Τετάρτη 3 Μαρτίου 2010

Dy SMS


SMS 1- Një ditë përpara se të komunikonte masat, tepër shtrënguese dhe shokuese, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri, J. Papandreu, shprehu emocionin, por edhe mallëngjimin e tij, pasi sikundër deklaroi “Njerëzit e thjeshtë, e ndalojnë në rrugë dhe i thonë se për atdheun, edhe rrogën time e sakrifikoj”!...
Nuk e di se cilët janë ata njërëz të thjeshtë e rrogëtarë, që e ndalojnë në rrugë dhe i thonë këto fjalë.
Nuk e di se cilët janë ata njërëz të thjeshtë e rrogëtarë, që e ndalojnë në rrugë dhe karakterizohen nga një ndjenjë e tillë sakrifice, vetmohimi e patriotizmi të lartë...
Me siguri që bëhet fjalë për njerëz, qofshin këta edhe të thjeshtë e rrogëtarë, të cilët nuk kanë kuptuar ende se për fat të keq, (edhe pse mund të mos jenë në sektorin publik e shtetëror të punësuar), do të sakrifikojnë shumë më tepër se një rrogë.
Që nuk kanë kuptuar se paketa e dytë e masave shtrënguese do të pasohet nga një paketë e tretë dhe e katërt, të cilat do të imponohen nga “ortakët” e grekëve në BE. Që nuk kanë kuptuar se Greqia po hyn (Kujdes: Nuk ka hyrë ende!) në periudhën më dramatike në kohë paqeje të historisë së saj moderne...
Ndoshta bëhet fjalë për njerëz që e ndalojnë në rrugë zotin Papandreu dhe i deklarojnë se do të sakrifikojnë rrogën e tyre mujore, pra, ndoshta bëhet fjalë për njerëz, të cilët ndoshta nuk e kanë kuptuar, se, kështu si po venë punët, shumë shpejt, kostoja e një “vizite” në supermarket, do të jetë e barabartë me një natë në buzuqe...
Dhe në buzuqe një shishe bën 300 euro...
Ndoshta bëhet fjalë për njerëz, të cilët nuk e kanë kuptuar se kështu si po venë punët, papunësia do të kapë majat dhe kriminaliteti do të marrë përmasa të egra...
Dhe në fund të fundit, nuk kanë kuptuar se sakrificat, të cilat ftohen të bëjnë (kur nuk i bëjnë vulnetarisht...) do të vonojnë shumë që të duken për mirë..., pasi, shumë thjesht, paratë që ata do të “dhurojnë për atdheun dhe shpëtimin e tij...” nuk janë të destinuara që të çelin portat që na çojnë në një të ardhme më të mirë, por do të mbyllin “vrimat” që u bënë nga shpenzimet e panumërta të së djeshmes...
Të qeverisjeve socialiste e konservatore...
Kur të kuptojnë të gjitha këto gjëra, njerëzit e thjeshtë që e ndalojnë në rrugë dhe i thonë se “për atdheun, edhe rrogën time e sakrifikoj”!...- me siguri që do të synojnë që ta takojnë përsëri në rrugë kryeministrin Papandreu...
Vetëm se nuk është aspak e sigurtë se edhe atëhere do ta trajtojnë me të njëjtën ndjenjë solidariteti, vetëmohimi, sakrifice e flijimi të rrogës, të të drejtave, të jetës...


SMS 2: U ngritën taksat. Kjo ishte njëra nga masat shtrënguese të qeverisë Papandreu...
Dhe unë fillova të bëj llogaritë e mia mujore.
Paga: 1.200 euro...
Qeraja: 400 euro
Dritat: 90 euro
Uji: 35 euro
Pagesat për mirëmbajtjen e pallatit: 60 euro
Telefoni stabël: 50 euro
Telefonat celularë: 100 euro
Parkingu për makinën: 110 euro
Benzinë në muaj: 150 euro...
Shuma në total e shpenzimeve mujore: përafërsisht 995 euro...
Ngelen 205 euro...
Me këto duhet të ha, të pi, të vishem, të paguaj siguracionin e makinës, taksat e qarkullimit rrugor...
Të heq edhe ndonjë lek mënjanë për ndonjë ditë të keqe...
Të gjitha këto ishin shpenzime pa marrë parasysh rritjen e Taksës mbi Vlerën e Shtuar, benzinën, ...
Po të përllogaris edhe atë, atëherë më duhet ta shtrëngoj rripin mirë, pasi nuk do të më ngelen për të jetuar as 100 euro në muaj...
Shans, që të bëj edhe një çikë dietë...

Δεν υπάρχουν σχόλια: