Κυριακή 22 Ιουνίου 2008

Vija e gjakut







Vija e gjakut



Ardi Stefa
Si në çdo qytet tjetër të botës, edhe në Qytetin tonë, vrasjet, sidomos pas dhe gjatë Rebelimit të Madh Vëllavrasës, ishin bërë një gjë e zakonshme. Ashtu siç ishin bërë të zakonshme varrimet e përditshme dhe kortezhet e pafundme të njerëzve, të cilët, duket se nuk kishin me çfarë të merreshin dhe shkonin nëpër varrime, edhe të atyre njerëzve që nuk i njihnin fare. Pothuajse përditë kishte të vrarë dhe vrasës, të cilët pasi mburreshin, largoheshin nga sytë- këmbët. Pothuajse përditë kishte shi që binte nga qielli, një shi me baltë, një shi asfiksues, që duhej të largohej me lopata e kova, në mënyrë që të çeleshin varret, por edhe rrugët nga kalonin banorët që shkonin për t’i varrosur.
Një gjë ishte e sigurtë, ato kohë, të gjithë kishin përshtypjen se Qyteti përshkohej nga vijë gjaku, e cila fillonte nga vendi ku binin të vrarët, zgjidhnin rrugën më të shkurtër për të shkuar në në shtëpitë e tyre për të lajmëruar familjarët, për të dalë më pas nga shtëpitë i ndjekur nga nënat, motrat e gratë që ulërinin e çirrnin faqet dhe të përfundonte në qendër të Qytetit, aty ku gjaku bashkohej dhe krijonte një pellg të madh, i cili për shumë kohë qëndroi i patharë, jo në tokë, por në ndërgjegjen dhe mendjen e banorëve. Jo aq për numrin e të vrarëve, sesa për moshën e tyre të re.
Ashtu sikundër të gjithë kishin vënë re se shumë vija gjaku fillonin nga deti, për të ndjekur të njëjtin itinerar dhe për të përfunduar tek pellgu i madh në qendër të Qytetit.
Dhe nga numri i madh i të vrarëve i gjithë Qyteti kutërbonte një erë e një duhmë të tmerrshme vdekjeje e urrejtjeje, baruti e hakmarrjeje, e cila pluskonte shumë kohë më pas në ajër.
Dhe ky makth, kjo ëndërr e keqe që sillej pafundësisht në ajër e në ndërgjegjen e njerëzve, bënte që Qyteti të jetonte i tmerruar e të mos kishte gjumë. Netët ishin me pak gjumë, me një surrogat gjumi, të gërricur nga motive të frikshme, siç mund të jenë netët e një Qytet, ku mijëra njerëz prisnin ndëshkim. Qyteti e banorët e tij e ndienin instiktivisht dhe turbullt se sa kohë që Qyteti të qëndronte ashtu, në horizont të jetës së tyre, as urrejtja, as dashuria nuk ngjizeshin dot. Në shpirtrat e banorëve të Qytetit diçka bëhej ose zhbëhej. Ashtu ndërronin edhe ndjesitë e tyre ndaj Qytetit. Një ditë e adhuronin përkryerjen e tij, donin veç të ishin pjesë e atij rregulli e, të nesërmen e mallkonin. E bënin fajtor për gjithçka, pastaj prapë shkriheshin nga adhurmi për t’u nxirosur të nesërmen nga urrejtja...
Por edhe Qyteti ishte i çuditshëm...
Ai kërkonte një gjë tjetër, diçka me të cilën njerëzit të merreshin ditë e natë saqë të harronin vetveten. Por gjithçka dukej se po përçudnohej. Vijat e gjakut bëheshin edhe më të shpeshta... Këmbanat e alarmit binin gjithnjë e më fort. Qyteti po shqetësohej. Idetë kërkonin korrigjime. Turma pa tru betoheshin. Uria fizike dhe shpirtërore po trokiste pa dinjitet. Banorët po katandiseshin keq e më keq; të mençurit vdisnin duke ëndërruar, engëlloret ktheheshin në prostituta, të tjerët vetëvriteshin përpara të marrëve. Banorët e kuptonin tashmë se ndodheshin sa përpara të kaluarës, aq edhe përpara të ardhmes. Përgjithësisht, Qyteti, në kërkim të Vetvetes dhe Shpëtimit e kishte humbur gjumin, mbi vijën e gjakut që qelbej e u merrte frymën.
Edhe vrasësit e kishin humbur gjumin, ashtu si i gjithë Qyteti. Ngriheshin natën dhe ecnin si somnabulë sa andej- këtej, derisa ata që kishin vrarë u vinin duart mbi kokë e supe e i përmendnin për t’u lënë ndjesinë e tmerrshme të fajit.
Qyteti vuante nga një brerje kolektive ndërgjegjeje. Torturohej nga shpehja e trishtimit, pyetjet e pafundme të të vdekurve, nga malli i pafundëm i tyre për të gjallët. Të binin për gjumë torturoheshin nga makthet, të rrinin zgjuar krimet u vinin përpara sysh dhe nuk mundeshin të harronin. Dhe askush nuk e dinte se ç’duhet të ndodhte që të çliroheshin nga këto makthe. Duhet të rrinin të pagjumë për shumë kohë, të vuanin me ndërgjegje mungesën e gjumit e të fajit që u rëndonte, apo të bënin ndonjë gjë tjetër, që askush, megjithëse thoshte se duhej bërë, nuk e dinte...
Një pjesë e banorëve të Qytetit zgjodhi rrugën që kishte zgjedhur shumë shekuj më parë Hose Arkadio Buendia, për të gjetur Makondon e largët: Largimin për të harruar dhe fillimin e një jete të re!
Diku larg, në një tjetër vend, të krijonin një tjetër Qytet, ku ende nuk ishte kryer mëkati i Adamit dhe i Evës...
Por më kot! Vite më pas, të larguarit u kthyen përsëri në Qytet, ndoshta me më pak plaçka nga sa kishin marrë me vete kur e kishin braktisur, por më të pjekur, më të mençur, më të vendosur...
Ecnin të heshtur e kokëulur, aty ku më parë kalonte vija e gjakut, aty ku më parë kalonin vijat e gjakut dhe kërkonin, atë që u përkiste nga makthi dhe çlirimi...

1 σχόλιο:

Ανώνυμος είπε...

Pershendetje Ardi!
Kam pershtypjen se kjo ese ben fjale per ngjarjet e 1997-es ne Vlore dhe ne Shqiperi, apo gaboj. Urime.