Κυριακή 5 Οκτωβρίου 2008

BIRTH


Ardi Stefa

Thuhej se në Qytetin tonë, në fillimet fare, atje ku e kishte legjendën e zanafillës, të gjithë banorët ishin të lumtur e jetonin në harmoni të plotë. Të gjithë bënin çfarë t’u donte qejfi dhe ishin shumë të kënaqur, përveç kryetarit të Qytetit, i cili ishte njeriu më i palumtur e më fatkeq, pasi, megjithë, postin e detyrën e tij, nuk kishte se çfarë të bënte, nuk kishte çfarë të qeveriste.
Burgu ishte bosh, gjykata nuk punonte kurrë, sepse nuk kishte krime, noterët vrisnin miza gjithë ditën e ditës, pasi askush nuk shkonte tek ata që të noterizonte pronat, borxhet, vendimet...
Fjala e dhënë dhe shtrëngimi i dorës kishin më tepër vlerë. Besa ishte në gjithë madhështinë e vet...
Kryetari i Qytetit vriste mendjen se si të punonte e të ushtronte pushtetin që i kishin dhënë ligjet dhe banorët me votën e tyre.
“Këtu mungon pushteti”, konkludoi ai dhe filloi të përpiqej me çdo kusht që t’i bënte bashkëqytetarët e tij që ta dëgjonin, t’u bindeshin ligjeve absurde që ishin krijuar prej qeverisë. Por askush nuk i kushtonte rëndësi.
Kalonin ditët e muajt derisa një ditë kryetarit i erdhi në mend një ide e ndritur.
Solli nga qytete të tjera punëtorë krahu dhe në sheshin qendror të qytetit mbuloi një pjesë me llamarina, brenda së cilës punonin ditë e natë punëtorët ardhacakë. Për rreth një javë dëgjoheshin zhurma e goditje çekanësh, sharrash që sharronin, lopatash që gërmonin, bërtitje nga përgjegjësit, urdhëra...
Një ditë prej ditësh, kryetari thërriti të gjithë banorët e Qytetit të merrnin pjesë në inaugurimin e veprës së ndërtuar në qendër të Qytetit. Të gjithë prisnin me ankth se çfarë do të zbulohej nga poshtë mëndafshit dhe, kur mbulesa u hoq të gjithë ngelën me gojën hapur.
Vepra e ndërtuar me aq sekret dhe e inauguruar me aq pompozitet nuk ishte gjë tjetër veçse një trekëmbësh me një litar që varej!... Edhe sapuni, me të cilin kishin lyer litarin dukej e shkëlqente që larg. Trekëmbëshi pas pak kohësh u kthye në monument e simbol të Qytetit.
Që nga ajo ditë, të gjithë ata që kalonin nga sheshi qendror i Qytetit shikonin trekëmbëshin me litarin që e tundte era. Njerëzit filluan ta ndienin veten fatkeqë. Ndienin ankth e frikë. Ndienin edhe pasiguri, mos ndoshta kaq vite nuk kishin bërë atë që ishte e drejtë.
Pyesnin veten se çfarë kërkonte në qendër të Qytetit trekëmbëshi dhe filluan t’i drejtoheshin drejtësisë dhe ligjeve për të zgjidhur të gjitha problemet, të cilat më parë i zgjidhnin me një shtrëngim duarsh, apo me fjalën e dhënë. Filluan të shkojnë edhe tek noterët për të vërtetuar dokumente, deklarata, trashëgimnira, të cilat më parë nuk nevojiteshin. Filluan që edhe kur të jepnin borxhe, të merrnin vërtetime të shkruara.
Filluan ta dëgjonin kryetarin e Qytetit, duke menduar se po të mos e dëgjonin shkelnin ndonjë ligj...
Me sa di unë trekëmbëshi nuk u përdor ndonjëherë, veçse në rastet kur duhej të ngrihej monumenti i ndonjë heroi të vdekur prej kohësh, i cili më parë varej në kavot e vinçave, pastaj vendosej në podiumin e mermertë...
Kështu, pra, trekëmbëshi nuk u përdor ndonjëherë.
Por vetëm prania e tij ishte e mjaftueshme që në Qytet të ndryshonte gjithçka.

Δεν υπάρχουν σχόλια: