Δευτέρα 4 Μαΐου 2009

Diktatura e paditurisë

Diktatura e paditurisë
Nga Ardi Stefa
Ka raste kur përmbytesh nga dëshpërimi. Për ato që ndodhin. Për ato që dëgjon. Për ato që lexon. Moda e viteve të fundit e Bloger-istëve dhe e internetistëve u jep zë dhe tribunë shprehjesh të mendimeve, edhe një pjese të shoqërisë, e cila nuk kishte shumë shanse deri tani që të dëgjohej. Por në të njëjtën kohë zbulon edhe dobësitë që karakterizojnë botën e sotme.
Jetojmë në botën e hiperbolizimit dhe të njohjes gjysmake.
Po qe se ndjek lajmet, faqet e internetit dhe komentet që bëhen nëpër blogje, atëhere, konkluzionet që nxjerr nuk janë edhe fort të mira.
Njerëzit në përgjithësi janë të PAINFORMUAR. Dhe jo vetëm kjo. Por duke pasur si bazë njohjet e cekëta, apo edhe konceptimet e shpërfytyruara e të shtrembëra për realitetin, njerëzit e botës si internetit, zhvillojnë bindje të egra, të cilat sipas rasteve çojnë në fanatizëm dhe, në të paktën, ekstremizma fjalësh e frazash.
Po qe se lexon ndokush komentet e një pjese jo të vogël të “internetistëve”, do të konstatojë një shpërthim fyerjesh, natyrisht anonime, ose me pseudonime, në lidhje me çështje për të cilat është e dukshme se njohja e vërtetë është inekzistente.
Kur idiotësia konsiderohet mençuri, kur idiotësia konsiderohet cinizëm, kur sharjet origjinalitet dhe padituria konsiderohet konceptim përparimtar, atëherë e ardhmja, e nesërmja nuk mund të imagjinohet veçanërisht optimiste.
Por anjë “anonim” qoftë edhe me pseudonim, nuk ia vlen aq sa të prishësh nervat. Kohët e fundit, me internetin, janë keqkuptuar termat “demokraci”, “censurë”, “liri”...
I mbysim në anarshinë dhe ndjenjën e përkohshme e egoiste se “jemi të rëndësishëm”, qoftë edhe anonimisht.
Po, dialogut, po kritikës në shkëmbimin e mendimeve, por një JO e madhe konfliktit nëpërmjet sharjeve e fyerjeve, jo fashizmit të kompleksikëve impotentë.
Le të fillojmë me disa shembuj.
Lexoj në internet shkrime të ndryshme, në lidhje me tema nga më të ndryshmet. Poshtë tyre me dhjetëra “komente”, shumica anonime. Secili e komenton një çështje ashtu siç e koncepton dhe kjo është një e drejtë e demokracisë, qoftë edhe e demokracisë pa kufij të internetit. Por çështja qëndron në faktin se më parë se të kapim tastierën e kompjuterit dhe të komentojmë gjithkënd e gjithçka, duhet të lexojmë, duhet të mësojmë, duhet të dimë të lexojmë midis rreshtave.
Pasi është e vërtetë që mendimet janë si të ndenjurat, të gjithë kanë nga një. Por çështja qëndron në atë që mendimet të kenë të ndenjura dhe jo të jenë mendime... “të ndenjurash”!...
Më vijnë në Blogun tim komente nga më të ndryshmet, ashtu, sikundër edhe nëpër artikujt që botoj në shtyp, ka komente, nga miqtë, por në shumicën e rasteve nga “anonimët” dhe internetistët me “pseudonime”.
Jam përpjekur t’u shpjegoj me mirësjellje se ata nuk janë gjë tjetër veçse vizitorë dhe si të tillë duhet të sillen, me mirësjellje dhe respekt, ashtu sikundër “besoj” se sillen kur shkojnë një një shtëpi të huaj. Nuk mund të hysh në një shtëpi të huaj, pa trokitur në derë. pa thënë kush je, pa u sjellë në mënyrë të qytetëruar.
Pasi kultura atje fillon: tek dera e jashtme e çdo shtëpie. Të shtëpisë tënde ku banon dhe pret vizitorët. Tek shtëpia e tjetrit ku i viziton si i ftuar ti!
Blogjet nuk janë ash sheshe publike, as gazeta, as programe televizive, as kafene. Është vendi personal i cilitdo krijuesi- pronar të tij, i cili vullnetarisht u hap dyert që ta vizitojnë ata që dëshirojnë.
Por kjo nuk do të thotë, se që të gjithë ata që vizitojnë vendin personal të secilit, kanë automatikisht edhe të drejtën, duke u justifikuar me “lirinë e fjalës” që e kanë keqkuptuar dhe e keqinterpretojnë, pra këta nuk e kanë të drejtën që të hyjnë, të shajnë, të fyejnë, mashtrojnë e shpifin.
Më thonë miq të mi: Je person që shpreh fjalë publike dhe si i tillë duhet të pranosh edhe kritikën më të ashpër, edhe sjelljen e keqe.
Jam dakort me pjesën e parë, por kurrsesi me të dytën. Nuk besoj se, akoma edhe një gabim të madh po të kesh bërë, cilido ka të drejtën të të shajë për këtë.
Lexoja disa artikuj në lidhje me mbrojtjen e mjedisit. Bëra gabimin të lexoja edhe disa nga komentet e anonimëve. Dyshoj nëse të gjithë ata që ulërasin për mbrojtjen e mjedisit i mendojnë mirë apo i njohin pasojat. Edhe unë jam që të mbrohet mjedisi, por jo me ulërima, as me histerizma.
Pakësimi i smogut, i dioksidit të karbonit, për shumicën e vendeve të zhvilluara duhet të jetë në nivelet e viteve ’70. kur popullsitë ishin dy herë më të vogla dhe të ardhurat për kokë shumë herë më të pakta. Me nevojat e sotme, si do të arrijmë në nivele të tilla? Natyrisht me privime të jetës e mirëqenies sonë (d.m.th. harroni makinat, harroni frigoriferët, televizorët plazma, dushet, kondicionerët, etj, etj)...
Sa vetë janë të gatshëm që ta bëjnë këtë gjë? Shumë pak, pothuajse asnjë, edhe nga ata që shkruajnë artikuj, edhe nga ata që komentojnë në mënyrë anonime. A nuk përbën kjo hipokrizi?
Disa bërtasin me zë shumë të lartë për diçka që nuk duan të ndodhë kurrë. Por ekologët, kritizerët, ekonomistët, politikanët, cinikët e internetit do të vazhdojnë të bërtasin e ulërasin duke sharë e fyer, të gjithë ata që kanë mendime të ndryshme nga ata, ose edhe të gjithë ata, mendimet e të cilëve nuk i kuptojnë...
Sepse atje ku fshihet e vërteta, errësohet e ardhmja...
Padituria, pra, drejton e udhëheq shoqërinë. Dhe imponon një diktaturë errësire mesjetare, një diktaturë obskurantiste.

1 σχόλιο:

xhenius είπε...

.....Por çështja qëndron në faktin se më parë se të kapim tastierën e kompjuterit dhe të komentojmë gjithkënd e gjithçka, duhet të lexojmë, duhet të mësojmë, duhet të dimë të lexojmë midis rreshtave......

ky eshte çelesi qe hap erresiren,sa mire do ishte sikur te gjithe te merreshim me shume me vetveten!