Δευτέρα 15 Φεβρουαρίου 2010

Përse Juda nuk është shenjt?

- Përse Juda nuk është shenjt?
Iu afrua pemës dhe filloi t’i fliste. Ishte një fik dhe ishte Juda i vogël.
Juda. E kishte pagëzuar kështu prifti gjysmë i lajthitur i Qytetit përpara shumë vjetësh. Njezet e tre vjet nga ajo ditë kur nga qielli kishin rënë lulet e verdha...
Për herë të parë pagëzohej një fëmijë në Javën e Zezë: e Premtja e Zezë e 199...
Babai i tij e kishte rrëmbyer në ajër dhe e kishte futur poshtë kordeleve zezane të kishës. Foshnja ishte disaditëshe dhe kishin frikë se do ta humbisnin. Ishte shumë i dobët dhe vendosën që përpara se ta çonin nëpër doktorë, t’i jepnin pak shpresë kristiane, nga kisha e çelur përpara disa muajsh...
- Juda...
- Mbase tradhton profecitë...
- Mbase jeton dhe ky i shkretë!
Të tilla urime dhanë plakat që prisnin të shkonin dhe dhanë kohë që të Shpëtonte Foshnja...
- Emër është ky, pater?
- Eh, ditë që është? Nxënës i Jezuit a nuk ishte edhe ai? Të mos pagëzojmë një fëmijë për nder të tij? Ndoshta ndodh yshtja e madhe dhe e shndërron. Deri kur do të ngelet i mallkuar, i urryer? Dikush duhet ta dojë edhe atë...
Juda i vogël e gënjeu Vdekjen dhe jetoi. Përsëri babai i tij i shkoi priftit:
- Pater, më hëngri të gjallë nëna e tij. Kur do t’ja bëjmë festën e emrit? Gjete gjë në kalendar ndonjë festë të Juda Iskariotit?
- T’ja festoni emrin çdo të Enjte të Zezë, çdo vit. Ditën që u pagëzua fëmija. U ka gjë më kristiane se kjo?...
Dhe ashtu u bë. Çdo të Enjte të Zezë të javës së Zezë, kur të gjitha shtëpirat e Qytetit ishin të zhytura në trishtim, e këmbanat e Kishës ushtonin me tinguj funebër, vetëm shtëpia e Judës së vogël kishte drita të gëzueshme e muzikë. Mblidheshin vogëlushët dhe i sillnin dhurata, para dhe lule. Disa i çonin edhe gjethe nga fiku në të dalë të Qytetit...
Të Premten e Zezë, Juda i vogël, mblidhte dhuratat e tij dhe i çonte me të rënë këmbana e parë në Kishë. Gjethet e fikut mbështilleshin të parat në këmbët e Epitafit...
Nga to rridhte shpesh herë si lot, lëngu i bardhë si qumësht...
Dhe sipër tyre, me kalimin e orëve vendoseshin lulet e tjera aromatike.
Dhe me kalimin e viteve lulet natyrale zëvendësoheshin gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më shumë me lule artificiale...
Prifti gjysmë i lajthirur komplotonte me Judën e vogël dhe askujt nuk ia tregonte sekretin e tyre.
Shumë pak besimtarë nga Qyteti e dinin që poshtë luleve natyrale e artificiale fshiheshin gjethet e fikut, të vendosura nga Juda i vogël. Besimtarë të vërtetë që ndihmonin në Çlirimin e Kryetradhtarit...
Vogëlushi kujdesej me shumë dashuri për fikun e vet dhe i fliste gjithmonë. E kishte mbjellë prifti gjysmë i lajthitur në festën e tij të parë. Një dhuratë simbolike, përkushtim, i kishte thënë...
Ai e kishte vendosur këtë ceremoni festive. Dhe vogëlushi Juda e ndiqte me përkushtim, ashtu sikundër e porosiste edhe nëna edhe babai i tij...

Ardi Stefa

Δεν υπάρχουν σχόλια: