Κυριακή 22 Νοεμβρίου 2009

Nënshtetësia e emigrantëve dhe toleranca e vendasve...

Nënshtetësia e emigrantëve dhe toleranca e vendasve...
Akt filantropik, apo bast i qeverisë Papandreu për tolerancën e bashkëjetesën?...

Ardi Stefa
Përpara disa javësh vetë kryeministri grek, J. Papandreu deklaroi se qeveria e tij do të ndryshonte ligjin ekzistues për nënshtetësinë dhe do t’u jepte nënshtetësinë fëmijëve të emigrantëve të lindur në Greqi, ose siç quhen ndryshe, emigrantëve të brezit të dytë...
Menjëherë doli në TV, Jorgos Karaxhaferris, lideri i partisë LAOS (fashiste në thelb, e moderuar në fjalë) dhe kërkoi të sqarohej se përse qeveria do të ndërmerrte një masë të tillë, mbi çfarë kriteresh do të mbështetej për dhënien e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve, duke akuzuar drejtpërdrejt qeverinë se po tenton shpërbërjen e “helenizmit dhe të ortodoksisë”
Përpara disa ditësh qeveria vendosi që të japë shumën prej 1 milion eurosh për atë që do të jepte informata të sakta për kapjen e autorit të sulmit të shëmtuar ndaj Konstandina Kunevës, ndërkohë qi i dha një banesë viktimës në Petralona.
Përsëri doli në TV e tij, J. Karaxhaferri dhe akuzoi qeverinë se ca i she si të nënën e ca si të njerkës. I jep shtëpi Kunevës dhe sjell në Greqi të gjithë familjen e saj, dhe lë pa shtëpi një grua greke me gjashtë fëmijë, me burrin invalid, etj, etj...
Të dy këto raste kanë dy parametra.
Nga njëra anë veprimi i qeverisë, i cili duhet marrë edhe si “akt filantropik”, por edhe si tentativë për të imponuar tolerancën sociale të bashkëjetesës ndërmjet vendasve dhe emigrantëve.
Kemi të bëjmë me një tendencë të qeverisë Papandreu për tu larguar nga zbatimi i «jus sanguinis» (e drejta e gjakut), sipas të cilës fëmijtë që lindin, marrin automatikisht nënshtetësinë e prindërve të tyre dhe përqafimin e “jus soli” (e drejta e tokës)- sipas së cilës fëmijtë marrin nënshtetësinë e vendit ku lindën...
Nga ana tjetër qëndron Karaxhaferri e shumë të tjerë, të cilët vënë në dyshim vendimet e qeverisë, të bazuar në një lloj populizmi shumë të rrezikshëm, dhe duke nxitur në ndjenja hakmarjeje e urrejtjeje vendasit ndaj emigrantëve që “vënë në rrezik, idenditetin dhe vlerat e grekëve të pastër!”.
E gjithë kjo tendencë e tij zbukurohet me fjalë e citate të tipit moderator si: “Në Europë mbizotëron “e drejta e gjakut”. Veçanërisht vitet e fundit braktiset “e drejta e tokës”, huazim ky, anglosakson, edhe nga vendet që e zbatonin me shumë zell. Për faktin e thjeshtë se europianët nuk dëshirojnë më që vendet e tyre të bëhen magnetë për ardhjen e valëve të mëdha të emigrantëve, kryesisht të atyre klandestinë....”
***
Gjithsesi duhet që të kuptohet prej të gjithëve që emigracioni për secilën nga vendet e pritjes së emigrantëve , nuk përbën më një kuadër të ngurtë e të ftohtë ligjesh, politikash, frazash e citatesh që kënaqin ndjenjën e një pjese jo të vogël të popullsisë.
Emigrantët ekonomikë në Greqi sot përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë, rreth 11%. Këtu nuk llogariten emigrantët klandestinë.
E njëjta situatë vërehet edhe në shkollat greke, ku 13% e nxënësve në shkolat fillore e të mesme janë fëmijë emigrantësh (në shumicën e tyre shqiptarë). Dhe nga kjo shifër prej 13% e numrit të përgjithshëm të nxënësve që studiojnë në shkollat greke, 10% janë nxënës, të cilët kanë lindur nga prindër emigrantë në Greqi.
Dhe kjo është një përqindje shumë e madhe, e cila e vërejtur në progresion gjeometrik, vërteton atë që shumë intelektualë grekë, apo edhe studiues, të cilët merren me çështjet e emigracionit kanë konstatuar: Një rritje të tendencave të pabarazisë në shkollat greke (më vOnë në tregun e punës). Kjo situatë kërkon një model e formë të ri të arsimit, (nga një model i vetëm monokultural e etnocentrist, në një shkollë multikulturore, trainimit të mësuesve, etj, etj.
Me të vërtetë, sa larg është sot arsimi e shkolla greke nga një arsim e shkollë e cila krijon e nxjerr në jetë qytetarë të barabartë?
Përgjigjia fillon nga një tjetër pyetje: Arsimi grek u drejtohet qytetarëve të ardhshëm, apo bazohet në krijimin e një aparteidi të ardhshëm social?
***
Historikisht të gjitha periudhat e zhvillimit të ekonomisë greke, koincidojnë me valë të mëdha emigracioni. Gjithmonë në këto periudha është konstatuar roli i madh i emigrantëve në zhvillimin e ekonomisë greke, por shumë rrallë çështjet e emigracionit janë bërë objekt i një debati e diskutimi publik realist, të cliruar nga patologjia, urrejtja e pasionet.
Çfarë pasojash do të kishte për ekonominë greke pranimi i të drejtave të barabarta që duhet të kenë punëtorët emigrantë me punëtorët grekë? Pasi edhe punëtorët emigrantë janë “klasë punëtore”. Apo mos vallë shoqëria greke preferon një xhungël në tregun e punës? Një xhungël ku punëtorët emigrantë të jenë veçse krahë pune lehtësisht të konsumueshëm e lehtësisht të hedhur poshtë?
***
Dhënia e nënshtetësisë së vendit ku banojnë emigrantëve (dhe jo vetëm fëmijëve të lindur në të) është një e drejtë themelore e integrimit shoqëror. Por nga ana tjerët edhe dinjiteti njerëzor nuk është vetëm çështje nënshtetësie. Një shoqëri e drejtë bazohet në një sistem të drejtë sigurimesh shoqërore, nga një sistem i drejtë e bashkëkohor arsimor, nga një sistem i drejtë i tregut të punës...
Një shoqëri e drejtë e moderne, nuk mundet të ekzistojë pa qytetarë...
Por një shoqëri e drejtë nuk mundet të ekzistojë pa qytetarë që nuk e ngrenë zërin kundrejt dallimeve racore, e sociale, që nuk e ngrenë zërin kundër të gjitha atyre tendencave e politikave që disa i bëjnë në të nënës e disa të njerkës. Që disa i shohin thjesht si objekt shfrytëzimi e pa të drejta, vetëm me detyrime...
Një shoqëri e drejtë nuk mundet të bazohet vetëm në trajtimin e të tjerëve si johomogjenë, apo të feve e kulturave të tjera...
Ky është basti që ftohet të fitojë Papandreu...
Ky është basti që ftohet të fitojë shoqëria greke...
Ky është basti i tolerancës e bashkëjetesës së një shoqërie moderne, e cila ftohet të kapërcejë të kaluarën...

Δεν υπάρχουν σχόλια: