Τρίτη 1 Απριλίου 2008

Duke rishkruar Historinë

Duke rishkruar Historinë
Në vitin 1935 në Vienë, një student me master i historisë së artit, i cili ishte i papunë, iu përgjigj thirrjes së një botuesi për të shkruar një histori botërore, për lexues të moshës së re.
Libri duhej të shkruhej brenda gjashtë javësh dhe, megjithëse, studiuesit “seriozë” të historisë e të artit botëror, do të tmerroheshin me afatin e shkurtër, libri ishte një kryevepër. Autori i “Histori e vogël e Botës”, Ernst Gombrixh, sot është i njohur kryesisht për historinë e artit që ka shkruar, por ajo tentativë e të shkruajturit, të një historie “të lexueshme”, reale e të paanshme, të botës që shkruajti dhe që qysh atëherë është botuar në 18 gjuhë të botës dhe në disa dhjetëra ribotime, sot do të mundet të ishte shumë e dobishme në historiografinë shkollore.
Si? Duke u dhënë teksteve shkollore pak nga shkëlqimi, pak nga entusiazmi i saj. Atë ndjenjë të të shijuarit dhe të zbulimit që u mungon.
Libri i Gombrixh fillon duke kërkuar nga një fëmijë që ta vendosë vetveten ndërmjet dy pasqyrave dhe të luajë me Historinë lojën e pasqyrimeve. Dhe është pikërisht kjo Lojë, e cila i tremb dhe gjithmonë i ka trembur politikanët, analistët dhe ekstremistët në të gjitha vendet.
Dhe, nuk duhet harruar se me Historinë dhe me trajtimin e saj si mit, përrallë, apo folklor, luajnë pjesët më obskurantiste të shoqërisë, politikës, fesë, të cilat mohojnë e shohin me dyshim çdo shprehje të mendimit të përparuar e modern.
Dhe pyetja që shtrohet në këto raste është mëse e kuptueshme: Si dhe pse legalizohet institucione të tjera veç atyre shkencore kompetente që të shfaqin mendime e opinione për librat shkollore, apo edhe për historinë e vendeve të tjera? Cenurimi i Historiografisë është një punë amatore e amatorësh që të merren me të edhe politikanët, Mitropolitët, priftërinj të thjeshtë, aktorë në pension apo edhe disa përfaqësues të “dritareve” televizive që kanë opinione dhe mendime për gjithçka? A merren shkencëtarët dhe historianët e vërtetë me çështjet e dogmave fetare, apo edhe me çështjet e politikave nacionaliste? Nacionalistët, politikanët ekstremistë e adhuruesit e gjithçkaje “etnike”, konservatore, fetare e konceptesh që kanë të bëjnë me “atdheun e copëtuar apo trojet e humbura padrejtësisht”, duhet që të shndërrojnë shoqërinë në të cilën nesër do të jetojnë fëmijtë grekë, apo edhe fëmijtë e emigrantëve që e shohin Greqinë si atdheun e dytë?
Është e drejtë që Mitropoliti i Selanikut të nxisë urrejtjen tek grigja e vet, duke bërë thirrje të hapura për luftë, për marrjen e “trojeve të humbura të Greqisë” dhe nga ana tjetër të mos pranojë të drejtën themelore të shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje e pavarësi?
Rast i mirë për të rivërtetuar edhe një herë se cilat tema vazhdojnë të ngelen tabu për shoqërinë greke: ortodoksia dhe Kombi.
Të njëjtin problem që kishte sjellë historia e Gombrixh në vitet e nazizmit- kur u ndalua shtypja e librit të tij- ishte vizioni i saj paqësor. Natyrisht edhe shpirti demokratik i librit, loja, humori, kundërshtimi dhe mohimi i racizmit. Ruajtja e atyre që ishin fituar me aq shumë përpjekje e luftë.
Lexoni ose rikujtoni tekstet e historië që kemi mësuar ne, që lexojnë e mësojnë aktualisht fëmijtë tanë nëpër shkollat greke. Risillni në mendje se si e qysh shkruhet historia e luftërave, kombeve, liderëve, se si shkruhet e vërteta jonë e padiskutueshme (në varësi të cilitdo komb që shkruan historinë e tij) për të drejtën.
Të vërtetën absolute për historinë e kombin, trojet e fenë paraqesin shhqiptarët, të vërtetën absolute për historinë e kombin, trojet e fenë paraqesin grekët, të vërtetën absolute për historinë e kombin, trojet e fenë paraqesin serbët, e kështu me radhë...
Dhe historia shkruhet thjesht si folklor, si një përrallë e bukur netëve të dimrit, pa pasqyra, pa mendim kritik, pa historianin e historianët pas rreshtave...
Dhe Historia përçudnohet në shkollat fillore e më tej, kur mësuesit i mësojnë nxënësit se me Pavarësinë e Kosovës, Greqia kërcënohet nga “Shqipëria e Madhe”?!
Dhe nipi im ashtu si shumë fëmijë të tjerë me prindër shqiptarë, kanë frikë nga presioni që u bëhet, stepen, pavarësisht se u gëzuan që Kosova më në fund ishte e lirë dhe kosovarët, pavarësisht se valëvitnin flamurin e ri, në zemër kishin flamurin me shqiponjën dykrenare.
Gombrixh, pavarësisht se nuk ishte historian profesionist, u jep fëmijëve disa mësime shumë të vyera të perspektivës, të këndvështrimit. Ai pranon se ka bërë disa gabime, duke e shkruar historinë, por kësaj fjale ai i jep kuptimin që i takon. Dhe në fund të librit ai thotë se një punonjësi mesëm i sotëm jeton në kushte më të mira se një kalorës i Mesjetës, ushqehet më mirë, jeton më shumë...
Dhe ky argument, është një argument dhe një mendim që nuk e pranojnë aspak konservatorët: Faktin që e ardhmja mundet të jetë e bukur, e mbushur me shpresë. Dhe për faktin se Historia nuk i mbush mushkëritë tona me krenari kombëtare, por me krenari, frikë dhe dashuri, përpara natyrës njerëzore.
Në rast se do të kishim mësuar në shkollat tona Historinë me këto vlera, jo me ngjarje të ftohta, apo romantizma folklorike, por edhe me pjesë e shpjegime për secilën pjesë, do të kishim zhvilluar brenda vetes, por edhe tek fëmijtë tanë mendimin kritik, që i shkëput lidhjet me të kaluarën anakronike, me atdheun anakronik që a frikë të ardhmen e vet. Dhe, pikërisht, kjo është frika e shqetësimi më i madh i frontit konservator...
Këto u mundova t’i shpjegoja, natyrisht me fjalë më të thjeshta, nipit tim të vogël, i cili iu përgjigj mësueses së Historisë, se nuk duhet të kishte frikë nga Kosova e kosovarët, nga Shqipëria e shqiptarët, por tek bashkëjetesa tolerante e të gjithëve!

Δεν υπάρχουν σχόλια: