Εμφάνιση αναρτήσεων με ετικέτα φθινόπωρο. Εμφάνιση όλων των αναρτήσεων
Εμφάνιση αναρτήσεων με ετικέτα φθινόπωρο. Εμφάνιση όλων των αναρτήσεων

Κυριακή 28 Οκτωβρίου 2007

Lamtumira për shokun e fëmijërisë...


Lamtumira për shokun e fëmijërisë...

nga Ardi Stefa
Po qe se të shtunën në mbrëmje vonë nuk do të isha përgjigjur në telefon, koha ndoshta nuk do të më luante këtë lojë.
“Vdiq Armandi”- dëgjova në anën tjetër të receptorit.- “Aksident me makinë. Varrimi bëhet nesër në orën 12.00. E dimë që nuk arrin të vish. Thjesht ta thamë...”
Pastaj?...
Pashë lulëkuqet të ngjyenin në të kuqe fushat, fëmijtë të bridhnin dhe të luanin nëpër rrugët e qytetit, një bletë të zhurmërinte, plazhin e pafund dhe zhytjet në detin e kaltër dhe gjthçka të lundrontenë subkoshiencë.
Një grup të rinjsh të trokiste gotat dhe të shkëmbente urime. Atëhere në lulen e rinisë, kur të gjithë ishin të mbushur me ëndrra për ndryshimin e botës dhe të ardhmen që i priste.
Atëhere kur ishim të mbushur me ëndrra për ndryshimin e botës dhe të ardhmen e ndritur që na priste...
Unë, Nikolini, Shpëtimi, Entela, Lira, Armandi, Aviola, Besniku, Erioni, Albana, Valbona...
Me ëndrrat tona, me gëzimin tonë, këngët e poezitë, dashuritë e paplotësuara, me takimet e shëtitjet e përditshme, me takimin e përhershëm tek klubi i Safetit çdo të premte në mbrëmje, me ekskursionet dhe bredhjet ga njëri plazh në tjetrin, nga njëri qytet në tjetrin...
Dhe, dalngadalë erdhi edhe zgjerimi...
Artani, Marsela, Anjeza, Klajdi, Eranda...
Dhe grypi ynë zgjerohej. Vitet kalonin, bota ndryshonte edhe pa ëndrrat e iluzionet tona. aeroplanët ishin bërë Boeing nga ata me helikë që shikonim, peshkarexhet ishn bërë tragete moderne, shtëpitë përdhese gradaçiela, telefonat me numrat rrotullues u kishin lënë vendin celularëve, por ne dhe përrallat tona, me ëndrrat dhe iluzionet tona kishim ngelur po të njëjtët. Ashtu si edhe ai njeri, i cili, megjithëse nuk ishte më edhe aq i ri, nuk ngjante të plakej. Dhe tingulli nga çukitja e gotave të verës dëgjohej i pastër dhe i kristaltë çdo të premte në mbrëmje.
Dhe vitet rrokulliseshin.
Disa prej nesh u larguan për të jetuar në kryeqytet. Disa të tjerë për të jetuar jashtë atdheut, të tjerë krijuan familje e u bënë me fëmijë.
Unë me Armandin dhe Nikolinin morëm rrugët e kurbetit, në Greqi, Itali e Amerikë. Valbona dhe Albana në Spanjë e Zvicër... Lira në Çeki...
Dhe Shqipëria s’ishte më e njëjta për ne. Ishte më bosh, më e zbrazët, më e mangët, më e varfër. Dhe, megjithëse dua si i marrë të shkoj këmbët nuk më bëjnë. Njëra prej pjesëve më të dashura të atdheut nuk është më atje, është e masakruar, e vrarë, e shpërndarë nëpër botë. Dhe mua më dhemb Shqipëria, se më dhemb vetja ime e miqtë e mi që enden nëpër botë në kërkim të idenditetit e atdheut, të atij atdheu që e deshëm aq shumë e që s'ishte në gjendje të na mbante.
Ne, ashtu të shpërndarë siç jemi nëpër botë, komunikojmë shpesh herë me njëri-tjetrin, me telefona e e-mail, i dërgojmë njëri- tjetrit shpesh herë fotografi, (ia mbajmë mend fytyrën secilit), por kjo s'na mjafton. Kujtojmë vitet që lamë pas, ngjarje të vogla të përditshme që i jepnin kuptim jetës sonë, ëndrrat që na ngelën përjetësisht në sirtar dhe megjithëse letrat, telefonat e e-mail nuk e tregojnë neve qajmë, qajmë. Se kemi ngelur ata idealistë e dashnorë të përjetshëm të jetës, shoqërisë. Romantikët me xhepat e zbrazur ose pantallonat pa xhepa… Dhe përpiqemi t'i mbushim mendjen njëri- tjetrit se do të kthehemi një ditë e do të jemi përsëri siç ishim, të gjithë bashkë…
Dhe vitet rrokulliseshin. Ishim të shpërndarë, por përsëri të gjithë bashkë.
Por në gëzime, në festa, ditëlindje, në hidhërime, gotat e verës jehonin përsëri në trokitjen me njëra- tjetrën. Ashtu sikundër kanë jehuar edhe të dielën. Në orën e përcjelljes...
Në orën e lamtumirës. Teksa ata që ishin atje kokëulur tek stoli i parkut ku takoheshim gjithmonë i dhanë lamtumirën dhe llampa sipër tyre u ndez me një ndriçim të zbehtë qiriri, sapo përmendën emrin e tij
Dhe gotat jehonin në trokitjen e tyre ashtu si këmbanat: përzishëm...
Dhe ndoshta do të rikthehemi e do të takohemi, por kësaj here jo ashtu siç dëshironim, me një mungesë, me një boshllëk...
Me një shok më pak...
Dhe përsëri do të mblidhemi të premteve mbrëma, dhe përsëri do t’i trokasim gotat...
Dhe përsëri do të na ndjekë jehona e asaj trokitjeje, ashtu si do të na ndjekë fytyra e Armandit, që s’pranoi të plakej...


Nostalgji


Nostalgji
nga Ardi Stefa
Mbrëmë bleva një çakmak nga një kioskë aty pranë librarisë PATAKI, në rrugën Akademias.
Sapo kisha dalë nga prezantimi i dy librave. Dhe, e para gjë që bëra ishte të blija çakmakun, e pastaj t’i hipja autobusit e të mblidhesha në shtëpi...
Bleva çakmakun, megjithëse kam mbi një vit që e kam lënë duhanin dhe as që kam ndër mend që ta rifilloj, të paktën, jo së shpejti.
Çakmaku kishte të stampuar mbi vete një fotografi bardhë e zi të “Të Trashit” dhe “Të Hollit”, kur këta të dy ishin të rinj.
Dhe, duke parë fotografinë ndjeva një nostalgji të më pushtonte të tërin. Një nostalgji mbytëse. Nuk e di se përse. Ndoshta për faktin se edhe unë, gjithmonë në atë epokë dëshiroja të jetoja. Ndoshta se do të preferoja një tjetër rutinë, po bardhë e zi, nga ajo që po jetoj. Ndoshta sepse jam po kaq i dobët, saqë e vetmja gjë që mundet të bëj, e vetmja gjë për të cilën më duket se jam ende i zoti, është të thurr ëndrra, të ëndërroj...
Që do të ngelen të parealizuara.
Një tjetër mëngjes në zyrë, një tjetër ditë në punë, që mezi po pres të përfundojë, me shpresën se ndoshta diku aty nga fundi do të më ndodhte ndonjë gjë e mirë, tronditëse e emocionuese...
Lexova në gazetën që sapo kisha blerë, për herë të parë, pasi nuk i besoj, shenjën time të horoskopit... Edhe atje asnjë gjë e veçantë. Zeusi kalonte tagent mbi shenjën time, nuk kryqëzohej me Afërditën; në punë do të isha i tensionuar, gjendja ekonomike për ibret, dashuria(?)..., mos e pyet...
Origjinale, ë?!..
Lexova edhe horoskopin kinez.. I pakuptueshëm, si hieroglifet e tyre. Diçka thotë për të tjerët, ndërsa për mua as që e mora vesh se çfarë shkruhej. Vetëm kujtoj që më thoshte se duhet të isha më i hapur me të tjerët dhe aspak i mbyllur e mosbesues...
E thith cigaren imagjinare me shumë afsh... Numëroj gotat e ujit që pij... Kërkoj diçka që të marr energji... Asgjë, asgjëkund. Do të thyhem përsëri, e di. Ndoshta sepse kjo është zgjidhja, rrugëdalja ime...
Ndoshta kështu mundet edhe të përmendem.
Ndoshta edhe jo. Ndihem bosh. I padobishëm. Parazit. Dhe nuk ma ka askush fajin!
Vetëm unë!...
Kam filluar të kem frikë tashmë... Dikur e kisha vjellë prej vetes këtë ndjenjë...
Tashmë, çdo hap që hedh më kujton një rrezik të ri...
Dikur e thosha me guxim e pa frikë mendimin tim dhe e mbroja, edhe po se se e kisha gabim. Ishte e vërteta ime personale në fund të fundit...
Sot ngjaj më tepër me ato karrikaturat e Hostenit, me milingonat- njerëz, ose njerëzit- milingona... Apo siç shkruante dikur një shoku im shumë i shëmtuar, por me shumë humor, Ksenofon Ilia: “Majmuni rrjedh nga njeriu!...”
Dikur isha i fuqishëm, e ndieja energjinë që të përmbyste, kisha ndjenjën se mundesha të bëja gjithçka. Dhe ndoshta me të vërtetë që mundet të bëja gjithçka. Kisha vrullin, dëshirën, guximin, entusiazmin.. Nuk trembesha!...
Sot kam frikë... Veten time... Kufijtë e mi të pakontrolluar, kur logjika më “përshëndet” dhe largohet...
Dikur nuk pranoja të bëja kompromise, as me veten e as me askënd...
Dikur i çelja sytë dhe thosha “Jeta dhe bota më përkasin!”...
Sot as nuk i hap më sytë e mi. Vetëm kompromise bëj me veten e të tjerët...
Dhe nuk flas!...
Nuk protestoj!...
As nuk i shaj ata e ato që s’më pëlqejnë. Por ende, as nuk ua bëj qejfin dhe as lajle e lule, nuk u bëj.
Mblidhem në guaskën time dhe protestoj brenda vetes...
Dikur...
Sot...
Një herë e një kohë, ishte një djalosh, i cili besonte se mundet të pushtonte botën!..
Djaloshi u rrit e u bë burrë... Dhe diku aty kuptoi se e vetmja gjë që mundet të pushtojë, në rast se do të luftojë frikën dhe makthet e tij, është vetja e tij...