Σάββατο 29 Μαρτίου 2008

Kanibalë me pirunj*


Kanibalë me pirunj*
Ardi Stefa
“Po qe se kanibalët do të përdornin pirunj, a do të mund të thoshim se ata kanë shënuar një lloj përparimi, janë evoluuar?”
Përgjigjia në lidhje me këtë pyetje të një poeti të shquar polak, spontanisht mundet të ishte: “Varet se nga çfarë këndvështrimi, apo nga ana e kujt e sheh!”
Nga ana e kanibalit, natyrisht që përbën përparim. Pasi përmirëson mënyrën e të shijuarit të ushqimit dhe shmang kontaktin dramatik me mishin e njeriut.
Por nga ana e viktimës fatkeqe, kam shumë dyshime se do të ekzistonte një vlerësim pozitiv në lidhje me këtë fakt. Dhembja e padurueshme e therrjes, së bashku me mundësinë e fundit të tmerrshëm do të peshonte shumë më tepër në vlerësimin e situatës, sesa mënyra moderne e trajtimit të këtij akti kriminal e po aq barbar.Për mbështetësit fanatikë të taksimit të gjithçkaje, me synimin mbrojtjen shtetërore të të gjitha atyre që ata mendojnë dhe vendosin se vlejnë, përparimi nuk është abrogimi i therrjes, por përmirësimi i mënyrave të shkatërrimit.
Pamëshirshëm, shteti, dhe pushtetarët e tij, blejnë vota për të qëndruar në pushtet. Dhe flijojnë në këtë rrugë, të ardhurat e qindra mijëra njerëzve, mëkati i vetëm i të cilëve, ishte të lindnin apo të jetonin në vendin e populistëve arbitrarë.
Kanibalët e epokës sonë shpartallojnë pa u dënuar jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të thjeshtë. Dhe për pirun, në mënyrë që vjedhja të mos zbulohet në trajtat e dimensionet e saj të vërteta, përdorin gjasme interesimin e tyre e gjasme përkujdesjen për të dobëtit.
Në këtë pikë shtrohen dy çështje kryesore: E para ka të bëjë me faktin se kush vlerëson dhe se si janë në realitet të dobëtit. E dyta, ka të bëjë me problematizimin e drejtë, nëse ato burime monetare të mbledhura nga shteti nga të ardhurat e të dobtëve, zënë vend dhe përfundojnë në duart, apo xhepat e të dobtëve.
Dhe në të dyja rastet, pyetjet janë të shumta dhe përgjigjet ngurruese e të mjegullta.
Me çfarë mënyre ekzaktësisht vlerësohet në epokën tonë kuptimi i të varfërit dhe të dobëtit? Më parë si i dobët konsiderohej ai që gjendej pa punë, punëtori mëditës, bujku i varfër, dhe ata qytetarë që vareshin ditë për ditë nga subvencionimet shtetërore dhe përkarja sociale.
Sot, këto pamje kanë ndryshuar në mënyrë drastike. Nuk mundet të konsiderohet si i “dobët” dikush që përzgjedh të mos punojë, pasi vlerëson se i intereson më shumë të marrë pa u lodhur subvencionimet dhe përkrahjen sociale në vend që të punojë përditë.
Natyrisht që edhe në shoqëritë e sotme nuk është e mundur që të dallohen diferencimet sociale duke marrë për bazë kategoritë ekonomike të së kaluarës. Siguria e integrimit diku, sot nuk ekziston më.
Rolet tashmë janë ngatërruar dhe qytetarët si njerëz funksionojnë si nomandë, duke kaluar vazhdimisht nga profesioni në punën e varur, duke mos gjetur askund ndonjë port për të hedhur spirancën. Epoka jonë, pra, është shenjuar dhe mund të konsiderohet si fundi i sigurisë.
Marksi i mbështeti teoritë e tij në nevojën që kishte kapitali për të shfrytëzuar krahun e lirë të punës. Sot kapitali nuk e ka më nevojë punëtorin e pakualifikuar. E hedh në koshin e plehrave, duke e izoluar edhe më tepër atë ekonomikisht e shoqërisht. Problemi sot nuk është shfrytëzimi i mundimit dhe punës njerëzore, por indiferenca për të. Se cili është ekzaktësisht “i varfër” sot, është një çështje veçanërisht relative. Në kohën e epokës industriale i varfër ishte ai i cili ishte i papunë. Ai që nuk kishte fare të ardhura dhe një punë stabël.
Ndërsa sot, i varfëri matet ndryshe, në bazë të atyre të ardhurave që konsumon, por edhe të atyre produkteve që ai konsumon. Mundet të ketë të ardhura, të gjejë punë, por të ndihet i “varfër” pasi e ka të pamundur të dalë pak më tej në një shoqëri konsumimi, me modelet e sjelljes që i imponon realiteti jetësor që invadon përditë në shtëpinë e familjen e tij, nëpërmjet medias.
I varfër sot mundet të konsiderohet edhe ai qytetar, i cili punon e paguan detyrimet sociale e shëndetësore, duke e ditur se pas disa vitesh për të nuk do të ketë pension, ose pensionet do të jenë aq qesharake, saqë ai nuk do të mundet të jetojë. I varfër mundet të konsiderohet me plot gojën edhe ai, i cili sipas reformave drastike në sistemin e sigurimeve, do të punojë gjithë jetën dhe s’do të arrijë të dalë në pension. Pasi, me të vërtetë fjalët janë të bukura dhe reformat duket se janë të domosdoshme, por përvojat kanë treguar se të ardhurat që jepen për të “varfërit” rrallëherë përfundojnë në shërbim apo në të mirë të objektivave për të cilat u morën!
Pasi disa mësojnë të rrojnë me këto para dhe përpiqen që të mos ndahen prej tyre. Kanibalët, pra, vazhdojnë të shpojnë ushqimin e tyre. Vetëm se duke përdorur pirunë që i paraqesin si evolucion, ndërkohë që ende qëndrimin e tyre e kanë të pandryshuar, kanibal dhe fiksimin e tyre po aq kanibal.

* Refleksione, duke parë manifestimet e sindikatave, kundër reformave në sistemin e sigurimeve, të paralajmëruara nga qeveria greke

Δεν υπάρχουν σχόλια: