Τρίτη 30 Οκτωβρίου 2007


1.81m i gjatë! As më shumë e as më pak!...
nga Ardi Stefa
Ngjarja që do të lexoni më poshtë është ngjarje e vërtetë. Protagonisti i saj është një emigrant, më saktë dinjiteti i tij, kërkesa e tij për të qenë ashtu siç ishte më parë, përpara se ta gjymtonin e të talleshin me të nëpër gjykata e komisione mjeko-ligjore...
Ndoshta dikush që do të lexojë për ngjarjen e tij do të shprehet se Ahmeti e ka gabim, duhet të merrte atë që i jepnin, por unë personalisht jam në kampin e atyre që mendojnë ndryshe, që mendojnë si emigranti i gjymtuar përjetësisht..
Ja historia e tij...
Ai quhet Ahmet. Nuk është më tepër se 26 vjeç. Ahmeti përpara se të vinte në Greqi ishte lojtar basketbolli. Luante me një ekip të dorës së dytë në Katar. Ëmdrra e tij ishte që të luante basketboll në një ekip të mirë dhe të njohur në Europë, e më pas ndoshta edhe në NBA.
Ëndrra e tij iu kthye në një ide fikse, ishte një ëndërr me të cilën ishte rritur, kishte fjetur çdo natë e ishte zgjuar çdo mëngjes të jetës së tij.
Derisa ai mori vendimin e prerë që të provonte fatin e tij në Europë. Zgjodhi Greqinë, u josh nga sukseset e ekipeve të saj në Europë, por edhe nga fakti që në vitin e kaluar Greqia u shpall nënkampione e botës.
Dhe vendosi të vinte në Greqi. Priti shumë kohë për të marrë një vizë, por më kot. Tentoi në shumë mënyra, apo edhe me manaxherë, por edhe kështu nuk çau dot.
Derisa një ditë të bukur, vendosi që të kalonte kufirin në mënyrë klandestine. Kaloi kufirin nëpërmjet Turqisë dhe më së fundi shkeli në tokën greke. Duket se fati i kishte buzëqeshur. U lidh me disa bashkëpatriotë të tij që ta ndihmonin që të gjente ndonjë ekip ku të luante, por më kot. Bashkëatdhetarët e tij shisnin çikërrime nëpër rrugët e Greqisë dhe as që dinin gjë për manaxherët apo ekipet e ndryshme të basketbollit. Edhe gjuhën greke nuk e flisnin edhe fort mirë.
Ahmeti pas disa javësh lidhet me një grek, i cili merr përsipër që të ndërhyjë për ta provuar në ekipe basketbolli të kryeqytetit. E çon në shumë ekipe, por të gjitha ekipe të dorës së dytë, ekipe amatore, të cilat as edhe një rrogë minimale nuk mundet t’i paguanin.
Por djaloshi nuk tërhiqet. Ai i është afruar kaq shumë ëndrrës së fëmijërisë e të gjithë jetës së tij, saqë nuk mundet të kthehet prapa. Provohet në shumë ekipe, të cilat e pëlqenin, e çmonin talentin e tij, por sapo merrnin vesh se nuk kishte as dokumentat e një emigranti të thjeshtë, ngrinin supet, i rrihnin shpatullat dhe i uronin suksese diku tjetër...
Kaluan javë të tëra në kërkim të ëndrrës së vet, por më kot. Edhe greku që kishte dashur ta ndihmonte u tërhoq i zhgënjyer. Më parë i gjeti punë në një kantier ndërtimi të anijeve. Ahmeti punonte gjithë ditën për të grumbulluar ndonjë sasi parash që të mundet të blinte uniformat e basketbollit, këpucët, çantën e gjithçka i nevojitej që të mundej të vazhdonte të stërvitej vetë.
Çdo pasdite deri natën vonë e shikoje në fushat e basketbollit në Nikea duke u stërvitur. Krijon miqësi edhe me djemtë e tjerë grekë e të huaj që stërviteshin si ai dhe e kishin basketbollin pasion. Ua fiton shumë shpejt zemrën.
Njëri prej tyre e çon për t’u provuar në një ekip të kategorisë së dytë. Atje e çmojnë talentin e tij dhe i premtojnë se do ta marrin. I lidhin edhe një rrogë minimale sa për fillim dhe ndërhyjnë që Ahmeti të pajiset me dokumenta të rregullta qëndrimi.
Lumturia e djaloshit nuk ka kufi.
Punon i gëzuar e po edhe më i gëzuar shkon në stërvitje çdo pasdite e nëpër ndeshje çdo të shtunë e të dielë.
Duket se fati më së fundi i kishte buzëqeshur djaloshit ëndërrimtar, por nuk ishte kështu. Një ditë, teksa po punonte në restautimin e një anijeje të vogël transporti njëra nga kavot, e cila mbante disa rule këputet. Ahmeti dhe një shoku i tij grek që punonin në atë vend nuk arritën të largoheshin në kohë. Rulet i zunë nën vete.
Shokut të tij grek i bënë copë e thërrime krahun e majtë, ndërsa Ahmetit i thërrmuan krejtësisht kockat e këmbëve.
Ishte e pamundur që këmbët e tij të bëheshin si më parë. Për shkak të gangrenës, mjekët detyrohen që t’ja presin të dyja këmbët.
Kjo ishte drama e vërtetë e Ahmetit. Nuk do të kishte më mundësi të luante basketboll. Ëndrra e tij kishte marrë fund.
Në gjyqin e ngritur me këtë rast, u vërtetua se Ahmeti dhe shoku i tij nuk kishin asnjë faj, faji ishte i përgjegjësit dhe i pronarit të kantierit që nuk kishin marrë masat e duhura të sigurisë. Kavoja, e cila mbante atë peshë aq të madhe, ishte e këputur në disa vende.
Ahmeti dhe shoku i tij përfituan një dëmshpërblim. Ahmeti një shumë të vogël, sepse nuk kishte dokumenta të rregullta qëndrimi e pune.
Në spital, pronari i ofroi një shumë të mirë parash, në mënyrë që të kishte mundësi të blinte në karrocë invalidi, apo edhe këmbë teknike të hekurta, vetëm e vetëm që Ahmeti të mos e denonconte e të mos ta çonte çështjen më tej.
Mjeku, që e mori përsipër vendosjen e këmbëve të hekurta u ndie i habitur, bile edhe i mahnitur, kur pasi i tha këtë lajm Ahmetit, mori përgjigjen në formë pyetjeje:
“Sa i gjatë do të jem? Me këmbët e mia isha i gjatë 1,81 metra. Sa i gjatë do të jem me këmbët prej hekuri? Dua të jem aq sa ç’isha përpara se të aksidentohesha 1.81 metra. As 1.80 e as 1.79 metra i gjatë. Dua të jem aq i gjatë sa ç’isha atëhere kur luaja basketboll! Po qe se nuk do të jem më aq i gjatë, më mirë mos e merrni mundimin të m’i vini këmbët”
Mendjelehtësi? Mosmirënjohje? Cinizëm? Mospranim egoist i diçkaje që të jepej kur mundet edhe të mos e kishe kurrë? Për disa ndoshta? Për Ahmetin, por edhe për mua që po shkruaj këto rreshta, jo!
Ahmeti me kërkesën e vet për të qenë përsëri edhe me këmbët prej hekuri i gjatë 1.81 metra, nuk kërkonte lëmoshë, nuk ishte as absurd. Ai kërkonte një të drejtë. Tek kërkesa për të qenë i gjatë aq sa ç’kishte qenë më parë, duhet parë dinjiteti, personaliteti i një njeriu që nuk kërkonte lëmoshë, i një njeriu që nuk e lëshoi veten, edhe pse ëndrra për të luajtur basketboll iu shua në mënyrën më tragjike!...

Δεν υπάρχουν σχόλια: