Παρασκευή 25 Δεκεμβρίου 2009

Ç’më kujtohet nga festat e fundvitit?

Ç’më kujtohet nga festat e fundvitit?

Ardi Stefa


Ndoshta pyetja më e saktë do të ishte të pyesnit se çfarë nuk më kujtohet. Për fat të keq, përveç natës së Vitit të Ri 1990, natë të cilën as që e sjell dot nëpër mend, për shkak se ishte një dhjetor i zjarrtë e i vrullshëm kur, gjithçka tjetër e humbiste rëndësinë, të gjitha netët e ndërrimit të viteve i kam si të gjalla në kujtesë.
Përgatitjet fillonin një muaj më parë. Zbukurohej pema, me lambushkat e ngjyrosura që na i bënte ungji elektriçist. Fletët e punëdores të ngjitura si zinxhir me brumë ose vinovil...
Gjeli i detit që ushqehej nga goja me fishekë buke, misër dhe ullinj, për të qenë sa më i shëndoshë e i dhjamur... Pastaj Gjelin e detit e nxirrnim për të bërë “luftë” me gjelat e tjerë në lagje...
Festat në shkolla dhe në vendet e punës së prindërve me pakot e dhuratave aq standarte...
Derisa vinte 31 dhjetori, nata e ndërrimit të viteve...
Kujtoj...
Nënën, të cilës i binte bretku gjithë ditës për të gatuar e zbukuruar shtëpinë. Neve, që vinim vërdallë, nëpër këmbë të prindërve, herë duke qarë për gjelin e detit të sapotherrur, e herë duke futur duart nëpër embëlsirat që ishin vënë në tryezat e shtëpisë, në pjatat me arra e bajame të qëruara, te bukëfiqet e çepelet që vinin në vargje nga fshati...
Më vijnë ndër mend se si na vinin në gjumë prindërit, “Që të rrinim sa më shumë natën, e të shikonim programin festiv me humor e këngë”! Se si, sado që na vinin në gjumë, nuk flinim kurrë, sikur të na kishin mbërthyer kacabujtë...
Më kujtohet tryeza e shtruar bukur, me antipastën që ishte si pjatë e parë dhe që kishte qofte, vezë të ziera, salcë kosi, ullinj, turshi, sallam të prerë në feta të holla, djathë, djathë të bardhë e kaçkavall...
Pastaj sallatrat e ndryshme në tryezë, sallata me panxharë, sallata ruse, sallata me ullinj e portokalle...
Pastaj vinte pjata kryesore, me mishin e gjelit të detit të pjekur me patate të skuqura...
Gjeli piqej i tëri, por nuk servirej komplet, se duheshin ruajtur edhe disa copa për ata që do të na vinin për vizitë ditën e parë të vitit...
Ndërmjet tyre ishin shishet e verës, birrës për gratë e fëmijët, rakia...
Dhe në fund vinte ëmbëlsira, zakonisht bakllava, ose kadaif, si edhe frutat: portokallet, mollët, të cilat ishin marrë me racion dhe që ruheshin si drita e syve...
Dhe nata vazhdonte ceremoniale, me hare, me humor e këngë, me vallëzime ku vallëzonim me prindërit e pastaj me kushërinjtë e kushërirat...
Dhe e nesërmja, kur çahej kulaçi i pjekur për të parë se kujt i kishte rënë leku fatsjellës, dhe ku hahej kaposhi i pjekur me kulaçin e bërë dollmë...
Përsëri programi me humor e këngë, kësaj here jo me humoristët më të mirë...
Ja, këto më kujtohen...
Besoj se këto u kujtohen edhe juve, jo pa nostalgji...

1 σχόλιο:

xhenius είπε...

po,po keto na kujtohen absolutisht ne qe s'benim pjese tek "blloku"
kush e di pse sa me shume kalojne vitet perpara,po aq e kthejme koken pas....nuk jam e sigurt' a ju ndodh te gjitheve keshtu....
Urimet me te mira!