Κυριακή 28 Οκτωβρίου 2007

Antiese...

Antiese...
Nga Ardi Stefa
Çfarë mundet të thotë ndonjëri nëpërmjet fjalëve të pakta të një eseje? Pothuajse asgjë.
Dhe cilin mundet të vërë në veprim, cilin mund të ndikojë, ta bëjë më energjik për përballimin e jetës, krijimtarisë, letërsisë e arteve? Ndoshta askënd!
Si mundet të funksionojë letërsia e vërtetë në një ambient të ndryshuar e të shpërfytyruar kaq shumë ku kopjimi është rregulli dhe origjinaliteti luftohet? Për çfarë gjëje, pra, të flas, e çfarë gjërash të le mënjanë? Të shtroj pyetje dhe të tentoj të jap përgjigje? Të përpiqem të jap përfundime humoristike, apo të adaptoj tone elegjiake, të cilat “shesin” më shumë? Të tregoj e të përmend “ad hominem”, e cila është rruga më e vështirë dhe më e rrezikshme, apo të vazhdoj me përgjithësime ashtu siç do bota e njerëzit?
Me fjalë të tjera: të ekspozoj apo të ekspozohem? Të flas nga tribuna fantastike mesit të artë, apo të le mënjanë gjykimin, për hir të komunikimit dhe qejfmbetjes që mundet të kenë “eseistët”, apo kolegët e mi “poetë e shkrimtarë”, pasues apo luftues të “mikro apo makrobotizmit”?
Të them gjëra, të cilat kohët e fundit më kanë pëlqyer shumë, apo të them ato, të cilat më kanë trishtuar e më kanë lënë një shije të hidhur?
Jam i sigurtë se të gjithë ata që do të lexojnë këto rreshta, ndërkohë e dinë se me çfarë do të merrem në ato që do të pasojnë. Ndoshta ajo ç’ka do të lexojnë do t’u duket e pakuptimtë, bezdisëse dhe jo e re. Pamjet dhe fotografitë ndoshta do të ishin një zgjidhje, vetëm se në epokën tonë pamjet e fotografitë nuk mjaftojnë për të paraqitur e shpjeguar kuptimin e një fjale të vetme. Kërkoj FJALËN, pra. Kërkoj kërkimin e saj!..
Të vetmen, të vërtetën tonë. Gjysma fjalësh, shenja, vështrime pyetëse, pauza të vogla heshtjeje, të heshtjes, e cila në fakt, është gjuha më komunikuese, prekje të qëllimshme. Copëza të shkërrmoqura, të trajtave e të çasteve, si në epokën e stilit Barok. Atëherë kur piktori shikonte vetveten në kohën që pikturonte. Tashmë artisti, vëzhgon vetveten në çastin që po vdes. Narcizmi, erotizmi (autoerotizmi) që i rikthehet vetes, vetvetes prej nga ka dalë, është tashmë leva e ankthshme dhe e makthshme e kohës që po humbet. Krijuesi i mbyllur në apartamentin- studio- varr, nuk do të çojë dëm asgjë. Të mos shkojë asgjë dëm: as trupi, as koha. As shpirti. Prandaj krijuesit shprehin veçanërisht mungesën e vendit, të panjohurën. Krijuesi i kësaj kategorie është i huaj, si në çdo qytet të planetit, ashtu edhe në Qytetin e lindjes...
Do të doja t’ju kujtoja këtu, edhe një tjetër histori, e cila më pëlqen veçanërisht dhe ndoshta përbën edhe kredon time. Dadaisti Artur Kravan, i cili ishte shkrimtar dhe botues i revistës letrare “Maintenant” (1912). Artur Kravan, përveçse shkrimtar ishte edhe boksier, natyrisht, në mënyrë simbolike. Në 23 prill 1916 ai ftoi në një duel në ring kampionin e botës në peshat e rënda, Xhak Xhonson. Ndeshja u zhvillua në Madrid. Natyrisht që shkrimtari doli nokaut që në raundin e parë. Kuptimi?
Kuptimi është i thjeshtë. Do të thotë se po nuk luftove, po nuk u ndeshe për idetë e tua, atëherë nuk ke të drejtën që të besosh në to!...
Ky shkrimtar deklarohej si nip i Oskar Wilde, stërvitës gjarpërinjsh, mi hotelesh dhe ishte i pari që bëri “striking” lakuriq përpara zonjave, të cilat i shëtiste nëpër ekspozitën e tij. A. Kravan vendosi një ditë prej ditësh që t’i vinte rreth e qark botës dhe të përshkonte detin e Karaibeve me një lëvozhgë arre kokosi. Donte të vërtetonte se bota ishte e sheshtë!
I la takim gruas së tij, poetes Mina Lois, e cila sapo kishte lindur vajzën e tyre, për ta takuar dy muaj më pas në Buenos Aires. Mina Lois e kërkonte vite më pas nëpër të gjitha burgjet dhe shkollat e riedukimit, deri edhe nëpër çmendina. Por gjurmët e tj nuk u gjendën asnjëherë...
Doni edhe raste të tjera?
Karavaxhio, në arshivat e policisë së Romës në vitet 1593, përmendej si bandit dhe vrasës me pagesë. “Vago-n” e kishte pikturuar qysh në vitin 1591. Atëhere ishte njëzet vjeç. Rembrandi në moshën 26 vjeçare kishte pikturuar “Mësim i Anatomisë nga doktor Tulp”. Kossuth, artisti, i cili këmbëngulte se vepra e artit ishte fjala për artin, e shkruajti “Art after Philosofy” në vitin 1969, kur ishte vetëm 24 vjeç. E njëjta gjë mundet të thuhet për Verlenin, Rembonë, e simbolistë të tjerë.
Doni edhe të tjera raste? Është rasti i shkrimtarit shqiptar, Kasem Trebeshina, i cili kishte shumë qejf të përmendte një varg të Volterit: “Ai është gjallë, atje në malet!”. Ashtu sikundër i pëlqente të thoshte një thënie të Ajnshajnit: “Përdersa u deshën 100 firma gjermanësh për të më përjashtuar nga Akademia Gjermane, ky fakt tregon se unë jam dikushi”. Edhe unë u thashë atyre se, përgjersa prutë tërë Lidhjen (për të më dënuar), jam dikushi”.
Kështu pra, shkrimtari e krahason veten, herë me Volterin herë me Ajnshtajnin, por edhe me maja të tjera të kulturës botërore. Vetëlavdërime, mburrje? Fryrje e papërligjur?
Asgjë nga këto. Ai, si shkrimtar i vërtetë ishte ashtu si malet, i lartë e i lirë, si gjithmonë Ndjesia e lirisë dhe ajo ndjesia tjetër, se është mik a koleg me shkrimtarët e filozofët e mëdhenj të botës, por jo me vulgun kulturor që kërkoi ta shtypë e t’i marrë frymën gjithë jetën, i dhanë Trebeshinës lirinë e pamatë, për të krijuar e për të mos u ndjerë asnjëherë inferior apo rob i rrethanave.
Diku tjetër ai citon Bethovenin, ku ky thotë se artisti është për nga natyra egoist. Pasi, Trebeshina qysh herët është kritikuar nga shokët komunistë, se ishte i tillë. Natyrisht që jam, thotë Trebeshina. Natyrisht që është.
Por çfarë ka këtu? Jeta është shumë e shkurtër dhe ato që ndjen brenda artisti i shqetësuar, a më saktë i vorbulluar, kanë nevojë për një kohë tejet të gjatë për t’u hedhur në letër e për të shkuar te publiku. Si të mos jesh egoist për këtë dhunti dhe pasion të madh, që është krijimi, kur rreth e rrotull s’të lënë rehat mizat, mediokriteti, xhelozitë letrare, denoncimet e kolegëve letrarë, mungesa e ushqimeve, e të ngrohtit, burgjet, izolimet, e sa e sa rrethana të tjera, që shkojnë pikërisht kundër krijimit dhe shpirtit të pastër që kërkon ta sjellë atë te lexuesit e vet. I rëndë është egoizmi në fusha të tjera, në të tjera profesione. Egoizmi dhe deliret janë të llahtarshme, kur qëllojnë p.sh., cilësi të udhëheqësve politikë. Dhe këtë shqiptarët e kanë provuar mbi kurriz kushdi sa herë, vazhdojnë ta provojnë edhe në këto ditë që shkruajmë. I padurueshëm është egoizmi në marrëdhëniet shoqërore e materiale të njerëzve, ndërsa për artistë e shkrimtarë të llojit të një Trebeshine, do të përdorja më mirë termin që përdor Stefan Cvajgu, kur bën portretin e Stendalit, “egotist”: “Stendali nuk e ka mohuar dashurinë për veten, autoerotikën e botëvështrimit të tij të kthyer nga vetja, përkundrazi, ai mburret me të dhe e pagëzon hapur me një emër sfidues: egotizëm. Egotizëm nuk është gabim shtypi dhe nuk duhet ngatërruar asfare me vëllanë e vet bastard, me egoizmin harbut dhe plebe. Sepse egoizmi kërkon të zgrapë me vrazhdësi atë që u përket të tjerëve; ai ka duar lakmitare dhe ngërdheshjen e shëmtuar të zilisë. Ai është shpirtvogël, cingun, i pangopur, aq sa dhe përzierja me shtysa shpirtërore nuk ia heq dot brutalitetin shterp. Ndërsa egotizmi i Stendalit nuk kërkon t’i rrëmbejë asgjë asnjeriu, me kryelartësinë e vet ai ua lë paranë zgrapësve të parasë, ua lë ofiqet ambiciozëve, ua lë urdhrat dhe medaljet karrieristëve, ua lë letrarëve flluskat e sapunit të lavdisë së tyre. Të lumtur qofshin! Me përçmim u buzëqesh ai nga lart-poshtë, ndërkohë që ata zgjasin qafat për t’i lyer me shirita ari, kërrusin shpinën për t’u zbukuruar me tituj e grada, fryjnë puplat së bashku në grupe ose në grupthe dhe pandehin se sundojnë botën. Mbajeni, mbajeni,- qesëndis ai buzagaz, pa zili, pa lakmi! Mbushini xhepat dhe dendini barqet! Egotizmi i Stendalit është vetëmbrojtja e flaktë, ai nuk ia shkel sinorin askujt, por as nuk lë njeri t’i kapërcejë pragun. Ai ngre mure kineze përballë çdo ndikimi të njerëzve të huaj, kundër çdo vërshimi idesh dhe mendimesh, gjykimesh të tjera; kundërvënia e tij krejt private me botën, është për të një duel fisnikësh, ku llumi nuk lejohet të hyjë. Ambicia e vetme e egotizmit të tij është, që të krijojë brenda Hanri Bejlit (Stendalit) një hapësirë plotësisht të izoluar; një serrë ku të lulëzojnë pa pengesë bimët e çmuara tropikale të individualitetit të tij krijues”.
Kujtoni këtu Marsel Prustin dhe veprën e tij të famshme “Në kërkim të kohës së humbur”.
Kujtoni këtu edhe historinë e Chelsea Hotel, i cili mbart në vetvete mitet, historitë e fantazmat e të gjithë atyre bohemëve që kanë respekt për vetveten dhe që duan një vend pranë fantazmave të tyre.
Ndoshta do t’ju duket pa vend, por gjëja më e bukur që kam dëgjuar e parë kohët e fundit është një reklamë për Wiskyn Johnnie Walker.
Absurde, ë?
Ndoshta jo. Reklama është kujtime nga e ardhmja. Është një robot, i cili do të jetë njeri. Të dojë, ta duan, të ndiejë, ta ndiejnë. Të prekë e ta prekin. Të jetojë!
“Nuk dua ta mësoj. Dua ta jetoj!”
Kjo frazë, të cilën nuk mbaj mend që ta kem thënë apo dëgjuar gjëkundi, m’u kujtua kur pashë reklamën e Wisky-t. Me siguri që e keni parë. Protagonisti është një robot nga e ardhmja, ndoshta nga një e ardhme jo fort e largët. Zhvillimi dhe teknologjia kanë bërë hapa gjigande, ashtu sikundër edhe atij (robotit) i kanë dhënë mundësi të pakufizuara. Mbinjeri?
Jo. Niçja do të skandalizohej dhe nuk do ta pranonte, ashtu sikundër nuk do ta pranojë as edhe roboti. Sepse, që të jesh Mbinjeri, fillimisht duhet të jesh Njeri. Të ndiesh, të shpresosh, të dashurosh. Je veprosh spontanisht dhe jo i programatizuar. Të krijosh dhe jo të zbatosh. Të jetosh!
Një jetë e kaluar mundet të prekë pafundësinë. Thjesht, “duke bërë diçka të çmuar”.
“Nuk jam unë e ardhmja. Ti je!”- thotë, na thotë në reklamë roboti. Megjithëse ai e di se të paktën teorikisht do të ekzistojë përgjithmonë. Do të ekzistojë, nuk do të jetojë...
Dhe roboti më krijon ndjenjën e krenarisë që jam Njeri! Shpresoj edhe juve që do të më lexoni...

Δεν υπάρχουν σχόλια: