Τρίτη 24 Αυγούστου 2010

Atë që shkruaj, nuk do ta kuptosh kurrë!

Atë që shkruaj, nuk do ta kuptosh kurrë!
A. Stefa
(Kushtuar të gjithë të çmendurve, ëndërrimtarëve, njerëzve të ndjeshëm dhe të vaçantë atje jashtë...)
Më fal që po ndërpres qetësinë tënde... Dua të të pyes diçka...
A mundet nesër në mëngjes të ikësh, të vish rreth botës, të udhëtosh gjithandej, në çdo cep të Tokës?
Qoftë edhe po të hidhesh një ditë në Vlorë për një kafe, apo në Shkodër?
Mundet të flasësh gjuhë të huaja, të komunikosh me njerëz të të gjitha racave në lanet?
Mundet të bëhesh akrobat po qe se e dëshiron? Piktor? Astrofizikant?
Ndoshta një virtuoz i famshëm violine?
Jo?
Përse?
Nuk ke kohë për të gjitha këto? Ke detyrime, familje, punë, fizkulturë, ndjekje të modës, kafe me të njohurit e shumë e shumë gjëra të tjera që nuk të lenë të merresh me asgjë tjetër?
Hëmmmmm...

Çfarë di të për Eposin e Gilgameshit, bardin Taliesin, Senekën, Saphonë, teoritë e komplotimit, Xhengis Khanin, sekretet e Piramidave, surrealizmin, sëmundjet gjenetike, Konfucin, Teorinë e Relativitetit, Portën Magjike të Romës, shkrimet e papublikuara të Kadaresë,, simfoninë e Nëntë të Beethovenit, Masonët e Da Vinçin, Mona Lizën dhe Paganinin?
Nuk të interesojnë fare këto?
Ti merresh me futbollin, show biz, revistat e modës, tavllën dhe kur ndonjëherë gjen kohë noton pak në det?
Hëmmmmm...

Pa më thuaj, ndonjë vizion ke? Ndonjë synim sublim dhe në fund të fundit, diçka që ta kesh dëshirë aq shumë me gjithë qenien tënde, një ëndërr të papërshkrueshme, të zonjën të ndryshojë fatin tënd dhe jetët e të gjithë njerëzve?
Jo?
Përse?
Beson se bota është e padrejtë dhe nuk ndryshon? Nuk je ti i indur për t’u ndeshur për vlerat dhe atë që janë të drejta?
Ke kaq shumë probleme të pazgjidhura dhe ke nevojë për pushime e shlodhje?
Mendon se të gjitha këto janë gjëra të çuditshme dhe paksa idiote?
Hëmmmmm...

Të të them unë tani diçka?

Jam i çmendur!

Po!

Egocentrik dhe i çuditshëm...

Metamorfozohem vazhdimisht dhe lëviz pa rënë në sy brenda rrugëve, duke studiuar sjelljet e njerëzve, frikat e tyre, mënyrën e tyre të reagimit, ecjen e tyre...
Merrem me Alkiminë, Teologjinë, artet marciale, jogën, skermën, etj, etj...
Studioj Astronomi, hartat e stërvjetra, inxhinierinë mekanike, arkeologjinë, trajtat e reve, ndërtoj (ose të paktën përpiqem) gramafonë me avull, pushkë me energji elektrike.
Flas me hijen time për Psikogjeografinë, futurizmin (jo atë të letërsisë), kolonializmin galaktik, energjinë e lirë, udhëtimet në Kohë e Hapësirë, balsamos flutura dhe milingona, flas dialektin e pakuptueshëm të alienëve që jetojnë mes nesh, zhargonin e Parisit dhe gjuhën e indianëve të australis.
Kam në posedim koleksione impresionuese me guacka dhe pulla shtetesh të ndryshme, kaseta të mrekullueshme origjinale dhe jo aq origjinale, një jatagan të mrekulluesëm të kohës së Turqisë dhe një kobure me mulli, që megjithëse e pastroj dhe e vajos, vazhdon të ndryshket e nuk do të qëllojë kurrë.
Lexoj librat e mrekullueshëm të Bodlerit, Andre Bretonit, Çarls Fordit, Servantesit, Lavkraftit, Edgar Allan Poes, Wiliam Bleikut, Lorkës, Erih Fon Deniken, Markezit, Aliendes e shumë e shumë të tjerëve...
Shikoj filma të çuditshëm, dëgjuj muzikë edhe më të çuditshme, tinguj dhe pëshpëritje të frikshme në heshtjen e tyre shurdhuese. Dëgjoj erën, jam i çuditshëm në gjithçka... Njoh sekretet e Qyteteve, Urbanomancy, historinë sekrete të ideve, Botën e Përtejme, realitetet alternative e botët paralele, X Files, teorinë e Tingujve dhe magjistarin Hudini e sekretet e tij...
Më rrëmben të regjistroj në kasetë vetëtimat e bubullimat, pikat e shiut, tronditjen e shinave nga trenat që shkojnë e vvijnë, cicërimën e zogjve, hungëritjet e qenve, hapjen dhe mbylljen e një çelësi elektrik, përplasjen e flatrave të zogjve të natës mbi çatitë e shtëpive, të detyroj me mënyra të ndryshme kitarat të më zbulojnë të gjitha tingujt e notat që luajtën kordat e tyre, të shoh në thellësi të një llampe të ndezur, në fundin e krisur të një gote, brenda vrimave të çelësave dhe grilave të mbyllura, të udhëtoj në vendin melankolik të një pakete cigaresh të lira dhe në cepin e syve të një portreti të inatosur, të luaj me ushtarët e plumbtë brenda në pyllin e një vazoje me lule, të përshëndes kalimtarë të panjohur, t valëvitem në erë, të eci nëpër shi, të numëroj yjet një nga një, derisa të më marëë gjumi në verandë...
Më pëlqen të sillem sikur jetoj në dekadën e viteve ’60 e ’70, i veshur me rroba hipish dhe të shpërndaj fletushka nëpër stacionet e autobusave për të ndaluar lufta në Vietnam..., po, përse jo? Jam fëmijë i luleve!...
Rroftë Revolucioni
Erdhi ora të ndryshojë bota!
“Make love not war” dëgjohet nga altoparlantët, dalim nëpër rrugë dhe kërcejmë fokstrot e çarleston. Të gjithë janë këtu, Dilan me fisarmonikën, Hendriks me kitarën e tij magjike dhe Johnny Cash, më i ri se kurrë, këndon bluz-et e tij se bashku me mua, në varandën e një vile, diku në Nju Orleans...kam edhe nj Spyder, sterrë të zezë dhe gjithmonë të larë e pastruar, me ndenjëse lëkure dhe me një kafkë të pikturuar...
perëndimeve sillem vërdallë nëpër shkretëtirat e Arizonës, në ato rrugët e gjata e pafundësisht të drejta, së bashku me mikeshën time Merlin, radioja këndon zëulët këngët e Elvisit dhe në thellësi, larg shikoj të largohet asfaltin të përqafuar me horizontin e artë...

Unë... nuk jam ajo ç’ka sheh...
Unë... nuk jam ajo ç’ka imagjinon...
Jam një pjesë e asaj që quhet evoluimi i racës njerëzore me kalimin e viteve, më saktë ekspozimi i saj...
Një koincidencë kozmike...
Një luhatje kuantike impresionuese...
Gëzimi i dhimbshëm i Zotit...
Frika e demonëve dhe i Djallit idol...
Një gabim i pafshirë i Matriksit...
Përbindëshi që dëgjon netëve të hungërijë në bodrum...
Fantazma e Operas...
Palaçioja e cirkut tënd...
Jam shpresa e përbotshme...
Jam një i çmendur i lindur!
Bizhuja e Natyrës!...

Këtë që o shkruaj nuk e kupton e nuk do ta kuptosh kurrë...

Tani që u bëmë miq të të them dhe diçka tjetër?
A ruan sekrete?
Po?
Bukur!
Dëgjo, pra!

Unë!....

Jetoj!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!...

Tetor 1990, Tiranë.

1 σχόλιο:

logistika-forotexnika είπε...

E mrekullueshme Ardi! Te te them nj sekret, mbase s`me dhe jete, por me dhe emocion, hov te hap dritaret e me nje buzeqeshje te them "JETOJ"!
Faleminderi!
Alba