Τετάρτη 10 Φεβρουαρίου 2010

Nënshtetësia e emigrantëve

Nënshtetësia e emigrantëve
Ardi Stefa
Dikush më shkruante në blogun tim se njëri nga themelet e racizmit është frika e ndryshimit apo e shpërbërjes kulturore të një populli. Isha dakort me të. Disa njerëz, natyrisht të kulturuar kultivojnë frikën, për të peshkuar në ujëra të turbullta. Sidomos politikanët e ekstremit të djathtë, por edhe klerikët, të cilët në emër të patriotizmit dhe fesë, anatemojnë gjithçka që u duket se i kërcënon.
Natyrisht, nuk bëj pjesë në kategorinë e “antiracistëve profesionistë”, as edhe në kategorinë e “të shqetësuarve të përhershëm e profesionistë”
Dëgjoj gjatë gjithë këtyre ditëve debatet, por edhe shkrimet të cilat marrin shkas nga paraqitja në parlament e projektligjit për nënshtetësinë e emigrantëve. Po të dëgjosh Karaxhaferrin dhe Mitropolitin e Selanikut, Anthimon, duket se rreziku që i kërcënon grekët dhe Greqinë është me shifra. Janë 500.000 emigrantë që do të bëhen grekë, ose 1 milion, të cilët do të trondisin e do të shkulin nga themelet Greqinë. Sipas Karaxhaferrit për 40 vjet në Greqi, grekët e kulluar do të jenë minoritet në vendin e tyre!...
Dhe këta drejtues e “liderë” kaq të kulturuar, të cilët udhëheqin e drejtojnë disa qindra- mijëra njerëz, injorantë e të mbushur me urrejtje, të cilët i dëgjojnë, i besojnë e i ndjekin verbërisht!...
Dhe kështu, padituria bëhet element shfrytëzimi. Kultivohet frika. Dhe frika lind racizmin...
Karaxhaferri dhe Anthimo, si edhe deputetë të Demokracisë së Re, deklarojnë në tempujt e demokracisë dhe të tolerancës se nënshtetësia e emigrantëve është kërcënim.
Por që nënshtetësia e fëmijëve të emigrantëve të lindur në Greqi të jetë kërcënim do të thotë se grekët nuk janë ata që janë, por janë një familje e përbërë “racore” me afërsi “biologjike”.
A e besojnë vallë të gjithë ata që thonë se kanë lindur nga prindër grekë, të cilët u lindën edhe ata nga prindër grekë, të lindur nga fgjyshër e stërgjyshër grekë..., e kështu me radhë deri në epokën e Luftës së Trojës, a e besojnë vallë se i njohin mirë, me rrënjë e dhëmballë, me pemë gjenealogjike gjyshin e gjyshen e tyre, stërgjyshërit?...
Asnjëri prej tyre nuk ka paraardhës arvanitas, sllavë, apo lindorë?...
Dhe sidomos në një rajon ku janë përzier racat këtu e shekuj të tërë!...
Natyrisht që grekët nuk janë një populli pastër e i kulluar për nga pikëpamja racore, pasi një popull i tillë nuk ekziston. Nënshtrimi etnik është rezultat i ideologjisë dhe jo i biologjisë. Nuk është afërsia e “gjakut”, është dëshira e të qenit e të përkiturit në komunitetin politik që është kombi-shtet grek.
Kështu u bënë grekë grekët, ashtu siç u bënë edhe kombet e tjera në Mesdhe, një pikë ku u takuan kulturat më të lashta, me pothuajse të gjitha kulturat më të reja, ashtu si edhe në Ballkan, ku të gjitha shtetet që u ngritën ishin multietnike.
Prandaj përralla nacionaliste e epokave të tjera për atdheun që një ditë të bukur u zgjua nga gjumi, si një princeshë e fjetur dhe kështu u krijua Greqia, në mos dëshmon për padituri të atyre që thashë më lart, është e rrezikshme.
Është kërkesa për të fituar “pastërtinë racore”!
Një gjë e tillë ndodhi nga 1933 deri në 1945.
Atëherë kur politika pro “pastërtisë së racës e atdheut”, e vrau princeshën e fjetur gjermane dhe e ktheu atë në Frankenshtajn.
Dhe ky përbindësh, ky Frankenshtajn, endet ende si dordolec akoma edhe sot i frikshëm për të gjithë...
Dhe në fund të kësaj SMS-je, paksa të gjatë, gjej vend të përgëzoj kryeministrin grek, Papandreu, i cili, pa pyetur për koston politike, deklaroi në Parlament se “Grek edhe lind, edhe bëhesh!”...

Δεν υπάρχουν σχόλια: