Δευτέρα 4 Φεβρουαρίου 2008

My number 17!

My number 17!
Heronjtë e xhepit kanë një karakteristikë të përbashkët: harrohen shpejt!...

nga Ardi Stefa

Skenderbeut iu desh që të kalonin disa shekuj, që një rrugë në Shqipëri dhe në qytetin e tij të lindjes të merrte emrin e tij. Ismail Qemalit, i cili shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, iu desh të priste 50 vjet pas vdekjes që emri i tij t’u jepej shesheve, shkollave apo rrugëve. Enver Hoxha nxitoi që emrin e tij t’ua vinte rrugëve, shkollave, shesheve, organizatave të grave, pionierëve e pensionistëve, universitetit e hidrocentraleve, por sot, 20 vjet pas vdekjes, emri i tij u është hequr të gjithave. Vaçe Zela me zërin e florinjtë nuk ka ende as edhe një rrugicë që të mbajë emrin e saj, në një kohë që emri i një peshëngritësi të vdekur lartohet në fillimin dhe fundin e një rruge.
Kombëtarja e futbollit fitoi në 4 shtator me Greqinë dhe ajo fitore pothuajse ka zëvendësuar ndërgjegjen kombëtare
Anjeza Shahini mori pjesë në Eurovizion dhe brenda vitit emri i saj u bë bluza, shalle, kapele, kopertina e afishe. E njëjta gjë edhe me Ledina Çelon. Shyqyr që Anjeza nuk fitoi Eurovizionin, sepse emri i saj do t’i vihej Teatrit të Operas dhe Baletit. Shyqyr që edhe Ledina doli e 17-ta!...
Bertold Brehti thoshte: “Vajmedet për atë komb që ka nevojë për heronj!”. “Vajmedet për atë popull që prodhon heronj të xhepit”- do të shtoja unë. Pasi heronjtë e xhepit kanë një karakteristikë të përbashkët: Digjen lehtë, harrohen shpejt! Nuk është thjesht hiperbolizimi, as mosruajtja e sensit të masës, është edhe vlera!
Unë nuk them që goxha Anjeza apo goxha Ledina të presin sa Ismail Qemali apo Skenderbeu që të nderohen apo të çmohen. Por ata që i propozojnë këngëtaret të marrin dekoratat “Nderi i Kombit”, le të presin njëherë që ato të krijojnë një portret të tyrin artistik, të imponohen me talentin e tyre, pastaj le t’i bëjnë edhe heroina, edhe emrat e tyre t’ua vënë Teatrit të Operas e Baletit. Le t’i bëjnë edhe pulla postare, edhe kapele, edhe afishe, edhe bluza, çfarë t’u dojë qejfi. Le të bëjnë pastaj edhe afishe gjigande me to kur vijnë për koncerte në Greqi, apo gjetkë ku ka emigrantë, megjithëse ato vijnë jo për patriotizëm, apo atdhedashuri, por për para e karrierë...
Por nga ana tjetër përse emri i një këngëtareje duhet të bëhet simbol i një kombi apo populli. Ky komb, ky popull nuk ka të tjerë njerëz me vlera përveç kombëtares së futbollit apo dy këngëtareve?
Siç duket jetojmë në një epokë ku vlerat e vërteta kanë humbur apo po zhvlerësohen. Nuk është normale për një shoqëri moderne që emri i atij që i dha pavarësinë apo krijoi kombin të jetë më pak i rëndësishëm se emri i një këngëtareje, futbollisti, apo aktori.
Por fenomeni nuk është ekskluzivisht shqiptar. Grekët kanë Haristean e Paparizun, anglezët Beckhamin, gjermanët Shumakerin.
Shqiptare gjithsesi është hiperbolizimi.
Shoqëria shqiptare është kaq e etur për suksese saqë është e zonja që ta kërkojë e ta ngrejë në piedestal edhe në rrugët që s’janë gjithmonë të drejta. Dhe suksesi nxit të tilla ndjenja saqë shpesh herë harrohet shumë shpejt se çfarë u arrit dhe nga kush.
Dhe suksesi nuk është kur dikush di t’i bjerë topit më mirë se moshatari i tij, as se di të këndojë më mirë se ata që ia marrin këngës për qejf.
Por në jetën tonë, mirë apo keq, nuk ka përgjigje të padhimbshme. Dhe për këtë arsye shoqëria jonë merr gjithmonë përgjigjet që i meritojnë në pyetjet që bën. Nga çasti kur konsiderohet kaq e rëndësishme të jesh Ledina apo Anjeza, ia vlen të bësh gjithçka që të arrish ato. Për këtë arsye edhe Ledina e Anjeza nuk janë patologjia e sistemit të vlerave. Janë fizionomia e sistemit të vlerave...
Si puna e atij që u propozua për “Qytetar nderi” nga një fshat. Por fshati (megjithë respektin për fshatin e fshatarët) nuk mund të propozojë për qytetar nderi, në rastin më të mirë mund të propozojë për “Banor nderi”, që të mos them “Fshatar nderi”!
Dhe çfarë ngelet? Një vend i shtatë; një vend i shtatëmbëdhjetë, jashtë Botërorit, një titull i pavlerë, etj, etj. Emra që harrohen lehtë, piedestale me heronj që zëvendësohen dita-ditës. (Megjithëse edhe unë votova për Ledinën gjashtë herë)
Shpresoj që Vaterloja e Heronjve të xhepit të na mësojë modesti e vetëpërmbajtje. Por nuk jam i sigurtë. Për arsyen e thjeshtë se heronjtë e xhepit janë produkte të një sistemi që jeton e ushqehet nga prodhimi i tyre...
P.S.: Studentët e Dhjetorit s’kanë asnjë piedestal, bile, piedestali i tyre është ende bosh. Ata luftuan që të tjerët sot të krijojnë heronj xhepi?..

Gjuha, mjet mbijetese apo integrimi

Gjuha, mjet mbijetese apo integrimi
Shkruan Ardi Stefa
Shkas për t’u shkruar ky artikull ishte një bisedë që kisha me disa grekë, miq e të panjohur në një tavolinë në Plaka. Diskutimi kishte marrë zjarr në lidhje me tema të ndryshme të jetës politike e sociale në Greqi, kryesisht në lidhje me integrimin e emigrantëve dhe të drejtat politike e sociale që emigrantët duhet të kishin. Dikur, gjatë bisedës njëri prej grekëve, me të cilin nuk kisha edhe aq fort koinfidencë m’u drejtua: “E flet greqishten fort mirë. Urime! Jeni vorio-epirot?”. Edhe miqtë e mi pohuan: “Po, po e flet shumë mirë”!
Jam shqiptar, iu përgjigja. U bëra gati t’i thosha se e kisha mësuar greqishten këtu, pasi ishte mënyra e vetme për të mbijetuar në një vend të huaj, por se ende nuk e flisja si gjuhën shqipe, por diçka më mbajti. Doja t’i thosha se i kisha kapërcyer kompleset e “të qenit” e të idenditetit, por përsëri diçka më mbajti, megjithëse e kuptova që pyetja m’u bë pa të keq.
Nuk ishte më ajo ndjesia e krenarisë që provoja (dhe që provojnë pothuajse të gjithë emigrantët) në vitet e para të emigracionit kur na thoshin një gjë të tillë, apo kur na thoshin se nuk ngjanim me të huaj. Mund të them se konstatimi për gjuhën që e flisja mirë, më krijoi brenda vetes një sërë ndjenjash të ndryshme, jo fort të këndshme, të cilat më bënë të mendohesha.
Aty, gjatë bisedës nën këmbët e Akropolit, konkludova se njeriu kufizohet nga kufij të dukshëm e të padukshëm, të prekshëm ose edhe jo. Aq më tepër emigranti. Emigranti nuk duhet të kapërcejë vetëm kufijtë gjeografikë ndërmjet dy shteteve, për të thënë se ka emigruar. Duhet të kapërcejë edhe shumë kufij të tjerë. Duhet të kapërcejë kufirin e gjuhës, e cila në vitet e para të emigrimit me të vërtetë që mundet të jetë mjet mbijetese, por me kalimin e kohës bëhet domosdoshmëri integrimi. Nëpërmjet gjuhës së vendit të cilin ka zgjedhur për të emigruar, emigranti vendos urat lidhëse me shoqërinë e vendit, atdheut të ri. Nëpërmjet gjuhës ai fillon të bisedojë e kuptojë jo vetëm ç’ka thuhet përreth tij, por edhe të kuptojë mentalitetin, mënyrën e të menduarit e të vepruarit të vendasve. Nëpërmjet gjuhës që mëson, ai ka mundësi të dëgjojë e kuptojë, të thotë mendimin e tij për ato që beson, të dialogojë e të mos rrijë vetëm duke dëgjuar atë ç’ka thonë të tjerët.
Pra, komunikon me veten dhe të tjerët, me gjithë shoqërinë.
Emigranti duhet të kapërcejë kufijtë e dukshëm dhe të padukshëm, kufijtë gjeografikë dhe kufijtë e gjuhës, por edhe kufijtë e idenditetit. Nuk janë të paktë ata emigrantë që mburren e “krenohen” se e dinë mirë greqishten dhe kur kur vjen koha që t’i përgjigjen një pyetjeje të thjeshtë “Çfarë ndiheni, shqiptar apo grek?”, ngecin. Ngecin, megjithëse shpesh herë marrin përsipër të përfaqësojnë të gjithë emigrantët shqiptarë nëpër “debate” televizive.
Në rast se thonë shqiptarë shpesh herë ndeshin në pakënaqësinë e vendasve, megjithëse mundet t’i kenë edhe miq. Në rast se thonë grekë, ndeshin në buzëqeshjet ironike edhe të vetë miqve të tyre më të afërt. Në rast se thonë “Edhe shqiptarë edhe grekë”, atëherë për vendasit janë anormalë, hibride të modifikuara gjenetikisht.
Por me shqiptarët ndodh një dukuri e veçantë. Në shumicën e rasteve krenohen të thonë se kanë ngelur ata që ishin edhe në atdheun e tyre. Pyetja është se si kanë ngelur? Në ata që ishin në vitet ’80-të, në vitet ’90-të? Natyrisht është e drejta e tyre të deklarohen si të duan, por ata duhet të kuptojnë se, në fakt, janë krejtësisht të dështuar, që kanë ngelur ashtu si ishin dikur në atdheun e tyre. Kjo do të thotë me pak fjalë se ata njerëz, megjithëse kanë kaluar kufijtë gjeografikë, është njëlloj si të mos kenë udhëtuar kurrë, të mos kenë parë botë me sy, të mos kenë takuar askënd veç vetes së tyre. Bile, edhe me veten e tyre është e dyshimtë në janë takuar e dialoguar. Është njëlloj si të kesh frikë të ndeshesh e të dialogosh me të panjohurën, me të renë, e të ngelesh i ngërthyer pas së vjetrës...
Këto ishin disa nga mendimet, që më erdhën në mendje atë pasdite nën këmbët e Akropolit, tek bisedoja me miq e të panjohur grekë, duke pirë kafe...
Natyrisht që mendimet e mia janë të hedhura në letër bruto dhe duan shtjellim të mëtejshëm, por le të jenë këto mendime, një ftesë për çeljen e një dialogu...

Çfarë jemi në Greqi: Qytetarë apo mysafirë?!...

Çfarë jemi në Greqi: Qytetarë apo mysafirë?!...

Ardi Stefa

Përpara disa ditësh më ndali në rrugë kryetari i një shoqate e përfaqësues i disa të tjerave dhe, filloi të protestonte ndaj tezave që kisha ngritur në shkrimin e numrit të kaluar në gazetë. Pas disa pak minutash debati me kryetarin, i cili mburrej me mungesën e shkollimit të tij, sepse gjithë jetën ishte “klasë punëtorë”, kuptova se kur bën shkrime për njerëzit e ekuilibruar e të mençur, rrezikon të quhesh tradhtar e bukëshkelës nga injorantët. Nga ata që nuk e kuptojnë se patriotët e intelektualët e vërtetë janë ata që janë kritizerët më të rreptë të atdheut, vetvetes e atyre që i rrethojnë.
Gjithçka nisi me një pyetje që shtroja në shkrimin e mëparshëm: Çfarë ndiheni: Shqiptarë apo grekë?
Sipas kryetarit patriot një pyetje e tillë as që duhet shtruar, pasi ne jemi shqiptarë dhe këtë s’e luan as topi! Bile për të mbrojtur idenditetin kombëtar kryetari, i cili kishte kthyer disa gota, më la përshtypjen se si Selam Musai ishte gati që t’i vinte gjoksin topit!
Nuk kam gjë as kundër këmbënguljes për ruajtjen e idenditetit, (bile jam njëri nga ata që ka shumë vite në Greqi, që flet e shkruan publikisht e jo kafeneve për Shqipërinë e shqiptarët, për vuajtjet, shtypjet e të drejtat e tyre) e as kundër topave, qofshin këta edhe të Selam Musait.
Veçse kam një gjë për të theksuar!
Nuk janë të paktë ata emigrantë normalë shqiptarë që megjithëse “vuajnë” në Greqi, kur shkojnë në Shqipëri, nuk flasin keq për vendin që kanë zgjedhur për të jetuar dhe anasjelltas, kur janë në Greqi nuk flasin keq për Shqipërinë ku u lindën e u shkolluan. Kjo gjë sjell reagime në të dy anët e kufirit: Në Shqipëri i shohin si anormalë dhe tradhtarë, ndërsa në Greqi ose u kërkojnë që të zgjedhin se çfarë janë (shqiptarë ose grekë) ose u pështyjnë në fytyrë shprehjen aq të përhapur vitet e fundit: Grek nuk do të bëhesh kurrë, o shqiptar!
Në të dy rastet përfundimi është i njëjtë: O me ne, o kundër nesh! Rrugë të mesme nuk ka!
Thua se jemi në luftë. Thua se Lufërat ballkanike ende s’kanë përfunduar!
Por, zoti kryetar, jam i bindur se ka edhe një rrugë të mesme, e cila është më e drejta. Secili prej nesh flet e deklarohet ashtu siç e ndien, flet e mbron idenditetin apo idenditetet individuale që ka zgjedhur. Pasi secili duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e përzgjedhjes së tij në rast se nuk dëshiron të jetojë nën diktaturën e mentaliteteve të tejkaluara nga koha, të mentaliteteve të urrejtjes e së kaluarës...
Sepse, zoti kryetar, secili prej nesh duhet që të vendosë se çfarë është në Greqi: Qytetar apo mysafir?
Në rast se do të zgjedhë qytetarinë atëhere duhet të çlirohet nga komplekset, pasi fjala qytetar pëmbledh në brendësi edhe kuptimin e të qenit i përhershëm, i barabartë, me të drejta.
Në rast se do të zgjedhë të qenit mysafir, atëherë më vjen keq, por përjetësisht do të ngelet i përkohshëm, as andej e as këtej.
Nuk e di nëse kryetarin e sqarova atë pasdite të hëne, por përfundimi ishte ky: Ekzistojnë tre kategori emigrantësh:
Ata që do të ngelen me një atdhe: atë nga e cila erdhën. (Këtu përfshihen ata që e kanë ndier dhe e ndiejnë veten të lidhur me atdheun që lanë pas, me rrugët e gurët. Këta janë prindërit tanë që edhe gjuhën s’e kanë mësuar, edhe punë s’kanë, edhe vendi ku lindën i thërret më fuqishëm se të tjerët.)
Ata, të cilët do të kenë dy: atdheun nga erdhën dhe vendin që zgjodhën për të jetuar vetë e me fëmijtë e tyre. (Këtu bëjnë pjesë ata që dashur padashur u integruan ose po integrohen. Blenë një shtëpi, një makinë, kanë punë, fëmijtë u shkolluan e krijuan familje mikse me vendasit...Ata që tashmë kanë filluar ta shijojnë jetën).
Ata, dhe këtu përfshihen emigratët e brezit të tretë, fëmijtë tanë, nipërit e mi, etj, të cilët do të kenë vetëm një atdhe, vendin ku u rritën. Vendin, të cilin dikur prindërit e tyre e zgjodhën për të emigruar. Në rastin tonë Greqinë.
Kjo është historia botërore e emigracionit për shekuj me radhë.
Të gjithë ata që thonë të kundërtën s’e kanë idenë se ç’do të thotë emigracion, dhe akoma vazhdojnë me një trajtim folkloristik të nocionit dhe të thelbit të emigracionit, identitetit kombëtar e të patriotizmit.

Profesioni? Patriot!

Profesioni? Patriot!

Ardi Stefa

Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, përcaktohet se patriot është ai i cili me punën dhe veprën e tij ndihmon në mbarëvajtjen e kombit, në ruajtjen e pavarësisë e integritetit territorial, ai, i cili është i gatshëm që për atdheun të japë edhe jetën e tij e të familjes së tij...
Pothuajse i njëjti shpjegim jepet edhe në fjalorin më të fundit të greqishtes të publikuar nga Babinjoti.
Personalisht nuk kam ndonjë kundërshtim për këtë lloj shpjegimi, por gjithmonë ideja ose përcaktimi i të qenit dikujt patriot më është dukur demode. Pasi patriotët gjithmonë i kemi lidhur me gjakun, luftërat, betejat, me të lindurit e të palindurit ende, të vrarët apo të burgosurit, martirët e gjallë apo të vdekur.
(Çudi! Gjatë gjithë jetës ime s’kam parë asgjë nga këto. Ah, gjak kisha parë, kur therreshin pulat e detit për Vit të Ri. Kisha parë edhe një herë tjetër kur tribunashët ngritën turmat të merrnin pushkët e të vrisnin njëri-tjetrin.)
Kam parë e njohur shumë “patriotë”! Nga ata që rrinë gjithë ditën kafeneve e klubeve, nën tymin e duhanit e avujt e alkoolit të hidhen në zjarr për Shqipërinë e shqiptarët. Të kritikojnë e të shajnë çdo mendim të kundërt me të tyrin (më saktë ata që i shprehin ato). Për ta të gjithë ata që kanë mendime të kundërta ose kritikojnë kombin e “personalitetet”, apo figurat historike, nuk janë gjë tjetër veçse tradhtarë, hibride, agjentë në shërbim të turkut apo të grekut. Dhe vazhdojnë me një trajtim folklorist të patriotizmit, dashurisë për atdheun dhe harrojnë se historia nuk është përrallë, por mbi të gjitha është shkencë është mendim kritik. Se historia shkruhet në shumë trajta në epoka e kohë të ndryshme. Rëndësi ka të mos jemi robër të njërit, apo të tjetrit këndvështrim historik, veçanërisht, kur ai kryhet nën prizmin e një ideologjie të caktuar...
Ka edhe një lloj tjetër patriotizmi, i cili është po aq i fortë, po aq shpresëdhënës e po aq aktual e i dobishëm, sa patriotizmi në nocionin leksikologjik e historik të fjalës. Është patriotizmi i sotëm, ai që ka të bëjë me tolerancën, dashurinë për njeriun, fqinjin, bashkëjetesën e integrimin. Patriotizëm është edhe përpjekja për të krijuar idenditetin tonë “kapërcyes”, tejkalimin nga varfëria ekonomike, por mbi të gjitha nga varfëria shpirtërore, që në shumë raste e shndërron atdheun në një magazinë mitesh të shoqëruara me revanshizëm e urrejtje.
Lexuesi le të gjejë veten se në cilën kategori patriotësh bën pjesë. Unë për vete bëj pjesë në kategorinë e dytë, në atë të patriotizmit bashkëkohor, tolerant e integrues dhe jo në atë lloj patriotizmi folklorik që përçojnë e trumbetojnë patriotët e kafeneve. Sepse, miqtë e mi, nuk bëj pjesë në atë kategori pseudoshqiptarësh, gjasme shqiptarësh, gjysmëshqiptarësh... Nuk bëj pjesë në atë kategori pseudodemokratësh, gjasmedemokratësh, gjysmëdemokratësh; pseudointelektualësh, gjasmeintelektualësh, gjysmëintelektualësh...
Sepse, fort i nderuar lexues, duhet ta dini mirë se të gjithë ata që flasin për patriotizmin e hidhen në “zjarr” kafeneve për kombin, zakonisht vetëleqendisen përpara eprorëve vendas e të huaj. Veshin kostume europiane, e, nga ana tjetër thërrasin “Dum Babën”, u ngrefosen vartësve e u përulen e u përshtirosen të huajve e eprorëve vendas.
Për fat të keq Shqipëria, si brenda kufijve ashtu edhe jashtë saj është e mbushur me të tillë patriotë. Që janë të përulur e kryelartë, arrogantë e puthadorë, pa ideale, mosmirënjohës, besnikë e tradhtarë njëkohësisht...
Demokratë me Berishën, socialistë me Nanon, komunistë me Milloshin...
Pederastë, po e kërkoi moda e të virgjër e shembuj të gjallë morali të përkryer më pas, narcistë e onanistë, që bëhen synet në xhami, e pagëzohen në kishë, myslimanë në Turqi, kristianë në Athinë e Romë, që i falen bythëpërpjetë Muhametit e i puthin dorën Papës...
Të gjithë këta të hidhen në grykë po qe se vë në dyshim patriotizmin e tyre!...
E, në rast, se patriotizmi është i një trajte të tillë, është vetëm glorifikimi i së kaluarës, historisë apo edhe emrave, më falni, por unë nuk jam patriot!
Unë jam me ata patriotët e tjerë, që në koncertin e tre tenorëve, u përlotën e qanë me dënesë kur dëgjuan “Po ku ka si ty, moj Shqipëria ime/ moj fisnikja përmbi gur...”, e këndonin me gjithë zemër. Jam me ata patriotët e tjerë që shoqëronin me duartrokitje kur dëgjuan këngët greke, ashtu si ato shqiptare e të huaja.
Sepse patriotizmi ynë është më i vërtetë se i të tjerëve, është i ngritur në dy shtylla: dashurinë dhe kujtesën!...
Dhe jo në ideologjinë, apo idenë e të dukurit patriot!...

Τετάρτη 30 Ιανουαρίου 2008

A ka histori dashuria?


A ka histori dashuria?
Ardi Stefa
Dashuria (erotizmi) është e kundërta e mitit të ngritur rreth saj: është e përkohshme dhe jo e përjetshme, autarkike dhe aspak demokratike
Tek femra bashkohet Eva dhe Shën Maria, të cilat tashmë ftohen të bashkëjetojnë paqësisht, pa i marrë meritat apo edhe mëkatet njëra-tjetrës.
Për dashurinë shkruajnë kryesisht shkrimtarët dhe poetët. Natyrisht që me të janë marrë edhe filozofët dhe në shekullin e njëzetë edhe psikologët. Për dashurinë shpesh herë shkruhet pa e njohur, pa e provuar, si diçka fluturake dhe jo e qenësishme, si diçka e shpirtit dhe jo e trupit, pa hyrë në thelbin e saj, në natyrën dhe evoluimin nga epoka në epokë...
Megjithatë, dashuria përbën njërën nga fushat, e cila është studiuar më pak shkencërisht- përveç biologjisë dhe mjekësisë, të cilat janë marrë me me shprehjet dhe shfaqjet e “instikteve gjenetike”.
Dhe megjithatë ndjenja e dashurisë dhe sjellja erotike nuk përbëjnë një realitet të pandryshueshëm biologjik, një natyrë të pandryshueshme, të pashmangshme dhe të përcaktuar. Ato janë shprehje e një zhvillimi politik, social, ekonomik dhe kulturor. Për këtë arsye edhe mënyrat me të cilat shprehet dashuria janë historikisht të përcaktuara. Modelet fantastike dhe praktikat sociale të dashurisë i nënshtrohen një evolucioni të vazhdueshëm, të cilën një historian mundet ta ndjekë, ta përshkruajë, ta shprehë e ta komentojë. Dhe antropologët duke studiuar sistemet e ndryshme kulturore ndikojnë në përcaktimin dhe shpjegimin shkencor dhe në përgjithësi me ç’mitizimin e një ndjenje të mitizuar.
Ashtu siç ndodh zakonisht, ne realitet dashuria (erotizmi) është e kundërta e mitit të ngritur rreth saj: është e përkohshme dhe jo e përjetshme, autarkike dhe aspak demokratike, është egoiste dhe aspak altruiste. Këto të dhëna e ndajnë erotizmin nga dashuria, ndjenjë e cila lidhet më tepër me miqësinë, ngrohtësinë, mbështetjen.
Dashuria, pra, ka historinë e vet dhe në këtë histori hyjnë edhe kodet dhe vlerat, fjalët dhe gjestet, teoritë mjekësore dhe praktikat.
Norbert Elias e ka përshkruar ndryshimin në sjelljen erotike në Perëndim në kuadrin “e një ndryshimi kulturor (civilizim)”, i cili karakterizon kalimin nga shoqëria “oborrtare” në atë urbane të shekujve 18-19-të.
Në këtë periudhë fillon të shfaqet modeli i ndjenjave të mbyllura erotike dhe seksuale, të cilat vërehen në “paraskenat e jetës shoqërore” dhe që kufizohen brenda familjes. Në këtë periudhë fillon të mbizotërojë edhe frenimi dhe një farë “disiplinimi” i ndjenjave seksuale.
Natyrisht që përpara kësaj periudhe ka qenë Mesjeta, ku shprehja e ndjenjave dhe seksualizmi ishin të ndaluara prej Kishës, e cila e kishte lidhur ndjenjat dhe dëshirat e mishit ndërtheheshin me një frikë të theksuar metafizike. Fajësimi i seksualitetit mbështete në këtë epokë me demonizimin e instikteve erotike dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme të organeve gjenitale, si një dënim qiellor që u behej mëkatarëve...
Sipas Kirkengard, ndikimi thelbësor i Kristianizmit në kulturën perëndimore dhe qytetërimin perëndimor, vërehet në armiqësinë ndërmjet shpirtit dhe mishit, gjë që përcakton dhe ritmizon në mënyrë të rëndësishme marrëdhëniet tona me dashurinë.
Në shekullin e nëntëmbëdhjetë shembull karakteristik është Anglia viktoriane, ku morali përcaktohet në bazë të sjelljes seksuale. Modeli urban i femrës “Frixhide” (të ftohtë), kultivimi tek vajzat e reja i injorimit të trupit të tyre dhe i turpit, veprimtaritë filantropike për mbrojtjen e femrës- viktimë të cinizmit mashkullor, dëshmojnë për disa sjellje erotike të kësaj epoke.
Sipas mendimit të përgjithshëm që mbizotëronte në shekullin e 19-të, kuptimi i ndjenjës erotike- dashurore, kalon nëpërmjet kuptimit të “natyrës” së femrës. Sipas saj idenditeti i femrës, i cili në qendër të gjithçkaje ka zemrën, lidhet me delikatesën, ndjenjën, emocionin.
Nga ana tjetër, si bijë e EVËS, por edhe si bijë shpirtërore e Shën MARISE, femra paraqitet si një qenie me natyrë të dyfishtë, sa të qetë, aq edhe të dyshimtë, sa të urtë aq edhe të rrezikshme.
Kodi fetar që përdoret për përshkrimin e natyrës femërore gjendet edhe në retorikën e dashurisë romantike, e cila mbizotëron në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Pamja e fytyrës (personit) të dashur si “Krijim hyjnor” që “adhurohet”, kërkimi i pakuptueshëm shumë herë i të përkryerës dhe rrëfimi i ndjenjave dhe ai erotik, i cili ngelet në kuadrin e një rrëfimi ndjenjash mistike, (adhurimi i bukurisë së jashtme, moskërkimi i një dashurie të ndërsjelltë, pastrimi nga ndjenjat e ulëta të mishit dhe kontaktit trupor), i përkasin të gjitha idiomave fetare.
Dashuria romantike është gjithashtu një dashuri e përcaktuar qartë dhe me karakter të theksuar klasor, përderisa bota e të varfërve, e bujqve, etj, konsiderohet si e paaftë që të ketë atë shpërthim dhe delikatesë ndjenjash që kanë aristokratët, qoftë edhe për shkak të mënyrës së tyre të thjeshtë të jetesës..
Klasat e ulëta në përgjithësi në këtë epokë akuzoheshin për mungesë morali dhe lëshim të vlerave të qenësishme mbi të cilat ishte ndërtuar shoqëria, nga një klasë urbane, e cila kishte ndikuar në vendosjen e një morali të vet, e cila e dallonte si nga aristokracia, ashtu edhe nga klasat e ulëta të shoqërisë.
Megjithatë, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë fillon të shfaqet “shfajësimi” i seksualizmit nëpërmjet përparimit të shkencës dhe të mjekësisë, të cilat në mënyrë graduale, kurojnë me sukses sëmundjet afrodisiake, por edhe nëpërmjet metodës së psiko-analizës, e cila u heq dhe i lehtëson nga pesha e ndjenjës së fajit.
Në shekullin e 20-të dhe si “revolucion seksual” i dekadës së viteve ’60 shfaqen sjelljet erotike, të cilat janë krejtësisht të huaja për sistemin kulturor kristian. Në dekadën e viteve ‘80, vite kur letërsia pornografike do të njohë kulmin në Perëndim, revistat femërore botojnë “receta” të kënaqësisë erotike, apo se si një femër mundet “të mbajë mashkullin e një mbrëmjeje”, apo se si të ndjejë kënaqësinë seksuale, etj, etj. Tek femra tashmë bashkohet Eva dhe Shën Maria, por edhe Maria- Magdalena, të cilat ftohen të bashkëjetojnë paqësisht, pa i marrë meritat apo edhe mëkatet njëra-tjetrës.
Çështja qëndron se si konceptohet dashuria (erotizmi) në epokën tonë: si adhurim i shpirtit, apo si adhurim i mishit dhe i kënaqësisë fizike? Janë të dyja së bashku dhe asnjëra veç e veç.
Dhe në 14 shkurt rrëfimi erotik riprodhohet në mënyrë masive në gjithë botën nëpërmjet një fjale apo edhe fraze të shtypur nëpër kartolina...

Τετάρτη 9 Ιανουαρίου 2008

Me kufje…

Me kufje…
Çfarë dëgjojnë njerëzit duke ecur nëpër rrugë me kufjet në veshë? Presin ndonjë telefon në celularin e tyre? Dëgjojnë lajmet në radio? Dëgjojnë këngë nga mp3, ndënj miks muzikor që ua ka përgatitur një njeri i dashur? Dëgjojnë këngë që janë shndërruar tashmë në klasike, apo janë hit-e të kohës?
Përpiqem të dalloj se çfarë aparatesh përdorin duke parë me vëmendje kufjet. Është celular? Është mp3 player? Nuk është e lehtë, pasi tashmë shumë celularë janë edhe mp3. Dalloj nga ngjyra e bardhë e kufjeve aparatet iPod, nga ngjyra e zezë dhe e blertë kufjet e SonyEricsson, pasi kablli i tyre gjithmonë përfundon në një xhep apo në brendësi të një çante.
Çfarë është duke dëgjuar ai adoleshenti, me flokët e ngrirë si gozhdë përpjetë nga xheli, apo me flokët e lëshuara mbi fytyrë, si all star? Çfarë i këndon në vesh aparati vajzës adoleshente të veshur në stil gotik, që lëkundet nën tingujt e muzikës, duke u mbajtur tek shtylla metalike e vagonit? Muzikën e sinkronizoi me bitin gjumëvënës të trenit. Nuk mundem të kuptoj se çfarë po dëgjoj ajo gruaja rreth të dyzetave, me manikyrin e stërmunduar nëpër gishta. Thjesht jam në gjendje të dalloj se është tepër e lodhur nga tetëorëshi. Ndoshta po mendon për fëmijtë që duhen larë e pastruar, që duhen ushqyer dhe duhen bërë gati për në shkollë ditën e nesërme...
Enigmatik është edhe ai zotëria me kravatë dhe me kapardinë të ngrirë dhe me kufjet e bardha. Edhe ai ndodhta po dëgjon në iPod. Po sjell ndër mend Who apo Grateful Dead. Mister...
Të përgjumur lëvizin vagonat mbi shinat e lagështa, përkundin njerëz që dëgjojnë e lëkunden sipas ritmit të muzikës apo lajmeve, u murmurisin këngën industrial të tyre, të gjithë atyre që nuk kanë zakonin e të vendosurit kufje në vesh. Por edhe unifikohen: unifikohet dogitja e rrotave nëpër shina, me tingujt electronica. Të njëjta rrahje në minutë 120 bpm. Llampat e neonit të vagonave, ndriçojnë fytyrat e pasagjerëve me një dritë të jashtëkohshme, ngrijnë gjithçka, tregojnë thinjat dhe rrudhat, reflektojnë në inoks dhe xhupa lëkure, ngrijnë rrobat, por edhe jetën për një çast, e cila është krejtësisht e shkëputur dhe e veçuar tek të gjithë pasagjerët.
Dhe izolimi i të izoluarve vazhdon në një video që përsëritet e përsëritet gjithmonë, me të njëtn pamje, por me fytyra të tjera, me kontrastin e lartë, me montazhin e çuditshëm...
Dhe njerëzit vazhdojnë të dëgjojnë një miks të ndërtuar me rock, pop, popullore e të përpunuara, buzuqe dhe çiftatele.
Në çdo stacion hyjnë të tjerë njerëz, që ashtu të izoluar nga gjithçka përreth rregullojnë kufjet në vesh dhe rifillon nga e para një miks muzikor i pafundëm, me tinguj të rinj e të vjetër, me fytyra të reja, të freskëta apo të lodhura, që shkojnë nëpër shtëpira, apo nëpër takime të mbushura me premtime apo ambicie.
Gjithçka duket në saundtrack-un e shoqërisë urbane.
Njeriu në qytetin e madh, nuk dëgjon muzikë, ecën dhe qëndron në qilima fluturues tingujsh muzikorë apo vargjesh. Pagëzohet në një ambient tingujsh të çuditshëm, ku aty- këtu shkëndijëzon edhe lirizmi i një kënge, ngjyra e një vargu, fjalët e shkëputura, të cilat krijojnë një melodramë, një himnizim të vetmisë dhe të fatit të paditur. Si tinguj të çjerrë nga një radio e vjetër, si melodi që kalojnë në sfonin e një filmi bardhë e zi...
Dhe njerëzit me kufje në vesh përjetojnë ndërkohë shqnërrimin e qytetit dhe të krejt shoqërisë: si nj skenë me veprimtari të shurdhët. Qyteti vë pamjet, njerëzit meloditëm vargjet dhe dialogjet. Mp3 i furnizon me pjesët më fantastike, të zbrazura nga bibliotekat e tejmbushura të internetit.
Celulari të ofron dialogje, i bën bisedimet edhe më intime të dëgjohen prej të gjithëvë në vendet publike. Kjo është skena.
Indiferencë dhe drama të vogla apo të mëdha, që luhen përditë nga njaeëz që fluturojnë përditë sa nga autobusi, në metro, sa nga treni, në ashensor dhe në shkallët rrëshqitëse, me vështrimin e stërvitur që të jetë bosh. Të gjithë shikojnë jatë dritares, ose drejt, majat e këpucëve, ekranin e celularit!...
Personalitete paralele, koincidenca vetmish? Ndoshta! Ndryshon vetëm kallëpi, transformohet me orët. Tjetër në mëngjes, tjetër në mesditë, tjetër në mbrëmje, tjetër në çdo stinë...
Besoja se isha i vetmi që po dëgjoja radion. Për nënën që prostituonte fëmijtë e saj, 7, 9 dhe 11 vjeç. Dhe që me ta shkonin jo vetëm i dashuri i saj 43 vjeçar; jo vetëm një plak 85 vjeçar, jo vetëm prifti i lagjes, por ndoshta e gjithë shoqëria.
Kufjet më rrëshqitën ga veshët. Në krahun tim dëgjoja një çik-çik-çik nga kufjet e atij që ishte pranë meje. U përpoqa të kuptoja se çfarë po dëgjonte? E kotë.
Më erdhi të ulërija e t’i detyroja të gjithë të dëgjonin lajmet me ngjarjen makabre, të nënës- përbindësh. E kotë. Çdo gjë që thashë nuk u dëgjua. Pasagjerët panë tek unë një njeri që çirrej si i marrë, por s’dëgjuan asnjë fjalë. S’i linin kufjet. Jashtë saundtrack-u i shoqërisë urbane.
E kotë. Vura përsëri kufjet në vesh...

Τρίτη 1 Ιανουαρίου 2008

Kur Odiseja nuk ka nostalgji për Itakën

Kur Odiseja nuk ka nostalgji për Itakën
A ju ka shkuar ndonjëherë në mendje që Odiseja nuk kishte pasur ndonjëherë nostalgji për Itakën, ndryshe nuk do të kalonte njëzet vjet larg saj?...

Pardje lexova një shkrim të Gazmend Kapllanit në internet, titullin e të cilit po e huazoj për këto radhë.
Ishte një shkrim i bukur, shkrim nga ata që mbartin ato ide, të cilat i kam shprehur edhe unë në faqet e gazetës, në radhët e komenteve e të “Autobusit...”, dhe që shpesh herë më kanë anatemuar, si tradhtar e jo partiot.
Nga ato shkrime që “patriotët” i kanë skandalizuar...
“Mësoj se çekët e përkthyen më së fundi njërin nga librat e Kunderës, të shkruar në frëngjisht. Në rast se informacionet e mia janë të sakta, bëhet fjalë për librin “Pavdekshmëria”. Këtu e disa vjet Kundera nuk shkruan më në çekisht. Dhe për këtë arsye bashkëpatriotët e tij i mbajnë inat.disa e akuzojnë se tradhtoi gjuhën amtare. Disa të tjerë se nuk vuan nga nostalgjia për atdheun e tij. Tani që thashë fjalën nostalgji, dua të flas për një anë të veçantë të saj. Është bela e madhe të gjendesh në pozicionin e emigrantit dhe të mos tregosh shenja nostalgjie për vendin e prejardhjes. Të shohin të paktën me dyshim. Në rast se je emigrant dhe deklaron se nuk vuan nga nostalgjia, shokon dhe skandalizon. Të shohin si absurditetin ekstrem. Emigranti tradicional duhet të digjet, domosdoshmërisht, nga meraku i rikthimit në Itakë.”
Të gjithë që kanë lexuar “Mosnjohjen” e Kunderës do t’u kujtohet Irena dhe dashnori i saj Gustavi. Që të dy emigrantë në Paris. Irena erdhi në Paris kur tanket sovjetike hynë në Pragë. Punoi shumë që të përshtatej në atdheun e saj të ri.. gustavi është biznesmen dhe erdhi në paris nga Suedia. Arsyeja që braktisi atdheun e tij, nuk ishte as diktatura e as varfëria. Thjesht nuk honepste qytetin ku lindi. Kur komunizmi u rrëzua nga Çekia, Gustavi mendon se së bashku me Irenën, tashmë mundet të vizitojnë Pragën. “Jam i entusiazmuar që do të shkoj në qytetin tënd”,- i thotë Irenës.
Dhe Irena përgjigjet: “Nuk është më qytetin im Praga!”.
Gustavi shokohet. Miqtë francezë të Irenës gjithashtu shokohen kur ajo bën deklarata të tilla. I befason fakti që ajo, një refugjate e varfër çeke, nuk vuan nga nostalgjia. Por Gustavin, i cili është suedez, askush nuk e shikon shtrembër, kur thotë se nuk do të shkelë kurrë këmba e tij në qytetin ku lindi. Përkundrazi, e shohin si një skandinav simpatik, kozmopolit, që harroi ku kishte lindur. Gustavi, le të themi, ishte “turisti”. Dhe si i tillë i lejohen “përzgjedhjet e lira”! Irena nuk është veçse një refugjate e varfër. Për ta simpatizuar duhet që të vuajë nga internimi larg atdheut të saj. Për ta simpatizuar duhet të nxisë e ndjellë mëshirën e të tjerëve. Nga momenti që as e nxit, e as e ndjell, ata që e simpatizojnëdo ti largohe. Do të thonë se është e çuditshme dhe ndoshta e dyshimtë.do të thonë se është edhe sfiduese.
Të thuash se nuk vuan nga nostalgjia, përbën një veprim përzgjedhjeje dhe lirie. Të tilla gjëra u shkojnë “turistëve”: suedezit, australezit, amerikanit. Jo pakistanezëve, jo shqiptarëve, jo indianëve. Këta nuk paraqesin asnjë lloj interesi, po qe se nuk “digjen” nga malli e nostalgjia.”
Emigrimi është një udhëtim i rrezikshëm dhe i dhimbshëm. Brenda tragjikes së saj, ekziston edhe një aë e bukur: takimi me të panjohurën. Ka njerëz që dashurojnë kthimin tek e njohura. Por ka edhe të tjerë që dashurojnë udhëtimin në të panjohurën. Odiseja nuk nxiton gjithmonë që të kthehet në Itakë...”
***
I pranoj pothuajse të gjitha ato ç’ka shkruan Gazi më sipër. Nuk do t’i përsëris, thjesht do të shtoj disa mendime të tjera. Edhe mua shpesh herë vetja më ngjan me Odisenë, por me një Odise, i cili kërkon përjetësisht, dhe që asnjëherë nuk e gjen Itakën. Ngjaj me një Odise të vetmuar, por me aq shumë shokë të ngjashëm në vuajtje; ngjaj me një Odise të poshtëruar, të harruar prej kujtesës së botës. Ngjaj me një Odise që ka duruar të gjitha llojet e fyerjeve e të poshtërimeve me shpresën se do të gjente dikur Itakën e vet. Por më kot!
Dhe vetja më ngjan me një të internuar, ashtu siç shkruante një shkrimtar turk, Nazim Hikmet: “Ah, sa profesion i vështirë është internimi!”. Vetja më ngjan me një të internuar në dy atdhe!
Po, po, në dy atdhe. Se atdheun prej nga ika e dua dhe nuk e harroj dot, por edhe nuk dua që të kthehem, ndërsa këtu, në atdheun e huaj, nuk jam i mirëpritur.
Kam filluar që të shkruaj përsëri. Është e çuditshme. Në shkrimet e mia, nuk jam më ai emigranti karakteristik shekullor, pavarësisht se kam ikur nga shtypja dhe kam ardhur në një tjetër shtypje. Nga shkrimet e mia kuptohet se kam vendosur, që këtu, në shtetin e huaj, të hedh rrënjë, rrënjë të thella e të qëndrueshme. Shkrimet e mia pëlqehen, sepse kanë një individualitet të veçantë, të ndërthurrur me globalizmin e shoqërisë së re, kanë një mënyrë të veçantë për të parë atdheun e ri, ashtu si edhe atdheun e mëparshëm, atë fizik. Që do të kthehet, po aq sa do të rrijë larg...
Kësaj here gjendem unë në mes...
Ironia e shkrimeve të mia ka një dimension të thellë ekzistencial, sepse ushqehet nga një përvojë dramatike: Nga rezistenca ime në presionin e kulturës dhe mentalitetit të vendasve që më rrethojnë, për të shkruar e për t’u sjellë, në mënyrë që të bëhem i pranueshëm nga ata.
Prandaj në shkrimet e mia, flet nostalgjia, nostalgjia e bukur dhe e mirë për një atdhe, të cilin e kisha humbur, kur fitova ndërgjegjësimin e botës dhe që e di se nuk do ta gjej kurrë. Megjithëse ndiej nostalgji, i përkas asaj kategorie që krahas nostalgjisë kërkon edhe udhëtimin, të panjohurën, kërkesën për të pasur "përzgjedhjet" e lira në gjithçka. Nuk e di se në cilën kategori duhet të vazhdoj apo preferoj të jem. Në atë të nostalgjikëve, apo në të atyre që nuk janë të infektuar nga kjo “sëmundje”. Në të dy rastet specie eksperimentimi do të jem...Vetë do të dua nostalgjinë, vendasit do duan të mos jem nostalgjik, por që do të më shohin me dyshim e mohim, kur nuk vuaj nga nostalgjia për atdheun...
... Ndoshta e keni kuptuar që unë nuk i kam dashur dhe as i dua kufijtë!
E kam fjalën si për kufijtë shtetërorë, ashtu edhe për kufijtë e dukshëm e të padukshëm brenda e jashtë nesh, kufijtë që na bëjnë të ndihemi gjithmonë të vegjël...
Kur isha i vogël shikoja një ëndërr, një ëndërr të njëjtë e të ngjashme që përsëritej çdo natë: “Shikoja veten time tek qëndroja përballë një kufiri, një muri të lartë, të cilin doja ta kapërceja e ta kaloja, por nuk e kapërceja e as e kaloja dot. Dhe nga dëshpërimi bija e bija gjithmonë dhe një ndjenjë boshllëku më pushtonte dhe gjithmonë zgjohesha me një dhimbje të fortë në lukth.”
Në gjimnaz më kritikuan e më nxorrën në fletërrufe, pasi në një hartim kisha shprehur frikën time për kufijtë e vegjël të Qytetit tim të madh sa një pordhë. “E bën pordhën në hyrjen e tij dhe kur ke shkuar në Ujin e Ftohtë e ndien erën të të shpojë hundët”,- shkruaja në hartimin tim, që u bë problematik dhe e bëri mësuesen e letërsisë që më donte aq shumë, të mos dinte ç’të bënte, ta kalonte në heshtje, apo të më akuzonte për agjitacion e propagandë!... Dhe mësuesja atëherë më kritikoi për prirjet pesimiste dhe frymën time dekadente.
Por hartimi im ishte metaforik dhe shprehte protestën dhe ndjenjën tonë të kufizimit e të asfiksisë në një qytet, i cili normalisht duhet të na krijonte ndjesinë e të qenit të lirë, pasi ishte qytet me mal dhe me det të pafund. Shprehte frikën që ndienim nga njerëzit dhe kufizimin që na kishin vënë kufijtë e dukshëm dhe të padukshëm të tyre.
Kam kohë, kam vite që të njëjtën frikë dhe dhimbje e ndiej edhe pse nuk e shoh më atë ëndërr. Tashmë nuk është nevoja që ta shoh ëndrrën, sepse edhe i zgjuar, kufijtë qëndrojnë përballë meje, kokëfortë, hakmarrës dhe me një egërsi të papërshkueshme nuk më lenë që t’i kapërcej.
Kjo frikë nga kufijtë, ndoshta do të duket e çuditshme, por mua më ka pushtuar vite të tëra. Një miku im më shkruante në adresën elektronike se kam filluar të vuaj nga sëmundje psikike, ndryshe nuk ka si shpjegohet kjo mania ime me kufijtë, tani që mundet të “lëvizim lirisht”.
Ndoshta ai ka të drejtë, por unë kam bindjen se më tepër të drejtë kam unë dhe jo vetëm unë, por të gjithë ata që mendojnë e ndiejnë si unë. Dhe, më beso, ata janë aq të shumtë...
Kufijtë po i ndiej gjithmonë e më shumë brenda meje dhe gjithnjë e më shumë e ndiej veten fajtor pa faj...
Kur shkoj në punë në pikë të mëngjesit dhe vështroj fytyrat e lodhura e të përgjumura të emigrantëve frikën e ndiej deri në palcë. Ndiej frikën e njeriut të ç’rrënjosur nga atdheu i vet dhunshëm, ndiej frikën e njeriut gjithmonë të padëshiruar në kufirin që presupozohet se ka kaluar, në atdheun e ri...
Shpesh herë e ndiej veten si Jozefi i “Procesit” të Kafkës? Me të vërtetë që e ndiej veten si personazhi i librit tonë të dashur në fillim të viteve ’90-të.
Që e ndiej veten si një njeri, i cili pret gjykimin e fundit dhe nuk e di se kur do t’i vijë, por që një gjë ka të qartë, verdikti për të është i përcaktuar që më parë...
Dhe as nostalgjia, e as mungesa apo mohimi i saj nuk na shpëtojnë dot.