Δευτέρα 7 Μαρτίου 2011

Mungoj

Mungoj
Jam një tablo melankolie, një livadh në vjeshtë me lule të vyshkura...
Çastet mashtruese të mia, gjethe të vdekura në bregun e Lanës që i shkelin papushim dashnorët kalimtarë...
Rinia ime, erëra të ftohta veriu dhe ciklone, të humbura në vende të largëta, ndërmjet luftërash, vdekjeje dhe gijotinash që shkëlqejnë ftohtësisht...
Numëroj vitet dhe stinët e pafund që humbën, por që gjithmonë pas ktheheshin, për t’u larguar përsëri, vagabonde, brenda perëndimeve dhe akullsisë së tmerrshme..

Dashurohem me erën, dritën e zbehtë të një ylli të largët, buzëqeshjet spontane të fëmijëve të vegjël, tingullin e fuqishëm të dallgëve që sulmojnë me mani shkëmbinjtë e bregut.
Brenda jetësh kaloj, i lehtë tashmë; i parëndësishëm. Humbas në çaste,; zhytem në përqafimin më të rrezikshëm... Errësirën e pafund përshkoj...

U përpoqa të përshkruaj atë lehtësinë e padurueshme që zë gjithmonë pritë brenda çasteve kalimtare. Një dehje e ëmbël me pushton zemrën, pamje që fshijnë përnjëherësh të gjitha ndjenjat...
Një hollësi e përpunuar brenda një perëndimi ngjyrë violet, një përkëdhelje e beftë e një flladi kalimtar, rrahja delikate e flatrave të një fluture nate; vështrimi melankolik i një vajze brune.
Fluturimi krenar i një mjellme që fluturon mbi kallamat, një yll që rrëzohet dhe një urim dashurie.
Hijet mbi fustanin e kaltër të një kukulle druri që qëndron e palëvizur përpara derës së hapur të sobës së ndezur...
Një melodi e mbushur kujtime në një muzg të pikëlluar, një ndriçim i çuditshëm yllor në zemër të dimrit.
Aroma e një pjepri të freskët të prerë në tryezën e mesditës, siluetat e hajthme të vajzave në shëtitjet e mbrëmjes...
Një frymëzim i dehur i përqafuar me agimin...

Dështova...
Dështova keqazi...

Si të përshkruash kaq mrekullira?
Rrugë, korridore të pafundme ndjenjash...
Shi i pafund kujtimesh të pafundme që zjellin edhe një tjetër dehje. Që shenjojnë pa u penduar mendimet dhe gjithë kohës mbizotërojnë ethet në shpirt...

Dështova...
Dështova keqazi...

Duke parë mbrapa, në çastin sublim të ikjes, ju garantoj, nuk do të ketë asgjë që do të më bëjë të ndiej keqardhje...
Ndoshta vetëm një gëzim i vogël që priste i fshehur brenda stinëve të dhembjes; priste; për shumë vite që ta shijoja...
Të gjithën dhe me pathos...
Trishtimi e gëlltiti edhe atë, ashtu siç gëlltiti edhe me mijëra ëndrra modeste, sikundër zhduku rininë time të varfësr dhe të gjitha dëshirat e mia...
Kurrkund nuk ekzistoj, inekzistent brenda shekujve, transparent dhe i padukshëm brenda njerëzve; pa atdhe, përqafim dhe shpresë...
I pavdekshëm, por i mundur nga fati...

Dështova...
Dështova keqazi...


Dhjetor 1991

Πέμπτη 9 Δεκεμβρίου 2010

20 vjet dhe dy vjet më parë: paralele të kuptimit që humbëm...

20 vjet dhe dy vjet më parë: paralele të kuptimit që humbëm...

(Jo ne, politikanët...)

Ardi Stefa

Është bërë zakon që në çdo dhjetor të shkruhen me mijëra fjalë e të derdhen tonelata me bojë në tonelata letër për Dhjetorin 1990...
Fjalë të zjarrta, kuptime të madhërishme, mezazhe të thella, për ëndrrat e vizionet e një brezi, e të gjithë brezave...
Kam shkruar shumë për Dhjetorin 1990 e ngjarjet që pasuan, protagonist e dëshmitar i atyre ditëve të zjarrta që shenjuan mua e të gjithë shokët e mi, romantikë të pandreqshëm... Nuk dua sot të përsëris ato që kam thënë e shkruar vite me radhë.
Jo vetëm sepse nuk do t’u ndryshoja asnjë rresht, por edhe sepse shpesh herë vetë ne gjejmë edhe atje ku nuk jemi protagonistë vetë, por ata që sot janë bashkëmoshatarë me ne atëherë...
Ashtu si në 8 dhjetor 1990, këtu e dy vjet më parë, në 6 dhjetor 2008, në Athinë një adoleshent 15 vjeçar u ekzekutua nga plumbat e një polici arrogant, u ekzekutua nga plumbat e një pushteti arbitrar...
Qysh nga dita e nesërme, Athina, Selaniku, Patra dhe të gjitha qytetet e mëdha të Greqisë morën flakë, metaforikisht dhe në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Me dhjetëra mijëra nxënës e studentë u derdhën spontanisht nëpër rrugë (ashtu si ne atëherë në Tiranë) rrethuan rajonet e policisë dhe godisnin me portokalle e shishe plastike uji policët...
Qeveria e Demokracisë së Re pëson një çarje të thellë në ndërgjegjen e grekëve, siç vërtetohet edhe nga rezultatet e zgjedhjeve nëntë muaj më vonë.
Pema e Krishtlindjeve në Syntagma, përballë parlamentit grek, digjet dhe pamjet e saj i transmeton çdo kanal i huaj televiziv...
Mesazhi që emetohej në çdo cep të planetit? Me pemën e Krishtlindjeve digjej shpirti i Greqisë...
Disa muaj më parë se dhjetori 2008, në Francë, Parisi digjej nga shpërthimi i rinisë...
Ashtu si muaj më parë se dhjetori 1990, në Berlin rinia rrëzonte Murin e turpit, në sheshin Tienanmen, tankset shtypnin me gjak e zjarr trupat e studentëve...
Në dhjetor 2008, veç revoltës për vrasjen e Aleksit e të endrrave të një rinie të tërë, ndieja edhe dhembjen për atë ç’ka po shkatërrohej, pasurinë dhe mundin e djersën e mijëra grekëve, të cilët shihnin në pamundësi për të shpëtuar dyqanet e tyre të plaçkiteshin e të digjeshin...
Shtypi i huaj shkruante në atë dhjetor: “Një fantazmë e një shpërthimi të përgjithshëm të rinisë europiane, si një aromë pranverore të popujve po përhapet sot, pas akteve të dhunshme të Athinës... Kundër krizës, kundër konservatorëve, kundër dhunës së pushtetit, e cila sa vjen e bëhet edhe më e rëndë, kundër shtresës së majme borgjeze, të cilat e kanë çuar shoqërinë perëndimore në buzë të greminës dhe që të cilat nuk u lënë brezave që po vijnë veçse një të ardhme të pasigurtë dhe pasigurinë e një hapi në boshllëk...
Ky brez i 700 euro, me njohuri e dije të thella, i paguar keq për atë që bën, dhe që paguhet aq sa për të mbajtur frymën gjallë, nuk do ta lërë veten të flijohet, pa revolta e shpërthime...”,- paralajmëronte drejtori i gazetës se djathtë franceze “L’express”, Kristof Barbie, fjalët e të cilit citova më sipër.
Ndërsa shtypi gjerman bënte fjalë për flakët përballë parlamentit grek, ku ishin grumbulluar urrejtja e një brezi të tërë...
Dhe Greqia në vitin 2008 nuk përjetoi një revoltë e shpërthim të “të mjerëve”, por revoltë e atyre që dikur ishin mirë të mbrojtur dhe që në ato momente e ndienin se ishin përballë asgjësë... Një fenomen ai krejtësisht europian...
Ndoshta paksa i ndryshëm nga ai i Dhjetorit të 20 viteve më parë në Shqipëri...

***
E duam Shqipërinë si gjithë Europa!..
Liri- Demokraci!
Me studentët jemi ne!
Studentët janë heronj...
Pas kaq vitesh, kujtesa personale fillon të humbasë. Zakonisht ajo zëvendësohet nga e ashtuquajtura “kujtesë kolektive”, e cila në fakt është njohja ideologjike e ngjarjeve, e cila u jep rëndësi heroizmit, fakteve mitologjike: heronjtë, epopeja, qëndresa, pasioni për lirinë...
Fjalë të bukura, shumë pompoze për të fshehur thelbin. Cili është thelbi? Që heronjtë e Dhjetorit ’90-të nuk ishin veçse njerëz normalë, studentë e studente të reja, ideologë, të cilët befasisht u gjendën në qendër të Historisë e të së përgjithshmes... Në këtë vrull jetuan e përjetuan dehjen e përmbysjes. Jo pa flijime, jo pa humbje. Ato ditë e net të zjarrta shenjuan jetën e të gjithëve atyre që ishin prezent, shenjuan e ndryshuan edhe jetën e të gjithëve atyre që ishin larg Qytetit Studenti. Shenjuan e ndryshuan rrënjësisht edhe jetën e atyre që erdhën e që do të vijnë më vonë..
Dhe kështu kaloi koha, ndryshuan kushtet...
E vetmja gjë që ngeli është një tregues heroizmi. Kështu e konceptojnë Lëvizjen Studentore të Dhjetorit të rinjtë e sotëm... Po a ishte me të vërtetë kështu? Dhe në qoftë se ishte, çfarë ishte në thelb? Dhe kush do të na i thotë me saktësi?...
Atëherë neve ishim heronj. Ishim thjesht të rinj, me ëndrra, vizione...
Ishim një brez i ri që kishte etje për liri e drejtësi, për bukë, ujë e drita, për liri fjale e veprimi. Sepse bëhet fjalë për një brez studentësh, të cilët të paarmatosur, por edhe të vendosur morën përsipër të shplanin turpin e një vendi që në heshtje dhe në humbje, qeverisej për pesëdhjetë vjet nga diktatura shkatërrimtare komuniste. Djem e vajza të prindërve të Shqipërisë, nga familje të varfëra, por edhe nga familje të “mira”, nga familje të humburish nga paslufta e 1944-ës, por edhe nga familje fitimtarësh, ishin për pak ditë të lirët e rrethuar të historisë sonë bashkëkohore shqiptare...
Një brez djemsh e vajzash 22 vjeçarë që bëri politikë me fjalë, me këngë, me shpirtin dhe, mbi të gjitha, me trupin e tyre të njomë e të drobitur nga uria. Një brez që zgjoi një popull të tërë nga gjumi letargjik e që vrau frikën.
Një brez 22 vjeçarësh që rrezikuan jetën, studimet, për të fituar një çast që jeton përgjithmonë. Dhe ajri i lirisë që atëherë frynte në Tiranën e acartë në të gjitha shtëpitë, edhe në ato shtëpi që rrinin të kyçura kur dëgjoheshin thirrjet e studentëve, sirenat e makinave të policisë, apo edhe kur sambistët rrihnin me shkopinjë gome bashkëmoshatarët e tyre, nuk i çelnin dyert për të mbrojtur djemtë e vajzat e reja, nuk kishte se si të mos përqafohej nga një popull i tërë.
Në Lëvizjen e Revoltën Studentore, le të mos gënjejmë vete apo të tjerët, sepse është fyerje, nuk bëhet fjalë për revoltën e “popullit shqiptar”, “as të intelektualëve demokratë komunistë”.
Ishin disa pak mijëra të rinj e të reja, protagonistë dhe bashkëudhëtarë, pjesëmarrës në mitingjet e demonstrimet në Qytetin Studenti, por edhe atje rrotull, të cilët e gostitën historinë shqiptare, akoma edhe një herë me gotën, një gllënjkë e të cilës mjafton që të të dehë, me një dehje të këndshme: E PAMUNDURA MUNDET TË BËHEJ E MUNDUR!
Vlera e vërtetë e Lëvizjes Studentore Shqiptare është pikërisht kjo: se u bë nga njerëz të zakonshëm, studentë vërtet, por të nxjerrë nga jeta e përditshme. Nga njerëz në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, me ndjenja dhe ëndrra, delikatë, nga njerëz që ishin të uritur për jetë, për famë e lavdi, që kishin pasione. Nga njerëz që bëjnë gabime, që pendohen, njerëz të dobët e që s’kanë busull orientimi shpesh herë, nga idealistë të vërtetë, por edhe aventurierë, nga njerëz të vdekshëm e mëkatarë dhe jo nga statuja...
Dhe, nëse vlen akoma edhe më shumë stuhia e Lëvizjes së Studentëve, kuptimi që ka kjo lëvizje për brezat e ardhshëm është se kjo revoltë për një çast, për dy çaste, për një, dy apo dhjetë ditë, ata të rinj u ngritën më lart se EGO-ja, UNI i tyre, dhe kështu, të lirë u bënë krijuesit e historisë së tyre dhe të historisë sonë. Me pak fjalë: Studentët ishin atje atëherë kur duhej. Ç’pasoi është tjetër histori...
Prandaj, çdo vit në këtë ditë dëgjohen shumë fjalë nga shumë pseudo. Megjithëse protagonistëve të vërtetë të Revoltës Studentore Shqiptare u shkon më mirë heshtja. Heshtja e njohjes dhe e respektit për atë që bënë e që sado vite të kalojnë do të ngrihet gjithnjë e më lart në Panteonin e Historisë.
Prandaj llafologëve e pseudove, përpara se të nxjerrin fjalët bombastike nga goja, mirë do të ishte që të mendonin për një çast, është detyrim moral të mendohen për një çast dhe të pyesin veten nëse: “Liria, Demokracia, buka e dritat, mjaftojnë për të gjithë”...
A mjaftojnë për të gjithë ato që kërkuan atëherë studentët e mburremi se tashmë i kemi?...
Dhjetori 1990 dhe Shkurti i vitit 1991 ishte pika kyçe në historinë e gjithë kombit shqiptar, ishte pika kulmore në formimin e një brezi me të vërtetë intelektual shqiptar; ishte pika ku dy epoka u ndanë, kur populli festonte rrëzimin e monumenteve të diktatorit nga qytetet e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër nomenklatura kërcëllinte dhëmbët e tërbuar prej inatit që s’mundej të bënte dot gjë. Fundi kishte ardhur. Përpëlitjet nuk ishin gjë tjetër veçse grahmat e fundit të një sundimi gjakatar 46 vjeçar. Ora e së vërtetës për Shqipërinë kishte trokitur! Dhe ora nuk mundet të kthehej dot mbrapsht...
Por a erdhi ora e së vërtetës? A u formua me të vërtetë një brez intelektual shqiptar jo komformist?...

***
Tek revolta Greke e dhjetorit të dy viteve më parë Europa shikonte të ardhmen e saj...
“Do të bëhet e Greqisë gjithandej!”
“Jemi të gjithë grekë!”,- thërrisnin atëherë në manifestimet e tyre nxënësit e studentët francezë, dhe Sarkozy i tmerruar e tërhoqi projektligjin për arsimin...
Por nuk u bë e Greqisë në Europë...
Akoma edhe më keq. Greqia e revoltës rinore u bë Greqia e falimentuar që rron në ombrellëm e FMN...
Një mospërfillje e pafundme për grekët që ulën kokën, reflektohet në të gjitha ato gazeta që dy vjet më parë shkruanin me ditirambe për revoltën e ngjashme me atë të Majit 1968!
Tashmë europianët thërrasin: “Ne nuk jemi grekë!...”
Dhe kjo parrullë u dëgjua nga po ata francezë që dy vite më parë thërrisnin të kundërtën e kësaj fraze...
Aktualisht ëndrrat e të rinjve grekë dhe jo vetëm të të rinjve janë në arkivol...

***
“Kam frikë se asgjë radikale nuk do të ndodhë në Shqipëri,- më pat thënë në 1991 Robert Elsie.
“E pamundur, - i thashë. - Përmbysja ka ndodhur. Tashmë është thjesht në dorën tonë...
I miri Robert Elsie, buzëqeshi me hidhërim e pikëllim atëherë...
Nuk e kuptova se ç’donte të thoshte me atë tundje të lehtë të kokës...
Kanë kaluar kaq vite dhe më i qetë e kuptoj tashmë se elementet e revoltës si edhe ato të të qenit “raja” bashkëjetojnë që të dyja si karakteristika origjinale të shqiptarëve, ashtu sikundër edhe tek grekët.
Varet se cila nga të dyja do të mbizotërojë çdo herë...
Prandaj edhe ajo ç’ka marrim nga të huajat ëshë analoge me situatën: admirim, apo tallje...

Κυριακή 24 Οκτωβρίου 2010

Për (a?)populizmin e politikanëve tanë

Për (a?)populizmin e politikanëve tanë
X deputet i PS denoncoi familjen Berisha për korrupsion dhe për blerjen e gjithë Shqipërisë...
Menjëherë doli një deputet i PD për të përgënjeshtruar dhe për të akuzuar Ramën se ka vjedhur miliarda në këto vite, se ai është imoral, drogaxhi dhe se merr pjesën e luanit nga lejet e ndërtimeve.
Një X deputet i PS përpara kamerave akuzon ministrin e ndërtimit se tuneli që u rrëzua ishte përgjegjësi e tij...
Menjëherë një Y deputet i PD akuzon PS dhe vetë kryetarin e saj për mashtrim dhe demagogji...
Zëdhënësja e qeverisë komunikon inaugurimin e disa kilometrave rrugë në Tranë...
Menjëherë del zëdhënësi i Bashkisë së kryeqytetit për të marr meritat e ndërtimit të rrugëve, për të ridalë përsëri zëdhënësja e qeverisë; për t’u rikundërshtuar përsëri nga deputetët e PS, për t’u akuzuar përsëri nga demokratët...
LSI heq një ministër dhe ai ministër denoncon pasurinë e padeklaruar të kreut të partisë së tij...
Kreu i LSI deklaron se Rama i ka propozuar deri edhe pesë herë në ditë që të bashkohej me të për të rrëzuar Berishën...
Një orë më pas zëdhënësi i PS deklaron se Metës asnjëherë nuk i është kërkuar bashkëpunim për të rrëzuar Berishën...
Njëri nga aleatët kryesorë të PS e këshillon Ramën që të rikandidojë për kryebashkiakun e Tiranës...
Mesazhi është i qartë: “Nuk bën për kryeministër!...”
Pritet reagimi i selisë rozë për këtë deklaratë...
Qerthull...
Rrumpallë...


Nga Ardi Stefa

Një lloj perversiteti profesional më bën që përditë të shoh edicionet e lajmeve në kanalet televizive shqiptare, kryesisht lajmet politike. Natyrisht, jo të gjitha, pasi do të ishte një torturë e vërtetë për nervat, por i ndjek mjaftueshëm, aq sa për të kuptuar “qëndrimin politik” të secilit “politikan” si edhe fushën e nivelin e konfliktit. Referimet për problemet e vërteta të qytetarëve dhe të Shqipërisë në diskutimet e debatet e tyre nuk janë gjë tjetër veçse një shtojcë e deklaratave të tyre. Çështja kryesore që i shqetëson të gjithë politikanët shqiptarë, është se si në “minikonferencat e tyre për shtyp” të shprehin “qëndrimin e tyre parimor” dhe të denoncojnë pasurimin e familjes së Berishës, pasi më parë deputetët demokratë, kanë denoncuar pasurimin e paskrrupullt të Ramës, drogën, femrat, liçencat e ndërtimit, etj, etj...
Kontrasti i politikanëve të të gjithë spektrit politik, edhe dy dekada pas shpalljes së pluralizmit dhe mbretërimit të populizmit në jetën politike, nuk befason më askënd.
Ajo që befason dhe revolton, të paktën mua, është shtrembërimi dhe përçudnimi i termit “qytetar” nga goja e atyre që duan votën e tyre. E kanë kthyer në një lloj eufemizmi. Në konceptin e shumicës së politikanëve, qytetari është një lloj kafshe, pa mundësinë e analizës së realitetit, pa gjykim, pa përgjegjësi. Funksionon në mënyrë emotive dhe reagimet e tij kufizohen në nivelin e cekët të kontrastit ndërmjet lavdisë dhe dhembjes, ndërmjet ekstazës dhe përsëri dhembjes: I jep për shembull një mijë lekë dhe gëzohet, i merr një mijë lekë dhe zemërohet.
Ky lloj “qytetari” është diçka si kryqëzim ndërmjet një kafshe dhe një fëmije të vonuar mendërisht. Gjithmonë ka të drejtë, asnjëherë nuk ka faj dhe detyra e politikanit është që ta qetësojë dhe ta kënaqë...
Kjo është kultura jonë politike, në këto 20 vjet pluralizëm.
Dhe kjo është arsyeja se përse niveli i politikanëve tanë është kaq i ulët në ditët tona. Kur mbizotëron “qytetari” i llojit që përshkrova më sipër, për çfarë arsyeje nevojitet njeriu që me të vërtetë mendon në politik? Mkë lloj shejtan budallai interesaxhi dhe servil e bën punën shkëlqyer. Dhe nuk kërcënohet shëndeti i tij nga neveria dhe keqardhja apo pendimi.
“Qytetari”, të cilit i drejtohen të gjithë ata që demonizojnë njëri- tjetrin, që shajnë e fyejne me fjalët më të ndyra njëri- tjetrin, nuk ka nevojë që ta vrasë mendjen me dilema të llojit: Demokraci apo plutokrati, demokraci apo nepotizëm, demokraci apo nomenklaturë familjare, barazi apo vetëm në fjalë, barazi, apo padrejtësi e përjetshme sociale revoltë qytetare, apo nënshtrim total, në një vend ku nuk njihet greva e të tjera fitore historike nëpër dekada,.., etj, etj, ... të këtij lloji.
Pas kaq vitesh “plularizmi e demokracie”, nuk është e rastit që politikanët nuk guxojnë që t’ua paraqesin qartë e drejt realitetin qytetarëve.
Sepse nuk kanë mundësi ata të mjerë që ta bëjnë një gjë të tillë, apo të veprojnë ndryshe! Qëndrimi i tyre varet nga instikti i tyre i mbijetesës. Pasi, në rast se politikanët aktualë shqiptarë ndërgjegjësohen për madhësinë e dështimit të shtetit, por edhe rëndësinë e një demokracie të vërtetë qytetare, atëherë politika, jeta politike, ashtu siç enjohim deri më sot në Shqipëri do të ndryshojë dramatikisht dhe shumë nga ata që sot janë funksionarë të lartë të partive e të shtetit, do të zhduken njëherë e përgjithmonë nga jeta publike. Së bashku me milionat e tyre.
Investojnë këta “qytetarë”, pra këta politikanë shpresat e tyre në ruajtjen e inertësisë, në ruajten e palëvizshmërisë dhe në kundërshtimin e reformava, e të zbatimit të tyre, të mbrojtur nga një mburojë sulmesh e kundërsulmesh ndaj njëri-tjetrit.
Sepse në fund të fundit, ashtu siç e dëshmojnë edhe “deklaratat e tyre zyrtare të të ardhurave”, po qe se Shqipëria nesër do të rrënohet, klasa e saj pushtetare do të arrijë të mbijetojë, në mënyrë që edhe pasnesër të jetë aty që të qeverisë përsëri...
Dhe kjo nuk është gjë tjetër, veçse tendenca e populistëve, për të mbijetuar në kurriz të të tjerëve, pasi gjendemi në buzë të greminës...

Κυριακή 19 Σεπτεμβρίου 2010

Një poemë

Një poemë

Dëshiroja të shkruaja një poemë për perëndimin e diellit në Egjipt dhe hijet tejet të lashta të piramidave; për brigjet e Irlandës, për tingullin magjik që ushton nga këmbanat e Lozanës, për bujqit e varfër të Meksikës, për ëndrrat e çmendura të poetëve francezë. Për vallëzimin e indianëve rreth e rrotull zjarrit; për agimet në Kubë, poshtë palmave me pamje oqeanin Atlantik.
Të shkruaja një poemë për zakonet e çuditshme të eskimezëve, për psalmet e trishta të myslimanëve pak përpara se të perëndojë dielli...
Një poemë për tingullin e shiut dhe këngët që sjel nga larg era; për vijat e mrekullueshme në lëkurën e tigrave dhe bishtin hyjnor të pallojve; për këngën e përtejme të dallëndysheve brenda foleve të tyre; për udhëtimet e zogjve në vendet e Veriut; për një flutur të vogël të kuqe, e cila i gëzohet agimit, duke fluturuar nëpër lule...
Një poemë për Don Kishotët dhe zbuluesit guximtarë; për Luanin e Bretonit dhe frymëzimet e Mark Auprilit; për Xhek Londonin që humbi aq padrejtësisht; “Do të kthehem gjallë”, shkruante me lot deri në momentin e fundit; për astonautët që vdesin dhe marrin me vete mijëra sekrete; për fytyrën e çuditshme që dalloi Herakliti mbi Hënë...
Një poemë për pasqyra të errëta dhe kaleidoskope të jashtëzakonshëm; për mistere në kristale dhe vula magjike, për mermerin e një statuje që qëndron në gjysmëerrësirën e një muzeu të vjetër; për mburoa dhe heshta heronjsh që ende presin beteja; për shtëpira gati të rrënuara që shenjojnë vështrimin e kalimtarit...
Për letra të pluhurosura që askush nuk i hapi ndonjëherë; për tradita epokash që po ndryshken me kalimin e kohës në bodrume të errëta, për grafitet në deto që janë mesazhe të koduara të bandave; për një kobure të zbrazur që tymos ende në dorën e atij që sapo vrau veten, në mesnatë, në ndonjë cep të vetmuar...
Një poemë për marinarët dhe femrat e panumërta të tyre, për refugjatët dhe eremitët që ëndërrojnë një jetë tjetër; për piratët dhe kryqëzorët.
Për Arturin dhe të gjithë kalorësit e tij që ende kërkojnë Graalin e Shenjtë; për alienët që jetojnë jashtë planetit tonë dhe dëgjojnë të gjitha tingujt e Universit; për dhembjen e Shekspirit dhe melankolinë e Borhesit; për zemërmirin Herman Esse që ndihej si një ujk përballë stepës së pafundme; për madhështinë e bardëve që himnizuan bukurinë...
Një poemë për yjësitë dhe joshjen e Hënës, për anijet kozmike më të shpejta se kometat, për perëndimet jashtëtokësore të diejve në cepin tjetër të kozmosit; për piktorë kozmikë që ngjyrosin galaksitë; për mesazhet paqësore që dërguan njerëzit në pafundësinë e Universit; për Shpresën që lëviz çdo gjë, gjithmonë...
Një poemë për fëmijtë e varfër të Afrikës; për revolucionet e popujve, por edhe për krimet kundër njerëzimit; për luftërat dhe lumenjtë e gjakut që vaditën tokën; për vetminë e burgut dhe hidhërimin e skllavërisë; për të gjithë ata që dhanë shpirt duke mbrojtur Njeriun...
Një poemë për dashnorë të zjarrtë dhe gjasme dashuritë, për dashuritë e verës që shpejt u harruan; për Romeon dhe Zhulietën që fituan përjetësinë; për puthjet romantike dhe psherëtimat; për zemrat që godasin fort; për sytë që ëndërrojnë edhe kur janë të hapur; për një përkëdhelje të ëmbël në errësirë që fiton mbi të gjitha dhembjet...
Një poemë për Zotin dhe engjëjt, për Parajsën dhe jetën e përjetshme...
Një poemë për Djallin dhe engjëjt e tij, për Ferrin dhe një mijë mëkatet...
Një poemë për çdo poemë...

Ardi Stefa
Dhjetor 1995

Τρίτη 24 Αυγούστου 2010

Atë që shkruaj, nuk do ta kuptosh kurrë!

Atë që shkruaj, nuk do ta kuptosh kurrë!
A. Stefa
(Kushtuar të gjithë të çmendurve, ëndërrimtarëve, njerëzve të ndjeshëm dhe të vaçantë atje jashtë...)
Më fal që po ndërpres qetësinë tënde... Dua të të pyes diçka...
A mundet nesër në mëngjes të ikësh, të vish rreth botës, të udhëtosh gjithandej, në çdo cep të Tokës?
Qoftë edhe po të hidhesh një ditë në Vlorë për një kafe, apo në Shkodër?
Mundet të flasësh gjuhë të huaja, të komunikosh me njerëz të të gjitha racave në lanet?
Mundet të bëhesh akrobat po qe se e dëshiron? Piktor? Astrofizikant?
Ndoshta një virtuoz i famshëm violine?
Jo?
Përse?
Nuk ke kohë për të gjitha këto? Ke detyrime, familje, punë, fizkulturë, ndjekje të modës, kafe me të njohurit e shumë e shumë gjëra të tjera që nuk të lenë të merresh me asgjë tjetër?
Hëmmmmm...

Çfarë di të për Eposin e Gilgameshit, bardin Taliesin, Senekën, Saphonë, teoritë e komplotimit, Xhengis Khanin, sekretet e Piramidave, surrealizmin, sëmundjet gjenetike, Konfucin, Teorinë e Relativitetit, Portën Magjike të Romës, shkrimet e papublikuara të Kadaresë,, simfoninë e Nëntë të Beethovenit, Masonët e Da Vinçin, Mona Lizën dhe Paganinin?
Nuk të interesojnë fare këto?
Ti merresh me futbollin, show biz, revistat e modës, tavllën dhe kur ndonjëherë gjen kohë noton pak në det?
Hëmmmmm...

Pa më thuaj, ndonjë vizion ke? Ndonjë synim sublim dhe në fund të fundit, diçka që ta kesh dëshirë aq shumë me gjithë qenien tënde, një ëndërr të papërshkrueshme, të zonjën të ndryshojë fatin tënd dhe jetët e të gjithë njerëzve?
Jo?
Përse?
Beson se bota është e padrejtë dhe nuk ndryshon? Nuk je ti i indur për t’u ndeshur për vlerat dhe atë që janë të drejta?
Ke kaq shumë probleme të pazgjidhura dhe ke nevojë për pushime e shlodhje?
Mendon se të gjitha këto janë gjëra të çuditshme dhe paksa idiote?
Hëmmmmm...

Të të them unë tani diçka?

Jam i çmendur!

Po!

Egocentrik dhe i çuditshëm...

Metamorfozohem vazhdimisht dhe lëviz pa rënë në sy brenda rrugëve, duke studiuar sjelljet e njerëzve, frikat e tyre, mënyrën e tyre të reagimit, ecjen e tyre...
Merrem me Alkiminë, Teologjinë, artet marciale, jogën, skermën, etj, etj...
Studioj Astronomi, hartat e stërvjetra, inxhinierinë mekanike, arkeologjinë, trajtat e reve, ndërtoj (ose të paktën përpiqem) gramafonë me avull, pushkë me energji elektrike.
Flas me hijen time për Psikogjeografinë, futurizmin (jo atë të letërsisë), kolonializmin galaktik, energjinë e lirë, udhëtimet në Kohë e Hapësirë, balsamos flutura dhe milingona, flas dialektin e pakuptueshëm të alienëve që jetojnë mes nesh, zhargonin e Parisit dhe gjuhën e indianëve të australis.
Kam në posedim koleksione impresionuese me guacka dhe pulla shtetesh të ndryshme, kaseta të mrekullueshme origjinale dhe jo aq origjinale, një jatagan të mrekulluesëm të kohës së Turqisë dhe një kobure me mulli, që megjithëse e pastroj dhe e vajos, vazhdon të ndryshket e nuk do të qëllojë kurrë.
Lexoj librat e mrekullueshëm të Bodlerit, Andre Bretonit, Çarls Fordit, Servantesit, Lavkraftit, Edgar Allan Poes, Wiliam Bleikut, Lorkës, Erih Fon Deniken, Markezit, Aliendes e shumë e shumë të tjerëve...
Shikoj filma të çuditshëm, dëgjuj muzikë edhe më të çuditshme, tinguj dhe pëshpëritje të frikshme në heshtjen e tyre shurdhuese. Dëgjoj erën, jam i çuditshëm në gjithçka... Njoh sekretet e Qyteteve, Urbanomancy, historinë sekrete të ideve, Botën e Përtejme, realitetet alternative e botët paralele, X Files, teorinë e Tingujve dhe magjistarin Hudini e sekretet e tij...
Më rrëmben të regjistroj në kasetë vetëtimat e bubullimat, pikat e shiut, tronditjen e shinave nga trenat që shkojnë e vvijnë, cicërimën e zogjve, hungëritjet e qenve, hapjen dhe mbylljen e një çelësi elektrik, përplasjen e flatrave të zogjve të natës mbi çatitë e shtëpive, të detyroj me mënyra të ndryshme kitarat të më zbulojnë të gjitha tingujt e notat që luajtën kordat e tyre, të shoh në thellësi të një llampe të ndezur, në fundin e krisur të një gote, brenda vrimave të çelësave dhe grilave të mbyllura, të udhëtoj në vendin melankolik të një pakete cigaresh të lira dhe në cepin e syve të një portreti të inatosur, të luaj me ushtarët e plumbtë brenda në pyllin e një vazoje me lule, të përshëndes kalimtarë të panjohur, t valëvitem në erë, të eci nëpër shi, të numëroj yjet një nga një, derisa të më marëë gjumi në verandë...
Më pëlqen të sillem sikur jetoj në dekadën e viteve ’60 e ’70, i veshur me rroba hipish dhe të shpërndaj fletushka nëpër stacionet e autobusave për të ndaluar lufta në Vietnam..., po, përse jo? Jam fëmijë i luleve!...
Rroftë Revolucioni
Erdhi ora të ndryshojë bota!
“Make love not war” dëgjohet nga altoparlantët, dalim nëpër rrugë dhe kërcejmë fokstrot e çarleston. Të gjithë janë këtu, Dilan me fisarmonikën, Hendriks me kitarën e tij magjike dhe Johnny Cash, më i ri se kurrë, këndon bluz-et e tij se bashku me mua, në varandën e një vile, diku në Nju Orleans...kam edhe nj Spyder, sterrë të zezë dhe gjithmonë të larë e pastruar, me ndenjëse lëkure dhe me një kafkë të pikturuar...
perëndimeve sillem vërdallë nëpër shkretëtirat e Arizonës, në ato rrugët e gjata e pafundësisht të drejta, së bashku me mikeshën time Merlin, radioja këndon zëulët këngët e Elvisit dhe në thellësi, larg shikoj të largohet asfaltin të përqafuar me horizontin e artë...

Unë... nuk jam ajo ç’ka sheh...
Unë... nuk jam ajo ç’ka imagjinon...
Jam një pjesë e asaj që quhet evoluimi i racës njerëzore me kalimin e viteve, më saktë ekspozimi i saj...
Një koincidencë kozmike...
Një luhatje kuantike impresionuese...
Gëzimi i dhimbshëm i Zotit...
Frika e demonëve dhe i Djallit idol...
Një gabim i pafshirë i Matriksit...
Përbindëshi që dëgjon netëve të hungërijë në bodrum...
Fantazma e Operas...
Palaçioja e cirkut tënd...
Jam shpresa e përbotshme...
Jam një i çmendur i lindur!
Bizhuja e Natyrës!...

Këtë që o shkruaj nuk e kupton e nuk do ta kuptosh kurrë...

Tani që u bëmë miq të të them dhe diçka tjetër?
A ruan sekrete?
Po?
Bukur!
Dëgjo, pra!

Unë!....

Jetoj!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!...

Tetor 1990, Tiranë.

Κυριακή 8 Αυγούστου 2010

Alkimist Idesh




Alkimist Idesh
Natë pas nate vuante të përshkruante të papërshkrueshmen...
I zhytur në mendimet e ndriçuara nga drita yjore, fantazonte gjëra ekzotike dhe të mistershme, jetë të tjera të mbushura me vargje dhe iluzione, utopira të patregueshme dhe romanca kalorësiake, historira për poetë të mallkuar që deheshin me opium dhe arratiseshin kështu paksa nga e përditshmja boshe, nga torturat dhe dhembjet e një skllavërie të hidhur...
Njëra ëndërr humbiste brenda tjetrës dhe realiteti, më i brishtë se kurrë humbiste përpara syve të tij.
I humbur brenda orgjive të mendimeve të çmendura, ndiqte fjalë të kristalta dhe ide të holla, fisnike, për të mundur të qëndisë një atmosferë magjike, një vendstrehim shprese të mbushur me frymëzim dhe ndjenjë.
Ishte i pushtuar nga një llahtarë për bukuri, nga një pasion i përhershëm që të nxirrte në dritë Superrealitetin, me çdo mënëry, me çdo lloj kostoje!
Bota nuk e kuptonte etjen e tij për tejkalimin, dashurinë e fuqishme për jetën, të vërtetën, të lirën jetë!... I huaj në mes të huajve dhe i pazoti të përshtatet e të bënte kompromise, përpiqej papushim të arrinte të paarritshmen...
Kishte një trishtim të pikturuar në sy dhe disa rrudha të çuditshme, gërmadha të kohës mbi fytyrën e tij të zbehtë.
Fshihte lule të vogla nëpër xhepa dhe në rrobat e tij fshihte një hije të ngrirë. I vetëm, netëve vëzhgonte monopatet e fshehura të yjeve duke përshkruar pafundësinë me vështrimin e eksituar dhe të magjepsur...
Hapte krahët e fantazisë dhe ikte larg, në mbretëria ajrore dhe nëpër lagje në re të fshehura, në shtëpira verore të zbukuruara dhe vende përrallore, ëndrrat e tij të paprekurashkëlqenin në pafundësinë e hapësirës.
E kishte zakon të shëtiste në pyll pas shiut, i magjepsur nga mozaiku i ngjyrave dhe aroma e freskët e tokës së lagur. Vëzhgonte i mahnitur shkëlqimin kristalor të vendit dhe fantazonte valle të pafre rreth pemëve ma Kalikanxharë, Neraida dhe Satirë këngë të bukura dhe verë pa hesap...
Gjarë rrugës së kthimit kalonte nga sokaqet e ngushta, në kërkim të magjisë së çastit, në vende nga më të çuditshmet, në hijet e joshëse të rrugëve, në fytyrën e vrarë të ndonjë vagabondi... Vështrimet vjedharake të vajzave dhe bëzëqeshjet e mbushura plotpremtim të tyre, nuk e preknin fare, kërkonte diçka komplekse dhe imponuese, një ide të zjarrtë që do të trondiste zemrën e tij...
I dorëzuar në iluzionet e hënës së plotë, fantazonte se kalëronte mbi një kal të padukshëm dhe arratisej përgjithmonë përtej kufijve të Botës, atje ku shpirti i tij do tëndihej i lirë, në vende sekrete, atje ku do të mund të buzëqeshte me të vërtetë...
Një fllad i lehtë frynte atë natë dhe hëna e grisur, si nga një thikë e mprehtë pirati, udhëtonte e shkujdesur brenda detit të errët të Universit. Kënga shekullore e bulktheve jehonte ritmikisht në qetësi dhe tutje, larg shtriheshin livadhet e lagura. Llampa e rrugës jepte shpirt mbi kolonë dhe fluturat e natës të zalisura fluturonin maniakisht rreth kurëzës së dritës, dritë, që të kujtonte një qiri zie... I palëvizur, përbri dritares, reflektonte në sytë e tij e zeza e qiellit, duke përshkuar me frikë yjet e zbehtë në thellësi të horizontit.
Do të adhuronte një puthje lë lagët mbi buzët e thata, por ishte si gjithmonë i vetëm, branda delirit të pandërprerë të shpirtit të tij...
Mendimet ngjanin të pluskonin si flutura mbi kokë dhe rënkimi shpirtdhënës i qiririt nuk e ndërpreu mendimin e tij të thellë, ishte si të ishte shtrirë mbi monopatin e ëndrrave, shumë larg, i dërëzuar në kalërimin e fantazisë, me një pamje të eksituar në sy, si një dahnor i kënaqur aps aktis seksual...
I rëndë stilografi mb duart e tij, e derdhi bojën e nxehtë mbi letrën krej të bardhë:
“Vite që u zbrazën, oqeane trishtimi
Dashnorë të zjarrtë në dehjen e një vare të çmendur dhe më pas gërmadha në duart e femrave të zbehta..
Dehemi..., me një përkëdhelje të djersitur, me puthje të paguara, duke harxhuar netë dhe rini në kthina të varfra, si foshnje të uritura në gjirin e nënës, të pangopur si tifonet, shtrydhim fatin tonë të ndyrë, hije të vogla ne, mbi sytë e një demoni të lashtë që udhëton nëpër errësirë...
Ikim..., vetëm ikim... me zemrat e mbushura me ëndrra dhe pasion, udhëtarë të çuditshëm në një botë të ftohtë dhe kompakte si mermer...
Ikim... dhe, gjithnjë të pangopur shikojmë horizontin, me sy të përlotur, sikur të shohim perëndime të arta, dashnorë të parëndësishëm të një utopie të largët, më larg se fatazia e një të çmenduri, atje ku vetëm erërat shëtisin...
Do të vijë ndonjëherë ora, të arrijmë atje, në atdheun e qiellit dhe të jemi ortakë me Zotin në planet më të pabesueshme kozmike, do të gjejmë njerëzit tanë të dashur, që kaq shumë na kanë munguar dhe do të kemi aq shumë për të thënë për jetët tona të mjera, duke pirë ndonjë gotë çaj të nxehtë, ose, o qe se Zoti e lejon një gotë konjak të mirë, rreth oxhakut, në një natë të pafundme me këngë mallëngjyese dhe përqafime vëllazërore...
Do të ikim edhe ne..., mjafton të bëjmë durim...”
Mbylli për pak çaste sytë dhe, si ndjeu të rrahurat e zemrës se tij, valëvitjen e gjetheve të trëndafilit në ballkon, klithmat e largëta të zogjve, shpirti i tij i plagosur me lot në sy pëshperiti:
“Në det t’i dërgosh vargjet e mia, o ajër kalimtar, të notojnë me gorgonat e vogla...
Në pyjet e dendura dhe livadhet e natës, atje ku Neraidat mëkatare vallëzojnë lakuriq nën frymën e ftohtë të Hënës.
Yjeve t’u pëshpërisësh fjalët e mia dhe kometave fluturake, atyre ua dhuroj me rënkime ëndrat e zemrës sime...”
Mbylli fort portën pas tij dhe humbi në labirinthin e errët të shtëpisë, në shoqëri me hijet dhe fantazmat e mendjes së tij, askush nuk dinte se shikonte ëndrra të çuditshme dhe e kapte melankolia shpesh...
Nata pas nate, ndërtonte të Panjohurën, Alkimist Idesh në errësirë...

A. Stefa

Tetor 1990