Πέμπτη 12 Φεβρουαρίου 2009

“Fundi” i Eluanës




“Fundi” i Eluanës
Ardi Stefa

Vdekja dinjitoze e Eluanës!
Apo jeta dinjitoze?
Apo e drejta për të jetuar një jetë sa më dinjitoze?
Eluana Englaro ishte e pafat. Në 1992, kur sapo kishte hyrë në 21 vjetët e jetës së saj, pësoi një aksident automobilistik. Qysh atëherë Eluana ishte në një gjendje kome. Nuk ishte e ndërgjegjshme as për jetën e saj e as për atë ç’ka ndodhte rreth saj. Nuk mundej të fliste, nuk mundej të dëgjonte, por thjesht vazhdonte të jetonte, në qoftë se mundet ta emërtojmë jetën e saj kështu.
Jetë?
Eluana nuk e kishte bërë “testamentin biologjik”, testamentin ku të shprehte se çfarë do të bëhej me të në rast se gjendej në një gjendje të tillë. Normale. 21 vjeç askujt nuk i shkojnë nëpër mend të tilla mendime. Askush nuk do të mendonte atë që asaj për fat të keq i ndodhi...
Të ishte e gjallë dhe jo e gjallë. Të ishte e vdekur e pakallur!...
Babai i saj kërkoi me ngulm, jo se nuk e donte vajzën e vet, që Eluana të kishte të drejtën të lejohej të vdiste me dinjitet, d.m.th duke patur euthanazinë pasive, pavarësisht se ai nuk e përdori kurrë termin “authanasi”, term, të cilin asnjë prind nuk do ta pranonte kurrë për fëmijën e tij.
Mjekët i prenë të gjitha shpresat për një shërim e jetë normale të Eluanës. I thanë se nuk pritej as edhe ndonjë mrekulli...
Babai i saj, dinjitoz e i heshtur kërkoi nga gjykatat dhe drejtësia që të njihte njërën prej të drejtave më tragjike që mundet të ketë një baba, një prind: t’u japë urdhër mjekëve që t’i ndërprisnin mbajtjen artificiale në jetë bijës së tij.
Drejtësia italiane e pranoi këtë kërkesë të tij...
Eluana pa e ditur u bë simboli i të drejtës për të fituar euthanasinë. Shoqëria italiane u përça. Nga njëra anë ata që nuk pranonin një ide të tillë, nga ana tjetër ata që ishin me fundin dinjitoz të Eluanës, dhe jo me mundimin e përditshëm të saj e të prindërve të saj...
Drejtësia italiane mori vendimin që Eluana të mos mbahej më teknikisht në jetë me një tub e me ilaçe.
Dhe Eluana “iku” e qetë, në paqe.
Debatet morale që la pas vdekja e saj nuk do të mbyllen lehtë. A duhet të mbahej pafundësisht në jetë Eluana me ilaçe e ushqim, pavarësisht se gjendja e saj ishte e parikuperueshme?
Personalisht mendoj se jo.
Mirë u bë që u la të vdiste e qetë e në paqe, pavarësisht se qeveria e Katolikët fanatikë ishin kundër.
Ishte një trup i shkatërruar dhe që nuk kontrollohej. Një jetë e tërë në një shtrat, në aq hapësirë që mund të zërë një shtrat. A mund të quhet jetë? Dhembje. Një ndjenjë e vazhdueshme e e përditshme e mungesës së dinjitetit. Dhe dëshira e llahtarshme e “të ikurit” nga ajo jetë...
Natyrisht që vdekja e Eluanës do të vazhdojë të jetë për shumë kohë në debatet politike, mjekësore, fetare e morale.
Nga njëra anë ata që mbështesin të drejtën për të qenë me çdo lloj kostoje në jetë dhe këtë të drejtë janë të gatshëm që ta shndërrojnë në detyrim, nga ana tjetër ata që mbështesin të drejtën e përzgjedhjes së largimit nga jeta, natyrisht në raste të veçanta...
Titrat “fund” për Eluanën ndoshta u shkruan dhe ajo bën shoqëri me yjet në qiell...
Ndoshta ne që ngelëm në tokë duhet t’i jemi asaj mirënjohës për të drejtën e përzgjedhjes midis jetës e vdekjes...

Δεν υπάρχουν σχόλια: