as sheshe publike, as gazeta, as programe televizive, as ndonjë kongres partie, as edhe deklamim ... kombëtar. Blogjet janë një vend, një territor Personal, i cilitdo krijuesi- administrator të tyre, i cili me dëshirë u hap dyert që ta vizitojnë ata që dëshirojnë... Një ditar...
Por kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që e vizitojnë këtë territor personal të secilit, kanë automatikisht edhe të drejtën (duke iu referuar një “lirie të fjalës” të keqkuptuar), që të hyjnë, të shajnë, të kërcënojnë, të mashtrojnë dhe të bëjnë shantazh.
Konceptet e “lirisë”, “censurës”, “demokracisë” janë keqkuptuar në vendin tonë. Ato mbyten në fjalët pa fre dhe në kënaqësinë e përkohshme e egoiste, por edhe në ndjenjën se “jemi të rëndësishëm”, qoftë edhe anonimisht e me pseudonime...
Një miku im, me të cilin diskutoja rreth këtyre që po shkruaj më tha se jam person publik, që shpreh një fjalë publike, dhe si të tillë duhet që të pranojë akoma edhe kritikën më të ashpër, deri edhe sjelljen e pahijshme e mungesën e edukatës së komentuesve...
Jam dakort, përsa i përket pjesës së parë, por në asnjë mënyrë nuk jam dakort me pjesën e dytë të fjalisë së tij. Nuk besoj se, akoma edhe një gabim të madh të bësh, ka të drejtën cilido të të shajë e fyejë për këtë.
Këtë sjellje kaq mjerane e kam ndeshur shumë shpesh, si nëpër stadiume, ashtu edhe nëpër vende të tjera publike, ku njerëz, të mbuluar nga anonimiteti e fanatizmi, shajnë me rrënjë e me degë jo vetën sportistët e skuadrës, me të cilën janë tifozë, por edhe shokët e miqtë e tyre, kur ata gabimisht bëjnë edhe një “gabim”.
Të mos përmend pastaj faktin që sharjet e tyre kanë të bëjnë me atë që përbën kompleksin e përhershëm të shqiptarëve: seksin...
Shpesh herë do të doja që këtyre anonimëve t’u kthehen sportistët nëpër stadiume, apo qoftë edhe njerëzit e tjerë dhe t’u përgjigjen me të njëjtat fjalë, me të cilat i kanë fyer. Të njëjtën gjë, jam i bindur se do të bënin edhe të gjithë ata blogger, kur shohin komentet fyese e sharëse të Anonimëve...
Të njëjtën gjë ndiej edhe unë. Shpesh herë them me vete: “Ka të drejtë që e thotë këtë gjë, por përse e thotë duke më sharë?”...
Por duke qenë se nga goja, për fat të keq, ende nuk më dalin sharje e nuk them dot halera të tilla, i them duke “i fshirë”.
Duke i fshirë, e duke u mbyllur portën, pasi ende nuk dua që të mbyll portën e shtëpisë sime...
As edhe Shtëpinë time...
PO, dialogut, po kritikës dhe shkëmbimit të mendimeve dhe kurresesi JO kundërshtimit e antagonizmit shterp nëpërmjet fyerjeve, jo fashizmit të njerëzve kompleksikë...
Këtyre, po që u duhet mbyllur porta, kurrsesi shtëpia, pasi do të trishtohen e mërziten të gjithë ata që gjejnë një fije shpresë e ndajnë ide të njëjta me ty...
Nga ana tjetër, jam kundër faktit që të përzgjedh ata që më shkruajnë vetëm fjalë të mira e të përjashtoj ata që shkruajnë fjalë të këqija.
Prandaj ndoshta do të jem i detyruar që të duroj çdo kompleksik e të paedukuar që do të lërë komente në shkrimet e mia...
E keqja është se këta të fundit janë më të shumtit...


P.S: Blogu, është një ditar i imi. Një ditar për veten dhe të tjerët... Dhe ditaret i ruajmë si dritën e syve, pasi i shkruajtëm kryesisht për vete. Demokracia e Internetit ka të njëjta karakteristika me demokracinë si koncept politik- bashkëjetojmë me ata që janë rreth nesh, sikundër edhe ata me ne. Nuk është e vështirë që të injorojmë njerëzit që gjejnë tribune vetëm për të sharë e fyer, pasi në rast se “tërbimi” i tyre do të ngelet një një cep me gjërat e pakërkuara, ata do të kërkojnë mënyra të tjera, vende të tjera të të shprehur tërbimin e kompleksin e tyre...
Pasi dikush përzgjedh që të mos ta ruajë ditarin e tij si dritën e syve. Përbën vallë kjo një alibi vandalizmi?...

Δευτέρα 5 Απριλίου 2010

Muri

Muri

Ardi Stefa

Ishin kohë të padrejtësisë së përkryer e të fatit të rastit. Ishin ditë të varura, të thara, plot boshllëk.
Ishin ditë ku shpirti kërkonte vetveten, ku maskat binin e binin, e binin vazhdimisht për t’ia lënë vendin fytyrës reale, që shpesh s’arrinte të shfaqej. Dha na krijohej përshtypja se fytyra e vërtetë s’ishte gjë tjetër veç këto maska të pafundme.
Të përcaktoje të vërtetën e veten ishte më tepër se e domosdoshme. Na ishte mërzitur gjithçka: arsyetimet, problemet përjetësisht të pazgjidhshme, pasiguria, ankthi, mburrjet e shpifjet, hipokrizia e maskat, gënjeshtrat e përditshme, ëndrrat që shkërdheheshin, piedestalet idiote që mbusheshin e zbrazeshin njëkohësisht, të vdekurit e pavdekshëm...
Muret po rrëgjoheshin...
Dora e pamëshirshme e kohës po rikonstruktonte mure të reja, me një logjikë të hekurt e të pamëshirshme, të ashpër e të panjohur, ashtu si koha, çastet e orët që kalonin pa grim e pa tualet. Shumë e hidhur gjuha e tyre. Shumë! Ndoshta e vërteta rëndom është e tillë.
Ngjarje të ndryshme në ngjyrë gri lundronin kujdesshëm në kujtesë.
Muret po rrënoheshin...
Dhe vazhdonim të endeshim nëpër mjegull pa ditur në ishim qenie shpirtërore apo individuale, objekte apo subjekte, të gjendur në kohë, apo të rastësishëm kudo.
Lotët kishin kohë që përtonin të binin faqeve. Buzëqeshja ishte arratisur prej kohësh nga fytyra. Të qeshurit me gjithë shpirt s’mbahej mend që kur. Bile, nuk dinim në patëm qeshur ndonjëherë. Sytë hapeshin e mbylleshin instiktivisht. Ndienim dhimbje. Po kjo nuk ishte gjë përpara dhimbjes tjetër: të mosndierit të dhimbjes.
Atëherë, instiktivisht, mendja e shpirti ynë u thith prej tingujve që përhapnin valët e radiove...
Ej, ti, jashtë në të ftohtë,
vazhdimisht, më plak e më i vetmuar.
A mund të më ndiesh?
Ej ti, që korridoreve rri vazhdimisht,
Me të sëmurat këmbë e të ç’rrënjosurën buzëqeshje.
A mundet të më ndiesh?
Ej ti! Mo i ndihmo të kafshojnë Dritën!
Mos u dorëzo pa luftuar!

Ej, ti, me vetminë tënde, lakuriq pranë telefonit
Do mundeshe të më prekësh?
Ej, ti, me veshin në MUR mbështetur,
Duke pritur dikush të të thërresë
Do mundeshe të më prekësh?
Ej, ti, ndihmomë të ngre këtë peshë.
Hape zemrën tënde, po vij në shtëpi...

Ej, ti, jashtë në rrugë ku çfarë të thonë bën gjithmonë,
Mund të më ndihmosh?
Ej, ti, tutje MURIT, që në holl çdo gjë thyen i dehur
Mund të më ndihmosh?
Ej, ti! Mos më thuaj se s’ekziston asnjë shpresë
Së bashku mundemi të durojmë,
Të ndarë do të rrëzohemi...

PINK FLOYD, The Wall- MURI
Çdo stereofoni e botës kishte humbur. Detyrime, kundërshtime, frikësime, filozofi, ëndrra e realitet me zero u shumëzuan. Çfarë shurdhimi, çfarë shkretie edhe kjo! Rëndësi ka të mbetesh Njeri!
Kënga ndërkaq vazhdonte:
Por gjë tjetër s’ish- veç një fantazi
Muri ishte më i lartë dhe prej vështrimit tuaj;
Sado që u përpoq, të ikë s’mundi
Dhe milingonat hëngrën trurin e tij...


“Historia e pranon përjashtimin e rregullit”,- thamë, përshëndetëm njëri- tjetrin me një mirësjellje të shtirur e absurde dhe mbyllëm portën me ndërgjegjen tonë të heshtur e të “qetë”...
Dhe MURI vazhdonte të ekzistonte e të ngrihej jashtë e brenda nesh...

Tiranë, 15 mars 1989

Τετάρτη 31 Μαρτίου 2010

Lumturia e ... Ferrit

Lumturia e ... Ferrit
(Replikë me veten e të tjerët)
Nga Ardi Stefa

Me siguri që do ta keni dëgjuar këngëtarin e madh grek, Janis Parios të këndojë “Ma ke bërë jetën Ferr”. Sikur gëzohet, sikur kënaqet, sikur lumturohet për jetën e tij ferr. Salla ngrihet në këmbë. Lulet bien mbi të si shi. Spektatorët lumturohen së bashku me të, entusiazmohen, jetojnë çaste deliri për arsyen që ferri u bë jetë.
Me të njëjtën mënyrë sillemi, një pjesë e madhe e teleshikuesve kur në ekranin e TV shohim dhimbjen e vuajtjen njerëzore, ankthin, fatkeqësinë, dëshpërimin. Ferrin. Kjo mënyrë të sjelluri, për të cilën në shumicën e rasteve nuk jemi të ndërgjegjshëm, shprehet në nivelet e larta të treguesve të AGB të kanaleve televizive që luajnë me sa më sipër. Është ajo që pjesa tregtare e shfrytëzuese e TV e shpreh me një frazë të vetme: “Tema shet. Dhimbja, mjerimi, fatkeqësia e tjetrit shesin.” Dhe ne blejmë, të kënaqur nga fakti që të tjerëve u humbet e gjithë dora, kur neve na mungon vetëm një gisht. Apo mos është e kundërta?...
Ngulemi përpara ekraneve dhe dëgjojmë nënën e mjerë nga Afganistani të ulërasë e të kërkojë fëmijën e copëtuar nga bomba dhe fëmijën tjetër që po rrezikon të verbohet. Duam që ta shikojmë vazhdimisht atë skenë, të ridëgjojmë klithmat e dëshpëruara të saj. Nuk na intereson aspak që për të marrë një plan më të mirë kameramani bën Zoom mbi fytyrën e nënës fatkeqe. Për të nuk ka rëndësi dhemba e saj. Ka rëndësi ekskluziviteti. Duam që ta shikojmë më qartë, ta dëgjojmë të thërrasë më fort. Nuk na bezdis aspak pyetja që i bën reporteri vazhdimisht e vazhdimisht: “Shpresoni më? Si ndiheni në këto çaste?”. Na pëlqen që nënën fatkeqe ta shohim çdo natë në edicionet e lajmeve të të gjitha kanaleve, të përsërisë e të përsërisë se çfarë ka ndjerë për fëmijët e saj. Na pëlqen të dëgjojmë se si prindi fatkeq ishte filogrek, mësues diku atje të Afganistan, se si kishte shitur të gjitha ato që kishte e çnuk kishte për t’u siguruar një jetë diçka më të mirë fëmijëve të tij, në Tokën e Premtuar, në Greqi... Na pëlqen që ta shikojmë nënën e plagosur deri në palcë të vështrojë me ankth ata që i drejtojn mikofonat e kamerat, me shpresën se mos vallë i ngjalet i biri 15 vjeçar, apo nuk humbet dritën e syve vajza e saj 11 vjeçare...
Dhe faji nuk është vetëm i prezantuesve e i gazetarëve të TV. Është fjala për një fenomen të mprehtë social, simptomë e sëmundjes së rëndë nga e cila është infektuar shoqëria urbane, i moralit të saj.
Kushdo që e ka lexuar “Faustin” e Gëtes, do të kujtohet që në një skenë ai ka vendosur dy burra që pijë të qetë kafenë e tyre një mbrëmje të bukur në dritaret e shtëpive të tyre që ishin përballë njëra-tjetrës:
- Ah, sa më pëlqen që ta pijmë kafenë tonë këtu, të qetë në mbrëmje dhe të dëgjoj që aje larg në Kinë po vriten njerëz!
Gëtja kishte hyrë në shpirtin e kohës, kishte kuptuar psikologjinë e botës së re që po lindte. Nuk u mjaftonte më atyre njerëzve që të pinin kafenë e tyre qetësisht. Ndiejnë më tepër lumturi, në qoftë se dëgjojnë që po vriten e po priten atje larg në Kinë. Ky është një kriter moral, që karakterizon shoqërinë urbane në stadin e zhvillimit të saj.
Dostojevski kishte shtruar për diskutim dilemën: “Kush guxon të miratojë lumturinë e botës, kur ajo bazohet në lotin e një fëmije?”
Por sot, disa guxojnë dhe e ngrënë informimin dhe dëfrimin e njerëzve mbi lotin e një nëne për fëmijën e humbur. Marketing e para në arkë! Turp!...

p.s: Të gjithë ne emigrantët mbartim një histori të ndryshme mbi supe. Historinë tonë. Dhe secili prej nesh ka të drejtën ta kërkojë ëndrrën dhe një jetë më të mirë në atdheun e ... Mikpritjes(!) dhe të Kulturës(!)...
Nuk e di me të vërtetë se çfarë është më raciste.
Të marshosh nëpër parakalime të festave kombëtare- gjasme për atdheun dhe vlerat e tij- duke ulëritur me histerizëm kundër tyre me parrula fashiste, apo të mbyllësh sytë përpara problemeve të tyre?
Emigrantët ngado që të jenë, nga cilido vend që të kenë ardhur në Greqi, janë pjesë e jetës së Greqisë. Dhe grekët, sidomos ata që kanë një pozicion publik e që zëri i tyre dëgjohet e kanë për detyrim që të kontribuojnë në integrimin e tyre...

Τρίτη 9 Μαρτίου 2010

Νo, we can΄t!

Νo, we can΄t!
Ardi Stefa

Përpara nja dhjetë ditësh, kur u mësua se socialistët shqiptarë do të hynin në Parlament, shumë vetë u gëzuan. Një pjesë e madhe e atyre që njihja shpresonin se me hyrjen në Parlament të socialistëve do t’u vihej “fre zullumeve” të Berishës. Bile më qëlloi të isha i ftuar edhe në një ceremoni të organizimit të socialistëve vlonjatë, sarandiotë e gjirokastritë dhe në koktejlin e shtruar me atë rast me bukë misri dhe djathë të bardhë...
Nga diskutimet u tmerrova, pasi pashë një ndjenjë revanshizmi dhe urrejtjeje që emetohej nga çdo qelizë e diskutantëve...
Përsëri ngela me shpresën se hyrja e Edi Ramës dhe e partisë së tij në Parlamentin e Shqipërisë, ndoshta do të vijonte për mirë...
Dhe prita (megjithëse e dija përfundimin qysh më parë) ditën e hyrjes së socialistëve në Parlament.
Me një shpresë të fshehur, mos ndoshta Shqipëria dilte nga ngërçi politik...
Me një shpresë të fshehur se mos edhe njerëzit dilnin që i pasonin dilnin nga ngërçi politik...
Por shakaja mori fund pa u nisur mirë. Socialistët, ashtu siç hynë, ashtu edhe dolën..., (kastravecë- siç thotë një këngë shqiptare).
Socialistët e Edi Ramës, i cili vazhdon të mbajë origjinalitet botërore (i vetmi kryetar opozite, që nuk është deputet), hynë në parlament sa për të mos u hequr mandatet dhe të marrin rrogat. Dolën për të hyrë përsëri pas gjashtë muajsh. Që të dalin përsëri brenda ditës...
Me pretekstin e hapjes së kutive...
Do të kalojnë muaj të tërë dhe socialistët do t’i bien të njëjtit avaz, atij të kutive që nuk do të hapen ndonjëherë. Qysh tani socialistët po kërkojnë për pretekstin e radhës për krijimin e krizës politike...
Jam i bindur, që pas të gjitha këtyre lëvizjeve të socialistëve, por edhe qëndrimit të qeverisë, nuk fshihet ndonjë mentalitet komunist, por një koncept shumë i vjetër i ekstremit të djathtë.
Ajo, që politika është çështje e të “mirëve” kundër të “këqinjve”, e të “urtëve” kundër “mëkatarëve”, e të “moralshmëve” kundër të “pamoralshmëve”.
Një koncept, i cili zëvendëson politikën me moralin dhe veprimin me predikimin...
Për fat të mirë, jeta gjithmonë ka fjalën e fundit. Akoma edhe në të ashtuquajturën “luftë kundër korrupsionit”, e cila u shndërrua në flamur të fushatave ekeltorale dhe në një kryqëzatë kombëtare, u vërtetua se nuk ishte veçse një luftë e të pasurve, të cilët donin të zinin vendin e disa të pasurve të tjerë.
Konkluzioni që nxjerr? Që politika mundet të evoluohet me citate, por qeverisja e vendit është një çështje shumë më e komplikuar dhe më e vështirë për t’u thjeshtëzuar...
Dështimet e të dy liderëve kryesorë shqiptarë janë një provë e padiskutueshme i këtij konkluzioni kaq të thjeshtë.
Barak Obama u bë president duke deklamuar në parrullë, e cila dëgjohet shumë bukur në veshë: Υes, we can! (Po mundemi!).
Me gjithë respektin që ushqej për Obamën, me gjithë emocionin që më krijoi zgjedhja e tij, akoma pres politikanin, i cili në një fushatë elektorale të dalë e të thotë: Νo, we can΄t! Të thotë d.m.th.: “Jo, nuk mundemi”.
Jo, nuk mundemi, të jetojmë vazhdimisht në një krizë politike e sociale.
Jo, nuk mundemi të jetojmë si të korruptuar e njëeëz qqë nuk paguajnë taksat.
Jo, nuk mundemi të jetojmë e të ekzistojmë si shtet pa sipërmarje e biznese të ndershme e të shëndetshme.
Jo, nuk mundemi të jetojmë si një shtet që “kujdeset” për votuesit e njërës palë e jo të tjetrës.
As nuk mund të jetojmë si një sistem politik që tallet me të gjithë, brenda e jashtë vendit. As mund të jetojmë si një shtet që do të hyjë në BE dhe nuk ka as idenë më të vogël të demokracisë së vërtetë...
Veçse një politikan të tillë, ende nuk e kam ndeshur...