Πέμπτη 26 Μαρτίου 2009

Pallati...


Në fotografi janë protagonistët e serialit të suksesshëm “Pallati”. Asnjë lidhje nuk kanë me emigrantët e “Pallatit” të realitetit. Thjesht i vura për ilustrim...
Protagonistët e Pallatit të vërtetë janë në fotografinë tjetër...







Pallati...
Ardi Stefa

Është ndoshta seriali që preferoj më tepër këtë vit. E ndjek edhe të hënave, edhe të premteve kur ka seri të reja.
Serial me ngjyra, shumë miqësor për spektatorët. Fizionomi simpatike, histori të nxjerra nga jeta e përditshme, heronj të realitetit. I vështron, buzëqesh pak, kalon ora...
Një “pallat” tjetër shfaq e paraqet seritë, jo në televizor, por në reportazhet e gazetave. “Pallati tjetër” gjendet në qendër të kryeqytetit helen, diku aty në Omonia e rrethinat e saj, deri në Agio Pandelejmon. Godina të njëtrajtshme e pa fytyrë, të cilat u ndërtuan në “orgazmën ndërtimore” të dekadës së viteve ’60, për të “strehuar” brenda tyre, mijërat e mijërat e emigrantëve të brendshëm, të emigrantëve grekë, që largoheshin përditë nga provinca, në kërkim të një fati më të mirë në Athinë.
Ëndrra të ngushta në dhomat e ngushta të pallateve të mbushura melankoli. Emigrantët e mëdhenj në moshë, ëndërronin dhe kujtonin hapësirën e madhe të fshatrave, të cilën e ndërruan për disa mure betonarmeje në metropolin grek.
Më të rinjtë, ëndërronin të “largoheshin”, të arratiseshin, të fluturonin: në Paris, Nju Jork, Gjermani, në universitet, në galaktikë. Kudoqoftë, sa më larg nga tre dhomat dhe kuzhina, nga sekretet inekzistente të familjeve që ndaheshin me mure si prej kartoni, nga era e qofteve dhe e fasuleve që gatuheshin për drekë...
Më të shumtët ia dolën. Ikën. Pallatet u thanë, u vjetëruan, u zvetënuan. U zbrazën...
Dekada më vonë, u rimbushën, përsëri nga emigrantët.
Kësaj here nga emigrantë të huaj, jo grekë.
Nga emigrantë që u futën në vrimat e pallateve prej betonarmeje, duke braktisur çdo ëndërr urbane...
Dymbëdhjetë, gjashtëmbëdhjetë, njëzetepesë vetë në një dhomë të vogël dhe një korridor të ngushtë. Flenë me turne, për të ndarë qiratë absurde.
Tërheqin vëmendjen, vetëm kur kjo asfiksi e jetës së tyre i detyron të shpërthejnë në akte dhune, që revoltojnë banorët “paqësorë” që kanë mbetur në pallatet e qendrës së Athinës. Atëherë vjen policia, që i mbledh për t’i lënë përsëri pas disa ditësh; atëherë vjen bashkia me ekipet e higjienës për të dezinfektuar pisllëkun dhe mikrobet...
Atëherë flasin me reportazhe të gjalla gazetat, TV e radiot...
Nuk e imagjinoj dot se si do të jetë pas tridhjetë vjetësh një pallat i tillë. Çfarë fytyrash do të kenë qiraxhinjtë, çfarë gjuhe do të flasin, çfarë do të shkruajnë gazetat e epokës, çfarë do të thonë reportazhet e kanaleve televizive.
Do të jenë geto të egra, apo qendra urbane të shëndetshme.
Do të jenë çerdhe paqeje, apo zona lufte?
Çfarëdo që të ndodhë, një gjë është e sigurtë: “Pallati” i së nesërmes, ashtu si edhe ai i të “sotmes”, nuk do të ngjajë me atë që shohim në televizor...
Përpara disa ditësh, bashkia dhe prefektura e Athinës, të mbështetura nga forcat e policisë, dezinfektuan me lëndë kimike, “për të vrarë mikrobet, minjtë e buburrecat”, pallatet në qendër të Athinës, në të cilat strehoheshin kundrejt pagesës prej 3 euro në ditë qindra e mijëra emigrantë të paligjshëm nga Afrika dhe Azia.
Ishin burime sëmundjesh e epidemish, krimi e kontrabande droge, prostitucioni..., këto pallate...
Ndoshta përpara se të dezinfektonte pallatet, shtetigrek duhet të mendonte më seriozisht për emigracionin, të luftonte emigracionin klandestin, të luftonte prostitucionin, kontrabandën e drogës, shfrytëzimin e emigrantëve nga punëdhënësit vendas.
Ndoshta duhet të mendonte seriozisht që emigrantët, qoftë edhe ata klandestinë, të legalizoheshin, ashtu si ne, (pasi për një kohë të gjatë edhe ne, të ligjshmit, kemi qenë klandestinë), t’i pajiste me dokumenta, që të mudet të jetonin edha ata në mënyrë dinjitoze...
Pastaj le t’i dezinfektonte pallatet e Athinës...

1 σχόλιο:

Francis είπε...

Lajmeroi te http://laj.me/ keto shkrime qe te marresh me shume lexues.