Τετάρτη 30 Ιανουαρίου 2008

A ka histori dashuria?


A ka histori dashuria?
Ardi Stefa
Dashuria (erotizmi) është e kundërta e mitit të ngritur rreth saj: është e përkohshme dhe jo e përjetshme, autarkike dhe aspak demokratike
Tek femra bashkohet Eva dhe Shën Maria, të cilat tashmë ftohen të bashkëjetojnë paqësisht, pa i marrë meritat apo edhe mëkatet njëra-tjetrës.
Për dashurinë shkruajnë kryesisht shkrimtarët dhe poetët. Natyrisht që me të janë marrë edhe filozofët dhe në shekullin e njëzetë edhe psikologët. Për dashurinë shpesh herë shkruhet pa e njohur, pa e provuar, si diçka fluturake dhe jo e qenësishme, si diçka e shpirtit dhe jo e trupit, pa hyrë në thelbin e saj, në natyrën dhe evoluimin nga epoka në epokë...
Megjithatë, dashuria përbën njërën nga fushat, e cila është studiuar më pak shkencërisht- përveç biologjisë dhe mjekësisë, të cilat janë marrë me me shprehjet dhe shfaqjet e “instikteve gjenetike”.
Dhe megjithatë ndjenja e dashurisë dhe sjellja erotike nuk përbëjnë një realitet të pandryshueshëm biologjik, një natyrë të pandryshueshme, të pashmangshme dhe të përcaktuar. Ato janë shprehje e një zhvillimi politik, social, ekonomik dhe kulturor. Për këtë arsye edhe mënyrat me të cilat shprehet dashuria janë historikisht të përcaktuara. Modelet fantastike dhe praktikat sociale të dashurisë i nënshtrohen një evolucioni të vazhdueshëm, të cilën një historian mundet ta ndjekë, ta përshkruajë, ta shprehë e ta komentojë. Dhe antropologët duke studiuar sistemet e ndryshme kulturore ndikojnë në përcaktimin dhe shpjegimin shkencor dhe në përgjithësi me ç’mitizimin e një ndjenje të mitizuar.
Ashtu siç ndodh zakonisht, ne realitet dashuria (erotizmi) është e kundërta e mitit të ngritur rreth saj: është e përkohshme dhe jo e përjetshme, autarkike dhe aspak demokratike, është egoiste dhe aspak altruiste. Këto të dhëna e ndajnë erotizmin nga dashuria, ndjenjë e cila lidhet më tepër me miqësinë, ngrohtësinë, mbështetjen.
Dashuria, pra, ka historinë e vet dhe në këtë histori hyjnë edhe kodet dhe vlerat, fjalët dhe gjestet, teoritë mjekësore dhe praktikat.
Norbert Elias e ka përshkruar ndryshimin në sjelljen erotike në Perëndim në kuadrin “e një ndryshimi kulturor (civilizim)”, i cili karakterizon kalimin nga shoqëria “oborrtare” në atë urbane të shekujve 18-19-të.
Në këtë periudhë fillon të shfaqet modeli i ndjenjave të mbyllura erotike dhe seksuale, të cilat vërehen në “paraskenat e jetës shoqërore” dhe që kufizohen brenda familjes. Në këtë periudhë fillon të mbizotërojë edhe frenimi dhe një farë “disiplinimi” i ndjenjave seksuale.
Natyrisht që përpara kësaj periudhe ka qenë Mesjeta, ku shprehja e ndjenjave dhe seksualizmi ishin të ndaluara prej Kishës, e cila e kishte lidhur ndjenjat dhe dëshirat e mishit ndërtheheshin me një frikë të theksuar metafizike. Fajësimi i seksualitetit mbështete në këtë epokë me demonizimin e instikteve erotike dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme të organeve gjenitale, si një dënim qiellor që u behej mëkatarëve...
Sipas Kirkengard, ndikimi thelbësor i Kristianizmit në kulturën perëndimore dhe qytetërimin perëndimor, vërehet në armiqësinë ndërmjet shpirtit dhe mishit, gjë që përcakton dhe ritmizon në mënyrë të rëndësishme marrëdhëniet tona me dashurinë.
Në shekullin e nëntëmbëdhjetë shembull karakteristik është Anglia viktoriane, ku morali përcaktohet në bazë të sjelljes seksuale. Modeli urban i femrës “Frixhide” (të ftohtë), kultivimi tek vajzat e reja i injorimit të trupit të tyre dhe i turpit, veprimtaritë filantropike për mbrojtjen e femrës- viktimë të cinizmit mashkullor, dëshmojnë për disa sjellje erotike të kësaj epoke.
Sipas mendimit të përgjithshëm që mbizotëronte në shekullin e 19-të, kuptimi i ndjenjës erotike- dashurore, kalon nëpërmjet kuptimit të “natyrës” së femrës. Sipas saj idenditeti i femrës, i cili në qendër të gjithçkaje ka zemrën, lidhet me delikatesën, ndjenjën, emocionin.
Nga ana tjetër, si bijë e EVËS, por edhe si bijë shpirtërore e Shën MARISE, femra paraqitet si një qenie me natyrë të dyfishtë, sa të qetë, aq edhe të dyshimtë, sa të urtë aq edhe të rrezikshme.
Kodi fetar që përdoret për përshkrimin e natyrës femërore gjendet edhe në retorikën e dashurisë romantike, e cila mbizotëron në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Pamja e fytyrës (personit) të dashur si “Krijim hyjnor” që “adhurohet”, kërkimi i pakuptueshëm shumë herë i të përkryerës dhe rrëfimi i ndjenjave dhe ai erotik, i cili ngelet në kuadrin e një rrëfimi ndjenjash mistike, (adhurimi i bukurisë së jashtme, moskërkimi i një dashurie të ndërsjelltë, pastrimi nga ndjenjat e ulëta të mishit dhe kontaktit trupor), i përkasin të gjitha idiomave fetare.
Dashuria romantike është gjithashtu një dashuri e përcaktuar qartë dhe me karakter të theksuar klasor, përderisa bota e të varfërve, e bujqve, etj, konsiderohet si e paaftë që të ketë atë shpërthim dhe delikatesë ndjenjash që kanë aristokratët, qoftë edhe për shkak të mënyrës së tyre të thjeshtë të jetesës..
Klasat e ulëta në përgjithësi në këtë epokë akuzoheshin për mungesë morali dhe lëshim të vlerave të qenësishme mbi të cilat ishte ndërtuar shoqëria, nga një klasë urbane, e cila kishte ndikuar në vendosjen e një morali të vet, e cila e dallonte si nga aristokracia, ashtu edhe nga klasat e ulëta të shoqërisë.
Megjithatë, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë fillon të shfaqet “shfajësimi” i seksualizmit nëpërmjet përparimit të shkencës dhe të mjekësisë, të cilat në mënyrë graduale, kurojnë me sukses sëmundjet afrodisiake, por edhe nëpërmjet metodës së psiko-analizës, e cila u heq dhe i lehtëson nga pesha e ndjenjës së fajit.
Në shekullin e 20-të dhe si “revolucion seksual” i dekadës së viteve ’60 shfaqen sjelljet erotike, të cilat janë krejtësisht të huaja për sistemin kulturor kristian. Në dekadën e viteve ‘80, vite kur letërsia pornografike do të njohë kulmin në Perëndim, revistat femërore botojnë “receta” të kënaqësisë erotike, apo se si një femër mundet “të mbajë mashkullin e një mbrëmjeje”, apo se si të ndjejë kënaqësinë seksuale, etj, etj. Tek femra tashmë bashkohet Eva dhe Shën Maria, por edhe Maria- Magdalena, të cilat ftohen të bashkëjetojnë paqësisht, pa i marrë meritat apo edhe mëkatet njëra-tjetrës.
Çështja qëndron se si konceptohet dashuria (erotizmi) në epokën tonë: si adhurim i shpirtit, apo si adhurim i mishit dhe i kënaqësisë fizike? Janë të dyja së bashku dhe asnjëra veç e veç.
Dhe në 14 shkurt rrëfimi erotik riprodhohet në mënyrë masive në gjithë botën nëpërmjet një fjale apo edhe fraze të shtypur nëpër kartolina...

2 σχόλια:

Ανώνυμος είπε...

Te lumte Ardi!

Panorama de Fortim visto por Alida είπε...

Me pelqeu ky shkrim Ardi, por sipas meje dashuria perveçse e perkohshme, ka perkufizimet e saj te ndryshme, bazuar ne epoka te ndryshme, klasat , rrethana historike (apo evenimente) etj.Me shqip dashuria ka nje pafundesi perkufizimesh..nuk e di a mund te flas per Even dhe Shen Merine sepse kur flasim per dashuri shpirterore per mua nuk ka gjini, te gjithe jane njesoj para saj. Kam pare burra qe dashurojne "femerisht" apo femra qe dashurojne ne menyre "mashkullore" :) nuk e di a jam e qarte.

Ne kete bote materiale ku jetojme dashuria ka nje perkufizim akoma me te ndryshem. Ajo eshte e lidhur thellesisht me arsyen ne kuptimin material, fus ne kete, anen materiale dhe anen intelektuale, apo arsimimi.

Dashuria sot eshte ne kuptimin individual me shume se kurre, ajo mbetet e pakapshme, misterioze, shume here fanitet e vertete dhe zhduket po me ate shpejtesi.
Sot dashuria konceptohet ne baze recetash (fiziku, inteligjenca , "shpirti" ) dhe bla bla bla te tjera

Ajo qe eshte me e tmerrshme eshte se ne jemi te manipuluar nga keto "ideale " qe na shiten.