Τρίτη 1 Δεκεμβρίου 2009

Nuk ishim heronj, ne donim të jetonim...

Nuk ishim heronj, ne donim të jetonim...
Ardi Stefa

Kanë kaluar 19 vjet nga dhjetori i 1990-ës. 19 vjet ku monumentalizohen ata që nuk kishin asnjë lidhje, ose ndonjë lidhje anësore e të rastësishme me ngjarjet e Dhjetorit.
19 vjet ku protagonistët e vërtetë janë në hije, jashtë, të mënjanuar ose të harruar...
19 vjet, gjatë së cilave, më shumë zhurmë bëhet për mënyrën me të cilën do të “festohet” e “përkujtohet” dita e “Çlirimit të dytë të Shqipërisë”, sesa ngjarjet e vërteta të atij dhjetori ’90, ose të paktën kujtimi i tyre.
Njerëzit me pak mend, dhe ne që ishim protagonistët e atyre ditëve, rrënqethemi kur dëgjojmë fjalimet aq të parashikueshme ceremonialë, festimet aq hipokrite, fjalët e fytyrat po aq hipokrite që parakalojnë podiumeve...
Diku në ndonjë gazetë del edhe ndonjë fotografi origjinale e atyre ditëve...
Dikush gjen rastin që të hiqet si student i Dhjetorit, pavarësisht se nuk ishte kurrë i tillë, dikush kërkon të marë merita e lavdi që, në fakt u takojnë të tjerëve...
Një pjesë tjetër thjesht përton dhe nuk e fsheh në asnjë rast përtesën e vet...
Ishin 22 vjeçarë, sot jenë 40 vjeçarë të gjithë...
Pas kaq vitesh, kujtesa personale fillon të humbasë. Zakonisht ajo zëvendësohet nga e ashtuquajtura “kujtesë kolektive”, e cila në fakt është njohja ideologjike e ngjarjeve, e cila u jep rëndësi heroizmit, fakteve mitologjike: heronjtë, epopeja, qëndresa, pasioni për lirinë...
Fjalë të bukura, shumë pompoze për të fshehur thelbin. Cili është thelbi? Që heronjtë e Dhjetorit ’90-të nuk ishin veçse njerëz normalë, studentë e studente të reja, ideologë, të cilët befasisht u gjendën në qendër të Historisë e të së përgjithshmes... Në këtë vrull jetuan e përjetuan dehjen e përmbysjes. Jo pa flijime, jo pa humbje. Ato ditë e net të zjarrta shenjuan jetën e të gjithëve atyre që ishin prezent, shenjuan e ndryshuan edhe jetën e të gjithëve atyre që ishin larg Qytetit Studenti. Shenjuan e ndryshuan rrënjësisht edhe jetën e atyre që erdhën e që do të vijnë më vonë..
Dhe kështu kaloi koha, ndryshuan kushtet...
E vetmja gjë që ngeli është një tregues heroizmi. Kështu e konceptojnë Lëvizjen Studentore të Dhjetorit të rinjtë e sotëm... Po a ishte me të vërtetë kështu? Dhe në qoftë se ishte, çfarë ishte në thelb? Dhe kush do të na i thotë me saktësi?...

Por të gjithë, si mashtruesit, ashtu edhe të mashtruarit, si hipokritët, ashtu edhe ata që janë me të vërtetë të çiltër, si protagonistët, ashtu edhe ata që hiqen si të tillë, me shpresën se koha do të mbulojë me pluhur ngjarjet e vërteta të ndodhura atëherë, janë pasardhësit e brezit të DHJETORISTEVE...
Ç’rëndësi ka nëse ishin brenda ngjarjeve, apo pak mënjanë me ata që kishin frikë dhe nuk donin ndryshimin...
Ç’rëndësi ka nëse ishin nëpër podiume duke mbajtur fjalime, apo poshtë mes demonstruesve...
Ç’rëndësi ka nëse ishin me xhupa meshini të zi, kapardina të bardha, apo me golfe leshi...
Ai brez pa të ardhmen të shndërrohej, të ndryshonte dhe të vulosej përfundimisht nga revolta e atij Dhjetori...
Debati për Dhjetorin, në cilëndo mënyrë që të bëhet, të drejtë apo edhe të shtrembër, në cilëndo mënyrë që të festohet kujtimi i atyre ditëve, me debatet publike, për “kuptimin” e asaj Lëvizjeje, për ata që përfituan nga Dhjetori, autokritika dhe kritika, deri edhe anatemimi i të gjithëve e gjithçkaje, për mua janë të mrekullueshme...
Pasi një pjesë njerëzish, që kanë ngelur ende njerëz, të paktën një ditë në vit sjellin ndër mend me nostalgji pjesën më të mirë të vetvetes: atë pjesë të ndërgjegjes që mendon e kërkon ndryshimin gjithmonë...
Shqipëria këtë ditë debaton për politikë dhe revoltë, shpërthen e pendohet, grindet, kërkon falje...
Shumica e protagonistëve të vërtetë të atyre ditëve, kanë 19 vjet që kanë zgjedhur heshtjen shurdhuese, për të deklaruar prezencën e tyre...
Dhe ju garantoj, shumica e atyre që gogësitenme përtesë kur dëgjojnë fjalimet bombastike, mos mendoni, e bëjnë në shenjë proteste. Ata përtojnë qëllimisht për të deklaruar indiferencën e tyre, neveritjen e tyre ndaj të gjitha atyre klisheve mediokre, të cilat janë gjithçka, veç asaj që ishte me të vërtetë Dhjetori 1990!...
Ulëritjet dhe pëshpëritjet, heshtja dhe plagët, kujtimet e vërteta dhe ato mashtruese, shpjegimet dhe kundërshpjegimet nuk tregojnë gjë tjetër, veçse jetën, brenda një shkretëtire idiotësie e keqësie...
Të gjitha këto e të tjera, për mua janë prova se “Dhjetori jeton, është i gjallë e aktual”, dhe se e gjitha ajo që ndodh e do të vazhdojë të ndodhë, është dhurata e atij Dhjetori të zjarrtë...

Dhe ishte një Dhjetor jo si të tjerët dhjetori 1990...
Një dhjetor i acartë, pa bukë e ngrohje, pa drita e ujë, pa të drejta e liri, por me shumë shpresë...
Atë shpresë që kërkoj ta shoh sot në sytë e brezit të ri dhe nuk e gjej! Ne kishim shpresë, mos vallë më shumë se të rinjtë e sotëm? Apo më pak? Apo mos vallë edhe ne nuk kishim të gjithë shpresa e sot jetojmë më mirë, se ne ishim jashtëzakonisht të dembelosur megjithëse thërrisnim: “Duam bukë, duam drita!”, “Liri- Demokraci!”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”-, megjithëse dëgjonim Zërin e Amerikës dhe grupet më të famshme të kohës?
Dikush më shkruajti në internet: “Ju ishit heronj, nuk kishit frikë!”
Dhe iu përgjigja: I thashë që doja të isha edhe një herë i ri në atë moshë. Të bëja shaka, të dëgjoja ç’të më donte qejfi, të jetoja ashtu siç ëndërroja, të vishesha si më vinte, jo uniform si të gjithë, të njëhja njerëz e vende, të flisja me zë të lartë e pa u trembur se do më rrasnin në birucë...
Të udhëtoja në gjithë botën, të njihem me njerëz të tjerë nga e gjithë Shqipëria e bota në Internet, të mos kem frikë nga hija ime... Të mos merrem me politikë ashtu si atëherë, nga dëshpërimi...
Dhe unë e bashkëmoshatarët e mi, ishim heronj, ashtu siç nuk ishim heronj...
E dinim që rrezikonim dhe shkonim me ndërgjegje të plotë drejt asaj që ishte e panjohur për ne...
Kishim frikë, klithnim kur na godisnin sambistët, vraponim të shpëtonim prej shkopinjve të gomës...
Po, po, kishim frikë. Dhe frika nuk është ndjenjë e bukur. Frika të mbyt, të varfëron jetën, të vyshk rininë...
Më besoni, ne donim Demokraci, liri, mirëkuptim e bashkëjetesë, jo frikë e shtypje...
Më besoni, askush nga ne nuk ishte hero, siç na paraqesin sot...
Ne nuk donim të vdisnim e të bëheshim heronj. Jetonim në një epokë të errët, por nuk donim të flijoheshim fizikisht.
Donim të jetonim, të gëzonim rininë tonë, të qenit në Europë...
Ne donim të jetonim ashtu siç jeton rinia sot. Të ishim në rregull me vetveten tonë dhe jo të merreshim me sigurimsat që na ishin bërë hie edhe në shtrat...
Ne nuk ishim heronj, ne donim të jetonim pa frikë, pa ankth në shpirt, pa dëshpërim e rrugë pa krye...
Prandaj dhe u revoltuam, prandaj edhe shpërthyem dhe u ngritëm... Donim të ndryshonim botën...
Nuk kishim favorin e revoltës, që nuk e ka sot brezi i ri.
Donim lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit e të veprimt...
Ne nuk ishim heronj. Ishim një brez djemsh e vajzash 22 vjeçarë që bëri politikë me fjalë, me këngë, me shpirtin dhe, mbi të gjitha, me trupin e tyre të njomë e të drobitur nga uria. Një brez që zgjoi një popull të tërë nga gjumi letargjik e që vrau frikën.
Ishim disa pak mijëra të rinj e të reja, protagonistë dhe bashkëudhëtarë, pjesëmarrës në mitingjet e demonstrimet në Qytetin Studenti, por edhe atje rrotull, të cilët e gostitën historinë shqiptare, akoma edhe një herë me gotën, një gllënjkë e të cilës mjafton që të të dehë, me një dehje të këndshme: E PAMUNDURA MUNDET TË BËHEJ E MUNDUR!
Vlera e vërtetë e Lëvizjes Studentore Shqiptare është pikërisht kjo: se u bë nga njerëz të zakonshëm, studentë vërtet, por të nxjerrë nga jeta e përditshme. Nga njerëz në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, me ndjenja dhe ëndrra, delikatë, nga njerëz që ishin të uritur për jetë, për famë e lavdi, që kishin pasione. Nga njerëz që bëjnë gabime, që pendohen, njerëz të dobët e që s’kanë busull orientimi shpesh herë, nga idealistë të vërtetë, por edhe aventurierë, nga njerëz të vdekshëm e mëkatarë dhe jo nga statuja...
Dhe, nëse vlen akoma edhe më shumë stuhia e Lëvizjes së Studentëve, kuptimi që ka kjo lëvizje për brezat e ardhshëm është se kjo revoltë për një çast, për dy çaste, për një, dy apo dhjetë ditë, ata të rinj u ngritën më lart se EGO-ja, UNI i tyre, dhe kështu, të lirë u bënë krijuesit e historisë së tyre dhe të historisë sonë. Me pak fjalë: Ne, Studentët ishin atje atëherë kur duhej.
Prandaj, çdo vit në këtë ditë dëgjohen shumë fjalë nga shumë pseudo. Megjithëse protagonistëve të vërtetë të Revoltës Studentore Shqiptare u shkon më mirë heshtja. Heshtja e njohjes dhe e respektit për atë që bënë e që sado vite të kalojnë do të ngrihet gjithnjë e më lart në Panteonin e Historisë.
Prandaj llafologëve e pseudove, përpara se të nxjerrin fjalët bombastike nga goja, mirë do të ishte që të mendonin për një çast, është detyrim moral të mendohen për një çast dhe të pyesin veten nëse: “Liria, Demokracia, buka e dritat, mjaftojnë për të gjithë”...
A mjaftojnë për të gjithë ato që kërkuan atëherë studentët e mburremi se tashmë i kemi?...
Ne nuk ishim heronj, ne donim thjesht të jetonim...
Protagonistët e vërtetë të atyre ditëve të zjarrta studentore aktualisht nuk kanë piedestale. Piedestalet janë me “protagonistë e heronj” të rremë, për të cilët studentët e brezit tim luftuan për t’i rrëzuar...
Por studentët e brezit tim e dinë se do të jenë të gatshëm që po t’i thërrasë atdheu t’i rrëzojnë edhe një herë heronjtë e rremë nga piedestalet. Ia kanë, ia kemi për borxh këtë gjë atdheut...

Δεν υπάρχουν σχόλια: