Τετάρτη 26 Μαρτίου 2008

Në ditën kundër racizmit

Në ditën kundër racizmit
21 marsi ishte Dita Botërore kundër Racizmit. Dita, kur të gjithë, vendas e të huaj, në Greqi e në mbarë botën, bashkojnë zërin e tyre për t’u thënë “Stop” racizmit, ksenofobisë e të gjitha shfaqjeve e stereotipeve, të cilat tashmë janë plagë të shoqërisë, të një shoqërie, e cila me fjalë mbron vlerat e demokracisë, lirinë e të qenit i lirë në diversitetin tënd, në besimin fetar, ngjyrën e lëkurës, apo bindjet politike, por që në realitet ndodh krejt e kundërta.
Në këtë ditë shumë intelektualë e njerëz të vërtetë, jo antiracistë profesionistë, mendohen e ngrenë zërin, për të çarë muret e shoqërisë, politikës indiferente.
Do të doja t’ju tregoja dy ngjarje, pikërisht për këtë ditë.
Ngjarja e parë ndodhi të premten, në 21 mars. Në ditën Botërore kundër Racizmit.
Në komunitetin e ciganëve, diku në Athinë, andej nga zona e Botanikosë.
Një vogëlushe cigane, e sëmurë rëndë dha frymën e fundit në spital. Prindërit e saj, njerëz të pashkollë e të varfër, por me shumë humanizëm brenda vetes morën një vendim: Dhuruan organet e të bijës së tyre të pafat. Organet e ciganes së vogël të pafat iu transplatuan menjëherë njerëzve, që kishin nevojë për to, që kishin nevojë për jetën.
Prindërit e Elefterisë së vogël, ciganët e palarë, nuk kërkuan gjë. “Vetëm të dimë që nga vajza jonë që vdiq morën jetë të tjerë njerëz. S’ka gjë, Elefteria jonë do të jetojë nëpërmjet tyre”,- tha babai i vogëlushes përpara kamerave televizive.
Ngjarja e dytë ndodhi në Tavro, diku pranë Lahanagorasë. Po ditën e premte, 21 mars.
Një grek, pronar i një depoje zarzavatesh, pësoi një aksident automobilistik. Ishte ora 03.30 e mëngjesit. Një motorr kaloi rrugëm me shpejtësi të madhe dhe e përplasi përtokë, duke i shkaktuar trauma të rënda në të gjithë trupin. Për fatin e mirë të grekut, Kostës, aty pranë u ndodh punëtori i tij nga Bangladeshi, Gurmiti. I dha ndihmën e parë, thërriti ambulancën, e shoqëroi për në spital. Qëndroi tek koka e tij derisa i erdhën të afërmit. U largua për të ardhur përsëri pasdite që të mësonte për shëndetin e tij.
E, pra, Gurmiti, ishte punëtori, më falni për shprehjen, “bythëzi”, që Kostës i ndynte magazinën. Ishte punëtori “mavro” që shahej e ofendohej orë e çast nga pronari. Ishte emigranti që punonte dhe ensimat nuk i ngjiteshin. Por i paguante vetë, sepse duhet që të merrte dokumentat e qëndrimit në Greqi.
Nuk e di se çfarë tha Kosta kur u përmend dhe mësoi që ishte “bythëziu” që i shpëtoi jetën. Nuk e di çfarë tha kur mësoi se emigranti që shtypej e shfrytëzohej nga ai, nuk e braktisi, por e ndihmoi...
Jam i sigurtë se nuk është ndier mirë, bile, ka ulur sytë nga turpi, përpara fisnikërisë së emigrantit të zi...
Ashtu sikundër jam i bindur se Kosta do të mendohet mirë që këtej e tutje kur të shajë apo ofendojë ndonjë emigrant të huaj.
Ashtu sikundër do të mendohen mirë kur të shajnë apo vështrojnë me përçmim ciganët ata pacientë që morën organet e ciganes së vogël...
Pse i solla këto dy shembuj.
Për faktin e thjeshtë se në Ditën Botërore kundër Racizmit, nuk ka nevojë për fjalime bombastike, shifra e fakte. Ka më tepër nevojë për të tillë shembuj, kuptimplotë dhe nga jeta e përditshme.
Racizmi e ksenofobia më mirë luftohen nga ata që janë viktimat e racizmit e ksenofobisë.
Luftohen nga viktimat, shqiptarët, rusët, polakët, pakistanezët, indianët, filipinezët, ciganët.
Këta me shembullin e qëndrimin e tyre emancipojnë deri- diku shoqërinë...
Pastaj luftohen racizmi e ksenofobia nga autoritetet, teoricienët dhe antiracistët profesionistë...

3 σχόλια:

Ανώνυμος είπε...

shkrim i ndjeshem...

ardi stefa είπε...

thanks!
do te më pëlqente te flisnim me emra, ose edhe adresa e-mail, në mënyrë që lidhja dhe komunikimi te jete edhe me me teper fytyre.
gjithsesi faleminderit.

Panorama de Fortim visto por Alida είπε...

ooooooohhh .....vertet prekese ..shume prekese kjo histori qe ke shkruar ardi..mee keqja eshte se kjo qe shkruan eshte reale..