Κυριακή 28 Οκτωβρίου 2007

Nostalgji


Nostalgji
nga Ardi Stefa
Mbrëmë bleva një çakmak nga një kioskë aty pranë librarisë PATAKI, në rrugën Akademias.
Sapo kisha dalë nga prezantimi i dy librave. Dhe, e para gjë që bëra ishte të blija çakmakun, e pastaj t’i hipja autobusit e të mblidhesha në shtëpi...
Bleva çakmakun, megjithëse kam mbi një vit që e kam lënë duhanin dhe as që kam ndër mend që ta rifilloj, të paktën, jo së shpejti.
Çakmaku kishte të stampuar mbi vete një fotografi bardhë e zi të “Të Trashit” dhe “Të Hollit”, kur këta të dy ishin të rinj.
Dhe, duke parë fotografinë ndjeva një nostalgji të më pushtonte të tërin. Një nostalgji mbytëse. Nuk e di se përse. Ndoshta për faktin se edhe unë, gjithmonë në atë epokë dëshiroja të jetoja. Ndoshta se do të preferoja një tjetër rutinë, po bardhë e zi, nga ajo që po jetoj. Ndoshta sepse jam po kaq i dobët, saqë e vetmja gjë që mundet të bëj, e vetmja gjë për të cilën më duket se jam ende i zoti, është të thurr ëndrra, të ëndërroj...
Që do të ngelen të parealizuara.
Një tjetër mëngjes në zyrë, një tjetër ditë në punë, që mezi po pres të përfundojë, me shpresën se ndoshta diku aty nga fundi do të më ndodhte ndonjë gjë e mirë, tronditëse e emocionuese...
Lexova në gazetën që sapo kisha blerë, për herë të parë, pasi nuk i besoj, shenjën time të horoskopit... Edhe atje asnjë gjë e veçantë. Zeusi kalonte tagent mbi shenjën time, nuk kryqëzohej me Afërditën; në punë do të isha i tensionuar, gjendja ekonomike për ibret, dashuria(?)..., mos e pyet...
Origjinale, ë?!..
Lexova edhe horoskopin kinez.. I pakuptueshëm, si hieroglifet e tyre. Diçka thotë për të tjerët, ndërsa për mua as që e mora vesh se çfarë shkruhej. Vetëm kujtoj që më thoshte se duhet të isha më i hapur me të tjerët dhe aspak i mbyllur e mosbesues...
E thith cigaren imagjinare me shumë afsh... Numëroj gotat e ujit që pij... Kërkoj diçka që të marr energji... Asgjë, asgjëkund. Do të thyhem përsëri, e di. Ndoshta sepse kjo është zgjidhja, rrugëdalja ime...
Ndoshta kështu mundet edhe të përmendem.
Ndoshta edhe jo. Ndihem bosh. I padobishëm. Parazit. Dhe nuk ma ka askush fajin!
Vetëm unë!...
Kam filluar të kem frikë tashmë... Dikur e kisha vjellë prej vetes këtë ndjenjë...
Tashmë, çdo hap që hedh më kujton një rrezik të ri...
Dikur e thosha me guxim e pa frikë mendimin tim dhe e mbroja, edhe po se se e kisha gabim. Ishte e vërteta ime personale në fund të fundit...
Sot ngjaj më tepër me ato karrikaturat e Hostenit, me milingonat- njerëz, ose njerëzit- milingona... Apo siç shkruante dikur një shoku im shumë i shëmtuar, por me shumë humor, Ksenofon Ilia: “Majmuni rrjedh nga njeriu!...”
Dikur isha i fuqishëm, e ndieja energjinë që të përmbyste, kisha ndjenjën se mundesha të bëja gjithçka. Dhe ndoshta me të vërtetë që mundet të bëja gjithçka. Kisha vrullin, dëshirën, guximin, entusiazmin.. Nuk trembesha!...
Sot kam frikë... Veten time... Kufijtë e mi të pakontrolluar, kur logjika më “përshëndet” dhe largohet...
Dikur nuk pranoja të bëja kompromise, as me veten e as me askënd...
Dikur i çelja sytë dhe thosha “Jeta dhe bota më përkasin!”...
Sot as nuk i hap më sytë e mi. Vetëm kompromise bëj me veten e të tjerët...
Dhe nuk flas!...
Nuk protestoj!...
As nuk i shaj ata e ato që s’më pëlqejnë. Por ende, as nuk ua bëj qejfin dhe as lajle e lule, nuk u bëj.
Mblidhem në guaskën time dhe protestoj brenda vetes...
Dikur...
Sot...
Një herë e një kohë, ishte një djalosh, i cili besonte se mundet të pushtonte botën!..
Djaloshi u rrit e u bë burrë... Dhe diku aty kuptoi se e vetmja gjë që mundet të pushtojë, në rast se do të luftojë frikën dhe makthet e tij, është vetja e tij...

Δεν υπάρχουν σχόλια: