Σάββατο 3 Νοεμβρίου 2007

Të rritur si fëmijë!...




Të rritur si fëmijë!...


Ardi Stefa
E di që ti që i shkruan këto radhë shpesh herë dëshiron të kujtosh e të ndiesh të gjitha ato që ke lënë pas, që kemi lënë pas...
E di, që duke kthyer kokën pas e ke të vështirë, ashtu si edhe ne që të besosh se jemi ende gjallë. Ne udhëtonim me tren 10 dhe 12 orë për të shkua nga njëri qytet në tjetrin. Nuk kishim lehtësirat dhe as luksin e tanishëm. Autobusët ishin pa ajër të kondicionuar, pa xhama në dritare, pa ndenjëse të rehatshme, rrangalla e shkatarraqe që vinin erë djersë e punë. Në çantat tona prej bezeje gjeje copa gazetash për të mbështjellë bukën. Shpesh herë kur humbisnim autobusin e linjës, bënim autostop. Biçikletat i rregullonim gjithmonë sa e si të mundeshim. Nuk kishin kokore për to. Luanim me topa të vegjël llastiku nëpër rrugicat e lagjeve tona pa frikën e makinave që atëhere ishin të rralla. Topat ishin aq të vegjël saqë shpesh herë dilnim huq dhe i binim me këmbë me forcë asfaltit të rrugës. Kishim lulishte me lëkundëse të mprehta metalike dhe cepat e tyre na vrisnin aq shumë. Edhe lodrat e tjera tona ishin të dhunshme.
Kalonim orë të tëra duke ëndërruar dhe duke ndërtuar makina apo edhe karro me kushineta për të bërë gara pastaj me njëri- tjetrin. Lëshoheshim me vrull në ndonjë dishezë dhe vetëm atëhere kujtoheshim se karrocave tona me kushineta u mungonin frenat. Njihnim nga zhurma e motorave të gjitha markat e makinave të mëdha dhe luanim kukamçefti apo edhe me pulla. Kaçolet e arançatave i mbushnim me baltë dhe luanim gjasme kumar. Dilnim nga shtëpia pa u gdhirë, luanim gjithë ditën dhe ktheheshim vetëm kur ishte ngrysur e kishte rënë krejtësisht nata. Askush nuk na gjente dot se nga futeshim. Askush nuk na shikonte kur përgjonim çiftet që bënin dashuri. Atëhere nuk kishte telefona celularë. Edhe telefonat nëpër shtëpira ishin të paktë. Kërciste druri ndërmjet nesh dhe pak herë dënoheshim. Ziheshim me njëri- tjetrin dhe pas disa ditsh grindjet harroheshin e flisnim përsëri.
Hanim bukë thatë dhe brumëra, por nuk ishim trashaluqë. Ndonjëri prej nesh ishte i shëndoshë, por jo trashaluq. Pinim ujë apo birra e raki drejt e nga shishja ku kishin vënë buzët të gjithë dhe nuk pësuam gjë. Ndonjëherë na ishte mbushur koka me thërriza dhe nënat tona a qethnin zero, ose na lyenin kokën me naftë apo uthull.
Nuk kishim televizorë, as Playstation, as Nintendo. Nuk kishim as DVD apo videokaseta. S’kishim as internet e as kompjutera...
Por ne kishim shokë. Binim dakort të dilnim të gjithë së bashku dhe dilnim. Ndonjëherë nuk thoshim gjë për të dalë, por të gjithë mblidheshim tek vendi i zakonsëm, spontanisht dhe dilnim. Takoheshim dhe luanim. Ndërtonim kështjella në rërë, gradaçele prej letre, thyenim kërcinjtë në futboll dhe ndërtonim karro me kushineta. Deri aty shkonte teknologjia jonë. Lodrat tona i ndërtonim vetë me tela apo dru. Humbëm me qindra topa futbolli apo topa llastiku. Pinim ujë me gojën drejt e në çezmë. Ndiqnim fluturat e ngrinim kurthe për zogjtë, e ur nuk i kapnim në skenë futeshin llastiqet për t’i vrarë.
I thërrisnim njëri- tjetrit nga jashtë shtëpisë me sa kishim në kohë dhe pastaj ia mbathnim nga të na çonin këmbët, derisa të na priste barku nga uria. Bridhnim. Pa u marrë leje prindërve. Pa na kontrolluar ndonjë i madh. Thjesht, të vetëm në botën e ashpër.
Si ia dolëm mbanë?
Në ativitetet shkollore merrnim pjesë të gjithë. Disa prej nesh ishin nxënës të mirë, disa të tjerë duhet të ngeleshin në klasë.
Muajve të verës bënim pushime tre muaj të tëra. Kalonim orë të pafundme në breg të detit, pa përdorur kremra me treguesin e mbrojtjes 30, 40 apo 50. Nuk bënim as mësime të organizuara të mësimit të notit, as se si të drejtonim varkat, as se si të luanim tenis. I mësuam vetë të gjitha...
Asgjë atëhere nuk është si sot.
Por atëhere ne bënim kështjella në rërë, bënim kështjella fantastike përtej çdo lloj arkitekture apo rregullash ndërtimi. Peshkonim me një parangall dhe krimba deti. I zinim vajzat mikesha duke i ndjekur për ditë të tëra nga pas dhe jo duke biseduar me to në ndonjë chat room dhe duke shkruar budalaëqe me pseudonime...
Kishim liri. Kishim dështime. Kishim lumturi e përgjegjësi. Brenda të gjitha këtyre ne mësuam e u poqëm, u rritëm. Jo si fëmijtë e sotëm qullashë.
Në rast se edhe ndonjëri prej jush që lexon këto radhë është nga të “vjetrit” e brezit tim, atëhere i lumtë. Kishte fatin të rritej si fëmijë...

1 σχόλιο:

Ardita Jatru είπε...

Vertet,me ktheve kohe prapa.Sa me ka marre malli te luaj perpara shtepise time me kalamajte e lagjes,qe tashme kane krijuar familjet e tyre.Po te pergjigjem mqs dhe une i perkas brezit tend.Tani qe kam femije,me vjen keq per ta sepse femijeria e tyre ndryshon nga ajo e verteta.nga femijeria jone.Po rriten te mbyllur,robotet e nje programi te caktuar nga ne prinderit e tyre sepse duam qe femijet tane te mos jene ndryshe nga femijet e tjere.Dikur varnim celsin ne qafe e une femijes tim dhjete vjec nuk ja var kurre ne qafe per faktin se kam frike.Frike nga gjithcka.Po ne c'shoqeri e ne c'kohera te frikshme po rriten femijet tane!?Kohet e fundit jame perballe nje dileme te madhe sepse vajza ime ne klase te peste,me kerkon te shkoje vet ne shkolle,por as qe mund ta marr me mend dhe i them:po ti nuk e ke idene,po ti mund te kalosh fanaret me te kuqe,po ty mund te genjejne me nje karamele,po ka hajdute e perdhunues kudo.E ka humbur shpresen femija.E si mund te behen te zotet e te pergjegjshem femijet?Po kush e ka fajin?

Urime per shkrimet qe mbartin frymen e realitetit,qofte ky i hidhur apo i embel.Do kellqe te forta dhe kjo.Jam cdo jave me ty ne te njejtin autobuz ,ne te njejten ore(tek tribuna e cila u be shkas qe gjeta ekzistencen e ketij blogu).