Πέμπτη 24 Απριλίου 2008

Pema e vetmisë




Pema e vetmisë

Ardi Stefa
Kapitulli A: “Lindja”
Nga momenti që linda, mbaj mend një fjali që guduliste veshët e mi të vegjël, të sapoformuar: “Çfarë fëmije i dashur, më i bukuri, më i zgjuari, më i miri i botës...”
Fjalë të ngrohta prindërish, të cilët përpiqeshin t’u jepnin funksione magjike kromatozomave të trashëguara. Fraza të njerëzve të njohur, të cilat lëshoheshin pa mbarim për të ngritur moralin e prndërve të mi dhe të mbushnin oshllëkun që krijohej nga pasiguritë e tyre. Konstatime të ftohta, të akullta të të panjohurve, të cilët nuk i pashë më ndonjëherë në jetën time, të cilët villnin fraza e komplimenta pompoze, ose për të deklaruar praninë e tyre në ambientin tim familjar, ose për të përfituar mirësinë e prindërve dhe të të afërmve të mi...

Kapituli B: “Adoleshenca”
Dhe djaloshi rritej..., gjithmonë me përgjegjësinë arrogante të krahasimit me fëmijtë e tjerë të moshës së tij. Fjalët e para që dëgjoi, u rrënjosën dhe u bënë një pemë e madhe me trung të trashë e të fortë..., pothuajse të pathyeshëm dhe me kurorë gjethesh të dendura e të blerta...
Dhe, sa lulëzonte çdo pranverë dhe dendësohej kurora e gjetheve, kaq e më shumë mblidheshin, grumbulloheshin e rrinin edhe parazitët rreth e qark tij... Ata parazitë e bubuzhelë që zënë pritë gjithmonë pranë rrënjëve dhe presin që me shiun e parë të rrëmbejnë pika freskie nga përqafimi i pemës.
Se më shumë që zhvillohej trungu i pemës, aq më të shumtë ishin parazitët, krimbat e bubuzhelat në rrënjët, por edhe gjethet e tij që përpiqeshin të rrëmbenin pika nga jeta e tij...

Kapituli C: “Triumfi”
... Djaloshi u rrit, arriti moshën e adoleshencës...dhe... fidani u bë pemë. Përvoja e jetës u bë, si zjarri në duart e paraardhësve të tij të largët, mjet mbijetese. Zbuloi mënyra të reja për të larguar parazitët, vemjet e krimbat nga rrënjët e tij. Përdori ajrat e tij të helmatisur, të cilët i mbante në gjethet e tij gjatë periudhës së lulëzimit dhe që thjesht, priste shiun e parë që të vadiste farmak komshijtë e padëshiruar.
Me të rënë pikat e para, rezultati ishte më tepër se i dukshëm. Parazitët binin si bora dhe vemjet rrëzoheshin nga vetë pesha e tyre, të shpartalluar, të lodhur, të ngordhur.
Më së fundi pemës nuk i mbetej gjë tjetër veçse të shkundte degët e lumtur, në një valle të vetmuar dhe egoiste, aq sa edhe arbitrare...

Kapitulli D: “Shkurorëzimi”
Adoleshenti u bë burrë... Pema po ashtu u rrit e u egërsua. Hija e saj ishte imponuese. Deri edhe rrezet e diellit luftonin tashmë me njëra- tjetrën se cila do të arrinte të kalonte në anën tjetër të kurorës së dendur të degëve e gjetheve, në një ndeshje shpejtësie e force, por edhe bukurie, me fundin tek bari i gjelbër. Nuk kishte më vend për pemën që të shtrinte rrënjët e saj të pafundme. Një përqindje jo e vogël e helmit që lëshonte për të larguar parazitët dhe krimbat e vemjet, u thith nga gjethet dhe pema filloi të ndiente një lloj mpirjeje në gjymtyrët e poshtëm. Trungu, atëherë, filloi që të kalbej gradualisht nga brenda dhe korja e drurit të çahej dhe të rrëzohej nga trungu. Hordhi nga insekte, krimba, vemje, parazitë u turrën pa mëshirë në trungun gjysmë të vdekur, asht siç turren hijenat dhe çakejtë mbi kaprollin e plagosur. Dhe si të ishte një gjigand i mposhtur nga sëmundja, fillimisht pema kërciti, kërciste, derisa u dëgjua një tigull shumë i fortë, si tingulli i bubullimës tek kalon çatinë e druntë të shtëpisë...
U përkul ngadalë në një anë dhe u rrëzua duke shtrirë trupin e tij gjigand, horizontalisht, në përqafimin e tokës...

Kapitulli E: “Fataliteti”
Burri u zgjua befasisht. Fërkoi sytë për të larguar nga qepallat këtë ëndërr të keqe, duke yshtur oguret e këqija që kishte dëgjuar se shoqëronin makthet. Vështroi përreth, i lehtësuar, por edhe i dëshpëruar njëkohësisht, për të parë një botë të ndryshme.
Një botë që lufton e ndeshet përditë për të flakur nga sipër saj mëkatin aq të lashtë, egoizmin, që trashëgohet nga brezi në brez, nga babai tek biri, nga nëna tek vajza, ashtu si farat e bimëve.
Analogjikisht me truallin dhe klimën është edhe suksesi i mbirjes dhe zhvillimit të farës...
Dhe burri, zbuloi tashmë të vërtetën e tij...
Atë që kur ishte i fortë, ishte edhe i vetëm...
... Kur kishte nevojë për ngrohtësi, nuk kishte dashuri...
... Kur nuk ishte i vetëm kishte për shoqëri parazitët dhe vemjet...

3 σχόλια:

Ανώνυμος είπε...

Interesant.

Ανώνυμος είπε...

Interesant.

Agobooks είπε...

Jashtë teme(dhe poeme):
Gëzuar Pashkët (Ortodokse) Ardi!
Ndoshta ,vetëm me ne ndodh në fakt, tu urojmë edhe atyre që nuk i përkasin kësaj feje, të gëzojnë një festë që e zbuluan rishtazi!
Përqafime kalofsh këndshëm me ata që të do zemra!