Κυριακή 28 Οκτωβρίου 2007

Rekuiem për zemrën që e tradhtoi!...


E enjte, 13 shtator 2007!
Kisha marrë autobusin e linjës 879 të orës 06.15 nga Menidhi për të shkuar në punë në Aspropirgo.
Autobusi ishte i mbushur ashtu si çdo ditë me emigrantë nga të gjitha kombësitë dhe grekë, që shkonin në punët e tyre, ashtu të përgjumur, më të lodhur nga zgjimi se ç’ishin kur kishin rënë për të fjetur, plot mendime, trishtime, halle dhe pak shpresë, diku, në një cep të mendjes së tyre...
Shikoja fytyrat e tyre, tipare të njohura. Duart të çara, të vrara. Fytyra të plakura përpara kohe. Në ngjyrë të kuqe për shkak të diellit që i sheh në ditën e vështirë të punës. Vështrim të frikësuara, të trembura, pothuajse fajtore. Rrobat të vjetëruara, vendasit nuk i veshin më. Theksi i tradhton. Të ndruajtur në rrugë, në autobus, kudo. Ndruhen të flasin në gjuhën e tyre- kanë frikë reagimet. Mblidhen të turpëruar në autobus, mos cikin pasagjerët e tjerë e ndiejnë përbuzjen e tyre. Është, janë emigrantët e huaj… Dinë mirë ta dallojne vendasit. Vite tashmë e zgjedhin nëpër sheshe, për të punuar tokën, të mbjellë kopshtin, të pastrojë pishinën, të ndërtojë vilën e gurtë ku kalojnë pushimet, të mbledhë ullinjtë, të mbledhë frutat… Punët e “pista” që nuk u shkojnë vendesve…
Dhe autobusi fluturonte nëpër rrugën e qelbur pranë vendit të grumbullimit të plehrave të Atikës, në ajrin mbytës të dhjetëra ton plehrave, me kërkesën e shoferit që të hapnin dritaret, pasi pakistanezët qelbeshin erë!...
Një pamje e përditshme, një histori, që përsëritet e përsëritet monotonisht çdo ditë, çdo javë e vit, sa kam që shkoj në punë, në zgjimin tim më herët se këndesët...
Ndoshta nuk do të kishte rëndësi këto që po shkruaj, përderisa përsëriten e përsëriten.
Por e enjtja do të ngelet e skalitur në mendjen time, për atë ngjarje, të trishtë e të dhimbshme, në Autobusin e mëngjesit.
Një emigrant rreth të tridhjetë e pesave, të cilin kishim disa ditë që e shikonim të hipte me ne, “pasagjerët” e zakonshëm të linjës, një çast u këput dhe ra përtokë. I kishte rënë të fikët në autobusin e mbushur me njerëz në mënyrë asfiksuese.
Rreth tij nxituan disa që ta ngrinin dhe, dy “rosopodio”, të cilët punojnë në ndërtim i hodhën ujë në fytyrë nga paguret e tyre. Emigranti 35 vjeçar duket sikur u përmend, por përsëri vuri dorën në zemër dhe u rrëzua përtokë. U krijua një gjendje e nderë dhe paniku në autobus. E ngritëm përsëri dhe kërkonim një vend që të ulej fatkeqi, por pakistanezët, grekët, dhe emigrantët e tjerë “nuk e kuptonin” greqishten me theks. Më së fundi, pas ulërimave të shoferit, i cili ndërroi menjëherë destinacionin dhe u nis për në spitalin “Thriasio” të Elefsinës, u gjet një vend, për emigrantin që shtrëngonte zemrën dhe na shikonte me sytë pa shprehje, por që më dukej se thërrisnin për ndihmë...
Pasagjerët filluan të bërtisnin dhe të shanin shoferin që nuk po i çonte në stacionet e punëve të tyre dhe kërkonin që të zbrisnin...
Emigranti fatkeq po jepte shpirt!...
Më së fundi shumica e rusëve, shqiptarëve, pakistanezëve e grekëve të autobusit zbritën.
Ngelëm vetëm pesë vetë: unë, dy “rospondiot”, dy gra greke që po kujdeseshin për të sëmurin dhe shoferi gjashtë!
E çuam në spital, por për të nuk dinim asgjë. As se nga ishte, as se si e kishte emrin, as ku banonte, as ku punonte, asgjë!...
Mjekët e morën dhe përkujdeseshin për të, por kartelën nuk mundeshin ta mbushnin. Edhe ne s’dinim gjë, por as emigranti fatkeq nuk mundet të fliste, greqisht, jo e jo, por as në gjuhën e tij... Dokumenta me vete nuk kishte, vetëm fotografinë e një gruaje të re dhe të një vajze të vogël, foshnje, disa muajshe...
Qëndruam disa orë për të mësuar ndonjë gjë dhe pastaj u larguam për në punët tona. Pasdite, sikur ta kishim bërë me fjalë, rreth orës 16.30 u takuam përsëri, ne të pestë pasagjerët e autobusit të mëngjesit në “Thriasio”. Pyetëm e u interesuam për emigrantin pa emër dhe idenditet dhe një mjek na tha shkurt: “Nuk ia doli dot! E tradhtoi zemra!”
Kaq. Shkurt!
E tradhtoi zemra! Ndoshta nga lodhja, ndoshta nga malli, ndoshta nga të pangrënët apo pagumësia, ndoshta...
Ndoshta...
Mjeku na pa të trishtuar. Pastaj përsëri na tha se mos dinim gjë kush ishte fatkeqi dhe si të gjenim për të lajmëruar të afërmit e tij.
Ndoshta nuk ka të afërm këtu, mendova. Ndoshta është i vetëm dhe askush nuk do të interesohet për të, veçse pas disa javësh, apo muajsh, kur nga atdheu i tij të pyesin veten se përse nuk po u telefonon, se përse nuk po u dërgon ndonjë lek!...
Pyeta se çfarë ndodh në këto raste dhe më thanë se për një farë periudhe do ta mbajnë në morg, por jo përgjithmonë!...
Kaq...
Të nesërmen e në ditët e mëpastajme, në autobusin e mëngjesit pyesnim njëri- tjetrin se mos vallë ndonjëri dinte gjë për emrin dhe shtëpinë e fatkeqit. Por askush nuk dinte, ose nuk donte të dinte.
Dhe emigranti pa emër e idenditet ndoshta ende është në morgun e spitalit “Thriasio” të Elefsinës!...