Τρίτη 30 Οκτωβρίου 2007

Historia dhe librat e historisë në turrën e druve...




Historia dhe librat e historisë në turrën e druve...
Nga Ardi Stefa


A mos vallë duhet të mësojmë nxënësit se Luftën e Trojës e bëri një brinjar për të marrë përsëri putanën e vet?...
Apo se Lufta e Parë Botërore filloi për shkak të vrasjes së një princi diku në një qytet të Europës?...


Në disa nga blogspotet, në të cilat hyj dhe shpreh edhe mendimet e mia, më bëri përshtypje fakti që të gjithë debatuesit kishin mendime të kundërta me vendimin e qeverisë për tërheqjen e tekstit të Historisë së Greqisë të klasës së gjashtë të shkollës fillore. Shumë “blogistë” shpreheshin me indinjatë për këtë vendim obskurantist, në shekulin XXI, në epokën e globalizmit dhe të shoqërisë demokratike, në epokën e BE dhe deklaronin se ishte një vendim, i cili e kthente Greqinë shumë vite prapa, por edhe dëshmonte për një nënshtrim të shoqërisë përparaimtare e demokratike ndaj fesë dhe ekstremit të djathtë.
Por a është kështu?
Ndoshta është dhe unë s’kam asnjë qëllim që ta kundërshtoj mendimin dhe bindjen e tyre. Por çështja ishte komplekse dhe aspak një fenomen ekskluziv grek. Kisha përvojën e mashtrimeve monstruoze që ishin bërë me historinë e Shqipërisë, ashtu siç kisha bindjen se diku tjetër, në ndonjë shtet tjetër do të kishte ndodhur edhe e njëjta gjë.
Hyra në internet, në faqe të ndryshme kërkim, arshiva gazetash grekei dhe grumbullova faktet e mëposhtme që po ua paraqes në formë artikulli...

Përpara rreth dy dekadash, në epokën e rënies përfundimtare të ish Bllokut Lindor, filozofi, Fransis Fukujama, deklaroi me të madhe dhe me bindjen e plotë, që shoqërohej nga argumentat e tij “Fundin e Historisë”!
Dhe Historia u hakmorr ndaj tij duke e vënë thënien e teorinë e tij në njërën nga “budallallëqet” më të mëdha që u dëgjuan ndonjëherë... Historia nuk tregon asnjë shenjë plakjeje. Vazhdon të shkruhet, ashtu si gjithmonë, me gjak. Dhe se si shkruhet, kjo është një çështje krejtësisht e thellësisht serioze.
Dhe Historia vetë gjithmonë është trajtuar jo si shkencë, por si pasion, shpesh herë si qëllim e synim dhe është vënë në shërbim të epokave e regjimeve, ndërkohë që shumë libra Historie janë anatemuar e djegur në turrën e druve.
Mënyra e të shkruarit të Historisë ka ngjallur debate, jo vetëm brenda vendeve që shkruajnë historinë e vendit të tyre, por edhe më tej, ka pasur kriza ndërkombëtare, siç ishte kriza ndërmjet Japonisë dhe vendeve, të cilat kishin qenë pushtuese të saj...
E njëjta gjë ka ndodhur e ndodh në Greqi, ka ndodhur e ndodh edhe në Shqipëri. Në shqipëri me shpalljen e Pavarësisë, por edhe me ngjarje të tjera që ndodhën në dekadat e mëvonshme, me historinë e shkruar mbi bazën e pasioneve “Patriotiko-folklorike”. Të gjitha këto krijuan më pas nga “Historinë Zyrtare Folkloristike Shqiptare”. Një histori, e cila u krijua jo vetëm vite më pas, jo vetëm në mungesë të protagonistëve të vërtetë, por edhe të të ashtuquajturve protagonistë, të cilët nuk u ndërgjegjësuan kurrë se do t’u ngarkonin një të tillë rol. Dhe vazhdojnë me një trajtim folklorist të patriotizmit, dashurisë për atdheun dhe harrojnë se historia nuk është përrallë, por mbi të gjitha është shkencë është mendim kritik. Se historia shkruhet në shumë trajta në epoka e kohë të ndryshme. Rëndësi ka të mos jemi robër të njërit, apo të tjetrit këndvështrim historik, veçanërisht, kur ai kryhet nën prizmin e një ideologjie të caktuar...
Krijimi i “dyshimeve” tek nxënësit, por edhe tek vetë qytetarët në lidhje me saktësinë e njohurive e dijeve të tyre për historinë e vendit të tyre, është mëse normale, bile mendoj se është njëra nga detyrat dhe synimet e arsimit. Krijimi i mendimit kritik dhe atij krijues tek nxënësit, edhe në një shkencë të qartë e të saktë siç është Historia, dhe jo siç është trajtuar deri më tani, si mitologji e folklor është detyrë e shoqërive moderne e demokratike. Sepse deri më sot, pasojat tragjike të Luftërave të ndryshme Botërore apo rajonale, çuan në një këndvështrim të ngushtë të Historisë, e cila u mësohet nxënësve nëpër shkolla. Dhe kjo Histori, e cila u jepet nxënësve shpesh herë në vend të argumenteve të sakta e të provuara shkencore, bazohet në mite, folklor, në pasione, të cilat u përçohen si të vërteta nxënësve. Shpesh herë tekstet e historisë u mësojnë nxënësve fanatizmin, mbivlerësimin e Historisë së vendit të tyre dhe nënvleftësimin e historisë së vendeve të tjera, tendenca nënvlerësimi apo zhvlerësimi të simboleve të kombeve të tjera dhe shpesh herë ndryshimin e qëllimshëm të fakteve...
Në Greqi, do të doja të përmendja faktin se përpara disa ditësh, u tërhoq nga programet mësimore, teksti i historisë së klasës së gjashtë fillore, pasi pati reagime nga qarqet ekstreme e nacionaliste dhe jo vetëm, për mënyrën e trajtimit të disa fakteve historike, të cilat deri tani trajtoheshin si mite...
Por rasti i sipërpërmendur i Greqisë, pavarësisht se ndodhi në një vend të përparuar e demokratik, nuk është ai që kishte më shumë viktima. Një ministre arsimi, e cila nuk arriti të zgjidhej deputete dhe një tekst historie i tërhequr nga programet shkollore, nuk kanë të njëjtën peshë specifike të atyre ç’ka kanë ndodhur në Izrael. Në vitin 2000, qeveria e Laburistëve të Barak, u rrëzua pas reagimeve për heqjen nga qarkoret shkollore të disa fakteve, të cilat ajo mendonte se mashtronin pasionet e ndjenjat etnike. Qëllimi politik në këtë rast bëhet edhe më i qartë edhe nga fakti se kjo qarkore ka mbijetuar deri sot. Studenti i atëhershëm, Tendi Kazh, hoqi të zitë e ullirit nëpër gjykata, të cilat e dënuan për mashtrim e reklamë negative të veteranëve të luftës.
Shkaku ishte se ky student bëri një studim, i cili u vlerësua me notën shkëlqyeshëm, për masakrën e 200 palestinezëve civilë nga ushtria izraelite në luftën e vitit 1948. Ngjarjet e atij viti izraelitët i përfshijnë në “Luftën për Pavarësi”. Palestinezët i përshkruajnë me një fjalë të vetme “Nakba”, e përkthyer- Katastrofë...
Edhe sivjet, një libër historie, i destinuar posaçërisht për nxënësit arabë të klasës së tretë fillore, nxiti përsëri tërbimin e qarqeve ekstreme. Dhe kjo për faktin se mohon një mit bazë të historisë zyrtare izraelite, i cili thotë se palestinezët u larguan me dëshirë, me t’u shpallur pavarësia e Izraelit në vitin 1947. Njohja dhe pranimi i dëbimit dhe genocidit të të paktën 700.000 palestinezëve ishte i toneve të ulëta (“Disa palestinezë braktisën vendin dhe disa të tjerë u dëbuan nga ai”,- thuhet në tekstin e Historisë.). Por kjo nxiti reagime dhe konflikte të mëdha në qeverinë e koalicionit. Abigdor Liberman, ministri i çështjeve ushtarake, nënpresident i qeverisë dhe lideri i partisë së ekstremit të djathtë “Yisrael Beiteinu”- (Izraeli, shtëpia jonë) kritikoi dhe ironizoi “Mazohizmin dhe fatalitetin pacifist, por edhe kompleksin e humbjes së të Majtës, e cila vazhdimisht dëshiron të bëjë apologji se kemi bërë gjithmonë atë që duhej!”.
Ministria laburiste e arsimit, iu përgjigj me atë që ishte e kuptueshme dhe logjike: “Arabët kanë të drejtën të shprehin ndjenjat e tyre”, duke shprehur në këtë mënyrë një mënyrë indirekte të shprehjes së mënyrës së trajtimit të historisë, por edhe të kuptimit të Historisë. Qarkorja e saj titullohej “Bashkëjetesa në Izrael”, duke i dhënë trajtimit luftarak edhe një dozë ironie të hidhur!...
Në Brazil, rasti i një tjetër libri historie të shkollës fillore, iu atribuua përsëri komplotit...komunist. gazetari i O Globo, Ali Kamel, sulmoi akademikun dhe shkrimtarin e historianin Mario Shmid, me argumentin se përpiqet që t’i bëjë nxënësit “të besojnë se kapitalizmi është diçka e keqe!”. Libri ka titullin (të dyshimtë për materializëm dielaktik) “Historie e re kritike”. Akuzohet për komunist, pavarësisht se po të lexosh librin e tij, vështirë se i simpatizon komunistët. Libri i tij, megjithëse u shkruajt e qarkulloi në vitin 2002, u rivlerësua në vitin 2005, dhe, megjithëse ishte mësuar nga miliona nxënës, u tërhoq nga qarkullimi.
Në Rusi, flamujtë fitimtarë të Ushtrisë së Kuqe janë rikthyer dhe vitet sovjetike të superfuqisë që përmenden gjithnjë e më shumë, duket se po rehabilitijnë deri në një farë mase Stalinin. E gjitha kjo në një libër historie me bashkëautorë pedagogë universitetesh. Vladimir Putin, i cili është interesuar personalisht për librin në fjalë dhe këtë lëndë në shkollat e Rusisë ka deklaruar se: “Nuk duhet të ndihemi fajtorë për historinë tonë. Problemet tona nuk janë edhe aq të tmerrshme sa ato të vendeve të tjera!”. Ngjarja qendrore historike në periudhën 1945-2006, konsiderohet Fitorja e Madhe Patriotike në luftë. Kështu Stalini konsiderohet si “modern” dhe “Udhëheqësi më i madh e i lavdishëm sovjetik”, i cili, natyrisht që bëri disa gabime, në grackën e të cilave “nuk ra presidenti... Putin”.
Për presidentin Putin në libërin në fjalë shkruhet se është “I shëndetshëm, energjik dhe që ka dëshmuar se sa i madh e shumëplanësh është pushteti presidencial”. Opozita në Rusi është tepër e dobët, kështu që ato që shkruhen në tekstet udhëzuese për vitet e ardhshme shkollore, sjellin humor dhe komente kritike nga vetëm disa historianë e shkencëtarë...
“Zvicra u pasurua nga floriri i viktimave të nazistëve”! Ky ishte përfundimi i studiuesve dhe historianëve të komisionit të Pavarur Berzhie. Për pesë vite radhazi komisioni përpiqej të hidhte dritë mbi këtë çështje. Kur arriti në përfundimet e veta, Parlamenti Federativ, i cili e kishte ngritur komisionin në vitin 1996, pas presioneve të organizatave judee, e konsideroi çështjen e arsimimit historik jashtë kompetencave të saj. Vetëm në vitin 2006 në një libër historik dhe për përdorim të ngushtë u përmend fakti i implikimit të Zvicrës në pasuritë e viktimave të nazizmit, por kjo gjë shkaktoi reagime tek qarqet e ekstremit të djathtë.
Në Spanjë, Enrike Vijiar, përfaqësues i qeverisë Aznar, në vendin e Baskëve, fliste për një rrezik në arsimimin “me pasoja të mundshme serioze të këtij lloji të terrorizmit”. Në një libër të historisë në licetë e Spanjës, ETA, konsiderohej e karakterizohej si “Lëvizje e Baskëve për Çlirim Kombëtar, produkt i rezistencës patriotike, e pavarur nga partitë politike, organizate apo organizmi.”
Kjo gjë solli reagimin dhe protestën e Vijiarit, po edhe minimizimin e çështjes nga baskët, të cilët deklaruan se preej shumë kohësh kjo çështje kishte pushuar së ekzistuari.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në SHBA, në vendin më demokratik, ku tekstet e historisë që studiohen nëpër shkolla kalojnë në një sitë të jashtëzakonshme. Nuk janë të pakta rastet në dekadën e fundit kur shumë tekste të historisë së SHBA, nuk janë miratuar, nuk janë lejuar të futen në programet shkollore, bile janë hequr nga programet mësimore edhe në mes të vitit. Në vitin 1996, libri i Historisë së Amerikës u hoq nga programet mësimore, dhe grupi i autorëve që kishte hartuar tekstin u anatemua si “nënvlerësues e nilhilistë të historisë së SHBA”, për “nënvlerësim të eposit amerikan” dhe për paraqitjen hiperbolike të momenteve të caktuara të historisë, për të cilat amerikanët nuk janë fort krenarë, siç ishte masakrimi i indianëve të kontinentit.
Në vend të një komenti në lidhje me këtë, por edhe me sa shkruajta më lart do të sjell dialogun e dy shkrimtarëve të njohur amerikanë, Uilliam Din Hauells dhe Mark Tuein:
Hauells: Pyes veten se përse e urrejmë kaq shumë të kaluarën!
Tuein: Sepse ajo është kaq e turpshme...”
Dhe kjo gjë vlen gjithandej...
Dhe duhet të vërë në punë mendjen e politikanëve dhe forcave përparimtare të të gjitha vendeve të planetit, tani në shekullin XXI...

Δεν υπάρχουν σχόλια: